Çela, Fevziu e Blushi: Suprizat e Mapo Editions në panairin e librit

Shkelqim-CelaKy edicion i panairit të librit boton autorët më të suksesshëm të librit shqip, nga vepra fituese e çmimit “Kadare 2016” e Shkëlqim Çelës, me histori të kujtesës nga diktatura të Vera Bekteshit dhe Maks Velos dhe proza politike e Ben Blushit dhe Fevziut

Nga data 9-13 nëntor hapet edicioni i 19-të i panairit ndërkombëtar të Librit në Tiranë

Ndryshe nga vitet e kaluara, jo vetëm politika ka aftësinë të tërheqë lexues drejt librit por këtë vit veprat letrare të autorëve shqiptarë apo proza politike nga emra të njohur të politikës kanë pasur vëmendjen më të lartë nga Mapo Edition, duke shënuar një vit të Klubit letrar Mapo me supriza botimesh. Megjithatë balanca e leximit ka anuar nga emrat e politikanëve, si gjithmonë në krye rebeli dhe kritiku më i ashpër i Ramës, Ben Blushi që pas suksesit të “Kandidati” do të jetë në panairin e librit të Tiranës, që hapet më 9-13 nëntor, me librin “KM. Kryeministri”. Por ky është ndjekur jo pak herë nga libra të shkruar nga gazetarët si Blendi Fevziu, që sjell rrëfimet e “Pushtetit”, artin e frikshëm dhe fundin e tij! Apo libri i gazetares Eni Vasili, me librin “Unë kam vrarë”.

Por krahas ngjarjes politike, që krijoi më shumë zhurmë se asnjëherë rebelizmi i Ben Blushit, ky i fundit do të sjellë në këtë panair librin e tij të ri, “KM. Kryeministri”. Deri tani vëmendja është në përballjen që ka pasur politikani, por si duket provokon sërish me një emër përgjithësues, por kontekstual, për ta bërë lexuesin të nxitet drejt kësa lënde letrare.

Pritshmëria pas daljes në një lëvizje të re politike, si kritiku më i ashpër i Ramës, për të përsëritur historinë e një prej librave më të shitur, “KM” i Ben Blushit tashmë e ka krijuar energjinë e kuriozitet tek lexuesi në pikën maksimale. Ashtu siç Blushi është shprehur vetë në rrjetin social se së shpejti do të ketë dy LIBRA, perceptimi ka shkuar për dy botime, por që në fakt deri tani të dyja janë realizuar, krijimi i partisë “Libra”, si dhe daljen e librit që pritet “KM”, që siç është shprehur do të bëjë dallimin ku njëri do të flasë për dritën dhe tjetri për errësirën.

Por jo vetëm këta dy emra, Blushi e Fevziu kanë tërhequr lexuesin. Çmimet letrare Kadare 2016 ka shënuar një befasi në letërsi shqipe, me trilogjinë e Shkëlqim Çelës, “Embriologji”. Porse një rast i paprecedentë mbeten botimet e autores Vera Bekteshi, e cila këtë vit, me romanin e saj “Ora me rërë”, arrin të kthejë letërsinë në një simbolikë të mundimit, e të rezistencës nga e kaluara.

Diktatura duket se ka qenë argumenti që është rikthyer këtë vit në shumë krijime letrare, të zhanreve të ndryshme. Nevoja për kujtesën dhe ridimensionimin e memories si domosdoshmëri për të mos harruar të shkuarën, pothuaj është përfaqësuar me tre botime domethënëse.

Rrëfimet e Shkëlqim Çelës, me librin trilogjik “Embriologjia” pothuaj një notë reale e jetesës, si natyrë antropologjike në diktaturë ka prodhuar një letërsi absurde, me shenja të ironisë së fortë si rrallë në letërsinë e postdiktaturës.

