Cili do jetë fati politik i LSI?

Partia e krijuar nga Ilir Meta është kthyer në opozitë, ka ndryshuar lidership dhe së shpejti mund të gjendet nën efektet e paktit Rama-Basha… Si do të sillet LSI në koniunkturën e re, a do të afrohet me PD për opozitën e sotme dhe pushtetin e nesërm dhe si do ta përballojë Presidenti i zgjedhur rolin e ri. Ja çfarë mendojnë Baton Haxhiu dhe Mustafa Nano

Nga Luljeta Progni

LSI ka lënë pas historinë e pushtetit për t’u kthyer në opozitë, si në të vetmen kohë, vitet 2005-2009. Me 19 deputetë dhe pa Ilir Metën kryetar, LSI nis një rrugëtim të ri, një betejë të re për vendin e parë në opozitë. Gati i detyruar të pranojë postin e presidentit, Meta e la partinë në duart “e brishta” të Petrit Vasilit, që me sa duket nuk e mbajnë dot betejën e partisë në opozitë. Ai ka dhënë dorëheqje me argumentin se LSI nuk doli forcë e parë. Në krye të kësaj partie është tashmë Monika Kryemadhi, bashkëshortja e ish-kryetarit Meta. Ajo do ta drejtojë këtë parti në betejat e forta që e presin në katër vite e këtij mandati opozitar. Është betuar se do të ketë betejë të ashpër opozitare përballë Edi Ramës kryeministër, me 74 mandate socialiste.

Padyshim që Kryemadhi e di se mund të përballet me të panjohura të mëdha në rrugën e saj. Tkurrja e LSI-së është një rrezik në prag, sepse shpejt do të japë efektet e veta spastrimi i administratës nga njerëzit e LSI-së. Prej tetë vitesh ata janë aty nëpër zyrat e administratës shtetërore dhe janë të lidhur me LSI-në. Ndoshta do të ketë shumë prej tyre që nëse iu duhet të zgjedhin partinë apo vendin e punës, do të zgjedhin këtë të dytin. Ndoshta jo. Ndërkohë që ekziston edhe frika se mund të përballet me tentativën e mazhorancës për ta zvogëluar grupin parlamentar të LSI-së. Megjithatë, Monika Kryemadhi ka premtuar një opozitë të fortë e ndoshta do ta koordinojë luftën e saj në sallën e parlamentit edhe me opozitën. Është ende e paqartë se cilat do të jenë raportet PD-LSI sepse para datës 25 qershor ato u acaruan skajshëm për shkak të sulmeve të kryetarit Lulzim Basha ndaj LSI-së, të cilat buruan nga marrëveshja e tij me kryeministrin Rama. Veç faktit se Kryemadhi do të bëjë çdo përpjekje për të fituar vendin e opozitës kryesore në parlament, një marrëveshje me PD-në opozitë do të varet shumë edhe nga ecuria e zbatimit të marrëveshjes Rama-Basha. Nëse do të vazhdojë të funksionojë kjo marrëveshje, reforma kushtetuese dhe reforma zgjedhore janë dy pika kryesore dhe të saj. Të dyja nuk e favorizojnë një marrëveshje PD-LSI. Por nëse Basha vazhdon marrëveshjen me Ramën është i dënuar të mbetet në kuota të ulëta besimi si kryetar i opozitës dhe ky është momenti që mund t’i japë më shumë përparësi forcimit të LSI-së. Ndoshta LSI do të dalë më e fortë nga ky mandat opozitar, qoftë duke bashkëpunuar me PD-në, qoftë duke tentuar t’i marrë protagonizmin opozitar në sallën e kuvendit.

Për gjithçka po ndodh në këtë parti dhe fatin e saj politik në të ardhmen flasin analistët, Mustafa Nano e Baton Haxhiu.

