“Çeku i bardhë” 1 miliard euro

Çfarë është projekti i qeverisë “1 miliard euro investime”, sa transparent është, cilat janë kostot dhe përfitimet dhe mbi të gjitha a ka pasoja për të nesërmen? Pikëpamjet e ndryshme të ekspertëve të ekonomisë Besart Kadia, Oltion Rrumbullaku dhe Ornela Liperi

“Apres nous, le deluge” (Pas nesh, le të bëhet hataja). Kështu e përmbledh eksperti i ekonomisë, Sherefedin Shehu, projektbuxhetin për vitin 2018. Që do të jetë borxh, askush nuk e vë në diskutim, thekson ai, – por pyetja është se sa do të paguajmë për këtë borxh. E vlerëson shokues projektin “1 miliard euro investime” dhe thekson se në faturën që bizneset do t’i bëjnë qeverisë do të shtojnë fitimin e investimit në projektet publike “veresie” për 15 vjet, si edhe koston e kredisë që do të marrin në banka, sepse nuk besoj se ato kanë kaq shumë para të thata nën “jastëk”.

Projekti “1 miliard euro investime”, siç pritej ka ndarë në dysh ekspertët e ekonomisë, por për publikun ai mbetet ende i paqartë. “Mapo Weekend” në forumin e saj sjell mendimet e tre ekspertëve të fushës, duke u fokusuar te transparenca dhe pasojat.

Kryeredaktorja e revistës “Monitor”, Ornela Liperi, mendon se projekti i qeverisë është si një përrallë me një fillim të bukur, por që fundin mund ta ketë ndoshta dhe të hidhur. Ajo vëren se mungon transparenca, nuk ka një analizë të qartë kosto-përfitime dhe mund të mbetet si një borxh i fshehur. Liperi vëren gjithashtu se nuk dihet nëse bankat do të jenë të gatshme të marrin përsipër rrezik dhe të financojnë këto projekte. “Ndaj pas dhjetë vitesh mund të gjendemi në një situatë ku do të shohim që kemi shpenzuar shumë dhe kemi përfituar pak dhe brezat e ardhshëm do të ngarkohen me një barrë të panevojshme borxhi, që do të dëmtojë rritjen e qëndrueshme në afatin e gjatë”.

Drejtori i “Institutit Europian Pashko”, Besart Kadia, është skeptik edhe për ekzistencën e projektit “1 miliard euro investime”. Kadia evidenton se ende s’kemi parë një projekt të tillë të shpallur publikisht nga qeveria. “Ka në fakt disa diskutime për projekte financimi të mundshme infrastrukturore, por që njëra nuk i ngjan tjetrës. Pra, nuk është i njëjti parim kontraktual apo incentivë ekonomike si ndërtimi i Rrugës së Arbrit, me ndërtimin e një shkolle. Pra, është e vështirë të shprehësh një mendim si ekonomist për këtë projekt kur studimet teknike të fizibilitetit të këtyre projekteve nuk janë publike (nëse këto ekzistojnë).

Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë, Olti Rrumbullaku, e sheh më pozitivisht iniciativën. Ai mendon se Shqipëria ka nevojë për investime publike në çfarëdolloj formati që të vijnë, por këto investime të kenë studime fizibiliteti të mirëfillta dhe të trajtohen njësoj si investimet e tjera buxhetore. Ai thekson gjithashtu se në projektbuxhetin e vitit 2018 mund të kishim një shpërndarje më të madhe fondesh për bujqësinë, sikundër mund të kishte një mbështetje më të shtuar kundrejt arsimit profesional, si dy fusha që mund të gjenerojnë më shumë punësim.

Tre ekspertët analizojnë edhe ndryshimet në paketën fiskale dhe pritshmëritë për ndryshimet që do të sjellë projektbuxheti për vitin 2018 në sektorin e punësimit dhe zhvillimin e biznesit dhe investimeve.

S’ka asnjë dokument të qeverisë për projektin “1 miliard euro” 

Besart Kadia, Drejtor i Institutit Europian Pashko

Si e vlerësoni projektin e qeverisë “1 miliard euro investime”, sipas jush është mënyra e vetme edhe pse me risk për të patur investime të konsiderueshme apo kemi të bëjmë me shmangie të garës dhe borxh që do ta paguajnë qytetarët më vonë me interes të lartë?

Nga përdorimi i shpeshtë i termit “projekti 1 miliard” ne pa dashje biem në grackën e komunikimit dhe ndërtojmë analizën e politikave ekonomike bazuar mbi këtë gjest komunikativ sikur me të vërtetë ekziston një “projekt 1 miliard euro”. Duhet theksuar se akoma dhe sot nuk ekziston asnjë dokument i shpallur publikisht nga qeveria se çfarë do të thotë projekti 1 miliard euro.