Romani i Vera Bekteshi në estetikën e rezistencës ka krijuar një imazh vizual të jetës në diktaturë, në një retrospektivë gati filmike duke shenjuar një ngjarje, një objekt për të ngritur si monument kujtesën. Ndërsa, promovuar dje në mjediset e UET-së, piktori dhe shkrimtari Maks Velo,  risjell edicionin e tretë të ribotimit të veprës “Klubi Karavasta”, duke e plotësuar me një pjesë të dytë, të shkruar pothuaj dhjetë vite më parë. Edhe në këtë rast, ashtu siç Velo rrëfen, diktatura është tërheqja prej së cilës vitet e burgut nuk e lënë të largohet. Vendet e internimit ku ende ka gjurmë banimi, dhe njerëz që janë harruar pas përndjekjeve në diktaturë krijojnë sërish një absurd të asaj kohe. Për këtë, Velo tërheq vëmendjen edhe në një problematikë të autorit, arsyeja pse risolli “Klubi Karavasta”, nxitur nga një histori plagjature nga regjisorët e filmit “Bota”, për të cilën ende nuk ka një përgjigje.

***

Embriologji, Shkëlqim Çela

Tri novela: Përgjuesit, Zbor & Yje të pash(q)uar, Mapo Editions, Fitues i Çmimit “Kadare”, 2016

Për një shkrimtar që i qëndron larg historisë së sotme shqiptare, si duket kujtesa bëhet ekzistenca mentale. Gjendja e kthimit në një periudhë të caktuar të moshës, rikthimi dhe përcaktimi final mbi këtë rikthim qëndron në embrion të evokuimit të diktaturës së veprës së Shkëlqim Çelës, të cilit dje iu dorëzua çmimi “Kadare” nga Fondacioni Mapo, për librin triptikun “Embriologji”. Ky autor jeton jashtë atdheut, duke hedhur një spirancë raportesh jo të zakonshme si autor i afro dhjetë romaneve në shqip, ku të shumtat i gjen në rekorde digitale. Për lexuesin shqiptar “Embriologji” është i pari në formatin letër duke thyer për ironi paradokset e këtij autori, pasi pohon me bindjen se “letra” vazhdon të shijojë lexuesit klasikë, krahasuar me shkarkimet digitale. Çela një autor shqiptar pak i njohur në qarqet e këtushme letrare, është vlerësuar si proza më e mirë me librin e tij “Embriologji” mes 33 konkurrentëve në garën e 2016. Jashtë pritshmërive të këtij mjedisi motivimi nga juria e çmimit “Kadare” ka qenë: “Për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që iu garanton këtyre tri novelave dhe autorit, një hyrje në letrat shqipe”.

Shpesh raportet e prezencës së autorit në vlerësimin kritik kanë një debat të gjerë, duke e lënë lexuesin të vetëm përballë tekstit. Ky autor është rasti. Lexuesi ka përballë një libër, me tre novela që vijnë organikisht me njëra tjetrën. Një raport i përmbysur i ekzistencës së individit që nis me fundin e jetës, e përfundon në fillimin e tij.

“Përgjuesit”, “Zbori” dhe “Yjet e (pa) shuar” – krijojnë në mbyllje të tyre një skemë të plotë, të pandara nga njëra tjetra, sa sociologjike po aq dhe antropologjike. Autori hyn në moshën e tretë, mbi një tipologji të “përgjuar”, si një kërkim psikik mbi këtë realitet të tretë. Ngjarjet në të tri pjesët fotografojnë një brez, të rritur të edukuar në diktaturë, por të moshuar në fund të saj.  Natyra e të rrëfyerit bëhet sureale, aq e paimagjinueshme në një kontigjent tërësisht mashkullor. Është gati një libër maskilist. Autori njihet për ironinë. Në këtë trilogji limitet e fantazisë s’marrin kontekste trilli. Ndryshe nga një letërsi fiction prerja mbi këto tri novela fsheh mjaft situata absurde. Autori nuk i mëshon shumë faktit se kjo ndodh në komunizëm. E sidomos të tregojë se kjo ka ndodhur në komunizmin tonë. Një ngasje gati oruelliane mund ta nënkuptonte absurdin nën diktaturë. Por autori ka mbetur një trajtë besnike e fotografimit, një fare reminishence. E vetmja mbetje e këtij realiteti janë “përgjuesit” që krijojnë bëmat heroike prej të cilave morën titujt e veteranëve. Lexuesi mbi një strukturë pak komplekse mbetet i sugjestionuar duke përjetuar brutalitetin e së keqes. Fantazi e shfrenuar, atmosferë erotike të pazakontë, frenetizëm banal në një klub pleqsh që gjerbin kafenë duke mërmëritur si saga heronjsh historinë.

