Çështja e detit, Meta “bindet”, i jep plotfuqishmërinë Bushatit

Presidenti i vendit Ilir Meta, pas shumë negociatash dhe diskutimesh, i jep plotfuqishmërinë Bushatit dhe grupit negociator që të nisë punën për ndarjen e detit me Greqinë. Si arriti në këtë konkluzion presidenti dhe “sugjerimi” që u jep negociatorëve për ndarjen e detit. A është një marrëveshje e arritur dhe pritet vetëm zyrtarizimi?

Për një muaj Presidenti Ilir Meta mbajti “peng” negociatat Shqipëri-Greqi për ndarjen e detit, por në fund është bindur për t’i dhënë plotfuqishmërinë ministrit Bushati dhe grupit negociator. Pasditen e djeshme presidenca ka konfirmuar zyrtarisht se Kreu i Shtetit, pasi është njohur me materialet e mbërritura nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka vendosur të japë autorizimin për nisjen zyrtare të negociatave. “Në vijim të kërkesës të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme autorizoi sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare””, thuhet në një njoftim zyrtar. Presidenti duket se është dorëzuar përfundimisht, pas takimit që pati me Kryeministrin për këtë çështje.

Një det mes politikës…

Në fillim ministri Bushati e mori mjaft lehtë idenë e të marrit plotfuqishmërinë nga ana e presidentit. Me tre faqe dokument i kërkonte presidentit dhënien e plotfuqishmërisë për të negociuar për ndarjen e detit me fqinjët tanë grekë. Pak ditë pasi letra e Bushatit mbërriti në presidencë kreu i shtetit e bëri të qartë se me këtë çështje të ndjeshme, e mbi të gjitha pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, presidenti duhet të informohej me detaje në lidhje me grupin negociator, çështjet e diskutuara mes dy vendeve dhe mbi të gjitha mbi ç’bazë po diskutohej me palën greke. Pati një “raund të dytë” negociatash institucionale në vend, ku vartësit e Bushatit përgatitën një dosje më të zgjeruar, por sërish presidenti nuk u bind. Për më shumë kishte thirrur në konsultime të gjithë ish-presidentët e vendit dhe prej tyre ishte sugjeruar që Kreu i Shtetit të kishte si busull orientimi në këtë çështje vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për të kompletuar takimin me “institucionet” Meta thirri në presidencë anëtarët e Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe në atë takim u hodh ideja se për t’iu vënë kapak diskutimeve nevojitej një takim Meta-Rama. Ai takim ndodhi dhe dy krerët e shtetit sheshuan mosmarrëveshjet e pashpalluara dhe tashmë Meta është bindur për të dhënë plotfuqishmërinë Bushatit për nisjen e negociatave me Greqinë për ndarjen e detit. Gjithsesi, Meta nuk lë pa i dhënë orientimin sesi grupi shqiptar duhet të qëndrojë përballë fqinjëve tanë. “Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit”, thuhet më tej. E përkthyer në terma më të qartë pala shqiptare duhet të ketë në konsideratë Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2019, e cila në unanimitet me anëtarët e saj rrëzoi marrëveshjen e parë të nënshkruar nga dy ministrat e jashtëm në vitin 2009, Lulzim Basha për palën shqiptare dhe Teodora Bakojanis për atë greke.

Marrëveshje e kryer, diskutim i tepërt

Edhe pse deklarohet zyrtarisht se palët janë në proces diskutimesh, ka shumë zëra që qarkullojnë se marrëveshja e ndarjes së detit Shqipëri-Greqi është e përfunduar dhe është vetëm çështje ditësh që ajo të marrë vendimin zyrtar që do të nënshkruhet në takimin e dy kryeministrave Edi Rama dhe Aleksis Tsipras. Burimet konfidenciale flasin për një rrëzim të marrëveshjes së mëparshme të vitit 2009 dhe në ndarjen e detit nuk është ndjekur vetëm baraslargësia, por edhe e drejta prej 12 miljesh vijë detare që kanë paraqitur të dyja shtetet që në vitin 1993 pranë Kombeve të Bashkuara. Në marrëveshjen e parë shumë njohës të së drejtës ndërkombëtare dhe teknicienë të hartografisë theksuan se Shqipëria kishte humbur rreth 350 kilometra det, duke ia dhuruar Greqisë. Në marrëveshjen e re ende nuk ka transparencë, por në lojë janë zonat ekonomike të Detit Jon, dy prej të cilave mendohet se janë të pasura me naftë dhe gaz. Pikërisht kësaj i druhet një pjesë e opinionit dhe ekspertëve që Shqipëria mund të përfitojë më shumë det në krahasim me marrëveshjen e mëparshme, por mund të lërë jashtë kufirit tonë pjesën e pasur me naftë dhe gaz. Situata në dukje nuk është e qetë as në Greqi, ku deputetët e opozitës thirrën në një seancë të jashtëzakonshme ministrin e Jashtëm Nikos Kotzias, i cili u pyet specifikisht për çështjen e detit. Ministri i Jashtëm grek theksoi se marrëveshja e vitit 2009 është inekzistente, pasi nuk është aprovuar ligjërisht dhe si e tillë nevojiten negociata të reja nga e para. Megjithatë për nga mënyra si është trajtuar çështja, duket se ka patur takime dhe diskutime konkrete mes palëve dhe se marrëveshja ka hedhur piketat kryesore mbi çfarë bazash do të ndahet dhe pjesa finale është puna që do të kryhet mbi harta në vendosjen përfundimtare të kufijve. Nëse do të merren një për një 12 anëtarët e grupit negociator shqiptar përbëhen nga teknicienë të hartografisë, njohës të së drejtës ndërkombëtare, jurisë dhe drejtues institucionesh të instituteve të ndryshme shtetërore. Një ndër emrat e përfolur nga opozita ishte edhe Artur Muçollari, ushtarak i lartë i Flotës Detare Shqiptare, i cili ishte shkarkuar në vitin 2012 si i dyshuar për spiunazh. Çështja e tij u sfumua me kalimin e kohës, kur vetë presidenti Meta u shpreh se nuk kishte asnjë të dhënë që të dëshmonte se Muçollarit i mungonte integriteti. Enigma pritet të bëhet e qartë vetëm në mesin e muajit prill, ku pritet të ketë një takim të nivelit të lartë mes dy qeverive, të kryesuar nga Rama dhe Tsipras, që do jenë edhe firmëtarët e një marrëveshjeje të rëndësishme.

 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Forumet UET, Agron Tufa: Kampi i Tepelenës, më i tmerrshëm se Aushvici

I ftuar në një bashkëbisedim me studentë e pedagogë të Universitetit Europian...
Read More