Çmimi “Kadare 2017”: A është Kujtesa në “shërbim” të Letërsisë

Në kuadër të “Ditëve Letrare të Razmës” që nisi dje e mbyllet të dielën, Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve publike në Universitetin Europian të Tiranës mban Konferencën Kombëtare Shkencore “Kujtesa dhe letërsia”, ku Instituti Europian “Pashko” jep çmimin “Kadare”. Gazeta Mapo ka paraqitur çdo ditë, finalistët me veprat e tyre duke e bërë një nga garat më të hapura në  të gjitha trevat ku flitet shqip

Këtë vit çmimi letrar “Kadare” që ndahet nga Instituti Europian “Pashko” në kuadër të “Ditëve Letrare të Razmës” është shoqëruar me debatin letrar “Kujtesa dhe letërsia”. Duke qenë një nga vendet ku reminishenca letrare ende s’ka mbaruar për shkak të izolimit të gjatë nga diktatura, për mjaft autorë frymëzimi nga “izolimi” është marrë në kontekste të historisë, si dëshmi dhe për të tjerë si kujtesë, një rast racional për të perceptuar të vërtetën.

Ky debat ka ritkhyer vëmendjen sidomos edhe në prurjet letrare për çmimin Kadare 2017, ku si duket pikëtakimi tematik e ka bërë jurinë të reflektojë brenda këtij debati: raportin e letërsisë me kujtesën. Mendimet rrahin të ndryshme, shpesh e reflektuar në simbolikë apo përjetim personal, ndërsa dilemat shkojnë për një filozofi të kujtesës, si shndërrohet kjo lëndë për recpetuesin. Për këtë, kryetari i jurisë, Bashkim Shehu, ndër të tjera, është shprehur: “Për mua, letërsia nuk është në shërbim të kujtesës, ashtu sikurse nuk është në shërbim të asgjëje tjetër. Më e vërtetë, në lidhje me kujtesën, është e kundërta. Dhe në këtë kuptim kujtesa, si përjetim vetiak, por që ndodh të përkojë në më shumë apo më pak raste me përjetime kolektive, është bërë gjithnjë e më e rëndësishme për mua, ndoshta për shkak të moshës. Kujtesën e shoh si një ishull të largët ku imagjinata arrin të shkojë herë pas here dhe, si një magjistar i mbrapshtë, ajo përçudnon gjithçka që i del përpara në atë ishull të largët… natyrisht, me përjashtim të referencave historike ose të fakteve që kanë rëndësi historike…” .

Duke u përballur me prurjet letrare për çmimin Kadare, ndër kritikët aktivë që kemi në letërsi, gazetari Agim Baçi thotë: “Çastet e pakapshme të së tashmes, roli i së shkuarës në ecjen tonë të përditshme, rrënjtët në histori që udhëtojnë në çdo kohë me njeriun, humbja e gjërave të dashura dhe marrëdhënia jonë me “botën përtej”, eksplorimi i ndjenjave më të fshehta – këto janë emëruesi i përbashkët i finalistëve të çmimit “Kadare” për vitin 2017. E nëse do t’i referoheshim Milan Kunderës, që thotë se “Njohja është i vetmi moral i romanit”, atëherë konkurruesit janë brenda guidës së njohjes për qenien, të pathënën, asaj që bartim nga e shkuara dhe asaj që imagjinojmë për të ardhmen.” Sipas Baçit, që është një prej anatarëve të jurisë, emrat finalistë së bashku përbëjnë një mozaik tërheqës të kënaqësisë së leximit.  Ramadani, Haxhaj, Graçi, Kastrati, Ahmeti e Sukaj për jurinë kishin jo pak rivalë deri në këtë mbërritje, duke patur një garë mes emrave që janë një siguri se tashmë letërsia shqipe është mes ujërave të duhur për të rikthyer lexuesin drejt një letërsie që jo vetëm e sugjeron njeriun për njohje, por e kthen këtë njohje edhe në një pasion.