KM, Kryeministri, Ben Blushi

KM Është historia e një kryeministri që për të fituar zgjedhjet planifikoi një atentat kundër vetvetes. Ngjarjet zhvillohen në Shqipëri, në vitin 2021, kur një ushtar i akuzuar për bashkëpunimin me organizata terroriste dhe i sapokthyer nga Afganistani pranon të marrë pjesë në atentat duke e vrarë Kryeministrin.

KM është romani i pestë në tetë vjet i shkrimtarit Ben Blushi i cili ka botuar romanin “Të jetosh në ishull” në vitin 2008, “Otello, Arapi i Vlorës: që fitoi çmimin Europian të letërsisë në vitin 2011, romanin “Shqipëria” në vitin 2014, romanin “Kandidati” në vitin 2015 dhe esetë “Hëna e Shqipërisë” dhe “Letër një socialisti”. Dhjetëra mijëra kopje të shitura, një debat në media dhe qarqet letrare e ka bërë Ben Blushin shkrimtarin me numrin më të madh të kopjeve të shitura gjatë 20 vjetëve të fundit.

“Pushteti”, Blendi Fevziu nga Mapo Edition

“Pushteti” një ese për magjinë, makthet dhe fundin e tij, nga Mapo Edition.

Rrëfim për artin e frikshëm të pushtetit dhe fundin e tij! Një përrallë për gjithë ata që besojnë se janë të pavdekshëm! Dhe të gjithë njerëzit e tunduar nga fuqia…Blendi Fevziu gazetari më i famshëm shqiptar i tranzicionit dhe autori më i shitur shqiptar me biografinë e Enver Hoxhës. Si i tillë, autori është mjaft i pushtetshëm, pra ai e njeh mjaft mirë enigmën e pushtetit, por pa qenë i detyruar si ata që i kanë thënë “PO” pushtetit, – ai nuk ka qenë i detyruar të pësojë deformimet e pushtetit. Ky është një privilegj, si të marrësh më të mirën e dy botëve. Kush më mirë se një gazetar politik, prej më shumë se 25 vjetësh, mund të bënte roman ose ese për pushtetin dhe deformimet e tij: Blendi Fevziu. Duke qenë gazetar dhe afër mjediseve publike, ai ka fituar mijëra nuanca, mijëra dilema të fuqishme, dhe, mbi të gjitha, njeh kompromiset dhe gëlltitjet që liderët tanë kanë bërë për pushtet! Ky është romani, ose eseja e re e Blendi Fevziut. Por pak rëndësi ka se çfarë zhanri është, sepse sot gjithçka është letërsi. Na e kanë thënë Sartri dhe Heminguej, dje, dhe Nobeli këto dy vitet e fundit! Gjithçka është letërsi. Jeta në radhë të parë, -pushteti aq më tepër.

