Çfarë thonë dhe çfarë duan studentët e Forumit për Universitet Cilësor?

forumi-per-universitet-cilesorAta janë një grupim studentësh nga universitete të pavarura dhe shtetërore, që kërkojnë të rrisin cilësinë në arsimin e lartë. Sipas tyre reforma e arsimit të lartë ndihmon ekselentët dhe shtresat në nevojë dhe fuqizon studentin për ta bërë zgjedhjen dhe mbi të gjitha i jep fund stigmatizimit “privat” dhe “shtetëror” duke e quajtur arsimin ashtu siç është; një e mirë publike.

Studenti është qenia më politike. Kështu pat menduar Elton Ndreka kur ishte student i Masterit në Filozofi, në Universitetin Publik të Tiranës. Ishte kjo aksiomë që e çoi të themelonte, bashkë me disa kolegë “Lëvizjen e Studentit”.

“E themeluam sepse pamë se Universiteti Publik ka probleme të mëdha; profesorët nuk vijnë në leksione, shesin librat e tyre, kërkojnë para për provime, sistemi është i kalbur. Kështu thamë të nisnim luftë me administratën” – rrëfen ai, ndërsa aktet konkrete qenë letra publike, protesta e shpesh konflikte me pedagogë dhe drejtues departamentesh. Kjo lëvizje zgjati një vit, ndërsa sot me thelbin për ta parë studentin të angazhuar por edhe vendimmarrës në jetën akademike ai nuk ka hequr dorë nga idetë e tij, edhe pse nuk është më student i masterit, por doktorant i Shkencave Sociale në Universitetin Europian të Tiranës.

Është nga ata studentë që kanë qenë këtej dhe andej anës së vijës ndarëse që heq opinioni i gjerë mes universiteteve private e atyre publike. Studimet Bachelor i kreu në Universitetin Europian të Tiranës, ato Master në Publik dhe u rikthye sërish aty ku e nisi, me një shije jo fort të ëmbël, për të mos thënë të hidhur nga pedagogë që pse kundërshtoheshin në pikëpamje apo se sfidoheshin edhe në literaturë nuk ngurronin të merrnin shpagim me ngelje në provime apo mosmiratim të praktikave. Ndreka thotë se këto i ka kaluar në kurriz të tij.

Prej pak kohësh, së bashku me disa kolegë të tij ka themeluar një tjetër nismë studentore; “Forumi për Universitet Cilësor”, një nismë që siç thotë ai është përqafuar nga dhjetëra studentë të të gjitha cikleve të studimit nga universitete të pavarura e po ashtu edhe nga ai shtetëror.

Ajo që mëton ky grupim studentësh është një universitet, një reformë, një ligj mbi arsimin e lartë në dobi të studentit. Këtë Ndreka thotë se e ka gjetur në Reformën për Arsimin e Lartë dhe ai bashkë me përfaqësuesit e kësaj lëvizje, pasi e kanë shqyrtuar imtë, bien dakord me të. “Nuk kemi nevojë për diploma. Ky vend ka mjaftueshëm, neve na nevojitet cilësia e tyre. Kishim disa universitete private që u quajtën fabrika diplomash, u mbyllën. Ishte hapi i parë i marrë nga Ministria e Arsimit dhe ne ramë dakord. Hapi i dytë ishin Universitetet Publike që nuk përmbushnin asnjë standard. Kishim pafundësi diploma dhe të diplomuar, por pak të punësuar në treg. Sepse bizneset kërkojnë njerëz të kualifikuar” – është i mendimit ai, ndërsa e quan reformën një domosdoshmëri të menjëhershme. “Reforma duhej në krijimin e një standardi që i jep cilësinë diplomës në përgjithësi. Nga ana tjetër universitetet private që mbetën krijonin mekanizma bursash për të tërhequr ekselentët dhe e bënin pjesën tjetër të studentëve të fitonte interes ndaj studimeve. Në universitetin shtetëror ndodh e kundërta; ai tërheq më të mirën e maturantëve dhe vetëm një pjesë e tyre shpëtojnë përmes puthjedorës së profesorëve etj. Nuk po them që janë të gjithë, por një pjesë e mirë e atyre me mesatare dhjetë e bëjnë këtë. Me pjesën tjetër ndodh që ose do shkojnë sa për të marrë diplomën ose do nisin ta bojkotojnë universitetin. Universiteti Publik jo vetëm merr pjesën më të mirë dhe e degradon, por nuk ka as cilësi për diplomën” –vijon Ndreka, ndërsa ngre pyetjen se si një universitet mund të jetë i pavarur kur mbahet me të ardhurat e buxhetit të shtetit?!

