Ceremonia e diplomimit 2017-2018 në UET: Histori njerëzore në 680 versione

Rrëfehen studentët e brezit të parë dhe të dhjetë, nga  51-vjeçari ekselent, tek studentja e UET në Oksford

Universiteti Europian i Tiranës ditën e premte zhvilloi ceremoninë e 10-të të diplomimit, ku emocionet ishin të shumta, jo vetëm për ata që diplomoheshin, por edhe për studentët e brezit të parë që ishin të ftuar në këtë dhjetë vjeçar brezash të diplomuar, ku 100 më të mirët, ishin të ftuar në këtë organizim, ky fjalën përshëndetëse e ka mbajtur ish-studentja e UET, Adela Danaj.

Adela Danaj, e cila ka përfunduar në vitin 2014 studimet në UET, në profilin e Shkencave Politike, sot krahas të qenit një nga studentët ekselentë të UET, kthehet edhe si Presidente e Shoqatës UET Alumni. Ajo ndau me studentët e pranishëm dhe të ftuarit, eksperiencën e saj si student ekselente në UET.

“Fillimisht në emër të UET më lejoni t’ju falënderoj që keni bërë zgjedhjen e duhur, që keni zgjedhur UET. Duhet të jemi të gjithë mirënjohës UET për një arsye fare të thjesht, sepse sot ju keni bërë një hap shumë të vogël i cili është domethënës për ju. Por më besoni që do të jeni të gatshëm për të përballuar sfida të mëdha. Sfida të cilat unë dy vite më parë i përballova vetë teksa shkova të studioj jashtë, në një universitet relativisht me një kërkesë dhe standard të lartë dhe atje pashë që formimi që kisha marr në UET nuk ishte i vogël. Arrita të sfidoj të gjithë frikërat e mia dhe arrita të dal dhe atje studente me vlerësimin “outstanding” arrita edhe atje që falë UET të isha studentja më e mirë në Central European University. E nisa nga UET dhe ju sot e keni nisur nga UET. Ndaj përpiquni të merrni më të mirën, përpiquni të vazhdoni të mbani kontaktin me UET dhe përpiquni të rriteni ashtu sikurse UET rritet dita-ditës!”, u ka thënë ajo studentëve në fjalën e saj përshëndetëse.

Artur Sokoli 51-vjeçari ekselent, që u diplomua në ciklin Master

Artur Sokoli ishte studenti më i mirë i Fakultetit Ekonomik, ka mbajtur gjithashtu një fjalim përshëndetës për kolegët e tij të sapodiplomuar dhe të ftuarit e pranishëm. “Një proverb i bujqve të antikitetit thotë: “Të mbjellim bashkë, të korrim e të vjelim bashkë dhe të festojmë të korrat e të vjelat së bashku”!

Kjo ditë është festa e punës, e raportit mes asaj çfarë ju si pedagogë u dhatë studentëve tuaj dhe çfarë ne, të sapodiplomuarit do të bëjmë me këtë dije që morëm. Dëshira e madhe që sjell një graduim universitar është realizimi i ëndrrës në horizontin e ri. Zhvillimi nuk është rrethor, por spiral. Sa herë kthehemi në pikën e nisjes duhet të jemi shumë nivele më lart, më shumë objektiva të reja! Tempujt e dijes janë Faltoret e brezave të rinj që vijnë për të mësuar dhe foltoret e mjeshtërve të dijes.

Të dashur bashkëstudentë, dëshira për të ngjitur shkallë universitare, besomëni, është e njëjtë me dëshirën për të mbetur sa më gjatë i ri, jo pse rinia është ekuivalentja e bukurisë, por sepse dituria është universale. Sot në këtë ditë feste, falënderimi i parë me zemër për pedagogët tanë të nderuar! Një fjalë e urtë tropojane thotë se: “Trimi nderon trimin, i mençuri të mençurin”! Të ngjisësh një shkallë akademike më lart është trimëria e mençurisë!  Në këmbë besimplotë të nderojmë, këtë panel mjeshtrash, mësuesit tanë duke hedhur kapelet dhe të dashurojmë çdo çast jetën dhe lavdinë e Zotit!

E gëzofshim diplomën dhe u gëzofshim prej saj! Ia dolëm. Faleminderit, UET!”