Ka në fakt disa diskutime për projekte financimi të mundshme infrastrukturore, por që njëra nuk i ngjan tjetrës. Pra, nuk është i njëjti parim kontraktual apo incentivë ekonomike si ndërtimi i Rrugës së Arbrit, me ndërtimin e një shkolle. Pra, është e vështirë të shprehësh një mendim si ekonomist për këtë projekt kur studimet teknike të fizibilitetit të këtyre projekteve nuk janë publike (nëse këto ekzistojnë).

P.sh., në relacionin e vitit 2018 vihet re se sa diverse dhe jo të ngjashme janë kontratat që synohen të lidhen në vitin 2018. Ato variojnë nga ndërtimi i shkollave në arsimin parauniversitar në Bashkinë e Tiranës me vlerë 48 milionë euro, në ndërtimin e spitalit të Fierit me vlerë 72 milionë euro apo në ndërtimin dhe operimin e rrugës Orikum–Himarë me vlerë 132 milionë euro. Po ashtu, u shpall në publik fituesi i koncesionit të Rrugës së Arbrit, por nuk shprehet se sa do të jetë kostoja e interesit në këtë kontratë nga ana e qeverisë, sa ishin kostot e paraqitura nga kompanitë e tjera, sa do të jetë kostoja e tarifës së përdorimit të rrugës etj. Po ashtu, 2 kompani të tjera nuk kishin as dokumentacionin e rregullt në këtë tender kaq të rëndësishëm dhe të gjitha kompanitë ishin shqiptare. Pra, një ndër arsyet përse shpallen PPP-të është edhe tërheqja e investitorëve të huaj që të ofrojnë know-how apo shprehin më vonë interes për sektorë të tjerë të ekonomisë etj. Në rast se të gjitha firmat që marrin pjesë në tender dhe shpallen fituese do të jenë vetëm firma shqiptare mendoj se duhet të shprehim shqetësim për procedurat e nënshkrimit të këtyre kontratave.

Gjithashtu, edhe kontratat e shërbimit të nënshkruara në sektorë të tillë si shëndetësi janë akoma jotransparente dhe nuk janë të qarta se sa konkurruese ka qenë procesi i përzgjedhjes së këtyre firmave dhe çfarë përfitimesh ekonomike kanë sjellë për qytetarët shqiptarë.

Mendoni se projektbuxheti 2018 është nxitës për ekonominë, ndihmon zhvillimin e biznesit, rrit punësimin apo vijon shpërndarja rutinore e fondeve sipas sektorëve?

Po të hiqet diskutimi për projektin e financimit të projekteve me anë të PPP-ve, buxheti i vitit 2018 është një buxhet pa interes për publikun e gjerë e për bizneset.

Vijon sërish ndryshimi i taksave në baze të paketës së re fiskale. Cilat do të jenë efektet e këtyre ndryshimeve dhe çfarë iniciativash fiskale mendoni se mungojnë në paketën fiskale?

Buxheti i vitit 2018 është larg premtimeve elektorale të qeverisë Rama II. Në të thuhet se tatimi mbi dividentin do të ulej në 6% nga 15%. Po ashtu, shkruhet se do të ulet tatimi mbi të ardhurat personale nga 23% në 18%. Por këto dy premtime të vetme që janë shkruar dhe në programin qeverisës nuk po realizohen. Kjo është dekurajuese pasi në katër vitet e shkuara si nga pushteti lokal dhe nga ai qendror barra fiskale është rritur gjatë tërë kohës duke mos dhënë asnjë lehtësim për sipërmarrjen vendëse. Në fakt është shumë negative për ekonominë tonë që sërish po diskutohet që të vendoset taksa progresive 23% për të gjitha llojet e të ardhurave të individit. Kjo e komplikon akoma më shumë sistemin tatimor dhe do të jetë një masë tjetër dëmtuese për ekonominë. Mos harrojmë që dhe për sa i përket klimës së biznesit Shqipëria ka bërë hapa pas me 7 vende sipas “Doing Business” të Bankës Botërore. Mos harrojmë se para dy vitesh qeveria Rama sponsorizonte shkrime në revistën prestigjioze “The Economist” për t’i treguar botës se ishte lider në rajon për sa iu përket reformave. Por dy vite më vonë indikatori i Bankës Botërore tregon se të bësh biznes në Shqipëri është më pak e lehtë se në vendet e tjera.

Nga ana tjetër, sot qeveria mbledh mbi 28% të GDP-së në formën e të ardhurave tatimore nga 24% që ka qenë më parë. Duke qenë se lufta anti-informalitet solli shumë pak rezultat kjo tregon se e gjithë e ardhura shtesë ka ardhur si rezultat i rritjes së taksave në ekonomi dhe jo si rritje e eficiencës e mbledhjes së taksave. Ky indikator në fakt është një indikator i mirë për Ministrisë e Financave, por shumë i dëmshëm për aktorët ekonomikë. 