 

Mustafa Nano: LSI do të dobësohet, por do mbetet në këmbë

LSI është përfshirë nga zhvillime të rëndësishme pas 25 qershorit, të diktuara padyshim nga periudha para asaj date. Largimi i detyruar i Ilir Metës pasi u zgjodh president, solli Petrit Vasilin në krye të kësaj partie. Ai dha dorëheqje pasi LSI nuk doli parti e parë dhe në krye të kësaj partie, tani është Monika Kryemadhi. Si e parashikoni ju fatin politik të kësaj partie në të ardhmen. Besoni se LSI do të forcohet në opozitë, do të jetë një problem serioz për mazhorancën e Ramës apo pritet të ketë tkurrje të saj…?

Unë besoj se pjesë e marrëveshjes Rama-Basha ka qenë edhe eliminimi i LSI-së. Mirëpo kanë dalë dy pengesa qysh në fillim. Së pari, LSI-ja doli më e fortë se më parë nga zgjedhjet e 25 qershorit, dhe së dyti, Basha është në pozita shumë të dobëta brenda PD-së, e kështu mund të mos i qëndrojë më marrëveshjes. Nëse pjesë e marrëveshjes ka qenë edhe hartimi e miratimi i një ligji elektoral mazhoritar, me anë të të cilit kanë dashur të dëmtojnë LSI-së, tani PD-ja nuk duket më e interesuar për këtë gjë.

Sidoqoftë, LSI-ja me shumë gjasë do të dobësohet gjatë katër viteve të ardhshme. Spastrimet e militantëve të saj nga administrata (duket se PS-ja është e vendosur për ta bërë këtë gjë) do të jenë një goditje e fortë për këtë parti. Do të jenë të shumtë njerëzit e saj që do të demoralizohen, e do ta braktisin, ose do ta këmbejnë me partinë në pushtet. Por LSI-ja do të mbetet më këmbë, pasi do të jenë të shumtë edhe ata që do t’i qëndrojnë besnikë asaj. Ajo do mund të dëmtohej rëndë veç nga një ligj elektoral me prag të lartë ose nga një ligj mazhoritar. Mirëpo, siç thashë, nuk ka më garanci më se ky ligj do të kalojë në parlament.

Një bashkëpunim me PD-në në opozitë do të ishte një mundësi për forcimin e saj dhe hedhje e themeleve të një bashkëqeverisjeje me PD-në në mandatin e ardhshëm. E shihni të mundshëm këtë opsion?

LSI-ja është shumë e interesuar që të ketë një bashkëpunim të fortë me PD-në në opozitë. Madje, ajo qysh tani ka filluar t’i dërgojë sinjale bashkëpunimi. Ata të PD-së nuk u janë përgjigjur këtyre sinjaleve, pasi hë për hë nuk dinë ku kanë kryet, por fuqia absolute e Berishës në PD është një garanci për këtë bashkëpunim. Paradoksalisht, këtë bashkëpunim do ta bëjnë të mundur dy personazhe që “de jure” nuk kanë lidhje me partitë e tyre, por që “de facto” mbeten kryetarë të tyre. Është fjala për Berishën e Metën.

Nëse do të bëhet i mundur ky bashkëpunim, me këtë do t’i shtrohej rruga një koalicioni parazgjedhor PD-LSI pas katër vitesh. Por ky është një arsyetim teorik, kuptohet. Katër vjet janë shumë, e askush nuk e di se ç’do të ndodhë. Nuk dimë se si do të dalë PD-ja nga humbja katastrofike, nuk dihet nëse Basha do të rikuperojë forcë (aq sa e ka pasur), nuk dihet se si do t’i vejë filli marrëveshjes Rama-Basha, e nuk dihet më në fund se ç’efekte do të ketë Reforma në Drejtësi që do të fillojë të zbatohet në këtë legjislaturë.

Sot LSI drejtohet nga Monika Kryemadhi, e cila është bashkëshorte e presidentit të Shqipërisë Ilir Meta. Pritet të kthehet ky fakt në një problematikë pas 24 korrikut.. sepse presidenti mund të përballet me një situatë, ku mund t’i duhet të marrë vendime të rëndësishme e që mund të kenë lidhje me LSI-në, atje ku kryetare është bashkëshortja e tij….?

