Çfarë fshihet pas vendimit për ‘varrezat greke’?


A është hapi i hedhur nga qeveria shqiptare një lëvizje e detyruar për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE? Çfarë fshihet pas vendimit i cili ende nuk është i zbardhur zyrtarisht dhe cilat janë reagimet e para. A do të hiqet nga grekët Ligji i Luftës dhe ç’do ndodhë me çështjen çame? Historiani Pëllumb Xhufi, kritika për mënyrën e veprimit të diplomacisë sonë në raport me Greqinë.

Shqipëria ka hedhur hapin e dytë konkret në raport me marrëdhëniet greke, duke i dhënë status të veçantë varrezës së ushtarëve grekë në Bularat të Dropullit.

Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, kjo varrezë merr statusin e “varrezës historike”, çka do të thotë status nderi, kjo në kuadër të marrëveshjes mes dy ministrave të jashtëm, Bushati e Kotzias, të mbajtur në Kretë në nëntor të këtij viti. Në këtë mënyrë qeveria shqiptare bën hapin e dytë konkret, ndërsa Greqia është ende në fazë diskutimi për mënyrën e anulimit të ligjit të luftës që ka me Shqipërinë.

Vetëm pak ditë më parë qeveria vendosi ndërtimin e një tjetër varreze për ushtarët grekë të rënë në Shqipëri, e cila pritet të ndërtohet në Hormovë të Përmetit.

Po ashtu, ministri i Jashtëm grek ka deklaruar se qeveria do të ndërtojë edhe kishën e Shën Athanasit në Himarë.

Pavarësisht vendimeve që pritet të zbatohen përgjatë vitit të ardhshëm, qeveria shqiptare është fokusuar vetëm në një çështje: Shfuqizimin e Ligjit të Luftës që Greqia ka ende në fuqi me vendin tonë. Çështja çame, apo dëmshpërblimi për pronat shqiptarëve të konfiskuara në Greqi thuajse anashkalohen nga dy ministrat e Jashtëm.

Greqia

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, i ftuar në një panel gazetarësh në një emision të televizionit publik “ERT” ka deklaruar se problemi kryesor që duhet të zgjidhet pozitivisht me Shqipërinë është ligji i gjendjes së luftës midis dy vendeve, duke parashtruar edhe dy opsione ligjore, me të cilat mund të procedohet: ose me një dekret nga ana e presidentit, ose me një dekret të miratuar nga Parlamenti grek.

Ai është pyetur nga gazetarët grekë për çështjen e dëmshpërblimit të shqiptarëve që u janë konfiskuar pronat, por nuk ka dhënë përgjigje.

“Problemi kryesor që duhet të zgjidhet pozitivisht është Ligji i Luftës. Pasojat ligjore do të rregullohen me një procedurë të veçantë. Sipas qasjes sime të parë, dekreti – sipas të cilit Greqia iu shpalli luftë shqiptarëve, – ishte dekret mbretëror. Ekzistojnë dy interpretime ligjore. I pari, me të cilin jam pranë edhe unë sipas një këndvështrimi ligjor (që të hiqet ligji i luftës), dekreti mbretëror është i barasvlershëm me një dekret presidencial.

Por ka edhe një interpretim të dytë, që sipas meje nuk është edhe kaq rigoroz. Por kërkon debat kur të vijë koha e tij. Ky interpretim thotë se, dekreti mbretëror ishte në një kohë kur nuk ekzistonte Parlamenti, e për këtë arsye nuk mund të kishte një dekret parlamentar, kështu që tani që ka një Parlament, le ta formulojë atë. Por nuk korrespondon Parlamenti me dekretin mbretëror, korrespondon me dekretin presidencial”, -tha Nikos Kotzias.

Ndërsa ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u tregua më diplomat për çështjen “Çame” gjatë një interviste për “Top Channel”.

“Jam partizan i politikës së hapave të vegjël, por të njëpasnjëshëm. Besoj fuqimisht që shfuqizimi i ligjit të luftës do të ofrojë efekte të mira jo vetëm politike e psikologjike në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, por dhe pasoja ligjore në gëzimin e të drejtave pronësore. Çështjet më pas praktike se si do të gëzohen këto prona ne do të jemi këtu për t’i analizuar dhe diskutuar”, -tha Bushati.

Lidhur me ligjin e Luftës, Bushati vlerëson si zgjidhje të pritshme efektive abrogimin e këtij ligji me një akt ekuivalent si dekreti mbretëror me të cilin ky ligj u vendos.