‘Klubi Karavasta’ i Mask Velos, njeh botimin e tretë nga Mapo Edition

“Po Mesasi ishte pa histori, pa legjendë. Kishte vetëm një ngjarje që asnjërit nuk i hiqej nga mendja, dhe fëmijët e vegjël e mësonin nga gjyshet. Nuk ishte legjendë ishte ngjarje e vërtetë. Ishte mbytja në kënetë e Elsës në vitin 1972. Kjo ishte hapësira e askujt, fati i askujt, lumturia e askujt, brenga e askujt. Por dënimi i të gjithëve. Ngulimi tjetër tetë kilometra më larg quhej Haskujtas, toka e askujt. Horizontin e mbyllte Karavastaja…” – ky qytet i përshkruar nga Maks Velo në librin e tij, të botuar e ribotuar, “Klubi Karavasta”. Një histori, që për shumë arsye, ka vendosur të sjellë botimin e tretë por me një pjesë të dytë të plotësuar. Velo është shprehur se ky roman, në fillim, lindi si novelë, ndërsa tani po e boton të plotë, në dy pjesë. Pjesa e parë është botuar nga “Korbi”, viti 2004, dhe ribotuar nga Toena, 2014, sipas shkrimtarit, pa asnjë ndryshim. “Pjesën e dytë e shkrova mbas 12 vitesh, sepse e ndjeva që këtë vepër e kisha lënë të paplotësuar. Romani zhvillohet në një 10-vjeçar, gjatë viteve 1992-2002, një nga dhjetëvjeçarët më të rëndësishëm dhe dramatikë në historinë e Shqipërisë. Ngjarjet në pjesën e parë zhvillohen midis viteve 1992 deri më 1997, me rrëzimin e piramidave. Pjesa e dytë e romanit përfshin periudhën 1997-2002”, ka sqaruar Velo, duke ia njohur këtë të drejtë, teoritë e letërsisë, si vullnet të autorit për të bërë ndryshime mbi veprën e tij në të gjallë.

Ky libër, ndryshe nga çdo shkrimtar, duket se i ka dhënë ca mundime tregimtarit që ka të bëjë me një realitet shqiptar, kokëfortë, ku dinjiteti i krijuesit mbetet vija e fundit e një lufte të heshtur.

Është nga të rrallët shkrimtarë që krijon një raport ideal mes imazhit dhe fjalës. Një histori fiction që ngjall kureshtjen dhe gërryen lexuesin për të kërkuar realitetin. Kështu skena të tëra përshkrimi, lëvizin sipas parabolës së tregimit. Velo shkruan një roman duke u munduar “të flasë” sa më pak, duke ndërtuar pothuaj dialogë të pushtetit të shtatë, që fshehin misterin dhe lënë mendimin  të ndërtojë një histori të kaluar, por që nuk ndeshet, nuk shihet përballë.

Përveç një historie ngulmimi të përdhunshëm, ku është zhdukur çdo lidhje me të kaluarën, qyteti Mesasi mban në një “ngujim” të ri njerëzit e tij, edhe pse janë fillimvitet ’90.

Vera Bekteshi: ‘Ora me rërë’ ose mundimi i rezistencës!

Të lindur në diktaturë, me fate diametralisht të kundërt janë ende histori të asaj njolle biografike që kanë mbetur si memorie e pathënë plotësisht. Vera Bekteshi  rrëfen këto  ngjarje në një distancë kohe, por e përfshirë në përgjegjësinë për ta dëshmuar kohën e saj nën diktaturë. Të rinjtë në diktaturë sa Brenda një koshience të moshës, aq dhe jashtë asaj politike krijojnë dramën e veprës më të re të Bekteshit, romanin “Ora me rërë” , botimet “Mapo Editions”, e promovuar dje në mjediset e Universitetit Evropian të Tiranës. Përshkrimi i jetës së të rinjve në diktaturë, të cilët përfaqësohen si brez i saj, në natyrshmërinë e bashkëjetesës në një pallat. Paradokset lidhen me “faqet e murit”, dikush në apartamente të gjera plot dritë, e të tjerë nën zymtësinë e bodrumeve të mbytur nga myku. Në një simbiozë kujtesë, vjen ky “pallat” i ndërtuar nga të burgosurit politikë, sipas një modeli rus të viteve ‘ 50-të duke u shndërruar në shenjë të jetës së të rinjve. Për këto ndjesi vërtetësie flet Vera Bekteshi, për të krijuar si çdo shkrimtar afrinë me lexuesin. Në historinë e shkrimit të tij Bekteshi rrëfehet: “Ky libër më ka munduar shumë. Kam 3 vjet që merrem me të dhe e kam shkruar që vitin e parë, por për shkak të strukturës, të trajtimit të njeriut “pa dekor”, mua më është dashur të vuaj për ta realizuar. E kam punuar shumë, mbase  dhe e kam prishur, por jam munduar për mirë. Një gjë tjetër që më ka munduar është fakti që kam filluar të shkruaj shumë vonë. Sot kam gëzim dhe vuajtje të madhe, padyshim dhe emocione. Më ka munduar sepse e fillova vonë të shkruarin dhe këto faza duhet t’i kisha kaluar 30, 40, 50, por po i kaloj 60 vjeç e sipër, e nuk është aq kollaj. Mbaj mend që babai im ishte i fortë si gur e kur kaloi 83 vjeç, filloi të përlotej dhe thashë që kjo ishte shenjë e mortit. Mua më ka filluar shumë shpejt në krahasim me babain, por ai ishte burrë. Ky libër kryesisht flet për kohën e sotme, për të ashtuquajturën kohë moderne. Koha moderne karakterizohet nga ekstremet e saj që do të thotë ose gjithçka caktohet si çështje morale ose çështje morale s’ka fare. Ose nuk bëhet asnjë kompromis, ose ka vetëm kompromise. Unë mendoj që si në çdo kohë dhe kjo kohë mbase nuk është më e vështirë, por ne na duket e tillë pasi kemi kaluar disa sisteme, e vetmja gjë që na ngelet është të qëndrojmë”.