Problemi presidencial në këto rrethana nuk vjen prej faktit që Ilir Meta ia ka lënë vendin Monika Kryemadhit në krye të LSI-së, por prej faktit që Ilir Meta do të vijojë të luajë politikisht nga zyrat e Presidentit. Ilir Meta do të jetë presidenti më politik qysh prej vitit 1997. Me këtë nuk i bëhet mirë Republikës.

Baton Haxhiu: Iliri dhe Monika do të kenë ditë të vështira politike

LSI është përfshirë nga zhvillime të rëndësishme pas 25 qershorit, të diktuara padyshim nga periudha para asaj date. Largimi i detyruar i Ilir Metës pasi u zgjodh president, solli Petrit Vasilin në krye të kësaj partie. Ai dha dorëheqje pasi LSI nuk doli parti e parë dhe në krye të kësaj partie, tani është Monika Kryemadhi. Si e parashikoni ju fatin politik të kësaj partie në të ardhmen. Besoni se LSI do të forcohet në opozitë, do të jetë një problem serioz për mazhorancën e Ramës apo pritet të ketë tkurrje të saj…?

Në politikë, ashtu si në çdo sferë tjetër të jetës, ka humbje poshtëruese që vijnë kur nuk pranon të nxjerrësh mësime nga gabimet, por ka edhe humbje të dinjitetshme që vinë kur të ardhmen dhe përparimin e siguron përmes reflektimit të sinqertë dhe të thellë të arsyeve të humbjes, kur i analizon me paanshmëri dështimet dhe gabimet dhe kur e korrigjon kursin e lundrimit drejt një qëllimi madhor si mirëqenia e një shoqërie dhe stabiliteti dhe zhvillimi i një shteti dhe sistemi politik.

Humbja e Petrit Vasilit për postin e Kryetarit të LSI, për faktin se nuk doli partia e parë, nuk bazohet në parimin e qasjes së dinjitetshme ndaj humbjes dhe as reflektimit të arsyes se pse u humben zgjedhjet. Petrit Vasili ishte personazh transitor i afërt me familjen Meta. Investimi i madh i Ilirit dhe Monikës ne LSI, nuk besoj se i besohet një njeriu të mirë siç ishte Vasili. Ai është vetëm njeri i mirë. Nuk është lider dhe nuk është për atë punë.

Nëse duhet gjetur humbësi i këtyre zgjedhjeve atëherë ai ka emër tjetër. Zgjedhjet humbën nga ish-Kryetari i LSI, zoti Ilir Meta.

Por kjo humbje e tij – ishte fitorja më e madhe LSI që prej kur është formuar. Dhe fitorja ka bazën tek elektorati i djathtë.

Elektorati i djathtë i shoqërisë shqiptare duket se ka patur pritshmëri për një zhvillim më të shpejtë të vendit.

Partia Demokratike e ka neglizhuar këtë pritshmëri dhe s’ka bërë shumë në eliminimin e shqetësimeve. Kjo e shpjegon edhe dështimin në bastionet e së djathtës. Shumë prej tyre u ndjenë të neglizhuar apo të lënë në baltë. Këtë situatë e ka shfrytëzuar sidomos LSI-ja, për ta rritur numrin e votave. Këto janë arsyet e kësaj rrjedhjeje të elektoratit të djathtë drejt LSI-së.

Ku është Monika në këtë histori? Gjatë kësaj periudhe Lulzim Basha dhe lufta e tij e vakët kundër Edi Ramës, tërthorazi i dha rëndësi dhe faktorizoi LSI dhe Ilir Metën, duke e fuqizuar në opinion imazhin e saj si forcë vendimtare kingmaker-e që do të përcaktonte fatin e fituesit të zgjedhjeve edhe këtë vit, gjë që nuk ndodhi si një “profeci e realizuar”. PD e ndihmoi fuqizimin e LSI-së, sidomos në Jug të Shqipërisë duke i dhënë hapësirë politike për të gjithë ata që dëshironin një punë në shtet.

