Çfarë e shtyn biznesin të vijojë të jetë pjesë e tregut informal të punës?

Reforma fiskale, e cila shoqërohet me reformën e tregut të punës dhe reformat e tjera për ekonominë dhe tregun financiar duhet të përfshijë edhe formulën e masave të mundshme stimuluese fiskale, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme të sektorit të industrisë.

Barra fiskale për punëdhënësit dhe punëmarrësit mbetet një nga arsyet kryesore për nivelin veçanërisht të lartë të informalitetit në mesin e personave të vetëpunësuar. Kjo barrë nuk është vetëm prej normave fiskale, por edhe pesha nga administrimi dhe korrupsioni së bashku. Një barrë fiskale e lartë në formën e taksave mbi pagat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore është një postulat i njohur, i cili mund të ketë pasoja serioze në konkurrencën e një biznesi. Kjo është arsyeja pse shumë punëdhënës të sektorit të industrisë nxjerrëse preferojnë të paguajnë një sasi të caktuar të pagave me zarf ose të veprojnë tërësisht në informalitet. Kjo mënyrë operimi potencialisht mund të shtrembërojë konkurrencën në treg duke qenë se ata punëdhënës, që nuk paguajnë taksa kanë një avantazh të padrejtë konkurrues mbi bizneset që janë në përputhje me rregullat.

Ulja e tatimit mbi pagat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore është provuar në disa raste që mund të rritë pajtueshmërinë dhe si rezultat të ardhurat prej taksave potencialisht mund të rriten. Megjithatë, studimet e kryera në këtë drejtim konkludojnë se vetëm ulja e taksave të punës e pashoqëruar me reforma është një formulë e paplotësuar. Reforma fiskale, e cila shoqërohet me reformën e tregut të punës dhe reformat e tjera për ekonominë dhe tregun financiar duhet të përfshijë edhe formulën e masave të mundshme stimuluese fiskale, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme të sektorit të industrisë. Është gjithashtu e rëndësishme, për të lehtësuar pajtueshmërinë, që të rishikohen dhe thjeshtohen kërkesat ligjore dhe administrative, të tilla si regjistrimi dhe licencimi. Në fakt, kostot e pajtueshmërisë me rregullat (në aspektin e kohës, parave dhe ekspertizës), veçanërisht për bizneset e reja tentojnë përherë të mbeten të pandryshuara. Por, kërkesa është që të ulen.

Në morinë e strategjive dhe programeve të operimit për të luftuar informalitetin shikon gjithnjë angazhime dhe detyra institucionale nga më të ndryshmet. Vit për vit përsëritje të angazhimit ndaj informalitetit dhe në fund të shumë viteve ai nuk ka luajtur nga vendi. Vijon ende të jetë me një peshë që i merr frymën tregut formal. Edhe pse janë konsumuar me mijëra orë pune nga secila palë në proces, si dhe pse janë arritur edhe suksese në detyra të ndryshme, lufta është në një qark të pambyllur ende dhe që më shumë duket si një angazhim për ta bërë se kërkohet, sesa të zbatohet si një pjesë e domosdoshme e veprimeve të përditshme.

Skema specifike, me shënjestër të qartë në tregun informal duhet të jenë të stiluara të tilla për t’i lejuar punëtorët informalë dhe punëdhënësit e tyre për të hyrë në formalitet. Individëve dhe bizneseve mund t’u jepet një periudhë e caktuar kohore, gjatë së cilës ata mund të hyjnë në ekonominë formale pa sanksione. Administrimi i këtyre masave duhet të jetë aq i thjeshtë sa të jetë i mundur për t’u zbatuar ashtu si është parashkruar, duke shmangur burokracinë e panevojshme dhe rregullat e tepruar në zbatim.

Një numër i politikave drejt reduktimit të punësimit informal tashmë janë futur në Shqipëri dhe janë duke u zbatuar, si orientime që vlejnë të provohen për ngushtimin e hendekut mes formalitetit dhe informalitetit.

Ndër kryesoret prej tyre renditen ato fiskale, të tilla si:

Në sektorin privat, një sistem pagash referuese është i pranishëm si opozitë e pagave që anashkalojnë sistemin bankar dhe u jepen punonjësve me zarf. Pagesat e pagave, të kërkuara nga organi tatimor duhet të kanalizohen gjithnjë nëpërmjet sistemit bankar për të kufizuar pagesat informale të holla. Megjithatë, situata pak ka ndryshuar në këtë drejtim.

