Çfarë do ndodhte sikur Edi Rama të na i tregonte të gjithë të vërtetat?

Raporti i njerëzve me të vërtetën, shpifjet dhe trillimet nuk ka ndryshuar ndonjëherë që të ankohemi së fundmi. Kështu jemi gatuar si specie

Nga Enton Palushi

Vitet e fundit dëgjon që të flitet kaq shumë për mundësinë që bota të ketë hyrë në një fazë të re, atë të post-të vërtetës, ku kjo e fundit nuk ka shumë rëndësi. Termin ‘fake news’ ose ‘lajme false’ e has ngado që të hedhësh sytë. E përdorin të gjithë, kudo që të munden, sa të krijohet ideja që ka ndodhur një revolucion me pasoja dramatike për njerëzimin. Presidenti amerikan, Donald Trump akuzon mediat që e kundërshtojnë se përhapin lajme false, dhe mediat e mëdha, për ironi, e përdorin termin post-e vërteta pikërisht për biznesmenin e kthyer në drejtuesin e shtetit më të fuqishëm në botë. Disa studiues thonë se bota ka hyrë në fazën e tretë të vendosjes së besimit. Këto ditë edhe në Shqipëri po përdoret kaq shumë kjo historia e spekulimeve dhe shpifjeve, sa të krijohet ideja se nuk jemi fare larg nga amerikanët. Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar se do përgatisë një paketë antishpifje, në një vend ku ai vetë e ka thënë se ligjet janë, por nuk zbatohen. Pas një beteje që bënë ndërkombëtarët për dekriminalizimin e shpifjeve, kryeministri Edi Rama po nis një fushatë me qëllim për të treguar se e vërteta është më e rrezikuar se kurrë më parë. Pyetja që lind është se kur ka qenë periudha kur e vërteta ka pasur ditët e saj më të mira? Kur Edi Rama ishte në opozitë? Kur Berisha ishte në pushtet? Në komunizëm? Kur paska vdekur e vërteta, se nuk e paskemi ditur?

***

Zor të ketë një autor të dytë kaq brilant sot në botë, librat e të cilit janë si një flakë e vërtetë. Një historian thatanik nga Izraeli, i quajtur Yuval Noah Harari, ka arritur të pushtojë listat e librave më të shitur prej kohësh. Ndryshe nga historianët shqiptarë që nuk e nxjerrin akoma ‘qimen prej qullit’ edhe për një datë, ai synon t’u japë përgjigje disa pyetjeve që i kemi të gjithë dhe na mundojnë vazhdimisht. Një prej tyre është se si është e mundur që Homo Sapiens, vetëm një nga speciet njerëzore, një krijesë e degës së shimpanzeve, ka arritur të pushtojë botën, edhe pse dikur ishte thjesht aty nga mesi i zinxhirit ushqimor, me ndikim në planet aq sa gjirafat e qukapikët. Por tashmë janë në gjendje të kontrollojnë botën, madje edhe ta shkatërrojnë totalisht me një të shtypur butoni.

“Një vështrim i përciptë në histori tregon se propaganda dhe dizinformimi nuk janë asgjë e re. Në fakt, njerëzit kanë jetuar gjithmonë në epokën e post-të vërtetës. Homo Sapiens është një specie e post- të vërtetës, e cila e pushtoi planetin falë aftësisë unike për të krijuar dhe përhapur trillime. Ne jemi gjitarët e vetëm që mund të bashkëpunojmë me shumë të huaj, vetëm pse jemi në gjendje të shpikim histori, t’i shpërndajmë dhe të bindim miliona njerëz që të na besojnë. Për sa kohë të gjithë besojnë të njëjtin ‘fiction’, ne mund të bashkëpunojmë në mënyrë efektive”, shkruan Harari në librin e tij më të fundit me titull “21 leksione për shekullin 21’.

Edhe ekspertja e besimit, filozofja Onora O’Neill shkruan se kjo është një histori e vërtetë. Puna e besimit dhe e të vërtetave nuk ka ndryshuar shumë kohët e fundit.

***

Tani supozoni për një moment sikur kryeministri Edi Rama, drejtuesi i një prej vendeve më të korruptuara jo vetëm në Europë, të ketë një moment epifanie dhe të vendosë të tregojë së pari, të gjithë të vërtetat e tij në vend që të padisë të tjerët për shpifje. Mendoni se çfarë do të ndodhte sikur të kishim një kryeministër alla-Jim Carrey në filmin ‘Liar- Liar’, që rrëfen të gjithë sekretet e pushtetit. E këtu nuk e kemi fjalën për të treguar se në vendin më të korruptuar në Europë, paska ndonjë drejtues hipoteke që vjedh. Po që të flasë për veten dhe personat e pushtetshëm pranë tij, për Saimir Tahirin, Taulant Ballën, Ilir Beqjen etj.