Për Dr. Mirela Oktrova letërsia dhe kujtesa, mban këtë raport: “Gjithçka kemi përjetuar dhe mësuar është e rrënjosur thellë në ndërgjegjen tonë. Aftësia për t’u kujtuar i lejon individit t’i rikthehet të shkuarës, për ta analizuar atë nga një distancë e shëndetshme kohore dhe emocionale, sa herë që e tashmja apo e ardhmja e kërkojnë këtë. Kujtesa na jep informacionin e duhur për marrëdhënien tonë me vetveten dhe me komunitetin, me kohën dhe hapësirën, me jetën dhe me vdekjen.  Letërsia janë kujtimet tona të rrëfyera, pasuria jonë shpirtërore e ndarë me të tjerët – letërsia është një kujtesë e komunikuar me mjetet e fantazisë dhe e dokumentuar me mjetet karakteristike të epokës së vet, një kujtesë individuale dhe kolektive e imunizuar nga harresa.

Kujtimet përcaktojnë konstitucionin tonë shpirtëror, të vërtetën individuale të gjithsecilit prej nesh, identitetin tonë. Në mitologjinë greke, nëntë muzat ose hyjneshat e arteve dhe shkencave, ishin bijat e Zeusit dhe Mnemozinës, hyjneshës së kujtesës. Letërsia është “arkivi” i kujtimeve të rrëfyera të një epoke, ndërgjegjja e saj shoqërore, dokumentuar prej njerëzve dhe ndërmjetësuar prej muzave.”

Koordinatorja e çmimit Kadare, poetja Ledia Dushi është shprehur se “prej secilit autor mejtohet një koncept filozofik siç është vdekja; pozicionimi përtej vdekjes, dhe një rikthim i shpirtit në botën reale, a për shkak të luftës a vdekjes natyrale. Për herë të parë kjo bëhet temë”. Një tjetër mendim ndan Ylljet Aliçka duke e parë prurjen e sivjetme të autorëve në mënyrë racionale se pak prej tyre mbështeten mbi kujtesën, por gjendet më tepër një kujtesë e fantazuar. “Kujtesa është burim frymëzimi, ka qenë dhe mbetet, asnjëherë nuk ka një kohë të caktuar, asnjë kohë nuk zbulohet në fundin e saj, e keqja e saj shpesh herë paraqet rrezikun, trajtimin skematik të kujtesës, Në anën tjetër, është pak e rrezikshme që kujtesa të jetë në shërbim të interesave të të sotmes, të instrumentalizohet, të manipulohet…Nga këto ekstreme është e dëmshme trajtimi i kujtesës. Në realitetin tonë shohim se nga njëra anë ka përpjekje për të krijuar një ide ngopje me kujtesën, e cila shpesh herë përpiqet të mbulojë, fsheh një interes aktual, ose është një përpjekje për të relativizuar urrejtjen përmes vdekjes. Çdo mendim manipulues del gjithmonë kundr parimit të lirë se kujt i intereson kujtesa. Rreziku i të mbeturit peng i kujtesës dhe ekzagjerimi i elementëve të saj shpesh e shohim të trajtuar në këndvështrime ekzotike…Nuk ka dalë ende e vërteta, ose e vërteta reale ajo që ka ndodhur. A duhet të dime të vërtetën? Pa rënë në dokumentarizëm, e vërteta duhet të jetë në bazën e letërsisë. Gjithë letërsia është fiksion ku rëndësi merr tingëllimi i të vërtetës. Kujtesa si realitet shihet në dritën e ngjarjeve të reja, jo vetëm si koncept historik por alternativë e nxitjes letrare.”, reflekton Aliçkaj.

 

Juria

Bashkim Shehu – kryetar

Ledia Dushi

Ylljet Aliçka

Mirela Oktrova

Agim Baçi 

 

Finalistët

Musa Ramadani – Profeti nga Praga (roman)

Virion Graçi – 800 hapa larg Veneres (roman

Arben Kastrati – I dashuri unë (roman)

Mimoza Ahmeti – Tutori (roman)

Ardian Haxhaj – Vegim (roman)

Kush janë shkrimtarët që janë ngjitur në panteonin e çmimit “Kadare” në letrat shqipe?

