Civici: Studimet master, koha për bilanc dhe reflektim

Studimet Master në Shqipëri janë relativisht të reja, vetëm 15 vjet, po ti referohemi veçanërisht vitit 2003 kur Shqipëria aderoi në procesin e Bolonjës. Por tashmë, kjo diplomë është më e kërkuara nga tregu i punës. Në prag të 10-vjetorit të diplomave Master, Universiteti Europian i Tiranës organizoi “Seminarin e parë të karrierës në Shqipëri” me temë: “ 10 vjet programet master – Sfida: Formalizëm vs Profesionalizëm”, ku ishin të ftuar përfaqësues nga bota e biznesit, sektori bankar, Dhoma e industrisë dhe tregëtisë Tiranës, etj. Presidenti i UET, Prof.dr.Adrian Civici, në një intervistë për “MAPO-n” e cilëson diplomën Master si një pasaportë të sigurt për në tregun e punës. 

Z.Civici, çfarë është seminari i karrierës që organizon UET? Në prag të 10-vjetorit të diplomës Master nga ky universitet pse vini me pyetjen sfiduese; Formalizëm vs Profesionalizëm?

Studimet Master në Shqipëri janë relativisht të reja, vetëm 15 vjet, por kjo diplomë është më e kërkuara nga tregu i punës. Tashmë UET ka 10 vjet që ka filluar programet master dhe është momenti për të bërë një analizë dhe një vlerësim për mënyrën se si këto programe i janë përgjigjur kërkesave të studentëve për t’u specializuar dhe mbi të gjitha, se si ky formim dhe specializim i përgjigjet kërkesave të tregut të punës dhe ecurisë në karrierë.

Nga vetë fjala master, dhe po ti referohemi edhe vetë filozofisë së procesit të Bolonjës, ndarja e studimeve në tre nivele, Bachelor, Master, Doktoraturë, përveç shumë qëllimive që kishin të bëjnë me cilësinë, sistemin e krediteve dhe fleksibilitetin e arsimit të lartë, një nga orientimet kryesore, sidomos për programet master, ishte krijimi i faciliteteve për profesionalizimin sa më të mirë të studenteve. Dhe Uet, në konferencën “10  vjet programe master; Formalizim apo Profesionalizim?1”, jo pa qëllim shtuam edhe këtë dilemë, sepse kjo është dilema e një pjese të madhe të studentëve që zgjedhin programet master, por edhe i shoqërisë shqiptare, nëse masteri është thjesht një spaletë ose vazhdim formal i ciklit të dytë, apo është një hap i rëndësishëm që të profesionalizon dhe të bën shumë më kompetent për fushën që studion dhe shumë më fleksibël për t’ju përshtatur vendit të punës apo tregut të punës në përgjithësi.

Me  kënaqësi konstatojmë se mbas 10 vitesh programet master në UET kanë evouluar në mënyrë cilësore, sidomos përsa i përket degëve të ofruara, profilizimeve e specializimeve të ofruara brenda këtyre degëve, lëndëve dhe grupit të njohurive që bëhen dhe lidhjen që ka programi Master sidomos me praktikën, tregun e punës, duke ftuar në UET mjaft nga drejtuesit më kryesorë të institucioneve, përfaqësues të bizneseve dhe gjithë aktorëve të tregut të punës.

A është Masteri një diplomë që thithet nga tregu i punës?

Sfida bëhet akoma më e madhe po t’i referohemi eksperiencës, sidomos të vendeve të BE dhe më gjerë, eksiston një debat dhe larmi shumë e madhe zgjidhjesh dhe analizash përsa i përket  masterit. Ku do shkohet me programet Master, çfarë përqindje punësimi kanë studentët me programin Master. Dhe mbi të gjitha nëse ne i ndajmë studentët, me diplomë të shkollës së mesme, me Bachelor, me Master dhe Doktoraturë, si është shpeshtësia dhe përqindja e punësimit, apo e kundërta, frenimi dhe përqindja e papunësisë. Dhe faktikisht konstatojmë se në Shqipëri disa nga shifrat e nivelit të punësimit janë pak më ndryshe se në BE. Ka akoma një përqindje të lartë të papunësh ose që gjejnë punë me vështirësi me diplomë Bachelor, por kjo përqindje zvogëlohet dhe punësimi i parë bëhet më i shpejtë dhe më i lidhur me profesionin me një diplomë Master. Nga ana tjetër Masteri ndihmon shumë, jo thjesht si punësim i parë, por dhe si ngjitje në karrierë. Një pjesë e studentëve shqiptarë po e kuptojnë që Masteri nuk është një gjë që duhet bërë automatikisht dhe formalisht mbas Bachelorit, por duhet parë e lidhur ngushtë me pyetjet… pse po e bëj këtë Master, çfarë profesioni po kërkoj të thellohem, ku po kërkoj të specializohem, dhe duke parë programet që ofrohen të binden për thellimin e profesionalizmit dhe cilësisë së tyre.

