“Ciao Italia”, pensionistët italianë gjejnë parajsën në Shqipëri

Duke parë këtë laborator ku prodhohet djathë mund të mendosh se gjendemi në Itali, por jo, jemi pikërisht në një zonë përiferike të Durrësit.

Angelo Alo është një shtetas italian, që pas punës disavjeçare në Ennel (simotra e OSHEE)  ka vendosur që vitet e pensionit t’i kalojë në Shqipëri. Vendin tonë e ka njohur 25 vite më parë, ndërsa tani është rikthyer në Shqipëri, por tanimë jo për një periudhë të shkurtër.

Angelo Alo: Për herë të parë kam ardhur në Shqipëri në vitin 1991. Kam njohur shumë shqiptarë. Dola  në pension dhe pas 25-26 vitesh vendosa të rikthehem për të jetuar këtu pasi mikrpritja që më treguan shqiptarët më bindën që të largohem nga vendi im, pasi Italia është bërë një vend i pajetueshëm, si në aspektin ekonomik ashtu edhe atë njerëzor.

Qëndrimi në Durrës nuk është vetmia, pasi në shtettin fqinj ai ka dy vajzat e martuara të cilat kanë fëmijët e tyre, si dhe shumë të afërm të tjerë. Arsyeja gjendet te kosto e jetesës, pasi siç thotë ai me pensionin që merr në Itali këtu mund të jetojë më së miri.

Angelo Alo: Në nëntor të 2015 kam ardhur në Shqipëri dhe falë pensionit tim jetoj shumë mirë. Me një pension 1500-1600 euro dhe me një qera prej 200 euro në muaj me një shtëpi dykatëshe, me kopësht dhe të gjitha është një luks për mua. Për këtë shtëpi në Itali duhet të paguaj minimalisht 700-800 euro. 

Në Itali ka rreth 17 milionë pensionistë, ku 7-8 mijë prej tyre jetojnë jashtë shtetit. Roberto Emmerobins Mazzuca, pas 4 vitesh qëndrimi në Tiranë ka hapur një agjensi imobilare, e cila është kthyer në një zyrë pritëse për bashkëkombësit e tij dhe në veçanti pensionistët.  Roberto na tregon se cilat janë vendet më të preferuara të tyre.

Roberto Emmerobins: Vendet e tyre të preferuara janë Amerika e Veriut dhe ajo Qendrore, por edhe Europa. Më së shumti preferojnë Portugalinë pasi vitet e fundit është përballur me një fluks pensionistësh falë politikave të saj fiskale. Portugalia ju ofron një mundësi të artë pensionistëve të huaj, ku për 10 vite nuk paguajnë asnjë taksë.

Por dhe fakti se shqiptarët njohin gjuhën italiane e bëjnë vendin tërheqës.

Roberto Emmerobins: Zgjedhin Shqipërinë sepse këtu nuk flitet në masë as spanjisht dhe as portugalisht. Shqipria është shumë afër Italisë, flitet italisht dhe hahet shumë mirë.

Angelo ka zgjedhur të jetojë  në lagjen 17 në zonën e Siptalles në periferi të Durrësit pas i pëlqen qetësia dhe rehatia. Ai tregon që të njëtën mënyrë jetesë bëntë edhe në Grottaglie, provincë e Tarantos nga ku është origjina e Angelo-s.

Angelo Alo: Kam gjetur një shtëpi në periferi sepse nuk më pëlqejnë pallatet. Më pëlqen privatësia dhe qetësia. Edhe në Itali jetoja në periferi. Ndihem mirë këtu! Edukata është arma më e fortë.

Ai jeton sëbashku me bashkëshorten e tij shqiptare Adriana. Janë njohur shumë më herët dhe kanë bashkëjetuar për shumë vite në Grottaglie të Italisë. Por fakti që ata u zhvendosen për të jetuar në Shqipëri, e kanë bërë martesën të domosdoshme në mënyrë që Angelo të pajiset me leje qëndrimi.

Angelo Alo: Kam ardhur me bashkëshorten time dhe nuk kam ndërmend të rikthehem në Itali. Do të doja që nëpërmjet ekranit tuaj t’i bëj thirrje autoriteteve shqiptare që të lehtësojnë procedurat për ardhjen e pensionistëve italianë. Përshembull lejeqendrimi për një çift është një problem i madh. Mund të pajisesh me lejeqendrim vetëm nëse martohesh me një shqiptare, blen një shtëpi apo ke një punë. Nuk e di pse ndodh? Përse nuk e japin lejen e qëndrimit?

