Çfarë do të jetë Tirana 2030 dhe pse e akuzon opozita

tiranaKryebashkiaku Erion Veliaj dhe arkitekti italian Stefano Boeri prezantojnë planin e ri urbanistik të Tiranës. Palët ndahen për mungesë transparence ende pa u parë projekti. Çfarë do të jetë “Tirana 2030”, nga tramvaji, rehabilitimi i tri lumenjve, projektet energjetike dhe krijimi i kurorës së gjelbër me përfshirjen e shtatë njësive administrative. Fatet e planeve urbanistike të mëparshme dhe qëndrimet e Erion Veliajt, Leonard Ollit, Besnik Aliajt dhe Aldrin Dalipit.

Nga Sebi Alla

Plani i ri urbanistik i Tiranës po “shembet” në debate, tre ditë para se të paraqitet në Këshillin Bashkiak për miratim.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe arkitekti italian Stefano Boeri prezantuan dje planin e ri urbanistik “Tirana 2030”, por që në këtë moment, ende pa u parë në detaje, anëtarët e opozitës në këshill, lajmëruan votat kundër.

Një plan me afat të gjatë, por vë në pikëpyetje zbatimin i tij, apo rrëzimin nëse vjen një tjetër kryebashkiak në drejtimin e kryeqytetit.

Të paktën ky ka qenë fati i planeve të tjera urbanistike, ku gjithnjë është avazi i vjetër që thuret një “plan” për të rrëzuar një tjetër.

Ish-kryebashkiaku Edi Rama hartoi planin pjesor për Tiranën, duke e argumentuar domosdoshmërinë e tij, pasi Tirana ishte me projektin e vjetër urbanistik të Adil Çarçanit.

Pas tri mandatesh në bashki, Rama bëri rrotacionin me Lulzim Bashën, që edhe ky i fundit hartoi planin e tij të ri.

Tashmë është koha që edhe ai i liderit të opozitës të rrëzohet, ende pa u vënë në zbatim. Plani i ri urbanistik i Tiranës policentrike, parashikon 7 qendra kryesore dhe 5 unaza me prioritet transportin publik.

Për shkak të ndarjes së re territoriale, është parashikuar përfshirja e periferisë së qytetit me tregje, kurorë të gjelbër, rehabilitim të lumenjve, ndërsa në brendi të qytetit të Tiranës ka projekte të detajuara për transportin publik dhe përcaktimin e zonave ku parashikohen për ndërtim.

Zërat pro dhe kundër

“Vetëm ndryshimi demografik dhe gjeografik i Tiranës, qoftë si shtesë 30 % e popullsisë apo si rritje 25 herë e territorit, nënkupton që një pjesë nuk mund të vlejë për të tërën dhe Tirana urbane që ne kemi sot nuk vlen për të tërën. Ne kishim nevojë absolute për një plan të ri. Jo vetëm kaq. Plani i kaluar parashikonte një Tiranë të ngjeshur nga ana urbane që në 15-20 vitet e ardhshme parashikonte 4.5 milionë banorë. Kjo neve na u duk pak e paarsyeshme” -theksoi kryebashkiaku Erion Veliaj, si argument se pse rrëzoi “planin Basha”, teksa shton se “plani i ri është edhe një mishërim i një vizioni që ne kemi si anëtarë dhe përfaqësues të këtij qyteti, pavarësisht bindjeve tona politike”.

Një zë kundër në mënyrë të hapur gjatë prezantimit të djeshëm ishte ajo e kryetarit të këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli.

Në një reagim për gazetën MAPO, Olli shprehet kundër planit të ri urbanistik, duke pretenduar se projekti është klientelist dhe i marrë peng nga mafia e betonit.

“Në ishim në prezantimin e projektit për të denoncuar publikisht mungesën e transparencës dhe paligjshmërisë së aktit. Fakti që po i lihen vetëm pak ditë për njohjen me projektin është prova tjetër e problemeve të mëdha që fsheh ky plan, ku as prezantuesit nuk ishin në gjendje të tregonin detaje mbi ndërtesat shumëkatëshe, për furnizimin me ujë, cilat janë zonat e mbrojtura historike dhe të tjera çështje të rëndësishme” -thotë Olli.

Sipas tij më kryesorja është: “tentativa e Veliajt për të fshehur të vërtetat e këtij plani, totalisht klientelist dhe i marrë peng nga mafia e betonit dhe kjo do të përbejë katastrofën e re të Tiranës”.

Ndërsa të djathtët do të kenë një “gjurmë” nga plani Basha, pasi sipas tyre në planin e ri urbanistik të kryeqytetit është lënë të zbatohet projekti i tramvajit në gjurmët e planit të mëparshëm.

Krejt ndryshe mendon Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi.

Sipas tij, plani është konsultuar gjatë me shoqërinë civile, arkitektë, qytetarë dhe drejtues të njësive administrative të Tiranës.

“Plani ka mbi dy muaj në konsultë publike. Është konsultuar në 14 njësi administrative të Tiranës, kanë dhënë ndihmesë ekspertë të huaj dhe janë ftuar edhe arkitektë dhe përfaqësues universitetesh, të cilët kanë profil arkitekturën. Është një cikël konsultimesh që bashkia e ka kryer dhe është hera e parë që një plan urbanistik është konsultuar nga një grup i gjerë personash dhe ekspertësh të fushave të ndryshme” -shprehet Dalipi.

