Çështja ARMO: Po privatizimit, jo privatizimit të korruptuar!

Nga Ervis Iljazaj

Çështja e ARMOS në ditët e fundit ka zënë vëmendjen kryesore të mediave, për faktin se është një nga pasuritë dhe asetet e ekonomisë shqiptare, me të cilën, kushdo që ka mundur, ka përfituar në mënyrë abuzive dhe është pasuruar po në të njëjtën mënyrë, pa i dhënë një zgjidhje përfundimtare në favor të biznesit dhe ekonomisë.

Nga të gjitha këto debate, në mënyrë absurde është vënë në shënjestër privatizimi i saj si instrument ekonomik, duke krijuar idenë që një proces i tillë është rrezikshëm dhe sjell pasoja ekonomike. Në fakt, privatizimi dhe liberalizmi i tregjeve është e vetmja mënyrë që ka ngelur ekonomisë shqiptare për t’u zhvilluar, kundrejt menaxhimit shtetëror që është me përkufizim korruptues dhe abuziv, faktet e kanë treguar gjithmonë këtë gjë.

Në këtë kuptim, është krijuar një ide e gabuar që ARMO falimenton apo për shkak se privatizohet dhe i lihet në dorë një biznesi privat. E vërteta është se, ARMO si aktivitet prodhues nuk falimenton për shkak të privatizimit në vetvete, por si pasojë e privatizimeve të korruptuar.

Nëse ARMO do të privatizohej sipas procedurave transparente dhe një tenderi të hapur me konkurrues të vërtet privat për ta menaxhuar atë, atëherë, gjërat do të shkonin tërësisht në drejtim të kundërt. Mirëpo, kur privatizime të tilla bëhen në favor të klientëve të pushtetit, të njërës apo tjetrës palë, atëherë ai nuk është më një privatizim në kuptimin ekonomik të fjalës, por zhvatje pa asnjë procedurë të rregullt të një aktiviteti prodhues nga më kryesorët në Shqipëri.

Prandaj, duhet t’i japim fund keqkuptimit të madh që po krijon kjo histori. ARMO nuk falimenton për shkak të privatizimit, por për shkak të korrupsionit. Shpeshherë ngatërrohet kapitalizmi me korrupsionin, dhe konsiderohet si e keqja më e madhe e ekonomisë shqiptare nga ide etatiste dhe komuniste, nostalgjik të ekonomisë të planifikuar që e provuam për 50 vite me radhe, e cila ishte një falimentim total në Shqipëri dhe kudo që është provuar.

Në këtë kuptim, historia e ARMOS na tregon qartazi se çfarë është në gjendje të prodhojë pushteti shtetëror nëse lëmë në duar të tij menaxhimin e ekonomisë. Sepse me përkufizim, ekonomia në dorë të pushtetarëve do të thotë ekonomi e papërgjegjshme që si synim kryesor ka pasurimin dhe abuzimin e atyre që e kanë atë pa asnjë lloj meraku se çfarë ndodh me efikasitetin ekonomik të një sektori.

Privatizime të suksesshme të sektorëve strategjikë, që funksionojnë dhe janë efikase sot në favor të ekonomisë së përgjithshme, Shqipëria ka pafund. Mjafton të përmendim privatizimin e Albtelekomit, të BKT-së apo të aeroportit civil, për të kuptuar se, nëse procesi i privatizimit kryhet sipas të gjitha rregullave të tregut, janë shumë herë më prodhues dhe efikas se sa kur ia lëmë në dorë menaxhimit të pushtetit shtetëror.

Një nga problemet më të mëdha të ekonomisë shqiptare sot, është pikërisht abuzimi që bëhet me të nga shteti dhe ata që kanë në dorë pushtetin. Sepse, ende një sërë sektorësh nuk janë futur në logjikën e tregut, prandaj shumë nga këta sektorë, sidomos ata të shërbimeve, menaxhohen me një logjikë shtetërore, që është logjika e korrupsionit dhe abuzimit. Sa më shumë nga këta sektorë të privatizohen, gjithmonë sipas procedurave më fitimprurëse për të gjithë, sa më larg të qëndrojë pushteti politik larg tyre, aq më mirë do të jetë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Haradinaj i jep presidentit të UET, Civici medaljen e Skënderbeut

I ftuar në Forumet UET, nën moderimin e përgjegjëses së Departamentit të...
Read More