Në vitin e parë të shpalljes së këtij çmimi ai do t’i shkonte një autori të njohur më shumë si poet. Bëhet fjalë për Rudolf Markun, i cili me romanin e tij “Tri divorcet e zotit Viktor N.”, një rrëfim për dilemën e një emigranti shqiptar që përballet me vendilindjen dhe të shkuarën e tij pas shumë vitesh, do të  tërhiqte vëmendjen e jurisë mes 41 dorëshkrimeve.

“Më shkoi nëpër mend ajo enciklopedi e dijes njerëzore që quhet “Don Kishoti” i Servantesit dhe m’u kujtua një bisedë e Don Kishotit me Sanço Pançën, ku ky i thotë: ‘Në një konkurs letrar, artistik, gjithkund çmimi më i rëndësishëm është çmimi i dytë’. – Pse? – e pyet Don Kishoti. “Sepse çmimi i parë jepet për hatër, i treti për gjynah, ndërsa i dyti është më i sakti’…”, – kështu do të shprehej shkrimtari Rudolf Marku ndërsa u nderua me Çmimin Kadare duke vlerësuar dorëshkrimet e kolegëve të tij në këtë garë.  Në finalen e parë të këtij çmimi kishte autorë si; Arti Lushi, Eliona Gjergo, Gazmend Krasniqi, Ilir Bezhani, Primo Shllaku, Shkëlqim Çela, Zija Çela, Shefqet Tigani,etj. Fjala e fundit i takon jurisë e cila pasi lexon të gjitha dorëshkrimet e merr vendimin me një votim të fshehtë.

Ky votim në vitin e dytë e dërgoi çmimin përtej Oqeanit, në SHBA, duke vlerësuar një matematicien të apasionuar pas letërsisë me çmimin Kadare 2016. Bëhet fjalë për shkrimtarin Shkëlqim Çela.  Me librin me novela ‘Embriologji’ Çela u zgjodh mes 7 pretendentëve në garën finale, ku ishin autorë si Bardhyl Londo, Vera Bekteshi e Mustafa Nano,etj.

Interesi për emrin e këtij shkrimtari pak të njohur në Shqipëri ishte i natyrshëm nga mediat pasi historia e tij është e veçantë. Çela vjen nga fusha e shkencave kompjuterike, ndërsa prej vitesh shkruan në poezi dhe prozë.

Bashkim Shehu: Ka mungesë klime apo ekosistemi për të nxjerrë talentet

INTERVISTA

Fragment nga biseda e kryetarit të jurisë së Çmimit Kadare 2017, shkrimtari Bashkim Shehu mbi çmimin dhe zhvillimet letrare e kulturore në Shqipëri si dhe raportin, si ka funksionuar kujtesa, historia me Letërsinë në veprat e autorëve bashkëkohorë

– Z. Shehu, marrëdhëniet ndërmjet letërsisë dhe kujtesës janë nga më të rëndësishmet për të kuptuar dhe ngritur pyetje mbi zhvillimet letrare por edhe ato shoqërore, kulturore e historike të një vendi. Në fund të muajit maj, ju do të jeni i ftuar nderi në Ditët Letrare të Razmës për dhënien e Çmimit letrar Kadare si kryetar i jurisë dhe si referues mbi temën e letërsisë dhe kujtesës. Vetë emri juaj thërret njëherësh lidhjen si me letërsinë ashtu edhe me kujtesën në Shqipëri, pasi ju jeni i njohur si shkrimtar edhe si lëvrues i letërsisë së kujtesës. Si e keni ndërtuar por edhe përjetuar ju si shkrimtar të kujtuarit përmes letërsisë?

Për mua, letërsia nuk është në shërbim të kujtesës, ashtu sikurse nuk është në shërbim të asgjëje tjetër. Më e vërtetë, në lidhje me kujtesën, është e kundërta. Dhe në këtë kuptim kujtesa, si përjetim vetiak, por që ndodh të përkojë në më shumë apo më pak raste me përjetime kolektive, është bërë gjithnjë e më e rëndësishme për mua, ndoshta për shkak të moshës. Kujtesën e shoh si një ishull të largët ku imagjinata arrin të shkojë herë pas here dhe, si një magjistar i mbrapshtë, ajo përçudnon gjithçka që i del përpara në atë ishull të largët… natyrisht, me përjashtim të referencave historike ose të fakteve që kanë rëndësi historike. Po edhe këto të fundit janë gjithsesi në shërbim të imagjinatës, qoftë dhe vetëm ngaqë u japin besueshmëri përçudnimeve të shkaktuara nga loja e saj.