 

Alfred Coha: Një diplomë me shumë mund e sakrifica

“Unë shprehem se rruga akademike është e vetmja rrugë që mund të ndriçojë një individ, një familje, një shoqëri. Unë nuk besoj në asnjë rrugë tjetër përveç kësaj.”
Kështu shprehet student i sapodiplomuar në degën Shkenca Politike, Alfred Coha, i cili mori më në fund diplomën e shumëdëshiruar, ditën e premte, gjatë Ceremonisë së Diplomimit. Historia e tij është ndoshta historia më e veçantë në këtë brez të 10-të të studenteve. Ajo fillon në vitin 2009.
Një djalë i ri, i etur për dije, me objektiva të qarta për të ardhmen, Alfredi regjistrohet për të ndjekur studimet e larta, në Universitetin Europian të Tiranës në degën Shkenca Politike. Përkushtimi ndaj studimeve dhe pasioni për këtë fushë e kanë shoqëruar atë që në fillim ndaj dhe eksperienca në UET ishte konform pritshmërive të tij. Teksa gjithçka dukej të shkonte mirë dhe viti akademik ishte drejt fundit, Alfredi krejt papritur përballet me një sfidë të vështirë. Problemet ekonomike që u shfaqën në jetën e tij, e bënin të pamundur vazhdimin e shkollës. Situata dukej e pashpresë, por Alfredi nuk ishte mësuar të hiqte dorë nga ëndrrat e tij, ndaj rrëfen, se për hir të pasionit dhe dëshirës për të mësuar, bëri një “pakt me djallin”.
“Unë kam bërë një shkëputje nga universiteti, nga jeta ime akademike. Këtu kam qenë student në 2009-ën fillimisht. Për po të njëjtën degë për të cilën diplomohem sot. Në pamundësi ekonomike bëra një marrëveshje, siç cilësohet shpesh “marrëveshje me djallin”, por që realisht nuk qëndroi e suksesshme. Unë shkela ligjet e shtetit tim, ligjet e Shqipërisë. Me vetëdije për të vetmin qëllim, për tu arsimuar. Mirëpo kjo nuk ishte zgjidhje…”
Teksa fillon të rrëfejë historinë e tij, në sy i duket qartë emocioni që më në fund, sakrificat e tij kanë filluar të shpërblehen. E kujton ende momentin kur mori vendimin e vështirë. Pranoi të bënte transport të lëndëve narkotike vetëm për hir të sigurimit të parave, të cilat do t’i mundësonin vijimësinë e arsimimit të tij. Për këtë arsye, Alfredi u dënua plot 10 vjet burg.
“Kujtoj se ishte muaji i fundit i mbarimit të shkollës në vitin e parë kur unë zgjodha rrugën e shkurtër për të siguruar këto para dhe bëra një ‘pakt me djallin’, në heshtje. U dënova nga drejtësia e shtetit tim dhe dënimin e pranova me përulje.  Unë u dënova 10 vjet, pranimi i shkurtuar 6 vite dhe 8 muaj dhe për sjellje të mirë në institucionin e vuajtjes së dënimit unë përfitova një vit amnisti. Dënimin e mbarova për 4 vjet e 6 muaj”, thotë ai.
Në rrëfimin e tij të sinqertë, Alfredi pranon se veprën e kreu vetëm për hir të pasionit të tij dhe dëshirës së madhe për dije. Kaq e fortë ishte dëshira për të studiuar sa edhe netët e kalura në izolim, nuk kalonin pa qëllim.
“Gjatë vuajtjes së dënimit tim, unë me shpirt dhe me zemër isha në UET, sepse ajo ishte në një farë mënyre edhe arsyeja për të cilën unë “u ndalova”. Edhe atje unë nuk i ndava librat nga jastëku, shfrytëzova bibliotekën e institucionit të vuajtjes së dënimit. Pasi dola, dy lëndët kryesore të Shkencave Politike dhe lëndën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i dhashë provim dhe i mora me vlerësimin 9, pas 5 vjetëve që isha shkëputur nga  jeta akademike”, tregon ai.
Është e thuajse e pabesueshme të dëgjosh se një individ ka kryer një vepër penale, me qëllim të vetëm, dijen. Por pasioni i Alfredit për Shkencat Politike vërehet edhe sot, ndoshta edhe më tepër se dje. Emocioni dallohet qartë në zërin e tij, sepse ëndrrat më në fund po marrin formë.
“Sot është një ditë e veçantë për mua dhe për të gjithë studentët që mbarojnë studimet në UET. Unë në fakt, këtë studim ia dedikoj shoqërisë së Shqipërisë, sepse është një diplomë që konsiderohet dhe quhet diplomë e shkencave politike. Pra, të merresh me politikë i takon vetëm shoqërisë. Duke qenë se unë i takoj shoqërisë së Shqipërisë, këtë diplomë ia dedikoj shtetit dhe kombit shqiptar. Edhe pse realiteti i Shqipërisë shpesh të përball me sfida të vështira, si në rastin tim, ku në një moment arsimimi për mua u bë i pamundur, unë sot ia dola të kem në duar diplomën time.”
Alfredi shprehet mirënjohës ndaj shansit të dytë që ka fituar për të realizuar synimet e tij, në UET, falë bursës sociale të studimit që ka përfituar. Ai thotë se pa këtë bursë gjërat mund të mos kishin qenë njëlloj për të.
“Për mua, të studiuarit shkenca politike është një kënaqësi e veçantë dhe një detyrim njëkohësisht përsëri edhe më shumë i veçantë. Mirënjohjet e mia, jo vetëm të miat, por edhe të familjes time, prindërve dhe vëllezërve të mi, ia adresoj UET. Pa mbështetjen e këtij institucioni, unë do ta kisha përfunduar arsimimin tim me vonesë”, shprehet ai.
Ndërkohë, Alfredi thotë me bindje të plotë se ky është vetëm fillimi për të.
“E kam të vështirë të shprehem, sepse jam në momente pak a shumë si të lirisë, sepse po e mbaroj universitetin pas 10 vjetëve. 10 vjet sakrificë dhe përkushtim. Dhe deklaroj me forcë, me besim të madh në vetvete që rruga akademike nuk mbaron me kaq për mua. Do bëj Masterin, do bëj edhe Doktoraturën.”

