Çfarë di dhe çfarë dihet për Saimir Tahirin

Orë pas ore si ndryshuan qëndrimet për Saimir Tahirin, nga i refuzuar dhe i braktisur, në personazh që nuk lëshohet lehtë. Me çfarë lidhen provat sekrete që prokurorët paraqitën dje në Kuvend dhe çfarë di ish-ministri i Brendshëm, ndaj të cilit socialistët ndryshuan kurs. Nga kërkesa e fillimit për një drejtësi të pastër, në shigjetimin e prokurorisë si të përdorur politikisht

Nga Luljeta Progni

“Unë po shkoj në burg….”, është shprehja e thënë nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, 36 orë më parë. U duk se ishte çështje orësh që ministri më i rëndësishëm i qeverisë “Rama 1” të kapërcente pragun e qelisë. E ka përsëritur i përlotur këtë shprehje disa herë në emisionin “Opinion”, ku qe i ftuar që të sqaronte rrethanat e tij, përballë akuzës së rëndë të ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetëror. Prej pak orësh në Kuvend ndodhej kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetit, për arrestimin e Tahirit. Ai akuzohet nga prokuroria si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal për trafik ndërkombëtar të drogës, në bashkëpunim me kushërinjtë e tij, vëllezërit Habilaj. Ish-ministri dyshohet se në detyrën e ministrit të Brendshëm, ka lënë të lirë të veprojë grupin e strukturuar kriminal të kushërinjve të tij Habilaj, prej nga prokuroria supozon se Tahiri ka përfituar shuma të mëdha parash. Kështu thuhet në përgjimet e publikuara në mediat italiane, informacion që vjen nga organet ligjzbatuese të Italisë. Atje u arrestua pak ditë më parë njëri prej anëtarëve të grupit kriminal, Moisi Habilaj. Ky kushëri i largët, (i rangut të dhjetë thotë Tahiri, i të gjashtit pretendon një prej Habilajve), përfundoi në burgun e Katanias në Itali, por pa dëshirën e tij, i hapi derën edhe qelisë që pret ish-ministrin. Kështu Tahiri e pa veten në këtë “kurth” të frikshëm, me të vetmen rrugë, atë drejt burgut. I ftuar në “Opinion” për të sqaruar pozitat e tij, Tahiri e ka përsëritur shpesh: “unë po shkoj në burg”. Dukej kaq e pabesueshme të vinte nga goja e tij kjo shprehje, e cila krijoi përshtypjen se pas pak orësh do të ishte pas hekurave. Por kishte edhe nga ata zëra që qarkullonin korridoreve të politikës që Tahiri nuk vetëdorëzohej aq kollaj, pa marrë edhe të tjetër të “paprekshëm” në rangjet politike.

Orët e vetmisë

Përgjatë gati 24 orëve, Tahiri u braktis nga të gjithë njerëzit e parisë së tij dhe kryesisht nga kryeministri Rama. Ai u distancua publikisht nga Tahiri duke e lënë të braktisur në fatin e tij, me të vetmen rrugë atë drejt burgut. Mediat publikuan tri ditë më parë përgjimet që institucionet ligjzbatuese italiane kanë realizuar në hetim të vëllezërve Habilaj. Atje përmendej disa herë edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili pranon të paktën një detaj të akuzës, që i ka shitur automjetin e tij vëllezërve Habilaj dhe se e ka përdorur këtë automjet edhe pasi e ka shitur. Ndërkohë që Tahiri përdorte automjetin e vëllezërve Habilaj, ata hetoheshin nga drejtësia italiane por edhe ajo shqiptare si grup i strukturuar kriminal, trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Një ditë pas publikimit të përgjimeve, prokuroria çoi në parlament kërkesën për arrestimin r Tahirit. Qysh prej atij momenti, ish-numri një i Ministrisë së Brendshme u braktis nga të gjithë, kolegët e tij e bashkëpunëtorët në PS, duke nisur qysh nga kryeministrit Rama. Asnjë koleg i Tahirit nuk reagoi, askush nuk u pa ta shoqërojë ato orë të vetmisë së tij, ndërkohë që Rama publikonte statuse në facebook që dëshmonin për distancim ndaj ish-ministrit të Brendshëm.

