Cilët janë anëtarët e vettingut dhe “ndarja” e balancuar politike

drejtesia

Përzgjidhen shtatë anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe shumicën e votave e marrin Ina Rama, Sokol Çomo, Albana Shtylla, Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, Luan Daci dhe Rezarta Schuetz. A po e ndajnë në mënyrë të barabartë pozita dhe opozita përzgjedhjen e emrave që do të bëjnë vettingun?  

Nga Sebi Alla

Reforma në Drejtësi futet në hapin e parë të rëndësishëm duke përzgjedhur shtatë anëtarët e komisionin e përhershëm të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese ose ndryshe njihet dhoma e apelit në procesin e vettingut të gjykatësve e prokurorëve në vend dhe dy të tjerë si anëtarë zëvendësues. 

Emra të njohur disa prej tyre, që kanë qenë pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë, ndërsa të tjerë personazhe për t’u afirmuar.

Bashkë me emrat e parë që do jenë në një institucion kyç në procesin e vettingut, kanë nisur debatet se cila forcë politike do ketë një “dorë” të zgjatur edhe në sistemin e ri të drejtësisë, që pritet të vihet në zbatim.

Nga votimi i kryer dje nga komisioni parlamentar ad hoc, u zgjodhën avokati Ardian Hajdari, ndihmësja ligjore e Gjykatës së Lartë Natasha Mulaj, ish-kreu i Gjykatës së Tiranës dhe anëtar i KLD-së Sokol Çomo, ish-kryeprokurorja Ina Rama, avokati dhe kandidati për në Gjykatën e Lartë Luan Daci, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit dhe anëtare e KLD-së Albana Shtylla.

Përgjatë votimit rezultoi se dy kandidatë ishin me vota të barabarta dhe për zgjedhjen e anëtarit të shtatë të Kolegjit të Apelit, Etleva Papleka dhe Rezarta Schuetz kaluan në përzgjedhje me short, ku “fati” i ra kësaj të fundit.

Më pas Papleka dhe Mimoza Tasi u zgjodhën anëtare zëvendësuese të Kolegjit të Apelimit. Kjo ishte vetëm pjesa telegrafike dhe lajmi i thatë i asaj që ndodhi ditën e djeshme në përzgjedhjen e anëtarëve, por tani e më pas, vjen gjykimi i vërtetë se kujt i “përkasin” anëtarët e përzgjedhur.

Edhe këtu politika nuk kishte si të rrinte jashtë procesit.

Palët ngjan se kanë rëndë dakord në heshtje për të votuar ata kandidatë të cilët i shohin më pranë forcës së tyre.

Ndonëse asnjë prej të zgjedhurve nuk ka milituar zyrtarisht dhe publikisht në ndonjë forcë politike, përzgjedhja në pamje të parë ka marrë një ndarje tre me tre, një barazim që mund të kënaqë të gjithë palët.

Votimi i djeshëm u monitorua përgjatë gjithë kohës nga dy personazhet kryesore që këmbëngulën me forcë për sistemin e ri të drejtësisë, ambasadori i SHBA-së në Tiranë Donald Lu dhe nga ajo e BE-së, Romana Vlahutin.

Ish-kryeprokurorja Ina Rama, ish-kreu i Gjykatës së Tiranës dhe anëtar i KLD-së Sokol Çomo dhe sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit Albana Shtylla, konsiderohen si “të majtët” e sistemit të ri të drejtësisë.

Këtë ndarje fillimisht e dha Flamur Noka, Deputeti i PD-së, një nga anëtarët e komisionit ad hoc të komisionit parlamentar të vettingut.

“I kam parë emër për emër, ka vetëm një standard. 99% e listës janë nivel i Ramës dhe vetëm 1% janë ‘Ok’. Janë militantë apo përfaqësues të Partisë Socialiste. PS do kalojë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Sokol Çomon. Albana Shtylla është përfaqësuese e PS në KQZ. Ina Ramën, Rama e fut kudo si fanti spathi” -tha Noka.

Mund të konsiderohet si “Orakull” Noka, pasi ky parashikim dhe paralajmërim i tij doli i saktë.

Por edhe PD nuk ka mbetur pas në përzgjedhjen, për të krijuar një “balancë” në një nga komisionet mjaft të rëndësishëm që do të bëjnë procesin e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët.