Ilir Ikonomi me biografinë e rrallë, “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti”.

Një libër biografik prej 570 faqesh për Esat pashë Toptanin, botim i UET Press, është punimi më i ri i gazetarit të “Zërit të Amerikës” Ilir Ikonomi, i njohur për suksesin me Faik Konicën (2011) dhe Ismail Qemalin (2012). Ky libër, fryt i një studimi katërvjeçar, për herë të parë i sjell lexuesit një trajtim të paanshëm dhe neutral të Esat Pashës (1864-1920), të cilin autori e karakterizon si njërin ndër personazhet më enigmatikë të botës shqiptare. Qysh në krye, Ikonomi shtron pa mëdyshje pyetjet që ka marrë përsipër t’u përgjigjet në libër: A ishte Esati mercenari që shiste atdheun për një grusht para? Apo ishte pragmatisti që refuzonte të bëhej shërbëtor i të huajit? Përse i zemëronte disa qeveri dhe ia dilte të miqësohej me të tjera? Si arrinte ky njeri pa ndonjë shkollë të fuste në dilema edhe diplomatët e përpunuar në universitetet europiane? Ku e mësoi artin e të folurit, që i bënte intervistat e tij të tingëllonin më koherente dhe më bindëse, sesa belbëzimet e shumë prej udhëheqësve që njohim? Përse u vra dhe kush u gëzua nga vrasja e tij? Përse historianët shqiptarë nuk kanë dashur kurrë të merren seriozisht me të, por i bien shkurt dhe e shpallin tradhtar? Përgjigjja e autorit është komplekse, ashtu si vetë jeta e Esat Pashës. Në thelb, Ikonomi përpiqet që, nëpërmjet personazhit të tij, të na zhysë në periudhën e formimit së shtetit të ri shqiptar dhe të rrëfejë shumë nga misteret e asaj kohe, kur Shqipëria përballej herë me shpresat e ngritjes, herë me kaosin e rebelimeve dhe herë me fatalitetin e pushtimeve të huaja. Ai nuk moralizon, por thjesht paraqet faktet, duke e lënë në dorën e lexuesit të gjykojë mbi Esat Pashën, i cili edhe sot është objekt debatesh të ndezura. “Personalisht, – shkruan Ikonomi, – nuk më lidh asgjë me Toptanët dhe nuk kam ndonjë interes për të qëndruar në këtë, ose në atë anë të debatit. Aty nuk ka tradhtarë dhe heronj. Aty ka fakte të ftohta që mund ta bëjnë lexuesin të argëtohet ose të trishtohet nga çmenduria njerëzore, por kurrsesi të kalojë në indinjatë apo ekzaltim, kur ndeshet me një poshtërsi a me një heroizëm”. Autori sqaron se libri i tij i drejtohet publikut të gjerë e jo thjesht studiuesve të historisë. Megjithatë, shpjegon Ikonomi, studimi i Esat Pashës nuk mund të mos mbështetej mbi një burim të shëndoshë arkivor, të pandotur nga rrëfimet gojore dhe nga interpretimet subjektive. Për këtë arsye ai ka kërkuar në shumë arkiva për të nxjerrë një arsenal të tërë dokumentesh pak ose aspak të njohura deri më sot.