Deklarata e Ramës

“Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve! Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet. Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet. Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam – Me shtet, punë, mirëqenie. Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë. Deri në fund!”, është ky reagimi i parë i kryeministrit Rama që dëshmon qartë për distancim të tij nga ish-ministri Tahiri. Gjatë kësaj periudhe të trazuar, Tahiri pohoi se ishte takuar dy herë me kryeministrin Rama, por nuk pranoi të flasë për detaje të bisedës. Mediat shkruan se kishte qenë një takim shumë i tensionuar dhe se Rama e kishte “shitur” Tahirin. Në këtë situatë ish-ministri i akuzuar vendosi të shfaqet në “opinion”, nga ku dhe lëshoi deklarata shumë të rëndësishme që u komentuar edhe si kërcënim ndaj njerëzve të familjes së tij politike.

Ndërkohë, deputetët socialistë apo zyrtarët e tjerë refuzuan të reagojnë duke mbajtur distancë të rreptë me Tahirin. Këtë e pranoi edhe vetë ish-ministri në “Opinion”, ku dhe shprehu çudinë e tij për anëtarët socialistë të Komisionit të Mandateve. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, se si ishte e mundur që as anëtarët e komisionit nuk e kishin dëgjuar, Tahiri u përgjigj: “Nuk e di, edhe unë vetë jam i çuditur”. I pyetur nëse ndihej i tradhtuar jo vetëm prej këtyre deputetëve por kryesisht nga Rama, Tahiri dha një përgjigje shumë domethënëse për mundësinë e një marrëveshjeje me Ramën në këtë situatë. “S’kam ndër mend dhe as dëshirë të bëj marrëveshje me Ramën dhe me askënd. Dhe sot po ju them se nuk është dita që të merrem se kush ka rol në këtë histori. Të shkoj edhe në qelinë më të largët të burgut. Do rri aty dhe pasi të zbardhet e vërteta. Nëse unë do ta fitoj këtë të vërtetë, do jetë dita që do përballem në mënyrë spektakolare me të gjithë”. Se çfarë mesazhi lëshoi ai për Ramën e të tjerët, ne nuk e dimë me saktësi, por dimë që Tahiri foli me gjuhën e kryeministrit, atë më simboliken kur u gjend i rrethuar nga akuzat: “s’keni parë gjë akoma”. Padyshim që nga një pjesë e opinionit u konsiderua si një kërcënim për kryeministrin dhe bashkëpunëtorët e tjerë të Tahirit në qeverisje, atje ku mundësia për të kompromentuar në korrupsion e trafiqe është gjithmonë prezente.

Ndryshimi i kursit

Dita tjetër do të ishte krejt ndryshe. Gjithçka ndryshoi papritur dhe ndryshimi nisi me qëndrimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili e mbrojti paraardhësin e tij Tahiri. Më pas do të ishin anëtarët socialistë të komisionit të mandateve që mbrojtën fort Tahirin duke e shpëtuar nga ajo që pritej edhe nga të gjithë por kryesisht nga vetë Tahiri, arrestimin. Një ditë më herët, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, kishte deklaruar për mediat se akuzat ndaj Tahirit, ishin çështje e drejtësisë: “Nuk besoj se bëj pjesë tek ata njerëzit që kam qejf të flasë pafund dhe për asgjë. Në këtë rast kur flet drejtësia këto janë çështje që i përkasin drejtësisë, nuk ka pse flet Ministria dhe ministri”, -tha dy ditë më parë Xhafaj. Ndërsa dje në mëngjes ai pohoi krejt të kundërtën, duke theksuar se nuk ka prova që implikojnë Tahirin dhe se prokuroria u përdor politikisht. “Për sa i përket për atë që më pyetët, nëse do më pyesni nga pikëpamja ligjore, nga pikëpamja legale, ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe për aq sa unë kam lexuar, nuk është një gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe besueshmërinë në prova. Që do të thotë sipas meje që jemi në rastin ku segmente apo individë të Prokurorisë, po vetëpërdoren politikisht në një çështje apo në një situatë të nxehtë politike”, deklaroi dje Xhafaj. Anëtarët socialistë të Komisionit të Mandateve u shfaqen dje krejt ndryshe nga një ditë më herët kur refuzuan ta dëgjojnë kolegun e tyre Saimir Tahiri. Në mbledhjen e Komisionit të Mandateve, socialistët dukeshin të qartë, të vendosur dhe të fortë për ta mbrojtur deri në fund ish-ministrin e tyre. Përballë deputetëve u gjendën tre prokurorët të cilët përveçse nuk mundën të mbrojnë kërkesën e tyre për heqjen e imunitetit, erdhën në atë mbledhje të paragjykuar si njerëz më lidhje të forta me ish-kryeministrin Berisha. Të gjitha këto detaje i dhanë më shumë mundësi Gramoz Ruçit dhe deputetëve socialistë për të ndalur arrestimin e shpejtë të ish-ministrit të Brendshëm, të paktën për tri ditë. Por kjo ishte pjesa publike e ngjarjes. Për rreth një orë, prokurorët paraqitën sipas tyre prova sekrete që e implikonin më tepër ish-ministrin, por bërja e tyre publike do të dëmtonte hetimin. Pas hapjes së dyerve për mediat, avokati i Tahirit kërkoi tre ditë kohë, gjë që flet për rëndësinë e materialeve sekrete që kanë paraqitur prokurorët në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores.

