Çfarë ju tha policëve Orest Sota në momentin e arrestimit


Policia e Elbasanit nuk publikoi arrestimin e Orest Sotës, në makinën e të cilit u gjetën 800 mijë euro dhe dy patenta të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

“Policia e Elbasanit ka arrestuar shtetasin Orest Lefter Sota sepse nuk i ka ndaluar postbllokut të policisë. Gjatë kontrollit në automjet i janë gjetur dhe sekuestruar 800 mijë Euro dhe dy dëshmi aftësie për drejtim automjeti në emër të Saimir Tahirit”, tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Basha iu referua burimeve të sigurta ndërsa nënvizon se ky rast nuk është bërë publik në njoftimet që bën policia.

“Duke dënuar ashpërsisht fshehjen e kësaj ngjarje kriminale nga Haki Cako dhe Fatmir Xhafa me urdhër të Edi Ramës, i kërkoj prokurorisë të hetojë e të mos shmangë nga përgjegjësia autorët dhe urdhëruesit e këtij akti mafioz”, tha Basha.

Kjo ngjarje, sipas Bashës, ka ndodhur dy dite më parë.

Edhe pse çështja u referua në Prokurori, blutë e Elbasanit u treguan të kujdesshme për të mos e raportuar këtë ngjarje për mediat. Por burime pranë policisë tregojnë për “MAPO” detaje nga arrestimi i 25-vjeçarit, djali i një biznesmeni të rëndësishëm në fushën e ndërtimit.

Një patrullë policie i ka bërë shenjë për ndalim automjetit me të cilin udhëtonte 25-vjeçari Orest Sota. Ai nuk ka ndaluar, por ka vazhduar lëvizjen duke bërë që policia të vihet në ndjekje të tij. Pasi ka përshkruar disa rrugë të qytetit të Elbasanit, i riu ka hyrë bashkë me makinën në ambientet e kompanisë “Kurum”.

Policia ka shkuar menjëherë pas tij dhe ka kryer arrestimin në flagrancë të Sotës, ndërsa ka ushtruar kontroll në automjetin e tij.

Vetë i ndaluari rezultonte i papajisur me leje drejtimi, ndërsa në makinë policia gjeti 800 mijë euro dhe 4 patenta të tjera, dy të ish-ministrit Tahiri dhe një e bashkëshortes së tij.

I pyetur për shumën e konsiderueshme të parave, Sota ka deklaruar se paratë ai do i dorëzonte pranë firmës Kurum për shlyerjen e një fature të mëparshme për blerje hekuri nga kjo kompani.

Por policia ka marrë në pyetje drejtuesit e Kurum, të cilët kanë deklaruar se në aktivitetin e tyre nuk kanë pranuar asnjëherë pagesa CASH nga klientët.

Po ashtu, drejtuesit e kompanisë së hekurit i thanë policisë se nuk prisnin një klient të tillë, pasi nuk kishin patur asnjë komunikim të mëparshëm me të.

Pas këtij momenti 25-vjeçari është pyetur përse gjendeshin në makinën e tij dy patentat e ish-ministrit të Brendshëm, por ai ka deklaruar se i kishte harruar shoferi i Saimir Tahirit me të cilin kishte miqësi.

Pas arrestimit, i dyshuari nuk ka pranuar të japë më shpjegime për policinë. Ndërkohë mësohet se ditën e nesërme ai do të dalë përpara Gjykatës së Elbasanit për t’u njohur me masën e sigurisë që do të kërkojë prokuroria.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ilir Meta zyrtarisht sot President

Ilir Meta do të marrë sot, zyrtarisht, detyrën e Presidentit të Republikës...
Read More