Tre kandidatët e tjerë Ardian Hajdari, Natasha Mula dhe Luan Daci, përfliten si të “djathtët” e sistemit të ri të drejtësisë.

Secili në profilin e tij ka një karrierë të gjatë në fushën e drejtësisë apo si lektorë, por basti i vërtetë pritet të jetë në nisjen e punës për vettingun.

Ndër emrat e përfolur dhe shpesh e kryqëzuar deri në akuza të rënda, madje edhe fyese është Ina Rama.

Ish-kryeprokurorja u përzgjodh nga e djathta si një emër me integritet të lartë që do të shkundte sistemin e prokurorisë, por sulmet ndaj saj nisën mjaft shpejt.

Shtatë komisionerët dhe 2 zëvendësues zgjidhen për 9 vjet dhe do të shqyrtojnë ankesat pas vendimeve nga komisionet e vettingut.

Në kulmin e fuqisë së tij, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh mjaft ashpër ndaj kryeprokurores që pas tragjedisë së Gërdecit, për të arritur kulmin me ngjarjen e 21 janarit ku mbetën të vrarë katër protestues.

Pas mbarimit të mandatin Rama u largua, por për të ligji kurrë nuk u zbatua. Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk mori në shqyrtim për një kohë të gjatë kërkesën e Ramës për rikthim në detyrë si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Administrativ.

Çështja kaloi për interpretim edhe në Gjykatën Kushtetuese, që i dhanë të drejtë Ramës, por kjo çështje nuk u mor në shqyrtim nga KLD-ja që drejtohej nga Presidenti Bujar Nishani.

Kandidati tjetër Sokol Çomo ka mbajtur postin e ish-zëvendësministrit të drejtësisë në kohën e qeverisë Nano dhe më pas një nga anëtarët e KLD-së.

Mjafton kjo “njollë në biografi” që opozita ta konsiderojë si të majtë.

Emri tjetër që plotëson të “tretët e mëngjër” është Albana Shtylla, ish-anëtare e KQZ-së që vinte si propozim i Partisë Socialiste dhe pas largimit iu afrua posti i Sekretares së Përgjithshme të Kovendit, nën drejtimin e Ilir Metës, duke aluduar ndër rangje politike se mund të jetë një “prurje” e LSI-së.

Personazhet e tjera, që përfliten në animin djathtas dhe mund të kenë siguruar mbështetjen e opozitës në komisionin ad hoc, janë qëmtuar në pozicione të ndryshme dhe mbanin funksione të larta në kohën e qeverisë Berisha.

Beteja finale nëse nëntë të përzgjedhurit do të marrin ose jo miratimin pritet të jetë në Parlament.

Në bazë të ligjit është e parashikuar se brenda dhjetë ditësh nga përzgjedhja e anëtarëve, lista bashkë me rezultatet e votimit, të prodhuara nga sistemi elektronik, i dërgohet Kryetarit të Kuvendit, i cili menjëherë cakton datën dhe orën e mbledhjes së seancës plenare, si dhe iu përcjell të gjithë deputetëve këtë listë.

Në këtë fazë kërkohen 3/5 e votave në Parlament ose shumicë e cilësuar prej 84 votash. Në rast se kjo listë rrëzohet në bllok, atëherë Kryetari i Kuvendit ua kthen atë komisioneve ad hoc për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes dhe dërgimin e një liste të dytë brenda 10 ditëve.

Komisionet ad hoc të përzgjedhjes zbatojnë rregullat e parashikuara në nenin 11 të këtij ligji.

“Kuvendi, brenda 10 ditëve nga dërgimi i listës së dytë, mund ta rrëzojë në bllok listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij. Në rast se lista nuk rrëzohet, kandidatët e përzgjedhur konsiderohen të zgjedhur”, thuhet në ligjin e vettingut.

E gjithë kjo procedurë është parashikuar në mënyrë që lista e parë të jetë prioritet, duke shmangur dështimin dhe vijueshmërinë e gjatë në përzgjedhjen e kandidatëve.

E parë si një listë në tërësi ku pozita dhe opozita mendojnë se kanë të “dërguarin e tyre” në një nga institucionet e procesit të vettingut pritet që të kapet numri 84 i votave në Parlament.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

‘Debati me Berishën’, Hoxha: Familjen e largova, nëna përfundoi në spital

    Gazetari Artan Hoxha i është kthyer momentit të debatit që...
Read More