Elton Ndreka rrëfen se ishte i përfshirë në gjenezat e krijimit të Lëvizjes për Universitet. “Por u largova shpejt sepse pikëpamjet e mia nuk pëlqeheshin. Kam folur me Arlindin (Qorri) dhe hodha propozimin të nisnim luftën nga brenda universitetit, me pedagogët e korruptuar, me administratën që nuk funksiononte. I thashë që po ta fitojmë betejën në shtëpi atëherë do të jemi gati të përballemi edhe me ministra. Por kjo nuk i pëlqeu. Pika ku ndahemi është se ata bëjnë gjithçka për t’u shfaqur në publik. Nuk them se kritikat nuk qëndrojnë. Ka hapësira për kritikë. Por modeli i universitetit falas do të ishte ose një model si ai i Koresë së Veriut, pra i një sistemi totalitar diktatorial ose modeli i një vendi shumë të pasur si Gjermania. Por ne nuk jemi as njëri dhe as tjetri. Kjo ide e universitetit falas për mua është utopike. E kemi parë çfarë ka ndodhur së fundi në universitetin e Vlorës dhe atë të Shkodrës. Çfarë ndodhi? 700 euro për provim. Është iluzion se paguhet më pak në shtet” .

Ndaj mendon ai dhe Forumi për Universitet Cilësor se studentët në vend që t’i çojnë paratë e tyre në xhepa privatë pedagogësh t’ia kalojnë universitetit, i cili më pas do i rishpërndajë për të rritur cilësinë dhe standardet.

“Reforma i jep mundësi ekselentit jo vetëm të mos paguajë por edhe të ofron mundësinë të jetosh në qytetin ku studion. Nëse nuk je ekselent, por i varfër shqyrtohen kushtet dhe merret bursë. Nëse nuk je as ekselent dhe as i varfër, sërish shteti të ofron të ndjekësh një nga degët me interes kombëtar e nëse ke rezultate të mira të ofron edhe bursë.

Kjo nuk është e re. Shteti shqiptar investon për studentët ekselentë edhe jashtë Shqipërisë. Bursa që jep Italia për shembull, nuk ta jep universiteti, por shteti shqiptar. Italia ia merr shtetit shqiptar, atëherë pse qenka e keqe që një student ta zgjedhë vetë universitetin?! Jam ekselent, paratë janë të miat dhe shkoj të studioj ku dua unë! Nuk shkon jashtë, do të studiojë këtu, por jo në shtetëror, sepse mendon se është sistem i kalbur”.

Qëllimi i këtij Forumi është theksi te mosdiferencimi i studentëve të universiteteve private dhe atij shtetëror. “Sigurisht stigmën si fabrikues diplomash e kanë marrë privatët, por nuk kanë qenë të vetmit që kanë fabrikuar. Studentët në privat janë të stigmatizuar rreth dijeve që marrin. Kemi shumë studentë nga universitete të pavarura me shumë sukses jo vetëm në tregun e punës, por edhe në universitete europiane”.

Forumi për Universitet Cilësor mendon se reforma e sheshon këtë hendek dhe stigmatizim që është krijuar në perceptimin publik. Në fund të fundit, thotë Ndreka bëhet fjalë për investimin e çdo studenti. Ajo çka bën reforma është që zhduk termin “privat” dhe “shtetëror” duke e konsideruar arsimin ashtu siç është; një e mirë publike.

