Çështja Shullazi: Krim – Politikë – Biznes



16-Donald-Lu-Protesta-copy-768x488

Historia e Emiljano Shullazit dhe fenomeni i degradimit të politikës e biznesit, që i zgjidh problemet duke punësuar banda. A na duhet edhe këtu ndërhyrja amerikane dhe a është ky vetëm fillimi i Reformës në Drejtësi?!

Nga Vladimir Karaj

Kur ambasadori i SHBA, Donald Lu, e listoi Emiljano Shullazin si një prej atyre që duhet “të kishin frikë nga një sistem drejtësie funksional”, me gjasë e ka pasur të qartë historinë me hyrje-dalje nga qelitë. Provat zhdukeshin, akuzat që zbeheshin dhe vrasjet që mbeteshin anonime edhe pse emrat e përfolur pas tyre ishin të njëjtët shpesh. Shullazi u arrestua sërish disa ditë më parë, i akuzuar për kanosjen e tashmë rektorit të ri të Tiranës dhe në mes një morie akuzash politike që shënjestronin ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, për lidhje me të dhe palë të tjera politike. Kjo është hera e parë në fakt që ai ndodhet mes një vorbulle që e tejkalon atë të një kapobande apo edhe kreu të një grupi të organizuar kriminal dhe me gjasë edhe mundësitë e tij për ta shmangur sistemin dhe për të dalë në pak ditë. Rrjedhjet e informacionit prej dosjes që prokuroria ka tani për Shullazin apo të tjera prej Ministrisë së Brendshme tregojnë se lista e të arrestuarve mund të zgjatet, ndërkohë që debati publik për politikën dhe lidhjet e saj me krimin nuk duket se do të ndalojë pa plasur një tjetër skandal më i madh. Ajo që ndërkohë është e qartë në këtë histori është se si politika dhe biznesi e kanë thërritur Shullazin dhe miqtë e tij në shërbim, për të zgjidhur hallet me rivalët në zgjedhje apo në kontrata pronësie të paqarta.

Por kush është Shullazi?!

“Ai është i mbijetuari i një serie vrasjesh”, thotë gazetari Ferdinand Dervishi, njohës i mirë i historisë së kronikës së zezë në vend, duke përshkruar se si ja ka dalë të ngrihet në këtë nivel një i dënuar vetëm për trafik narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje. Akuzat krejt të rëndomta këto përballë asaj që flitet prej vitesh e që e bën atë anëtar të një organizate kriminale e ndoshta edhe kapobandë, puna e të cilit përmendet në vrasje, gjobëvënie e deri te manipulimi i zgjedhjeve politike apo tentativa për të ndikuar ato universitare.

Dervishi kur flet për të mbijetuar ka parasysh një seri vrasjesh të njohura me emrin gati “filmik” si lufta mes “Djemve të Rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës”.

Numri total i viktimave është i paqartë. Vetëm emra të njohur të bandave dhe lidhje të tyre mund të numërohen gati 20 viktima prej 1999, ndërkohë që është i mistershëm numri i atyre që janë ekzekutuar prej bandave për hesape të tjera. Por historia e krimit e filluar më 1999 pas një sherri brenda të njëjtës bandë u duk, të paktën në sytë e publikut se pati zënë qetësi aty nga viti 2002. Në fakt, për gati 10 vjet, edhe pse disa atentate mund të shihen si pjesë e betejës, kjo e fundit sikur ishte fashitur. Një pjesë e anëtarëve të bandave të mbetur gjallë ishin dënuar për krime dhe ndodheshin në qeli, të tjerë duket sikur nënshkruan armëpushim. Shullazi u arrestua vetë në 2006 dhe u dënua me 7.6 vjet burg për trafik narkotikësh, ndërsa u kap me një arsenal armësh. Atëherë u përfol se ai ishte bashkë me Dritan Dajtin, në kërkim pas arratisjes spektakolare në vitin 2003, ndërsa vuante një dënim me 25 vjet burg për vrasjen e një ndërtuesi. Dajti, që shihej atëherë si drejtues i grupit, mistershëm i shpëtoi arrestimit. Një gjë që e përsëriti për vite me radhë deri më 2009, kur u përplas me policinë, duke lënë të vrarë sipas akuzës 4 prej oficerëve të operacioneve speciale. Oficerë të policisë në këtë kohë pranonin lulëzimin e një biznesi gjobëvëniesh, që drejtohej prej këtij grupi. Ata po ashtu dinin se biznesmenët më parë paguanin se sa denonconin. E kështu, ndërsa Dajti përfundoi në qeli, Shullazi që shihej si një prej më të besuarve të tij doli jashtë dhe mesa duket mori në dorë biznesin e gjobëvënieve. Ai bëhet personazh i kronikës në fillim të 2011-s.