Sfida e marrjes së një leje qendrimi në vendin tonë është një problem për të huajt që dëshirojnë në vendin tonë. Madje ata e konsiderojnë dhe si një sorollatje san ë një zyrë në një tjetër.

Angelo Alo: Nuk arrij ta kuptoj sepse këto pegesa dëmtojnë edhe ekonominë shqiptare. Përshembull nësë do të vinin 2 mijë pensionist italianë në Shqipëri dhe do të sillnin paratë e tyre këtu, kjo është është një gjë negative apo pozitive për ekonominë shqiptare? Unë paguaj ujë, drita, karburant. Këtu i shpenzoj paraatë. Nuk e kuptoj burokracinë e shtetit shqiptar. E kuptoj të më refuzohet leja e qëndrimit nësë do isha një kriminel apo probLem, por pa arsye?!

Roberto thekson se burokracitë në Shqipëri janë paradoksale dhe për këtë arsye numri i pensionistëve nuk është shumë i lartë.

Roberto Emmerobins: Numrat nuk janë shumë favorizues sepse ka disa probleme burokratike. Për të marrë lejen e qendrimit një pensionist i duhet të ketë një punë. Imgjino një pensionist që ka punuar gjithë jetën duhet të punojë sërish. Në mungesë të punës duhet të ketë një biznes, përndryshe i mbetet ose të martohet me një shtetas shqiptarë ose të blejë një shtëpi.

Por Angelo na tregon edhe një taktikë të vjetër që jemi mësuar në masë ta dëgjojmë nga të afërmit tanë që largohen jashtë kufijve shqiptarë.

Angelo Alo: Vëllai im po transfermohet këtu dhe ne i kemi gjetur një punë fiKtive në mënyrë që të marrë lejeqendrimi. A është normale kjo? A është normale? Jo nuk është normale.

Shteti shqiptar duhet të jetë më praktik, nuk po kërkojmë ndryshim në ligj. Nësë unë vërtetoj që kam të ardhura për të jetuar, çfarë më kërkojnë tjetër?! Nësë vij edhe blej një shtëpi është gjithçka në rregull? Fati im është se unë e kam gruan shqiptare, po të tjerët si tja bëjnë?

Sipas Ministrisë së Brendshme në Shqipëri jetojnë me lejeqëndrimi 476 shtetas italianë mbi moshën 60 vjeç, nga këta 89 i kanë bërë dokumentat me anë të bashkimit familjar, 176 janë të punësuar në institucione fetare, të punësuar dhe të vetëpunësuar janë 182 italianë, ndërsa 28 të tjerë kanë blerë shtëpi. Për t’u pajisur me një lejeqendrimi një shtetasi italian i nevojiten rreth 2 muaj.

Për të lehtësuar procedurat kërkojnë nga shteti shqiptar një zyrë të posaçme për të pritur shtetasit e  huaj, në mënyrë që të mos kalojnë nga zyra në zyrë.

Angelo Alo: Në Shqipëri nuk ka asnjë zyrë për të çertifikuar një pensionist italian. Në fillim duhet të shkosh në polici të dëshmosh që ke ditët e nevojshme këtu, pastaj të shkosh të marrësh një dokument fiskal, ta përkthesh dhe pastaj ta legalizosh nga ambasada italiane. Është një gjë që të rëndon shumë. Mund të gjendet një mënyrë që të mos i sorollatesh njerëzit sa këndej sa andej. Mjafton që të ngresh një zyrë për të huajt dhe rregullohet e gjitha.

Ky djalë i ri ka menduar edhe për bashkombasit e tij të brezit të tretë. Roberto shton se prej disa muajsh së bashku me profesionistë dhe me përfaqësues të ministrive përkatëse po studiojnë mundësinë mbi një projekt që do t’i japë fund njëherë e mirë burokracive.

