Çfarë efekti do të ketë parakalimi me pranga i Arben Ndokës

Në mbarë vendin ka nisur një valë arrestimesh. Por suksesi i saj nuk varet nga përpjekja për ta paraqitur gjithçka si PR

Nga Enton Palushi

Ishin vitet ’70 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendi ishte në prag të një epidemie: një epidemie krimi. Që nga Bregu Lindor deri në atë Perëndimor, përdorimi i drogës, dhuna dhe krimet e pronave ishin në nivelet më të larta. Në shtetin e Nju Xhersit, policia vendosi të bëjë diçka.

Kështu shkruan një nga gazetaret e njohura të BBC-së, Zaria Gorvett.

Policia e Nju Xhersit kishte menduar se mënyra më e mirë për të penguar të rinjtë që të përfshiheshin në krim ishte që t’u jepje një shembull. Nëse ata do të shihnin se si do ishte jeta në burg, do të përmirësonin sjelljen e tyre.

Autoritetet vendosën që të organizonin një seri vizitash në burgun shtetëror të Rahuej, në të cilin kriminelët e mitur u prezantuan me të burgosurit e vjetër, të kyçur për krime që nga prodhim bombash e deri në shitje informacione për mafien.

Vizitat ishin projektuar që të ishin sa më traumatike të ishte e mundur: të burgosurit shanin, bërtisnin dhe u tregonin të rinjve me detaje se si ishte jeta brenda në burg, përfshi edhe trillime për përdhunime, vetëvrasje dhe vrasje. Programi u bë i njohur si ‘Frikësimi i drejtpërdrejtë’.

Nuk u desh shumë kohë dhe programi u kopjua në mbi 30 shtete të SHBA, pastaj edhe në Australi, Britani, Gjermani e Kanada.

Ishte mjaft popullor, ishte diçka intuitive dhe e thjeshtë. Kishte vetëm një problem: askush nuk e kontrolloi nëse po funksiononte. Në vitin 1982, një studim që u bë te të rinjtë që ishin subjekt i programit zbuloi të vërtetën: programi jo vetëm që nuk kishte zvogëluar gjasat e tyre që të bënin krime, por i kishte rritur ato.

Pse kishte ndodhur kështu?

“Ndonjëherë ajo që mund të duket si një plan i mirë mund të bëhet problematik për shkak të faktorëve për të cilët nuk jeni të vetëdijshëm”, thotë Michael Hallsëorth, i cili punon me “Nudge Unit” në qeverinë britanike.

Në botën reale, veprimet tona janë një fushë e minuar me motive të fshehura dhe probleme psikologjike.

Ndoshta personat që vizituan burgun Rahuej i bënë të rinjtë që të mendojnë se përfundimi në burg është i pashmangshëm. Ose i bëri ata që të mos jenë shumë të ndjeshëm ndaj tmerreve të burgut. Më keq akoma, programi mund të ketë ndihmuar për të romantizuar mbi jetën e ‘të fortëve’ në burg ose për ta parë realitetin e ashpër të burgut si një sfidë.

***

Dikush tha se Arben Ndoka e meritonte të burgosej për këmishën që kishte veshur. Ish-deputeti socialist zbriti nga fugoni i policisë në kohën që sapo kishte rënë errësira. Sikur të ishte i sprovuar me prangat, ai dukej i qetë. Në krah të tij qëndronin policë më maska, të rregullt në trup dhe dukshëm të trajnuar. Një duzinë forcash speciale e vendosën atë në pozicion pozimi. Dukej sikur gjithçka ishte bërë me regji.

Një kamera që bënte sikur ishte larg e filmonte. Arben Ndoka, me një zinxhir në qafë, qëndroi aty për disa sekonda, mjaftueshëm sa për të bërë videon që bëri xhiron e rrjetit. Më shumë se arsyeja e arrestimit të tij, për lexuesit kishte interes kjo pamje. Është nga ajo që të godet menjëherë. Një ish-deputet i forcës më të madhe politike në vend, po parakalonte para kamerës në mesin e një grupi forcash speciale. Ishte diçka sikur kishte dalë direkt nga vende si Kolumbia. Për ironi, njëkohësisht me parakalimin e tij, një gazetë e njohur gjermane shkruante se Shqipëria ose ndryshe ‘Kolumbia e Europës’ ka nisur të luftojë krimin, edhe pse ka skepticizëm nëse qeveria do të shkëpusë lidhjet e saj me grupet e organizuara kriminale.

Pamjet e Arben Ndokës teksa pozonte me pranga në duar do transmetohen shumë në median shqiptare. Ky ishte edhe qëllimi. Ndoshta jo i menduar si nga profesorët e ekonomiksit të sjelljes, por nga ekspertë të PR-it. Për të treguar se qeveria e ka marrë seriozisht luftën ndaj krimit, edhe pse Ndoka, i akuzuar nga opozita si tmerri i zonës së Lezhës, po akuzohej për një krim për të cilin shumë pak njerëz kanë qëndruar në burg: atë të tjetërsimit të pronave.

Ndoka, ai që në parlament u bë i famshëm vetëm për dhunimin e një deputeti demokrat përpara kamerave, tashmë ishte shembull i ‘Frikësimit direkt’. Transmetimi i atyre pamjeve është që njerëzit jo vetëm të mësojnë se qeveria e ka seriozisht, por edhe të trembë njerëzit me pranga.

Pak më vonë para kamerave parakaloi edhe një tjetër i arrestuar, i dyshuar si kreu i një bande të trafikut të drogave të forta. Më përpara policia publikoi pa asnjë merak videon teksa kapte në krevat të zhveshur një këngëtar të njohur, të cilin e akuzon si pjesë të një grupi kriminal. Pamjet e arrestimeve janë bërë telenovela e përditshme e shqiptarëve.

***

Karl Zigmund është një autor që e ka trajtuar çështjen e krimit dhe të korrupsionit si rrallë ndonjë tjetër. Ai thotë se problemi me politikanët është se herët e vonë, ata nuk e kanë të lehtë të shpëtojnë nga shkeljet që kanë bërë. Tani duket se i erdhi koha edhe Ndokës dhe ish-deputetit tjetër, Arben Çuko. Por që gjërat të kenë sukses nuk duhet që gjithçka të shihet si një fushatë PR-i. Lufta ndaj krimit kërkon të merresh me të me themel, duke nisur nga rrënjët e ngulura në qeveri. Nëse shqetësohemi më shumë për pamjet e arrestimeve sesa për akuzat, gjithçka shkon dëm. Madje as projekti i frikësimit nuk do të funksionojë. Sidomos në një vend ku thuhet se burgu është për burra.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Policia post Çako, në radhë të parë duhet të jetë partnere e aleatëve ndërkombëtarë

Nga Ervis Iljazaj Dje, mbas një përfoljeje të gjatë të Drejtorit të...
Read More