Vendimi i paligjshëm

Avokati i ish-ministrit Tahiri, kërkoi tri ditë kohë për të shqyrtuar provat e paraqitura nga prokuroria, sipas së cilës ish-ministri implikohet në trafik droge me vëllezërit Habilaj. Kërkesa e avokatit të Tahirit është kundërshtuar nga anëtarët demokratë të komisionit të mandateve. Por kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka refuzuar të diskutojë këtë çështje dhe e ka mbyllur mbledhjen duke e bërë fakt të kryer vendimin. Vendimi është marrë në shkelje flagrante të rregullores së komisionit të mandateve. Sipas rregullores, vendimet merren me gjashtë vota të këtij komisioni. Por Ruçi refuzoi ta hedhë në votim kërkesën e avokatit duke e bërë fakt të kryer vendimin për ta shtyrë për tri ditë vendimin e komisionit për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri. Ndërkohë, ka ndryshuar edhe qëndrimi i kryeministrit. Një ditë më parë ai shkruante krejt i distancuar nga Tahiri, gati duke pranuar akuzën ndaj ish-ministrit kur shkruante se: “Nuk jemi aspak një familje e përsosur, pa probleme e pa drurë të shtrembër në mesin tonë”. Por dita e sotme e ka gjetur me një tjetër mendje kryeministrin Rama. Statusi i tij në facebook ishte krejt i ndryshëm nga ai i një dite më parë: “Deri këtu muhabet pazari nga 72 orë çorbë në kazanet e krimit politikës medias! Të presim me vullnet të plotë për drejtësi PROVAT Deri në fund”, shkruan Rama. Ndërsa vetë Tahiri dukej më i relaksuar dhe më i sigurt në fund të ditës së djeshme kur komisioni i dha tri ditë kohë. Ai la pas “lotët” e ditës së parë sepse ndoshta ndihet i mbrojtur tashmë nga Rama e socialistët e tjerë. Tahiri foli për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve në Kuvend ku përsëriti si triumfator atë shprehjen: “Jua thashë që s’keni parë gjë akoma”. U përpoq të sqarojë të gjithë ata që e kishin “keqkuptuar” këtë shprehje duke e marrë si kërcënim për Ramën: “Kur ua thashë ju duk si një mënyrë e mirë për të bërë çdo lloj historie, por e them prapë që nuk keni parë asgjë akoma. E vërteta do dalë në dritë dhe nuk do vonojë shumë. Unë do jem i kënaqur kur e vërteta të dalë në dritë”, -tha Tahiri. Tashmë do të presë orët e fundit që do i përcaktojnë fatin, sido që të shkojë Tahiri ka premtuar se do të flasë, madje shumë sapo të mbyllet ky proces.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Artriti: Sëmundja reumatizmale, si hetohet, pse s’duhet neglizhuar

Ndryshe nga barnat anti-inflamatore, të cilat vetëm reduktojnë simptomat, barnat biologjike janë...
Read More