Holklid Arapaj: Diploma, shpërblim i mundit dhe sakrificës

Holklid Arapaj, ashtu si miqtë e tij, ishte i pranishëm në Ceremoninë e Diplomimit për të marrë letrën e shumëdëshiruar që dëshmon mundin dhe përkushtimin ndaj studimeve të tre viteve.
Ai ishte i shoqëruar nga prindërit e tij në këtë ceremoni dhe krenaria dhe lumturia reflektoheshin në sytë e të treve.
“Jam shumë i lumtur që sot do të marr në duar diplomën. Fakti që studimet e mia i kam përfunduar me sukses më bën shumë krenar, jo vetëm për shkak të përkushtimit tim, por edhe sepse e shoh këtë si një mënyrë për të shpërblyer sakrificat dhe mundin e prindërve të mi”, tregon Holkidi, i cili ka studiuar në UET në degën Informatikë-Ekonomike dhe ka qenë përfitues i bursës sociale për tre vite rresht, për shkak se babai i tij ka statusin e invalidit.
Teksa kujton eksperiencën e tij në UET përgjatë këtyre tre viteve, Holklidi shprehet se planet e tij për të ardhmen janë të shumta.
“Eksperienca ime këtu ka qenë e shkëlqyer. Që nga pedagogët të cilët më kanë qëndruar gjithmonë pranë, administrata e UET e cila ka qenë shumë mikpritëse gjatë këtyre tre viteve, leksionet, aktivitetet e shumta, jeta studentore. Për këto arsye besoj se vitin tjetër do të rinis studimet e mia në UET, këtë herë në ciklin Master”, thotë ai.
Të emocionuar janë edhe prindërit e tij.
“Ndjehemi shumë të gëzuar dhe shumë të lumtur, për rezultatet e Holklidit por edhe për faktin se UET ka qëndruar pranë nesh përgjatë këtyre viteve dhe ka kontribuar në arritjen e këtij momenti”, thotë babai i Holklidit, Iliriani.

Françeska Shollo: Një studente e UET në Oxford

E lumtur njëlloj si kolegët e saj të pranishëm në  Ceremoninë e Diplomimit, Franceska Shollo, studentja e UET në degën Menaxhim Biznes, ndan me gazetën MAPO emocionet e kësaj dite.
Përgjatë këtyre viteve, Franceska ka qenë një studente mjaft aktive në UET dhe një përfaqësuese e denjë jashtë tij.
“Gjatë këtij tre vjeçari kam kujtime shumë të bukura që vështirë të harrohen. Një ndër më të bukurit, është ai i eksperiencës time në Erasmus, në Lituani, në “Siauliai University’’ gjatë vitit të tretë. Një eksperiencë e cila më bëri të ndihem më e maturuar, gjatë së cilës fatmirësisht arrita të fitoj edhe vendin e parë në konferencë të organizuar nga ‘Siauliai University’, si një ndër studentët Erasmus+ më aktivë. Krenaria që përjetova aty për shkak se arrita të bëj një të mirë për vendin dhe universitetin tim, është e papërshkrueshme”, tregon Franceska e lumtur, teksa çasti për tu ngjitur në podium për të marrë diplomën afron.
Franceska rrëfen, se falë UET një tjetër mundësi e madhe e pret këtë verë.
“Një tjetër mundësi e cila gjithashtu buroi nga UET, është ‘Oxford Investment Programme Summer School 2018’ në Oxford/UK. Bëhet fjalë për një shkollë verore, të krijuar nga ‘Academy of Laë and Economics’ gjatë së cilës studentët mësojnë rreth botës së ‘entrepreneurship, decision making, apo strategy thinking’ , me profesorë të ‘Oxford University’ dhe ’London School of Economics’. Pjesëmarrja ime në këtë shkollë, është hapi tjetër në të ardhmen e afërt.”