Roberto Emmerobins: Ne po studiojmë një mënyrë së bashku me profesionistë dhe përfaqësues të ministrive për të gjetur një zgjidhje për lehtësimin e procedurave për pensionistët në Shqipëri. Ky projekt do t’i vijë në ndihmë atyre që në hapin e parë që bëjnë drejt Shqipërisë, që nga transporti, asistenca dhe shërbimet. Brenda një viti kjo platformë do të jetë gati për t’ju ardhur në ndihmë pensionistëve italianë që të mos kenë asnjë problem.

Pavarësisht të gjithave Angelo ka vendosur që të jetojë përgjithmonë në vendin tonë, edhe pse në fillim nuk ishte zgjedhja e parë. Së bashku me Adrianën kishte vendosur të shkonte  në Tunizi, por pas sulmit të disa militantëve të armatosur në muzeun Bardo ku u vranë disa turistë dhe u plagosën të tjerë, menduan që është një vend i pasigurt dhe kështu Shqipëria mbeti alternative më e mirë për ta.

Angelo Alo: Për mua Italia është kthyer në stres, jo se nuk ka stres këtu në Shqipëri por andej është në një fazë më superiore. Për momentin këtu ndihem mirë. Pavrësisht se në çdo vend që shkon do të gjesh probleme.

Pensionisti italian i di mjaft mirë problemet me të cilat përballet çdo ditë një qytetar në Shqipëri, në fshat apo në qytet, në zonat malore apo fushore.

Angelo Alo: Këtu ka mjek shumë të mirë, por nuk ka infrastrukturë në spitale. Ka probleme me ujin gjatë verës, një ditë vjen, një ditë jo dhe për këtë çdo banesë duhet të mbajë depozita. 

Rrugët janë një problematikë e madhe.Nuk arrij ta kuptoj se si në një vend ku çmimi i karburantit është më i larti në Europë, mos të them në botë, në raport me pagën mesatare, nuk ka rrugë të mira. Për të shkuar në Tiranë duhet të mbash gjithmonë anën e majtë sepse e djathta është e prishur.

Shqipëria ka potencial për t’u zhvilluar, por disa gjëra duhen bërë më mirë. Kanë bërë një nënkalim në port që ka shkatërruar hyrjen e portit që ishte shumë i bukur. Kanë shpenzuar 5-6 mln euro dhe nuk kuptohet qartë se për çfarë shërben ky nënkalim. 

Pavarësisht problemeve, Angelo i është mirënjohës Shqipërisë, që përveçse me pensionin e tij mund të jetojë shumë mirë, ai mund të merret edhe pasionet e tij.

Angelo Alo: Mund t’i lejoj vetes edhe të merrem me pasionet e mia. Kam këtë laboratorin ku prodhoi lloje të ndryshme djathtrash. Shkoj marr qumështin ose ma sjellin dhe pastaj nis të punoj të bëj djathra të ndryshëm italianë. Vetëm produkte italiane sepse ato shqiptare nuk i njoh. Për djathin përdor disa lloje qumështi, lope, deleje dhe dhie, sepse çdo djath ka nevojë për një përpunim dhe trajtim të veçantë. Bëj ricotta, kackavall dhe disa lloje të tjerash djathrash. Në Shqipëri mund të gjej çdo lloj qumështi, përshembull sot në mëngjes do të shkoja në Kavajë për të marrë qumështin e buallit për mozzarelën. 

Kur nuk ka çfarë të bëjë më në laborator Angelo del shëtitije me miq shqiptar dhe italianë, një numër i lartë i të cilëve jetojnë në Durrës.

Angelo Alo: Kam bërë shumë miq këtu, nesër do të shkoj në Gjirokastër pasi kam disa miq. Një jetë pensionisti, nuk bëj asgjë të jashtëzakonshme.

Shumë italianë po vijnë në Shqipëri për të shijuar pensionin e tyre. Italianët gjatë kohëve të fundit kanë ardhur në Shqipëri me misione të ndryshme. Në fillim të viteve 1990, shumë njerëz erdhën për të eksploruar Shqipërinë, vende fqinjë që aso kohe ishte e izoluar nga regjimi komunist. Nga viti 2000 e më pas, shumë italianë erdhën për të studiuar e për të ngritur biznese. Ardhja e pensionistëve nga BE mund të jetë një mundësi e mirë për të rritur ekonominë e vendit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ismail Kadare: Drita Çomo, dritë që vjen nga humnera

  Në kujtesë/ Pjesë nga parathënia e Ismail KADARE, mbi librin e...
Read More