“Emri i Emiljano Shullazit zë një vend të zbehtë në kronikën e viteve 1998-2005 dhe një rol qendror pas vitit 2010, brenda koniunkturës së grupeve që kontrollojnë nëntokën e krimit në Tiranë, por edhe në qytete si Durrësi dhe Kruja”, thotë Aleksandra Bogdani, gazetare e BIRN. Shullazi konsiderohej si personazh i dorës së dytë brenda bandës së rrugës së Kavajës. Por siç thotë Bogdani, pas lirimit nga burgu, “miti i tij shënoi vetëm ngjitje, falë edhe një simbioze të re me eksponentë të politikës në vend”. Në fushatat elektorale të viteve 2011 dhe 2013, Shullazi u ekspozua në të parën në përkrahje të Partisë Demokratike dhe në të dytën me Partinë Socialiste. Ferdinand Dervishi thotë se është bërë e zakonshme që palët në politikë t’i thërrasin të fortët në kohë fushatash dhe t’i përdorin ata për të trembur zgjedhës dhe më pas t’i shpërblejnë duke bërë një sy qorr apo vesh shurdh që ata të bëjnë para. “Por bandat edhe ndihmojnë me para politikanë dhe kjo për ta është një investim që do ta marrin disa fish pas zgjedhjeve”, thotë Dervishi.

Ngjitja drejt “lavdisë”

Ridalja në skenë e Shullazit në fakt përkon me një fushatë politike. Ai u arrestua dhe u përmend në media pas sulmit të tij ndaj një qendre elektorale të PS në 2011. Është incidenti për të cilin ish-kryeministri Sali Berisha tha se “Gjenerali ishte bezdisur nga zhurma” duke mos pranuar akuzën e PS-së së bëhej fjalë për sulm politik. Ai u lirua brenda 24 orëve. Dy ditë para kësaj përplasjeje, në të njëjtën zonë, në derën e shtëpisë së kandidatit socialist të njësisë 7 shpërtheu një sasi tritoli, për të cilën sigurisht nuk pati autorësi. Ndërkohë nga ky moment i parë arrestimi Shullazi nuk duket se ja del të rrijë larg qelisë për shumë kohë. Natën e zgjedhjeve të shumëpërfolura në kryeqytet ai arrestohet me një grup personash, me disa armë në makinë në periferi të kryeqytetit. Lirohet sërish disa ditë më vonë, pasi armët rezultuan të ishin trofe dhe një pjesë e tyre që nuk ishin të tilla u morën përsipër nga personat të tjerë që ndodheshin në të njëjtën makinë.

Pak ditë pas këtij arrestimi e lirimi, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, Gilmando Dani, i arrestuar bashkë me të parin gjatë këtyre ditëve, i shpëtoi me një plumb në këmbë atentatit të kurdisur pranë shtëpisë së tij në lagjen “21 Dhjetori”. Kjo ngjarje shihet madje si rinisje e përplasjes së dy bandave në Tiranë. Në më pak se 9 muaj, 3 persona u ekzekutuan në krime të ngjashme dhe dyshohet se janë krime të lidhura me përplasjen e vjetër mes bandave rivale në Tiranë. Në fillim të korrikut 2011 vritet Sokol Doçi, një jurist me profesion, por i njohur edhe për miqësinë e tij të hershme me rivalët e Shullazit. Në shtator të të njëjtit vit, vritet Arjan Selimi, i dënuar më herët për trafik droge dhe njohje e re e Shullazit. Ky i fundit arrestohet pranë vendit të ngjarjes disa ditë më vonë, bashkë me Gilmando Danin. Policia u kapi një pistoletë, por Shullazi del sërish shumë shpejt nga qelia pasi Dani thotë se arma i përkiste atij dhe kryen një dënim disamujor për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë në mars të 2012-s vritet Arlind Fuga. I riu nuk kishte precedentë penalë dhe njihej prej fqinjëve të tij si person pa probleme, por ai kishte një miqësi të hershme me Emiljano Shullazin. Një muaj më vonë, Pajtim Serjani, po ashtu i lidhur me Shullazin, qëllohet dhe plagoset në Yzberisht. Në qershor të këtij viti, Emiljano Shullazi arrestohet nga policia në prani të Helidon Harizaj. Ata ishin të armatosur dhe në një makinë të blinduar. Policia tha se kishte parandaluar një vrasje, prokuroria e ngriti stekën duke folur për zbardhjen e dy prej krimeve të rënda të atyre viteve. Vrasjen e gjyqtarit Skerdilajt Konomi dhe atë të Përjet Abazit, vëllait të deputetit të PS, Sadri Abazi. Asnjë nga këto nuk ndodhi. Të dy dënohen dhe vuajnë disa muaj burg për armëmbajtje dhe lirohen mu në vigjilje të fushatës së re elektorale, atëherë kur partitë politike kishin nevojë për ta.