“E vërteta është se e vërteta nuk ka qenë kurrë lart në agjendën e Homo Sapiensëve. Nëse do i përmbahesh gjithmonë realitetit dhe do thuash vetëm të vërtetat, pak njerëz do të ndjekin. Tregimet e rreme kanë një avantazh të brendshëm mbi të vërtetën kur bëhet fjalë për të bashkuar njerëzit”, thotë Harari.

“Njerëzit kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të ditur dhe për të mos ditur në të njëjtën kohë. Ose më saktë, ata mund të dinë diçka kur mendojnë për të, por shumicën e kohës nuk mendojnë për të, kështu që ata nuk e dinë. Nëse vërtet përqendrohesh, ti do e kuptosh fjala bie se paraja është trillim”.

“Dijetarët gjatë historisë janë përballur me dilemën: A duhet t’i shërbejnë pushtetit apo të vërtetës? A duhet të synojnë të bashkojnë njerëzit duke bërë këdo që të besojnë të njëjtën histori, apo duhet të lënë njerëzit të mësojnë të vërtetën, por çmimi do jetë kaosi? Establishmentet më të fuqishme në histori, qofshin priftërinj të krishterë, mandarinë konfucianë apo ideologë komunistë- kanë vendosur unitetin mbi të vërtetën. Kjo është arsyeja pse ishin kaq të fuqishëm”.

Edhe në rastin se Edi Rama në një ‘memento mori’ do nxirrte ‘skeletet nga dollapi’, shanset janë që uniteti të mbizotërojë mbi të vërtetën. Grupi i tij do e flakte dhe historia do vazhdonte në rrjedhën e saj të zakonshme…

***

Si specie, njerëzit preferojnë pushtetin më shumë se të vërtetën. Ne shpenzojmë më shumë kohë në përpjekje për të kontrolluar botën sesa ta kuptojmë atë- dhe kur tentojmë ta kuptojmë, zakonisht e bëjmë në përpjekje për të lehtësuar kontrollin mbi të.

Kështu do ndodhte natyrshëm edhe me kryeministrin Edi Rama. Ai nuk erdhi në postin e lartë të ekzekutivit se pushteti gjyqësor në Shqipëri kishte faktuar të vërtetat për qeverisjen e rivalit. Të ishte për këtë, ai nuk do e provonte kurrë karrigen kryeministrore. Ai erdhi në pushtet sepse gatoi mirë një ‘lëmsh’ të madh me të vërteta, gjysmë të vërteta, spekulime, trillime, akuza, nënkuptime, shpifje etj. Këtë lëmsh quajeni ‘kazan’ po të doni. Por kështu ishte dhe shanset janë që kështu të jetë për shumë kohë. ‘Kazani’ i tij nuk do thotë se është përzier vetëm prej Ramës, por ka shumë aktorë dhe faktorë që kanë futur ‘garuzhdën’ aty. Edhe nëse Rama përpiqet që të thotë se ai vetë ndoshta nuk ka shpifur, ka qenë ‘kazani’ rreth e qark tij që ka vepruar. A nuk e provoi këtë deputeti gjerman Gunther Krichbaum, kur i tha se e kanë sulmuar mediat pranë tij? Sepse do apo nuk do Edi Rama, ai nuk është i vetëm në këtë histori pushteti si person.

Por njerëzit e besuan Edi Ramën edhe për shkak të historisë që u ofroi me Rilindje dhe shtetbërje. Njerëzit janë shumë të mirë për të besuar historitë. Problemi është se njerëzit nuk e besojnë më historinë e tij dhe kjo është arsyeja e fushatës antishpifje që ka nisur. Ne jemi ‘Homo Prospectus’, thotë psikologu Martin Seligman. Dhe kur sheh të tashmen dhe hedh sytë nga e ardhmja, të paktë janë ata që shohin shpresë te historia e Ramës. E vetmja shpresë e tij është që njerëzit të mos e besojnë historinë e rivalit. Prandaj e ka nisur betejën tani.

“Nëse ëndërroni një shoqëri ku e vërteta mbretëron në mënyrë supreme, mos e prisni këtë nga Homo Sapiensët. Më mirë provoni fatin me shimpanzetë”, thekson Harari.

Ata nuk e dinë se çfarë është paraja…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Në shtëpinë e tim Ati

Nga Rudina Hajdari* E kam vizituar shtëpinë dhe qytetin shpesh herë. Edhe...
Read More