Çfarë i ka dhënë Rama pushtetit lokal dhe pushteti lokal atij?

Nga Ervis Iljazaj

Zgjedhjet lokale janë duke u afruar, dhe me shumë gjasa do të jenë shumë të diskutuara, për vetë kandidatët që do të garojnë, për mesazhin politik që do të japin në kuadër të zgjedhjeve parlamentare si dhe për fatin e shumë prej kandidatëve të përfolur ditët e fundit.

Dje, Kryeministri doli përkrah kryebashkiakut të Tiranës për të inauguruar bulevardin e ri, duke shuar në këtë mënyrë edhe zërat që qarkullojnë për një mosmarrëveshje mes tij dhe Erion Veliajt, apo për çështjen e rikandidimit të këtij të fundit.

Edi Rama si një ish-kryebashkiak për shumë vite, ka një raport me pushtetin dhe qeverisjen lokale të veçantë, dhe kjo dallohet nga politikat e tij.

Mbas tri vitesh të hyrjes në fuqi të Reformës Administrative Territoriale, është momenti për të bërë një bilanc se çfarë ka kontribuar Rama për pushtetin lokal dhe çfarë ka marrë nga ai në kuptimin politik të fjalës.

Së pari, duhet theksuar se Edi Rama nuk arriti dot të bënte decentralizimin e pushtetit lokal. Pushteti lokal në Shqipëri nëpërmjet reformës, vetëm sa ndryshoi kufijtë e tij. Pra, si të thuash ishte vetëm një Reformë gjeografike, ndërsa në aspektin e qeverisjes dhe zhvillimit, kjo reformë pati impakt pothuajse zero.

Megjithatë, Rama pushtetit lokal i dha atë që ai e quan “rilindja urbane”. Me gjithë anatemimet që mund të ketë “rilindja urbane”, sot askush nuk mund ta mohojë që shumë nga qytetet e Shqipërisë janë tërësisht të transformuara. Ndokush mund të thotë se ishte një kosto tepër të lartë për buxhetin shqiptar, dhe ato para mund të shkonin fare mirë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe jo atij estetik, por, ky është një debat tjetër.

Por çfarë ka marrë nga pushteti lokal në këndvështrimin politik Edi Rama?

Disa, kryebashkiakë të korruptuar dhe të inkriminuar. Disa prej tyre janë në hetim apo kanë dhënë dorëheqjen si pasojë e ligjit të dekriminalizimit. Disa prej tyre, si pasojë e ndenjjes gjatë në krye të një qyteti, janë kthyer në njerëz të përfolur dhe shumë të dyshimtë për drejtësisë. Vetë akumulimi në pushtet për një kohë të gjatë, aq më tepër në realitete lokale shqiptare sjell këtë pasojë. Në këtë kuptim, pushteti lokal për këtë mazhorancë dhe këtë Kryeministër ka sjellë vetëm kosto dhe asgjë tjetër. Padyshim që shumë prej këtyre kostove kanë ardhur si pasojë e zgjedhjeve të tij, por, Edi Rama ka rastin në zgjedhjet lokale të vitit 2019, të rishikojë apo të përmirësojë këto zgjedhje.

Për sa i Përket Tiranës, ai është një rast i ndryshëm. Për shkak të territorit, banorëve dhe buxhetin që ka në dispozicion Bashkia e Tiranës, nuk mund të konsiderohet pushtet lokal, por një “Kryeministri” më vete. Personi që drejton Tiranën, nuk është një kryebashkiak, por një politikan, pasi aty jeton një e treta e popullsisë shqiptare. Historia e tranzicionit shqiptar, na ka treguar se, politika e madhe kalon nëpërmjet Tiranës. Është vetë rëndësia e qytetit që bën të pashmangshëm rolin politik që ka Kryetari i saj.

Për të gjitha këto arsye, raporti që ekziston midis kësaj qeverie dhe pushtetit lokal, ka uljet dhe ngritjet e tij. Por, rëndësia që mund të ketë ai me zgjedhjet e ardhshme është e padiskutueshme. Për këtë arsye, Edi Rama dhe Partia Socialiste duhet t’i bëjë mirë llogaritë e zgjedhjeve të vitit 2019.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Jane Austen: Krenaria dhe paragjykimet, një “shembull i keq”?!

Është historike mbledhja e tre autorëve të famshëm për të kujtuar shkrimtaren...
Read More