Por Esat Pasha që na sjell Ikonomi nuk është personazhi statik, që jeton i kyçur në një botë të veçuar, siç e kemi përfytyruar deri më sot. Mjeshtërisht, autori e bën Esatin të flasë dhe të komunikojë me lexuesin në terrenin shqiptar të kohës. Me kujdesin e tij të njohur për detajin, Ilir Ikonomi na zhyt natyrshëm në jetën e Esat Pashës, na bën të shohim dhe të prekim mjedisin ku ai jetonte, të kuptojmë psikologjinë e tij, të thithim të njëjtin ajër.

Im atë Sterio, Ilinden Spasse

Libri i Ilinden Spases “Im atë Sterio”, botuar nga UETPRESS, është një roman i mbajtur në faktet reale dhe në hollësitë e jetës së përditshme, një trajtim kronologjik i shtrirë nga fëmijëria deri në ndarjen nga jeta të shkrimtarit Sterio Spasse. Biografia letrare e një personaliteti kërkon qëmtimin e imtë dhe përzgjedhjen e fakteve jetësore. Ky libër me një lëndë të bollshme, madje shumësia e materialit jetësor është një nga pasuritë e tij, është mbështetur në disa burime. Ilinden Spasse ka pasur në duar arkivin e gjerë të familjes, një arkiv që është ruajtur dhe sistemuar nga vetë Sterjo Spasse. Burimi i dytë janë kujtimet e tij si autor. Një jetë e tërë e jetuar pranë atit të tij i ka dhënë mundësinë të ndjekë gjithë ulje – ngritjet e gjithë dramaticitetin që shoqëroi jetën krijuese të një brezi shkrimtarësh, miq të të atit. Duke qenë dhe vetë shkrimtar, Ilinden Spasse i ka jetuar në thellësi peripecitë e shumë krijuesve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi. Në këtë libër janë bashkuar kërkimi, përzgjedhja dhe derdhja në formën letrare të romanit e gjithë jetës së Sterio Spasses. Sterio Spasse lindi në fshatin Gollomboç të krahinës së Prespës. Babai i tij, një natyrë mjaft energjike në rininë e tij, me shumë mundim rriti fëmijtë e tij. Sterjon e dërgoi në shkollë. Fillimisht ai studioi në fshat, në Korçë dhe mbaroi pedagogjiken e Elbasanit. Si mësues në fshatin Dervician të Gjirokastrës, në moshën 22 vjeç, Sterjo Spasse ka gati romanin “Pse?”. Me botimin e tij në Korçë, ky roman e vuri autorin ndër pionierët e romanit shqiptar dhe i dha atij një vend prijëtar ndër autorët e quajtur të viteve ’30. Vitet ’30 kishin sjellë në Shqipëri botimin e disa gazetave ku shpalleshin idetë e disa lëvizjeve letrare e mendore që nga ato të quajturat konservatore të udhëhequra nga Branko Merxhani dhe Vangjel Koça deri ato republikane, e të majta me përfaqësues Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi, vëllezërit Stafa etj. Sterio Spasse i përmbahej një krahu të qendrës, boton tregime, botoi romanin “Afërdita”, shkroi artikuj mbi shkrimtarët e traditës. Kjo e afroi me Dhimitër Paskon, Vedat Kokonën, Nexhat Hakiun, me të cilët në vitet 40 krijuan revistën Kritika letrare.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Përgjigjia e një fëmije në test po thyen rrjetin

Thuhet se çdo fëmijë lind i talentuar dhe kreativ, por më pas...
Read More