Shqipëria ka nevojë për investime publike në çfarëdolloj formati që të vijnë 

Olti Rrumbullaku, ekspert ekonomie, pedagog në Universitetin e Tiranës 

Si e vlerësoni projektin e qeverisë “1 miliard euro investime”, sipas jush është mënyra e vetme edhe pse me risk për të patur investime të konsiderueshme apo kemi të bëjmë me shmangie të garës dhe borxh që do ta paguajnë qytetarët më vonë me interes të lartë?

Shqipëria ka nevojë për investime publike në çfarëdolloj formati që të vijnë. E rëndësishme është që këto investime të kenë studime fizibiliteti të mirëfillta dhe të trajtohen njësoj si investimet e tjera buxhetore. Madje, nëse bankat do jenë pjesë e financimit të këtyre investimeve, do të kemi një palë të tretë që do verifikojë në mënyrë më korrekte këto investime dhe besueshmërinë e bizneseve të cilët do futen në një garë të tillë. Këto praktika kanë risqet e tyre, por edhe investimet e mirëfillta nëpërmjet buxhetit nuk është se kanë qenë të përsosura në lidhje me frytshmërinë e tyre për buxhetin dhe ekonominë.

Mendoni se projektbuxheti 2018 është nxitës për ekonominë, ndihmon zhvillimin e biznesit, rrit punësimin apo vijon shpërndarja rutinore e fondeve sipas sektorëve?

Deri në 2017 qeveria ka treguar se mund të gjenerojë një rritje konstante të të ardhurave gjatë viteve, por jo e shoqëruar me rritje të investimeve. Buxheti i vitit 2018 është një ndryshim i rëndësishëm në lidhje me investimet duke pasur një fokusim tjetër tek investimet publike të kombinuara me koncesione që sjellin investime publike të tjera shtesë. Mund të kishim një shpërndarje më të madhe fondesh për bujqësinë, sikundër mund të kishte një mbështetje më të shtuar kundrejt arsimit profesional, si dy fusha që mund të gjenerojnë më shumë punësim.

Vijon sërish ndryshimi i taksave në baze të paketës së re fiskale. Cilat do të jenë efektet e këtyre ndryshimeve dhe çfarë iniciativash fiskale mendoni se mungojnë në paketën fiskale?

E gjithë paketa fiskale ka vetëm dy momente që ia vlen që të ndalemi. Ndryshimi i parë ka lidhje me favorizimin e turizmit dhe ndryshimi i dytë për uljen e pragut të bizneseve të vogla. Në lidhje me çështjen e parë, turizmi shqiptar ka një problem themelor që duhet kohë që ta tejkalojmë. Në Shqipëri mungojnë strukturat hoteliere masive që mund të akomodojnë grupe të mëdha të organizuara turistike.

Gjeografikisht jemi pranë shteteve që përdorin në mënyrë të gjerë këtë lloj turizmi, por që nuk mund të përfitojmë qoftë edhe në mënyrë sporadike apo anësore. Ligji për Investimet Strategjike duhet të përdorej në mënyrë më të drejtpërdrejtë për këtë qëllim, por me sa duket është ende e vështirë për investimet e tilla që të interesohen për Shqipërinë dhe që të tejkalojnë të gjithë pengesat burokratike që krijohen këtu te ne. Nga ana tjetër, qasja e biznesmenëve vendës për të përdorur bregdetin për investime rezidenciale është një tjetër pengesë në këtë drejtim, sepse sidoqoftë investimet nuk mund të jenë të panumërta.

Në pikën e dytë në lidhje me biznesin e vogël ka disa opinione të ndryshme. Trajtimi fiskal i bizneseve të vogla në Shqipëri ka një favorizim të jashtëzakonshëm, i pangjarë në asnjë shtet tjetër në zonën e Europës Lindore, Ballkan e me gjerë. Më në fund po merret një vendim që e ndryshon paksa këtë qasje. Në këtë situatë nuk ndryshon tatimi mbi fitimin apo mbi të ardhurat personale, por vetëm pragu i TVSH-së. Deri në vitin 2015, pjesa dërrmuese e bizneseve të vogla e të mesme që shesin me pakicë mallra apo shërbime drejt konsumatorit ishin jashtë TVSH-së duke deklaruar xhiro shumë më të ulëta. Pas fushatës së informalitetit, kjo sjellje filloi të ndryshojë dhe administrata tatimore realizoi transferimin e mijëra bizneseve në pragjet më të sipërme, mbi 5 milionë dhe mbi 8 milionë. Gjithsesi, për shkak se pragjet tatimore janë pranë njëri-tjetrit, përsëri ishte e vështirë që pragu 5 milionë të kishte një zbatim të përpiktë të deklarimit të xhirove. Në këto kushte, përgjithësisht shtetet përdorin uljen e mëtejshme të pragut, për të qenë më të drejtë në shënjestrimin e subjekteve që në të vërtetë realizojnë xhiro më të lartë. 

