Cirku Kombëtar, 5 premiera për sezonin artistik në 2017



cirku-kombetar-3

Kalendari artistik i institucionit të Cirkut Kombëtar për vitin 2017 përmban pesë premiera shfaqjesh. Bordi artistik ka miratuar projektet “Arrëthyesi”, “Cirku në sezonin Turistik”, “Milingonat”, “Horizonte” dhe “Dhurata e festave”. “Një vit në një orë” ishte shfaqja premierë e fundit për vitin që lamë, e cila vijon dhe këtë vit deri në kohën që do të vijnë në arenën e Cirkut premierat e reja. “Falenderime dhe përgëzime mjeshtrave dhe artistëve të mrekullueshëm të cirkut tonë, që pambarimisht krijojnë dhe realizojnë për shikuesit tanë të çmuar numra gjithnjë e më bashkëkohorë. Kjo shfaqje e bukur do të vazhdojë të jepet gjatë vitit të ardhshëm të shtunave dhe të dielave në orën 11:00 në një arenë tashmë të ngrohtë dhe mikpritëse”, bënte më dije disa kohë më parë Cirku Kombëtar. Misioni i Cirkut Kombëtar është ruajtja dhe lartësimi i vlerave të veçanta artistike-kulturore të artit të cirkut në vendin tonë, duke u mbështetur në traditat më të mira kombëtare e botërore, për të shërbyer në edukimin, çlodhjen dhe argëtimin e të gjithë brezave. Cirku Shqiptar është një pjesë e pandarë e cirkut botëror. Pionierët e parë të këtij arti në vendin tonë u shfaqën gjatë viteve 1932-’35, kryesisht në fushën e iluzionit dhe të ekuilibrit mbi tel. Në vazhdimësi numri i tyre u rrit dhe profilet ku ata luanin u zgjeruan, duke u pasuruar me numrat akrobatikë, numrat ajrorë, ato me kafshë, kllounatë e xhongleristikë. Në vitin 1959 ata artistë kurajozë e të talentuar realizuan një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi Magjik”. Ky moment i rëndësishëm shënon krijimin e Cirkut Shqiptar, një pjesë e rëndësishme dhe me vlerë e kulturës dhe artit tonë kombëtar. Arti i cirkut në vendin tonë është i pëlqyeshëm nga të gjitha moshat. Nuk ka një skenë, stadium apo shesh në Shqipëri ku artistët akrobatë nuk kanë luajtur dhe nuk kanë shfaqur aftësitë e tyre të rralla artistike. Ata gjithmonë janë duartrokitur dhe brohoritur fuqishëm nga shikuesit e shumtë. Në këtë rrugë të gjatë të rritjes, me vështirësi dhe suksese, artistët dhe drejtuesit e cirkut, këta njerëz që patën kurajon të kultivonin këtë gjini specifike bënë të mundur, që vendi ynë i vogël të kishte një vlerë të veçantë kombëtare artistike e kulturore. Duke filluar nga viti 2012, cirku ynë është njohur si Cirk Kombëtar.

loading...
Shkruar Nga
More from Revista User

Pesë teknika për përmirësim të memories

Edhe çka tjetër është dashur të blej? Ku e kam parkuar automobilin?...
Read More