Një tjetër anëtar i këtij Forumi për Universitet Cilësor është edhe Viliem Kurtulaj, edhe ai doktorant në Universitetin Europian. Kurtulaj është nga ata studentë që jo vetëm i ka provuar sistemet e arsimit publik e privat në vend, por ka provuar edhe sisteme europiane e modele amerikane. “Kam studiuar në pesë universitete në katër shtete” -tregon Kurtulaj, ndërsa Forumit thotë se iu bashkua pasi së pari, çështja e arsimit është një çështje në interesin e tij dhe së dyti, aty gjeti një hapësirë ku mund të shprehë lirshëm idetë e tij edhe kur nuk janë krejt dakord me ato të forumit. “Në këtë forum nuk ka; ‘ose si ne, ose vetëpërjashtohu!’ Ka debate edhe për reformën në arsim, cilësinë e universitetit, modelin universitar akademik etj”.

Tema kryesore mbetet cilësia e arsimit, për të cilën Kurtulaj pranon se universitetet private janë larg standardeve. “Biem dakord se universitetet nuk janë cilësore. Pa përjashtim. Nëse do thoshim se aksh universitet është i përsosur do gënjenim” -thotë Kurtulaj, duke theksuar disa nga mangësitë e universiteteve, si: kërkimi shkencor, revistat shkencore dhe mësimdhënia. “Ka shumë kritere që çojnë në rritjen e cilësisë duke nisur nga hapësirat fizike, bibliotekat, cilësia e stafit akademik, administratës etj. Dhe të gjitha këto, pa financim nuk bëhet. Atëherë kush do të paguajë? Nëse nuk je ekselent, as i varfër as nuk do të ndjekësh një nga degët me interes kombëtar, atëherë ka ardhur koha ta paguash studimin tënd” -thotë ai.

Elson Frroku, student i Masterit në Universitetin e New York-ut në Tiranë iu bashkua së fundi Forumit, pas vakumit të krijuar në debatin publik mbi arsimin e lartë, mendon ai.

“Argumentet nihiliste, që kanë shfaqur një grup aktivistësh, kanë nevoje për iluminim ideologjik dhe praktik të idesë së arsimit cilësor. Arsimi i Lartë është i shenjtë për të zhvilluar shoqërinë dhe si i tillë duhet të jetë kualitativ. Unë jam produkt i arsimit privat. Kam fituar degën që kam dashur në shtet, por nuk e kam ndjekur për shkak të stereotipave që ekzistojnë dhe sigurisht nga niveli i lartë i korrupsionit” -thotë Frroku, ndërsa lobimi në forum thotë ai është i thjeshtë; të vlerësohen faktet mbi gënjeshtrat dhe të respektohet cilësia e të ndëshkohet masivja.

“Universiteti privat e ka ndihmuar për zhvilluar shoqërinë dhe jo e anasjella. Mendimi i lirë është tek aulat e universiteteve private, aty është odeoni i lirisë dhe jo tek ato publike pasi ato duan qeverinë dhe jo mendimin e lirë”. Reforma sipas Frrokut iu jep autonomi universiteteve dhe shmang ndarjen “privat”-“shtetëror”.

Si njeri që ka për punë studimin, si njeri që nuk është as i pasur e as i varfër, si individ që pëson tronditjen mes dijes në universitet me atë çka ngjet në realitet, studenti është në konflikt të përhershëm dhe gjithnjë opozitar. Kështu e pat menduar Ndreka disa kohë më parë. Dhe duke mos qenë asnjëherë me pushtetin duhet të gjejë mënyrën për të thënë fjalën e tij. Forumi për Universitet Cilësor e ka gjetur. Është vetëdijësimi i studentëve për fuqinë e tyre dhe informimi kur një ligj a reformë në fakt është në favor të tyre. Ajo çka duhet është vetëm të dëgjojnë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Fuck the system!

Nga Klementin Mile Dashuria, në kuptimin që i japim sot, e ka...
Read More