Prej 2013-s deri në arrestimin e fundit

Emiljano Shullazi ishte ndër të parët që PD sulmoi, si të lidhur me pushtetin e ri të sapo vendosur të socialistëve. Fillimisht ai u lidh me të ashtuquajturin biznes karrotrecesh, diçka që policia e shtetit e koncesionon sa herë që bllokon makina në qytet. Më pas, ai u përfol për lidhje të tjera dhe në qendër të tyre ishte ministri i Brendshëm. Sulmi u bë i ashpër më 2015, kur pas një atentati dhe përplasjeje me armë, ku pati një viktimë dhe dy të plagosur, me gjasë rivalë, Shullazi u la i lirë edhe pse për publikun ai qe i përfshirë në shkëmbimin e zjarrit dhe në dukje provat ishin të mjaftueshme për ta arrestuar. Policia gati u vetë “inkriminua” duke hezituar, ndërsa rrjedhje informacioni nga prokuroria e tregonin atë të implikuar. Skenë që u përsërit edhe së fundmi, ku në një mënyrë apo një tjetër, prokuroria la të kuptohej se kishte lënë policinë jashtë hetimeve, duke e bërë këtë të fundit të dyshuar si sabotatore të mundshme. Politikisht, opozita e kryqëzoi Saimir Tahirin.

Sulmi për lidhje politike prej asaj dite u bë i zakonshëm. Ish-kryeministri Sali Berisha prodhoi edhe epitete që i përdor rëndom në kuvend kundër rivalëve. Gjatë kësaj periudhe, duket se i arrestuari kishte zgjeruar aktivitetin në gjobëvënieve dhe në zgjidhje “problemesh”. “Faktet e zbuluara së fundmi tregojnë terrenin e tij pjellor; biznese të përfshira në konflikte gjyqësore apo pronash multimilionëshe, të cilat e kontraktojnë për të mbyllur në të zezë hallet që nuk i zgjidhin dot në gjykatë me rivalët”, thotë Bogdani. Në fakt, ashtu si edhe në raste të ngjashme Shullazi më shumë se sa vetë është thirrur në shërbim prej biznesmenësh për të hequr qafe rivalë apo zgjidhur kontrata që nuk i kënaqnin.

Sigurisht, një fuqi dhe aktivitet i tillë është i pamundur të ushtrohet pa lidhje të forta në strukturat e shtetit apo me politikën – kjo e shpjegon vënien e Shullazit në shërbim të politikës gjatë fushatave elektorale në këmbim të paprekshmërisë. “Kartela kriminale mund të përbëjë atraksion për të pasionuarit e historive me të fortë e organizata kriminale, por s’është asgjë para ‘karrierës’ politike”. Zbulimi i kartelës së lidhjeve të tij me politikanët, nëse do të hetohet ndonjëherë, do të ishte fillimi i fundit për binomin politikë-krim në Shqipëri”, thotë Bogdani. Ndërsa Fatos Lubonja shkon më tej, duke e trajtuar Shullazin thjesht si ushtar të një mekanizmi mafioz. “Me fjalë të tjera, janë këta, pa dyshim njerëz të politikës, organizata e vërtetë kriminale, Camorra shqiptare”, thotë ai duke pasur në mendje partitë politike.

Përmendja nga Donald Lu si shumë përmendje të tjera, mund të ketë qenë edhe pika e kthesës për fatin e Shullazit. “Kjo çështje duhet të ecë përpara në mënyrë të pavarur. Duhet një sistem gjyqësor mjaft transparent dhe të bëjë ndryshimin me atë çfarë ka qenë përpara”, tha Lu pas arrestimit të tij. Por ashtu, siç vë në dukje ambasadori, vetëm një reformim i drejtësisë mund të sjellë një ndryshim të situatës, duke synuar së pari, të këpusë lidhjet e krimit në politikë dhe gjyqësor e duke i bërë të paprekshmit kriminelë të rëndomtë.

loading...
Shkruar Nga
More from Revista User

Princi Harry dhe Meghan Markle caktojnë datën e martesës

Princi britanik Harry dhe aktorja amerikane, Meghan Markle, do të martohen të...
Read More