Kontributet e sigurimeve shoqërore janë në nivele të moderuara duke pësuar ulje të pagesës në dekadën e fundit. Pjesa kontributive e punëdhënësit bashkë me atë të punëmarrësit është ulur nga 41.9% në 32.9% dhe më tej në 27.9%, për ta bërë pagesën më tërheqëse, veçanërisht për punëdhënësit. Të ardhurat personale janë tashmë për më shumë se 65% të tyre (pagat) në taksim progresiv dhe tatimi mbi fitimin është rritur në një normë që arrin te 15% e fitimit bruto.

Procedurat e regjistrimit të biznesit janë duke u thjeshtuar, duke iu dhënë bizneseve të vogla dhe të mesme aftësinë për të regjistruar aktivitetin brenda vetëm 24 orëve.

Pjesëmarrja në prokurimin publik është e lidhur me publikimin e plotë të informacionit të pagave dhe taksave pagesave nga kompanitë që kontribuojnë. Për më tepër, regjistrimi i detyrueshëm i të vetëpunësuarve është në fuqi.

Realiteti i jetës sindikale ka treguar qartë se sindikatat ende nuk luajnë ndonjë rol të rëndësishëm në Shoqërinë shqiptare. Këtë pohim nuk e ndryshon as fakti që në disa ndërmarrje të veçanta të industrisë ose në disa degë të sektorit publik, sindikatat përkatëse kanë një farë peshe si partnerë në kontratat kolektive.

Ne pyetëm shoqata të punëdhënësve, mediat, ministrinë përgjegjëse, një ndërmarrje të madhe dhe tre ekspertë pranë sindikatave, për opinionin e tyre në lidhje me perceptimin e sindikatave në publik, për të krijuar një tablo të përgjithshme mbi sindikatat në Shqipëri si aktorë socialë.

Ndërthurja e politikave të lidhura direkt me luftën ndaj informalitetit me politikat për zhvillimin e jetës dhe aktivitetit të sindikatave, pavarësisht traditës që karakterizon sot jetën sindikale dhe që ka nevojë të ndryshohet si një politikë e shtuar në drejtim të luftës ndaj informalitetit është jetësimi më efektiv për tu konsideruar si një politikë që i kundërvihet rutinës së trashëguar. Ndër politikat dhe orientimet më kryesore përmendim: (a) zgjidhja e kontradiktave midis sindikatave,

(b) angazhimi më i madh i grave, (c) rritje e prezencës së sindikatave pranë biznesit, (d) forcimi i komunikimit dhe dialogut midis anëtarëve dhe drejtuesve të sindikatave, (e) ideimi i strategjive për zgjidhjen e problemeve social–ekonomike, (f) dialogu me të gjitha palët për rritjen e pagës minimale dhe përcaktimi i minimumit jetik, (g) pjesëmarrje aktive në proceset vendimmarrëse të legjislacionit, (h) largimi nga ndikimi direkt dhe indirekt i partive politike të mëdha, (i) garantimi i fondeve të nevojshme për jetën dhe edukimin sindikal, (j) hapja ndaj të rinjve dhe freskimi i drejtimit të sindikatave. Punësimi në vetvete dhe politikat që hartohen dhe zbatohen për rritjen e tij nuk janë të shkëputura nga ekonomia. Madje, lidhja e politikave te punësimit është e pazgjidhshme nga politikat ekonomiko–fiskale, si dhe sociale që hartohen nga qeveritë.

Por, nëse teoria është referenca për praktikën, çfarë thonë statistikat? Ndikimin në rritjen e punësimit e ka dhënë industria përpunuese me 27,4%, aktivitetet e shërbimeve me 14,8% të tregut dhe sektori i ndërtimit me 14,6 %. Puna informale për dy vitet e fundit, hyri në një proces formalizimi, që megjithatë duhet të shprehë potencial të plotë. Sektori i industrisë nxjerrëse tashmë ndodhet në një fazë vendimtare të reflektimit mbi gjendjen aktuale të tregut të punës, duke patur potencial me një kapital njerëzor të vlefshëm, por të vështirë për t’u integruar në tregun e punës. Një pjesë e konsiderueshme e punëkërkuesve u përkasin moshave të reja. Arsyeja qëndron brenda rezistencës së informalitetit dhe ende një kulture të vakët institucionale dhe edukate të burimeve njerëzore.

Nëse shikojmë vendet e reja të punës, duke i krahasuar me realitetin e investimeve kapitale në industri (vendase dhe të huaja), situata e investimeve duket se ka shkuar në drejtim të teknologjisë dhe realizimit të shërbimeve, sesa në drejtim të hapjes apo forcimit të fondit për punonjësit.