Esi Rryta: Nuk është e lehtë të jesh ekselent në UET

Esi Rryta është një ndër 680 studentët që përbëjnë brezin e 10-të të të diplomuarve në UET. Ajo përmbylli ciklin Bachelor, në degën Financë-Bankë me rezultate të shkëlqyera, për tre vite rresht, me një mesatare të ponderuar 9.93.
“Diplomimi është një ndjesi e veçantë për çdo student. Është kurorëzimi i mundit të tre viteve. Studimi në UET ka qenë një eksperiencë e bukur dhe dinamike për mua. Përveç pjesës së studimit, ky universitet ka një jetë studentore tepër aktive. Unë kam patur mundësinë të jem drejtuese e një prej klubeve më të rëndësishme të Fakultetit Ekonomik “Klubi Economicus”, dhe pjesë e shumë aktivitete dhe konkurseve të ndryshme. Gjatë këtyre tre viteve arrita të njihja dhe të sfidoja vetveten në fushën e financës”, tregon Esi, teksa kthehet mbrapa në kohë, për të rikujtuar eksperiencën e saj në universitetin prej të cilit diplomohet sot.
Krah Esit, janë edhe familjarët e saj, të cilët kanë ardhur për të ndarë me të, lumturinë e një fillimi të ri. Edhe motra e Esit, Sindi, është pjesë e UET, së shpejti edhe ajo do të përjetojë të njëjtën lumturi si Esi.
“Në  UET çdo student gjen vetveten. Duke u nisur nga eksperienca ime, ia sugjerova edhe motrës sime të vazhdonte studimet këtu. Ajo është tashmë prej një viti pjesë e rrjetit të ekselencës UET dhe studion në programin Informatikë-Ekonomike”, thotë Esi
Ndërkohë Esi është pjesë e tregut të punës për një farë kohe tashme, dhe rrëfen se planet e saj për të ardhmen janë të shumta, dhe rrugëtimi drejt suksesit sapo ka nisur.
“Mbarimi i një cikli studimesh është vetëm fillimi për të vazhduar tek sfidat e vërteta dhe të mëdha që e presin çdo student. Prej shtatë muajsh unë kam zhvilluar praktikën time profesionale në Bankën Raiffeisen, e cila më ka ndihmuar që krahas anës teorike, të aftësohem më shumë në praktike në profilin tim, si edhe të konsideroj një vend pune në këtë institucion. Krahas mundësive për punësim, vitin që pason unë do të rifilloj studimet e mia në ciklin Master.”

Donela Lushka: Në shtator do të filloj eksperiencën profesionale falë titullit të studimeve dhe njohurive të marra gjatë këtyre tre viteve

Studimet e saj i përfundoi me sukses në degën Komunikim-Dizajn. E rikthyer në Shqipëri pas shumë viteve jashtë, Donela zgjodhi të rinisë studimet e saj në UET.
“Eksperienca ime në këto tre vite studimi nisi si një sfidë personale, që do të më ndihmonte në thellimin e dijeve në fushën e dizajnit dhe komunikimit. Kur fillova studimet në UET, mund të përftoja vetëm gjysmë burse, por falë përkushtimit tim dhe rezultateve të arritura, u bëra pjesë e rrjetit të ekselencës. Kjo për mua ishte një arritje mjaft e madhe, duke pasur parasysh se vija nga një tjetër realitet, kisha vite që nuk jetoja këtu dhe përveç studimeve kam edhe detyrime familjare. Duke qenë se im shoq është një shtetas i huaj, të dyve na është dashur të rifillojmë në njëfarë mënyre dhe të përshtatemi me realitetin e këtushëm. UET më ka ndihmuar në këtë sepse çdo ditë më ka dhënë një objektiv për ta nisur ditën me entuziazëm gjatë këtyre tre viteve dhe kjo do të më mungojë”, rrëfen ajo.
Ndërkohë që gjatë studimit në UET, Donela ka patur mundësinë të përmirësojë veten ajo tregon se e ardhmja është ende plot me sfida.
“Në shtator do të filloj një eksperiencë profesionale në një studio publicitare, falë titullit të studimeve dhe njohurive të marra gjatë këtyre tre viteve. Do të doja gjithashtu të mund të vazhdoja studimet në ciklin Master, e pse jo edhe më tej. Por akoma nuk kam vendosur, sepse në fund të fundit jeta na ofron surpriza e plot të papritura që nuk i kishim parashikuar dhe nuk ka shumë rëndësi destinacioni final se sa vetë udhëtimi në vetvete. Dhe udhëtimi im në këto tre vite në UET ishte i mrekullueshëm.”

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

6 muaj Dietë Mesdhetare rrit shanset për shtatzëni

Dieta Mesdhetare është shumë efikase, avantazhi i saj qëndron në cilësinë e...
Read More