Çfarë duhet të bëjë Partia Demokratike për të qenë një alternativë e besueshme?

Nga Ervis Iljazaj

Debatet e brendshme të Partisë Demokratike, kanë rihapur edhe njëherë çështjen e opozitës shqiptare dhe formatimit të saj në një forcë politike të besueshme dhe alternativë qeverisëse për të nesërmen. Është një shenjë e mirë që debate të tilla konsumohen publikisht, pasi forcojnë çdo forcë politike, aq më tepër një forcë në opozitë. Megjithatë, përtej debateve, Partia Demokratike ka domosdoshmëri urgjente për të ndërmarrë disa hapa konkretë dhe të sqarojë elektoratin shqiptar për disa çështje thelbësore. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrijë të ndërtojë një strategji politike të qartë.

Së pari, duhet t’i rikthehet edhe njëherë, ashtu sikurse bëri që në fillim të legjislaturës, reformës zgjedhore. Në këtë mënyrë, do të ketë më të qartë se në çfarë terreni do të zhvillohet gara elektorale dhe nëpërmjet çfarë instrumenti. Në këtë mënyrë strategjia politike e saj do të jetë e qartë që tani, dhe çdo veprim do të kthehet në funksion të kësaj strategjie.

Së dyti, Lulzim Basha, duhet të bëjë të qartë ekipin dhe bashkëpunëtorët e tij. Gjendja aktuale e Partisë Demokratike është në një moment kur, trashëgimia e Sali Berishës dhe lidershipi i ri, kanë krijuar brenda saj një paqartësi për sa iu përket figurave kryesore të partisë, figura të cilat potencialisht do të na qeverisin nesër. Kështu do të forcohej lidershipi i Bashës, dhe do të krijohet fryma e alternativës. Sepse që opozita të vijë në pushtet ka nevoje të padiskutueshme për qartësinë e lidershipit dhe ekipit të tij.

Së treti, Partia Demokratike duhet të qartësojë aleancat e saj. Në radhë të parë raportin me LSI, raport i cili ka shkaktuar debate edhe në radhët e militantëve të saj. Basha duhet t’iu bëj të qartë shqiptarëve nëse kjo aleancë do të jetë bashkë në zgjedhjet e ardhshme apo jo. Është një mënyrë kjo, për të krijuar alternativën qeverisëse, gjë e cila mungon deri më tani.

Së katërti, Partia Demokratike duhet të ketë më të qartë diskursin e saj publik. Në këto momente duket një diskurs kaotik, me premtime të cilat janë kontradiktore me njëra-tjetrën. Në këtë mënyrë profili i saj ideologjik nuk është aspak i besueshëm. PD, duhet të kthehet në mënyrë të menjëhershëm të vlerat e një partie të djathtë europiane, të cilat bazohen te liria, individi, konkurrencat dhe ekonomia e tregut. Shpeshherë diskursi i saj ngatërrohet me majtizma dhe premtime sociale që do i kishte zili dhe çdo parti socialiste ne Europë.

Së pesti, opozita ka nevojë urgjente të rigjejë komunikimin më ndërkombëtarët, sepse në momentin që po flasim komunikimi me ta është në nivele më të këqija se kurrë. Çdo ditë ka një kauzë nga opozita kundrejt përfaqësive të SHBA-së dhe BE-se. Misionet amerikane dhe europiane kanë një rol thelbësor në opinionin publik. Ndër të tjera, gëzojnë një besueshmëri te shqiptarët. Pa rigjetur marrëdhëniet me ta, opozita krijon në këtë mënyrë dy palë politike, mazhorancën dhe ndërkombëtarët, gjë e cila vështirëson ngjitjen e saj në qeverisje.

Nëse opozita, nuk krijon një alternativa të qarta me të gjitha këto hapa të domosdoshëm, do ta ketë shumë vështirë të fitojë zgjedhjet e ardhshme, edhe në një moment kur qeverisja aktuale nuk është në ditët e saj më të mira. Në të kundërt, do të ngelet një forcë politike denoncuese të skandaleve të radhës dhe nuk do të ngrihet asnjëherë në nivelin e një forcë që është gati për të qeverisur vendin.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

6 muaj Dietë Mesdhetare rrit shanset për shtatzëni

Dieta Mesdhetare është shumë efikase, avantazhi i saj qëndron në cilësinë e...
Read More