Një tjetër drejtim i administrimit të punës në luftë ndaj informalitetit dhe evazionit është aspekti mjaft i rëndësishëm në formalizimin e fuqisë punëtore dhe raportimi real i pagave që përfitojnë punonjësit e sektorit privat. Megjithë rritjen me 5% deri 10% të numrit të punonjësve për çdo vit, duke arritur një raport të sektorit publik me sektorin privat (jobujqësor) në 1:4, për institucionet shtetërore mbetet ende hapësirë e pambushur, me synimin që ky raport të ndryshojë të paktën me 1 njësi më lart se aktualisht për periudhën afatmesme.

Marrëveshja e heshtur mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, që kanë rolin kryesor për përmbushjen e standardeve për fshehjen e punësimit ose të ardhurave nga punësimi, nisur nga interesa momenti të ndryshme nga njëri-tjetri, por që konvergojnë në një moment të caktuar, dëmtojnë më tej zbatimin e standardeve dhe në të gjitha rastet, pala më e dëmtuar nga këto marrëveshje është punëmarrësi. Ndryshimet e fundit të miratuara në Kodin e Punës gjithashtu përfshijnë detyrimin për kontratën e shkruar të punës, ndërsa më parë ka qenë fakultative. Kontrata e punës mund të lidhej dhe ndryshohej me gojë ose me shkrim. Ndryshimi ligjor ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2016 dhe pritet të përmirësojë situatën e formalizimit të marrëdhënieve të punësimit dhe njëhershëm përmbushjen e standardeve të punës.

Përveç informalitetit që është faktori më i rrezikshëm që cenon zbatimin e përshtatshëm të legjislacionit të punës dhe të gjitha standardet njëherësh, por edhe pozitën e punëmarrësit në të gjitha drejtimet ka edhe faktorë të tjerë të natyrës ekonomike, sociale dhe kulturore. Ndër këta faktorë përmendim nivelin e papunësisë, karakteristikat e sistemit të sigurimeve shoqërore dhe nivelin e ndërgjegjësimit të punëmarrësve, por analiza jonë tregon se kjo priret të ndryshojë në varësi të sektorit të punësimit. Niveli i papunësisë ka një ndikim të madh në përputhshmërinë me standardet e punës, pasi niveli i lartë i papunësisë, sjell që punëmarrësit të kenë pak hapësirë për të bërë rezistencë ndaj punëdhënësit. Një punëmarrës më lehtësisht pranon të angazhohet në mënyrë informale në një punë apo të nënshkruajë një kontratë që ka kushte të devijuara të punës sesa ta humbë atë mundësi punësimi. Nga ana tjetër, në fushën e sigurisë sociale, punëmarrësit në Shqipëri kontribuojnë në një sistem sigurimesh shoqërore dhe shëndetësore që është pak ose aspak motivues, pasi përfitimet që shohin nga këto skema jo vetëm nuk janë të kënaqshme, por janë edhe të paparashikuara, madje edhe të pasigurta. Kështu edhe personat që nuk kontribuojnë në skemën e sigurimeve shëndetësore apo kontribuojnë pak, porse edhe ata që paguajnë në përputhje me paga të larta, dallohen shumë pak në trajtim në rast se i duhet t’i drejtohen shërbimit shëndetësor. Për më tepër kontribuuesit e sigurimeve shoqërore kontribuojnë në një skemë që është objekt ndryshimi të vazhdueshëm dhe ndikon në pasigurinë e tyre për të parashikuar përfitimet për moshën e pensionit nga skema apo për përfitime të tjera.

Ndërkohë në perspektivën e punëdhënësve, gjetjet tregojnë se për sa iu përket standardeve që lidhen me pagesa si standardi i pagës apo sigurimeve shoqërore, palët janë më të tentuara që t’i shkelin ato. Kjo ndodh edhe sepse motivimi i tyre për të paguar taksa është i ulët për shkak se shumë biznese të tjera janë ende informale, por edhe për shkak se përfitimet që shohin nga pagimi i taksave dhe kontributeve është demotivues.

Marrë nga Raporti Studimor TREGU, MARRËDHËNIET E PUNËS DHE LIDHJA MIDIS INFORMALITETIT, KONKURUESHMËRISË, PRODUKTIVITETIT DHE PAGËS MINIMALE NË INDUSTRINË NXJERRËSE NË SHQIPËRI

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

U vra në tentativë për të ndaluar grabitjen, ky është biznesmeni fierak

Më shumë se 12 orë pas ngjarjes së rëndë, ka ndërruar jetë...
Read More