 

Një përrallë me një fillim të bukur, por që fundin mund ta ketë të hidhur

Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës “Monitor” 

Si e vlerësoni projektin e qeverisë “1 miliard euro investime”, sipas jush është mënyra e vetme edhe pse me risk për të patur investime të konsiderueshme apo kemi të bëjmë me shmangie të garës dhe borxh që do ta paguajnë qytetarët më vonë me interes të lartë?

Projekti 1 miliard euro është si një përrallë me një fillim të bukur, por që fundin mund ta ketë të paparashikuar, ndoshta dhe të hidhur. Problemet janë po ato që kanë ngritur Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe së fundmi edhe Banka Botërore. Së pari, mungon transparenca, së dyti, nuk ka një analizë të qartë kosto-përfitime, së treti për sa kohë që qeveria nuk ndryshon metodologjinë e raportimit të tyre sipas standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit, ky do të jetë një borxh i fshehur dhe së katërti nuk dihet nëse bankat do të jenë të gatshme të marrin përsipër rrezik dhe të financojnë këto projekte. Ndaj pas dhjetë vitesh mund të gjendemi në një situatë ku do të shohim që kemi shpenzuar shumë dhe kemi përfituar pak dhe brezat e ardhshëm do të ngarkohen me një barrë të panevojshme borxhi, që do të dëmtojë rritjen e qëndrueshme në afatin e gjatë.

Mendoni se projektbuxheti 2018 është nxitës për ekonominë, ndihmon zhvillimin e biznesit, rrit punësimin apo vijon shpërndarja rutinore e fondeve sipas sektorëve?

Në pamje të parë buxheti duket pozitiv dhe i qëndrueshëm. Të ardhurat totale në raport me prodhimin e brendshëm bruto (PBB) pritet të arrijnë në 28.1%, me një rënie të lehtë në krahasim me 28.2% e PBB-së që parashikohet për këtë vit. Qeveria ka vijuar me politikën e konsolidimit fiskal, duke ulur deficitin buxhetor dhe duke planifikuar një ulje graduale të borxhit publik dhe duke rritur njëkohësisht shpenzimet kapitale. Por, duke e lidhur me elementet që përmendëm më lart, buxheti duket më shumë si një tullumbace e bukur, që rrezikon të shfryhet sapo t’i ngulet një gjilpërë. Sa iu përket shpenzimeve ato nuk dalin nga rutina e përhershme, fryrja e kostove administrative, ndërsa vijon e rritet barra e buxhetit për pagesën e pensioneve, në një sinjal që reforma e pensioneve nuk ka dhënë rezultatin e duhur. Dhe teksa FMN dhe BB kanë paralajmëruar se ekonomia do të ngadalësohet vitet e ardhshme për shkak të mbarimit të investimeve të mëdha (TAP dhe Devoll), nga ana e qeverisë shihet një vetëkënaqësi, e nxitur nga investimet e brendshme të larta, por që për fat të keq janë në pjesën më të madhe në ndërtim, duke mos i dhënë vlerë të shtuar ekonomisë në afatin e gjatë. 

Vijon sërish ndryshimi i taksave në baze të paketës së re fiskale. Cilat do të jenë efektet e këtyre ndryshimeve dhe çfarë iniciativash fiskale mendoni se mungojnë në paketën fiskale? 

Në fakt qeveria këtë vit ka patur dy sjellje të kundërta dhe që nuk janë aspak në filozofinë e të majtës. Së pari, në emër të formalizimit të ekonomisë ajo ka ulur kufirin e TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, duke rritur barrën administrative dhe taksat për biznesin e vogël (nëse ky i fundit nuk do arrijë të transferojë në çmimin fundor do të detyrohet ta paguajë vetë dhe të mbyllet). Së dyti, kjo paketë ka lehtësi fiskale të jashtëzakonshme për hotelet me 5 yje, një lëvizje që pritet të rrisë evazionin fiskal dhe të dëmtojë konkurrencën e lirë. Për sa i përket zgjerimit të taksës progresive, ajo thjesht do të rrisë më tej evazionin siç ka bërë dhe taksa progresive mbi pagat që arrin deri në 23%, ku sot shumë individë me paga të larta po regjistrohen si biznese të vogla dhe po lëshojnë fatura, duke shmangur taksat. Është pra e qartë se qeveria nuk ka një plan të qartë se si të luftojë informalitetin, por thjesht po bën lëvizje të pamenduara mirë dhe mbi të gjitha klienteliste.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fahri Balliu: Kritikët e Bashës kanë qenë një parti brenda PD-së

Këndvështrimi i botuesit Fahri Balliu për rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit...
Read More