– Çmimi që ju do të jepni mban emrin e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, dhe vlera e tij qoftë simbolike po ashtu edhe monetare është e konsiderueshme (kjo e fundit, përkatësisht 10 mijë euro). Për sa i përket letërsisë shqipe bashkëkohore, a vëreni dukuri, emra ose prurje letrare që meritojnë vëmendje dhe a vlerësohen ato sa dhe si duhet në mjedisin kulturor, social dhe ekonomik të vendit në përgjithësi?

Si dukuri letrare në letërsinë shqipe bashkëkohore, dhe me këtë kuptoj letërsinë shqipe mbas rënies së diktaturës, vërej larminë e saj dhe kërkimin e shtigjeve të reja, si në tematikë, ashtu edhe – çka më duket më rëndësishme – në estetikë. Dhe kjo më duket më e rëndësishme ngaqë në letërsi, më tepër se çfarë thuhet, ka vlerë mënyra se si thuhet. Pra, pyetja themelore nuk është “çfarë”, po është pyetja “si” – kjo fjalëz njërrokëshe që shenjëzon cilësinë. Lidhur me autorët: autorë të talentuar ka jo pak, të rinj ose jo të rinj, sikurse edhe në fusha të tjera të krijimtarisë. Ajo që mungon është klima e përshtatshme, ekosistemi i përshtatshëm, hapësira e komunikimit kulturor. Në këtë mungesë klime apo ekosistemi, talentet që ia dalin të mbijetojnë janë si bimët ngulmuese të rritura rrëzë një shkëmbi apo në shkretëtirë.

– Po në letërsinë europiane apo atë ndërkombëtare në përgjithësi, a ka vëmendje apo interes ndaj autorëve apo veprave të letërsisë shqipe bashkëkohore?

Përherë e më shumë. Por mendoj se letërsia shqipe meriton më shumë vëmendje dhe interesim nga botuesit e huaj.

– Edhe përmes shqyrtimit të veprave dhe autorëve që janë në garë për Çmimin Kadare që jepet nga Instituti Europian Pashko pranë UET, mund të keni krijuar një ide ose perceptim tuajin rreth gjendjes së letërsisë shqipe bashkëkohore. Duke e parë në plan krahasues, si i shihni zhvillimet aktuale në letërsinë shqipe në raport me faza ose periudha të mëparshme?

E ritheksoj: talentet nuk mungojnë. Mungon ekosistemi, hapësira e komunikimit kulturor. Nën diktaturë, ekzistonte një ekosistem kulturor, vetëm se ishte burokratikisht i kontrolluar në përputhje me kriteret e një ideologjie totalitare. Ishte si ajo që thotë një personazh i dehur i Shekspirit lidhur me lëngun alkoolik viktimë e të cilit kishte rënë: vera sillet si sofist në lidhje me epshin, ngaqë edhe ta nxit, edhe të heq mundësinë për ta kënaqur. Ndërsa mbas shembjes së diktaturës lind mundësia që të krijohet një ekosistem kulturor i pavarur, po shoqëria ende nuk e ka krijuar dot.

–  Për kujtesën në Shqipëri flitet më dendur nga kënde politike, dokumentare ose publicistike, por më pak nga një kënd i lidhur me letërsinë. A mendoni se letërsia e kujtesës është në gjendje t’i flasë publikut në mënyrë rezonuese në Shqipëri për të shkuarën? Pra, a është ajo një medium efikas, duke iu referuar asaj me një term jo aq letrar, por objektivist?

Raporti i letërsisë me kujtesën kërkon një sërë sqarimesh. Që të themi se çfarë i lidh ato, duhet të jemi të ndërgjegjshëm për disa gracka që përmban brenda vetes ideja e lidhjes së tyre. Dhe kjo kërkon një shpjegim të gjatë dhe të ndërlikuar. Këtu po mjaftohem të vë në dukje kalimthi dy gjëra. Së pari, shpeshherë, kur flasim për kujtesën, ngatërrojmë kujtimet konkrete të individit me kujtesën kolektive si kujtesë historike. Së dyti, kemi prirjen që letërsinë ta vështrojmë të instrumentalizuar në funksion të shoqërisë apo të kombit apo të ndonjë idealiteti tjetër të këtij kallëpi apo të ndonjë kallëpi tjetër. Dhe, kur është fjala për kujtesën, me një instrumentalizim të tillë, letërsia do të ishte në rastin më të mirë njëfarë zgjatimi i historiografisë, ndërsa në rastin më të keq do të ishte njëfarë bishti i sensacionalizmit mediatik.

– Duke iu referuar veprave që keni shqyrtuar deri tani, kur afati për dorëzimin e dorëshkrimeve ka përfunduar, a keni përvijuar ndonjë trend apo kahje të re si edhe prurje cilësore (pa përmendur emra dhe tituj, sigurisht, për shkak të etikës profesionale)?

Përgjigje: Dukuritë janë pak a shumë po ato që përmenda kur fola për letërsinë shqipe në përgjithësi, të karakterizuar nga larmia dhe kërkimi. Po edhe në juri ka një larmi opinionesh dhe shijesh, një larmi të madhe. Gjithsesi, përzgjedhja e finalistëve dhe pastaj e fituesit bëhen me shumicë votash, sipas parimit “një njeri, një votë”.

– Çfarë lloj letërsie është paraqitur më tepër dhe meqenëse në këtë intervistë kemi qëndruar tek marrëdhëniet e letërsisë me kujtesën, që është edhe tema e konferencës shkencore të Departamentit të Komunikimit gjatë Ditëve Letrare në Razmë, tematika e veprave është më tepër e lidhur me të kaluarën apo të tashmen?

Nuk jam në gjendje ta them. Nuk i kam parë me atë sy. Po letërsia, në çfarëdo kohe të jetë vendosur subjekti, gjithmonë flet për të shkuarën, madje për një të shkuar, si të thuash, jashtëkohore, për një të shkuar mitike, sepse gjithmonë ka brenda përralltarin e vjetër që e fillon me “na ishte një herë”, do apo nuk do autori. Puna e një autori të mirë është që ta zgjojë përrallëtarin e moçëm, që dremit në shpirtin e tij duke folur copa-copa në dremitje e sipër, dhe ta lërë të shprehet, mos t’ia shuajë zërin me unin e vet të vockël dhe me unin po aq të vockël kolektiv që pretendon të përfaqësojë.

– Një nga diskutimet publike të kohëve të fundit në lidhje me letërsinë në Shqipëri ka qenë ai mbi letërsinë e Dritëro Agollit. A i keni ndjekur këto debate dhe si e vlerësoni ju letërsinë e periudhës së realizmit socialist në tërësi, ashtu sikurse është lëvruar në Shqipëri?

Jo, nuk i kam ndjekur. Ndërsa në lidhje me realizmin socialist mendoj se duhet bërë dallimi ndërmjet realizmit socialist si doktrinë zyrtare dhe veprave që shkruheshin, madje edhe një pjese të veprave që botoheshin. Ka pasur vepra që s’kanë qenë të realizmit socialist, jo të shumta; ka pasur të tjera, më shumë, që nuk kanë qenë tërësisht të realizmit socialist; sikurse ka pasur plot që kanë qenë të tilla tërësisht, dhe këto të fundit nuk kanë asnjë vlerë. Dhe për veprat pa vlerë nuk ia vlen të flitet.

Intervistoi: Prof. Asoc. Dr. Belina Budini

Shkruar Nga
More from revista mapo

Koalicioni në krizë, Meta: Qeveri teknike dhe zgjedhje të reja

Kryetari i LSI ka tronditur dje koalicionin qeverisës duke propozuar si zgjidhjen...
Read More