Çfarë ka bërë UET për t’iu përgjigjur sfidës së një Masteri që profesionalizon, jo thjesht jep një diplomë akademike?

UET gjithë punën e ka përqendruar në thellimin e aspektit të profesionalizimit të studentëve dhe programeve Master, sidomos masterave profesionalë që janë të shumtë, të larmishëm dhe me një dinamikë që ndryshon nga njëri vit në tjetrin në përputhje me dinamikat e tregut  të punës.

Për këtë arsye ne kemi aplikuar disa projekte ose disa politika më specifike duke përmendur në mënyrë të veçantë projektin 250+, në kuadrin e një nisme të madhe “UET-i universiteti i biznesit”, dhe kur themi UET universiteti i biznesit nuk do të thotë aspak që UET bën biznes me masterat dhe diplomat, por përgatit të diplomuar, të kualifikuar për nevojat që ka biznesi shqiptar dhe ai biznes i huaj që operon në Shqipëri ose rajon. Në këtë sens, programi 205+ është një kontakt i gjerë, i personalizuar, i vazhdueshëm me 250 kompani, institucione, biznese nga më të mëdhajat dhe më aktivet në vend, për të kuptuar dy gjëra, së pari çfarë vlerësimi kanë ata për studentët tanë të Masterit dhe mbi të gjitha cilat janë strategjitë e tyre të zhvillimit, format e reja të menaxhimit dhe marketingut, çfarë njohurish dhe kompetencash janë të domosdoshme, në mënyrë që një student, i cili mbaron Masterin të mos i mësojë ato thjesht në mënyrë rutinë, por të jetë i përgatitur dhe i përputhur në formimin e tij me kërkesat e tregut të punës.

Janë 3 elementë të rëndësishëm të organizimit në funksion të Masterit; janë bordet e tregut të punës, çdo program studimi, dhe çdo departament ka një bord specifik nga institucionet, bizneset, që quhen bordet e tregut të punës.  Në një masë të konsiderueshme janë ish-studentët tanë që kanë mbaruar në vite që tashmë janë eksepertë, drejtues, specialistë në biznese të ndryshme, të cilët lidhen rregullisht dhe konsultohen me departamentet për përmbajtjen e programeve, cilësinë e tyre dhe  mbi të gjitha për përputhjen e tyre me çka ndodh në ekonominë reale dhe tregun real. Nga ana tjetër, është shumë i rëndësishëm panairi vjetor i punës që ne bëjmë, ku rreth 60-70 kompani dhe biznese nga më cilësoret në Shqipëri vijnë  në UET për të ofruar vende të reja të punës. Objektivi i tretë është pjesmarrja aktive e UET në gjithë llojet e aktiviteteve duke përfshirë panairin Work and Study që bën Dhoma e tregëtisë dhe industrisë e Tiranës, Bashkia e Tiranës, Ministria e arsimit apo institucione të tjera.

Po ashtu, në auditoret e programeve Master janë të ftuar vazhdimisht për të folur dhe shpjeguar eksperiencat konkrete dhe sfidat e bizneseve dhe institucioneve një numër i konsiderueshëm CEO-t e bizneseve, menaxherët e tyre, drejtuesit e shitjeve dhe marketingut, drejtorë të burimeve njerëzore, ekspertë të teknologjive të informacionit, bankierë, etj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Jam i turpëruar nga drejtësia në Shqipëri, nuk ka ndershmëri”

I ardhur dy vite më parë si ekspert i OPDAT dhe këshilltar...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.