Dilemat e financimit

Nëse do të vihet në zbatim projekti i paraqitur, Tirana “nuk do njihet më”, pasi ndryshimet duken thelbësore, por pyetja e madhe që ngrihet në këtë rast dhe që ende nuk ka përgjigje është se ku do gjenden paratë për zhvillimin e projektit “Tirana 2030”.

Aktualisht ajo që duket është një plan urbanistik prej 2400 faqesh, i hartuar në studio italiane arkitekturore.

Këtyre dilemave nuk ka si të mos iu shtohet edhe qëndrimi politik i palëve, ku deri më tani asnjë plan i ri nuk ka marrë bashkë votat e pozitës dhe opozitës.

Gjithnjë janë ndarë, duke akuzuar njëra-tjetrën për plan klientelist apo të betonizimit.

Vizioni në shtrirje në kohë është i gjatë, që parashikon përfundimin e plotë të zbatimit deri në vitin 2030, gjithnjë nëse nuk do vijë një tjetër drejtues bashkie që do hartojë tjetër plan për të rrëzuar të mëparshmin.

Arkitekti Besnik Aliaj, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka qenë kritik mbi mënyrën se si mbërriti ky projekt i rëndësishëm, duke e kapur çështjen jo vetëm në aspektin arkitekturor, por në atë ligjor.

Sipas tij duhet të paktën të kishte dy dëgjesa të mëdha publike dhe më pas minimalisht të lihej afat një muaj që anëtarët e këshillit bashkiak dhe ekspertët, të konsultoheshin në thelb me planin e ri rregullues të Tiranës.

“Është një plan që futet qëllimisht në llogoren e konfliktualitetit politik dhe tutelën e interesave të oligarkisë dhe gjeneron vetëm tension social. Është një rast i denjë për thelbin e dekriminalizimit të qeverisjes. Për momentin dua të ritheksoj vetëm faktin se transparenca publike dhe procedura ligjore nuk janë ‘zhargon’ formal për tallje, por garanci juridike ligjore për një qeverisje normale dhe në respekt të kushtetutës” -komentoi Aliaj.

Nga ana tjetër, drejtues të zyrës urbanistike të Bashkisë Tiranë shprehen se është punuar për rreth një vit për hartimin e planit të ri urbanistik dhe ka pasur transparencë të plotë me publikun dhe ekspertët e fushave të ndryshme.

Ndarja duket ende pa u diskutuar në thelb.

Ndërsa ajo që mbetet e “garantuar” në këtë rast, është se në mbledhjen e Këshillin Bashkiak të Tiranës do ketë akuza, kundërakuza dhe debate të ashpra, pak orë para së të mbërrijë viti 2017.

Pjesë nga plani i ri urbanistik i Tiranës

  1. Plani propozon 13 projekte strategjike për zhvillimin urbanistik të kryeqytetit.
  2. Parashikohet identiteti i ri për vendbanimet urbane, duke integruar edhe zonat rurale si Ndroqi, Peza, Baldushku, Bërzhita, Kërraba, Shën-Gjergji dhe Zallbastari.
  3. Planifikohet ndërtimi i tri korridoreve të gjelbra. Transformimi i lumenjve të Erzenit, Tiranës dhe Lanës. Një sistem bujqësor i ri, në integrimin e tregjeve dhe agroturizmit.
  4. Zgjerimi i bulevardit “Dëshmoret e Kombit”. Unaza e katërt e re, që shtrihet nga qendra e qytetit deri në periferi të kryeqytetit. Hapësirë e gjelbër në një pyll orbital me 2 milionë pemë frutore dhe dekorative.
  5. Optimizimi i unazës së tretë, me sistem lëvizshmërie, pistë biçikletash dhe autobusë, mjete hibride dhe elektrike.
  6. Ruajtja e trashëgimisë arkitektonike të shekullit 20 dhe investimi për mirëmbajtjen e tyre.
  7. Nga sheshi “Skënderbej” deri te “Parku i Botës”, ku do të jenë selitë e ambasadave dhe në qendër parashikohet një hapësirë për eventet kulturore shumëfunksionale.
  8. Stacioni i ri do jetë pika për lëvizshmërinë e shpejtë. Tirana do të jetë metropoli i biodiversitetit.
  9. Pylli i ri orbital me pemë frutore, ku do pastrohet ajri dhe nxisë rritjen e gjallesave dhe biodiversitetit.
  10. Parashikohet një sistem i ri energjetik i Tiranës.
  11. Rehabilitimi i plotë i Lumit Lana dhe Lumit të Tiranës, duke i kthyer në zona me bimësi të shtuar.
  12. Pesë epiqendra prodhuese në periferi të Tiranës në segmentin Kinostudio-Kombinat dhe Qendër-Kombinat.
  13. Hapja e shkollave të reja që do të shërbejnë edhe si qendra argëtimi dhe evenimentesh publike.
Shkruar Nga
More from revista mapo

Marrja e frymës te të sëmurët me zemër, shkaqet dhe si trajtohet

Kardiologia Teferiçi këshillon që të sëmurët kardiakë të bëjnë kontrolle të vazhdueshme,...
Read More