Tash kjo histori ka përfunduar.

Monika dhe Iliri do të kenë të vështira dy rrugë:

E para ka të bëjë me rolin e opozitës. Kush do ta fitojë primatin e betejës opozitare. Besoj se tashmë dihet që PS dhe PD po angazhohen ta dobësojnë LSI-në deri në atë pikë sa të bëjnë të panevojshme jetën e saj politike. Ose të jetë aq e margjinalizuar sa të jetë e parrezikshme në zgjedhjet lokale. Zgjedhjet lokale do ta lënë LSI-në pa asnjë bashki.

E dyta, sjelljet e Ilirit dhe Monikës do të jenë të kufizuara në politikë për shkak se Ilir Meta do të jetë në lëkurën e Presidentit.

Zgjedhjet lokale do ta përcaktojnë edhe fatin e Ilir Metës. A do të mundet ai të shohë LSI-në të pafuqishme dhe në shkatërrim e sipër? A do të japë Iliri dorëheqje nga Presidenca dhe do t’i kthehet LSI për zgjedhjet e ardhshme politike? Këto mbetet të shihen.

Përcaktimi për Monikën si kryetare është vendim i duhur. I saktë. LSI brenda botës së saj nuk ka personalitet më dinamik se sa ajo. Monikës vetëm i duhen kontrolluar emocionet. Ka energji të shumtë dhe është burim i krijimit të gjeneratave të LSI. Si personalitet dhe karakter është e kundërta e Ilirit në politikëbërje.

Një bashkëpunim me PD-në në opozitë do të ishte një mundësi për forcimin e saj dhe hedhje e themeleve të një bashkëqeverisjeje me PD-në në mandatin e ardhshëm. E shihni të mundshëm këtë opsion?

Angazhimi i PD-së dhe LSI në fillim do të jetë armiqësor. PD në të ardhmen duhet të ketë për prioritet kthimin e besimit te shtresa të zhgënjyera me PD-në. Për gjetjen e strategjisë së kthimit të besimit te PD-ja dhe e djathta, duhet të bëhet elaborat i veçantë i cili nuk do të ishte vetëm demagogjik por rezultat i një procesi të dialogut të sinqertë me të pakënaqurit dhe nëse nuk duhet që PD t’i përsërisë gabimet që çuan deri te zhgënjimi i elektoratit në radhë të parë. E fituesja më e madhe e elektoratit të djathtë është LSI.

Duke qene e tillë, PD ka tri beteja brenda vetes:

Një: Veten e saj;

Dy: beteja do të jetë e përqendruar me LSI-në;

Tre: E pastaj me PS;

Dhe e fundit do të jetë një mundësi tjetër; bashkërendimi PD-LSI kundër PS. Nëse mund të ndodhë.

Sot LSI drejtohet nga Monika Kryemadhi, e cila është bashkëshorte e presidentit të Shqipërisë Ilir Meta. Pritet të kthehet ky fakt në një problematikë pas 24 korrikut.. sepse presidenti mund të përballet me një situatë, ku mund t’i duhet të marrë vendime të rëndësishme e që mund të kenë lidhje me LSI-në, atje ku kryetare është bashkëshortja e tij….?

Presidenti Ilir Meta nuk mund ta mohojë bashkëshorten politikane. Ai duhet ta respektojë Kushtetutën. Iliri ka afinitet të bëjë politiken e kujdesshme në formë. Por kam përshtypjen që do ketë përplasje ndërmjet këtyre dy energjive politike. Iliri dhe Monika do të kenë ditë të vështira politike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Morali dhe interesi publik e do që ministrat teknikë të dorëhiqen

Nga Ervis Iljazaj Përtej disa incidenteve episodike, por që nuk cenuan absolutisht...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *