Çështja e kufirit detar me Greqinë dhe roli konstruktiv i presidentit

Nga Ndriçim Kulla

Çështja e kufijve detarë me Greqinë u kthye edhe në një çështje të kufijve kushtetues të pushteteve në Shqipëri mes qeverisë dhe presidentit të republikës. Qeveria e z. Rama bëri sikur harroi se për të zhvilluar negociatat duhej edhe autorizimi i presidentit të Republikës, me të cilin ministri i Jashtëm fitonte të drejtën të pajiste grupin negociator me tagrin e plotfuqishmërisë. Siç u pa qartë, nga vetë njoftimet e qeverisë, po zhvilloheshin negociata duke anashkaluar presidentin e republikës. Vetë qeveria, me njoftimet e saj entuziaste për ecurinë e negociatave, na i dha provat për këtë.

U mor vesh se qeveria kishte një plan për ta vënë presidentin Meta para faktit të kryer në procesin e negociatave për kufirin detar me Greqinë. Faktikisht qeveria mendonte ta mbyllte marrëveshjen pas shpinës së Presidentit dhe pastaj t’ i vinte këtij të fundit mbi tryezë dosjen e marrëveshjes, me nënkuptimin se nëse e refuzonte atëherë do të shfaqej si një faktor destruktiv në marrëdhëniet me Greqinë. Duke parë edhe interesin e Bashkimit Europian që midis Shqipërisë dhe Greqisë të arrihet një marrëveshje integrale për çështjet e mbetura pezull nga historia, fare mirë presidenti mund të akuzohej se po minonte procesin e integrimit europian, duke e prekur atë personalisht në një pikë të ndjeshme të tij si politikan.

Presidenti Meta u soll me qetësi dhe mature ndonëse në fillim kur shprehu qëndrimin e këtij mbi këtë çështje edhe u paragjykua ,madje deri aty sa u krijuan edhe insinuata se donte ta shfrytëzonte këtë çështje për përfitime politike. Ai nuk ndërhyri menjëherë në mënyrë nervoze për të prishur procesin delikat, siç kishte bërë llogari ndokush, por në momentin e duhur presidenti ndërhyri duke tërhequr vëmendjen se procesi i negociatave nuk ishte në shina kushtetuese për sa kohë që ekipit qeveritar i mungonte autorizimi presidencial. Me këtë presidenti paralajmëroi se nuk do të pranonte të luante rolin e atij që bën një gjest formal, ceremonial, duke dhënë autorizimin para firmosjes së marrëveshjes. Presidenti me këtë, as e ndërpreu procesin, as e mori përsipër rolin që atij i ishte ngarkuar në këtë proces. Me këtë përgjegjësia u mbetej atyre që e kishin nisur procesin e negociatave duke e futur në një udhë pa krye, domethënë qeverisë dhe më konkretisht Ministrisë së Jashtme…

Në këto kushte qeveria bëri një tërheqje që mua më duket e arsyeshme, duke nënkuptuar se procesi nuk ishte në fazën e negociatave, por të bisedimeve në parim dhe se negociatat nuk kishin nisur akoma. Por, nga ana gjuhësore, kuptimi i fjalës “negociatë” përfshin pikërisht bisedimet që bëhen në përgjithësi para arritjes së një marrëveshjeje. Është tjetër çështje pastaj që negociatat përbëhen nga faza e diskutimit të përgjithshëm, pra të parimeve mbi të cilët do të arrihet marrëveshja, dhe nga faza e diskutimit teknik. Sidoqoftë, përcaktimi i parimeve përbën një fazë të rëndësishme të negociatave, sepse në analizë të fundit, parimet janë shinat ku do të ecin negociatat drejt marrëveshjes.

Qeveria gjithsesi kishte pranuar gabimin, dhe këtë e konfirmoi kur pak më vonë ministri i Punëve të Jashtme Bushati i kërkoi presidentit të republikës autorizimin për t’i dhënë plotfuqishmërinë ekipit negociator. Presidenti pasi mori kohën e nevojshme për ta shqyrtuar kërkesën, i ktheu përgjigje pozitive, duke i kujtuar edhe se ata që po merrnin autorizimin e tij (qeveria) duhet ta ushtronin këtë përgjegjësi duke pasur parasysh ruajtjen dhe ushtrimin e sovranitetit territorial dhe të juridiksionit kombëtar, në radhë të parë, si dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike dhe sociale të vendit tonë. Kjo tërheqje vëmendjeje ishte dhe si një lloj kritike për atë që me anashkalimin e faktorit presidencial, ishin vënë në rrezik këto aspekte me rëndësi madhore të çështjes.

Kështu, çështja e negociatave për kufirin detar me Greqinë, u shndërrua edhe në një arenë institucionale ku presidenti u shfaq si garant i kufijve kushtetues mes pushteteve. Është një arritje për t’ u përshëndetur kjo, tani kur jemi ende në fillimet e Presidencës “Meta”, (sapo është mbyllur vetëm gjashtëmujori i parë i mandatit presidencial të Metës)

Ajo që të bie në sy është se Presidenti Meta kishte mundësi ta përdorte për revansh dhe për të fituar kapital politik kurthin ku kishte rënë qeveria me nisjen faktike të negociatave, por megjithatë ai nuk e bëri këtë gjë. Kur them “për revansh”, këtu kam parasysh se kohët e fundit ka pasur një farë lufte të ftohte nga qeveria ndaj presidencës, pjesë e së cilës është edhe moskërkimi i autorizimit presidencial për negociatat për kufijtë detarë. Duke qenë se qeverisë i duhej patjetër autorizimi presidencial, Z. Meta mund ta luante lojën si të donte, duke e quajtur të pavlefshëm shpjegimin se deri më tani ishte diskutuar vetëm për parimet e përgjithshme të procesit negociator dhe duke thënë se ai nuk mund t’ia jepte autorizimin një ministri që ishte sjellë në këtë mënyrë. Pra, z. Meta ishte në pozitën që ta detyronte kryeministrin Rama më së paku që ta sakrifikonte ministrin përgjegjës për anashkalimin e presidentit.

  1. Meta tregoi vetëpërmbajtje dhe nuk e shfrytëzoi politikisht çështjen, duke mos i dhënë përmasa të tilla. Urojmë që pala tjetër të mos e ketë marrë këtë si një dobësi të tij.
  2. Meta me sjelljen e tij në çështjen e kufirit detarë me Greqinë vendosi, veç të tjerash, edhe një precedent shumë konstruktiv të raporteve ndërinstitucionale mes presidencës dhe qeverisë.
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vendimi: Gjyqtarja Manjola Xhaxho kalon vetingun

Gjyqtarja e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Manjola Xhaxho, kalon me sukses vetingun. Vendimi...
Read More