“Është e rëndësishme që ligji i luftës të shfuqizohet me një akt ekuivalent nga pikëpamja e të drejtës për të prodhuar të gjitha ato efekte pozitive të pritshme në praktikë”, -tha Bushati.

Për shefin e diplomacisë shqiptare është e rëndësishme që dy vendet të zgjidhin një herë e mirë kapitullin me çështje nga lufta e dytë botërore.

E ndërsa Shqipëria merr vendime e shpreh optimizëm për marrëdhëniet me Greqinë, ministri i Jashtëm grek ka avancuar në kërkesat e tij, duke u ndalur pikërisht te çështja e kufirit detar, që sipas tij pritet t’i sjellë Greqisë zgjerimin e territorit.

Sipas Nikos Kotzias, Athina mund të fillojë procesin e zgjerimit të territorit ujor të Greqisë, nga 6 deri në 12 milje detare, fillimisht nga deti Jon, duke përdorur kështu për herë të parë legjislacionin që rrjedh nga Konventa për të Drejtën e Detit.

“Kam thënë se për kufirin detar, ne do të procedojmë në përcaktimin pjesë-pjesë të zonës detare greke. Duhet të dini se, sipas së Drejtës Ndërkombëtare, çdo zgjerim i zonës detare kombëtare, për shembull nga 6 në 12 milje, do të thotë edhe zgjerimi i territorit sovran të Greqisë”, deklaroi ministri i Jashtëm i Greqisë.

Ai sqaroi edhe dallimin mes Zonës Ekonomike dhe kufirit detar.

“Zona Ekonomike Ekskluzive ka të bëjë me të drejtën e shfrytëzimit, por jo me sovranitetin. Dhe duhet ta dini se, zona detare kombëtare ka një rëndësi të madhe për përcaktimin e ZEE-ve me të gjitha vendet. Veçanërisht me Shqipërinë. Është e rëndësishme nëse fillon të përcaktosh ZEE-të nga 6, ose nga 12 kilometra”, shpjegoi më tej Nikos Kotzias.

Ndërsa ministri Bushati thotë se ka klimë pozitive edhe për çështjen e kufirit detar me Greqinë. I pyetur se sa i sigurt është që një marrëveshje e re detare nuk do të ketë sërish fat rrëzimin, Bushati thekson se po punohet për një marrëveshje të drejtë mes dy palëve, dhe deri në ngritjen e grupeve të punës po diskutohen gjithë opsionet.

“Jemi të vendosur për të analizuar të gjitha mundësitë dhe për të shkuar më pas drejt një zgjidhjeje që do t’iu interesojë të dyja palëve”, -tha më tej.

Pëllumb Xhufi

Por profesor Pëllumb Xhufi ka kritika për mënyrën si po vepron diplomacia jonë në raport me Greqinë.

Ai thotë se Shqipëria nuk duhet të ekzaltohet nga deklaratat e ministrit të Jashtëm grek për heqjen e ligjit të luftës, pasi deri tani ka patur vetëm fjalë dhe asnjë veprim konkret nga ana e autoriteteve greke. Sipas Xhufit, një nga efektet kryesore dhe të menjëhershme që ka heqja e këtij ligji është kthimi i pronave të sekuestruara të qytetarëve shqiptarë në Greqi.

Një tjetër çështje e rëndësishme sipas historianit Pëllumb Xhufi është edhe çështja çame, e cila në brendësi të saj, ndër të tjera ka edhe çështjen e pronave.

“Problemi çam e ka edhe ai brenda problemin e pronave, por ai është vetëm një element i çështjes çame, ka një sërë problemesh të tjera, me heqjen e ligjit të luftës duhet të bëhet edhe kthimi i pronave siç bëhet në marrëdhëniet e zakonshme për transaksione, në marrëdhëniet e qytetarëve me shtetin, kjo ndodh edhe këtu në Shqipëri dhe jo në vende të tjera”, -tha Xhufi.

Takimi i dytë mes dy ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë pritet të mbahet në Korçë në fund të muajit janar, por sërish çështja “çame” pritet të shmanget nga axhenda e diskutimeve, për sa kohë dy ministrat kanë deklaruar se aktualisht prioritet ka heqja e Ligjit të Luftës.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Së pari Amerika, ose rikthimi i fortë i realizmit në politikën amerikane!

    Nga Sander Lleshi - Miratimi i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të...
Read More