Çmimi Kadare 2017, Ledia Dushi: Cila letërsi do na befasojë

Dje, në mjediset e UET janë shpallur emrat e jurisë për çmimin Kadare 2017, lançuar nga Instituti Europian PASHKO për prozën shqipe. Në këtë konkurrim ftohen të aplikojnë të gjithë autorët e trevave shqipfolëse, dhe afati i dorëzimit të shkrimeve në prozë është data 10 Maj 2017.Flet koordinatorja për çmimin letrar “Kadare”, Ledia Dushi, si janë prurjet deri tani, dhe si procedon juria me dorëshkrimet e dërguara, ku numri ka shkuar mbi 15 vepra në garë për shumën 10 mijë euro

Në ditët e Razmës, që mbahen më 26-27 -28 maj, këtë vit binjakëzohen dorëzimi i çmimit Kadare me konferencën shkencore për letërsinë, me temë “Kujtesa dhe letërsia”, organizuar nga Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve për Publikun në UET

Çmimi “Kadare” hyn në vitin e tretë të organizimit të tij nga Instituti Europian “Pashko” për prozën më të mirë shqip. Dje, në mjediset e Universitetit Europian të Tiranë janë bërë publike emrat e jurisë si dhe është lançuar mbajtja e konferencës kombëtare shkencore “Kujtesa dhe letërsia” që organizohet nga Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publik, të UET. Këtë vit ka një binjakëzim në organizimin e çmimit Kadare me konferencën shkencore, duke u bashkuar në ditët e Razmës që mbahen në datat 26-27-28 maj, ku edhe do të shpallet autori fitues për letërsinë shqipe 2017.

Ledia Dushi, koordinatore e çmimit Kadare, tha dje se juria që do vlerësojë prurjet për çmimin Kadare përbëhet nga personalitete në fushën e letërsisë dhe kritikës, të cilët janë: shkrimtari e përkthyesi Bashkim Shehu, Ylljet Aliçka,  Mirela Oktrova, Ledia Dushi si dhe kritiku Agim Baçi të cilët janë mbledhur prej kohësh, dhe çdo javë leximet e tyre mbi veprat kanë pasur konsultime paraprake, që nuk mbyllen në këtë fazë të hapur për prurjet.

“Ne i shpallëm qysh tani emrat e jurisë për të qenë sa më transparentë dhe që të mos ketë asnjë lloj rezerve apo keqkuptime siç ndodh rëndom”. Sipas Dushit deri tani ka pasur prurje të konsiderueshme të autorëve nga të gjitha trevat shqipfolëse, duke kaluar pothuaj numrin 15 të veprave në dorëshkrim që janë marrë në diskutim deri tani. Sipas Dushit kjo është prurja reale që nuk vlerësohet një numër i pakët duke pasur parasysh hartën e vogël të krijimtarisë në shqip. Ky çmim, i cili ka marrë edhe bekimin e shkrimtarit të madh të letrave shqipe, do t’i akordohet prozës shqipe ku thirrja për të marrë pjesë në këtë konkurrim është ende e hapur, deri më 10 maj, kur do të publikohet lista e ngushtë me pretendentët kryesore për çmimin letrar. Çmimi mban vlerën e 10 mijë eurove për fituesin; vlera më e lartë aktualisht për çmimet letrare që akordohen në vend dhe është vetëm një pjesë e një katërkëndëshi ku përshihet Qendra e Studimeve Letrare “Kadare”, “Ditët Letrare të Razmës” dhe hapja e një dege “Shkrimi Krijues” (Creative Ëriting) në UET. Ndërsa suplementi i fundjavës në gazetën Mapo, “Mapo Libri&Ide” i kushtohet vetëm letërsisë, me një vëmendje të posaçme autorëve shqiptare, letërsisë së shkruar shqip. Sipas Dushit autorët duhen të përpiqen t’i sjellin më herët dorëshkrimet e tyre për t’i dhënë mundësinë e kohën jurisë që të lexojnë çdo vepër, edhe pse bëhet fjalë për limitin e datës më 10 maj, me kriterin tashmë të njohur për veprën artistike në prozë, të pabotuar. Kushti është që në këtë çmim duhet të paraqiten vetëm vepra të autorëve në shqip, pasi bëhet fjalë për një çmim që i akordohet prozës shqipe dhe jo përkthimeve nga gjuhë të huaja.

Si është procedurar deri tani për prurjet e reja, koordinatorja për çmimin Kadare, Dushi thotë se: “në rolin e koordinatores kam marrë veprat që kanë ardhur në adresën e shpallur nga UET, ua kam shpërndarë gjithë anëtarëve të jurisë, dhe kryetarit të jurisë që banon në Spanjë, i cili është njohur me çdo vepër dhe do të jetë prezent në shpalljen e çmimit. Kryetari është i informuar çdo herë me prurjet dhe ka vendosur rregullat se si do procedojmë me eleminimet, deri kur të vijë faza e listës së ngushtë të emrave në garë”.

Sipas Dushit komunikimi mes anëtarëve të jurisë deri tani ka qenë intensive dhe e vazhdueshme që ky proces indentifikimi për veprën më të mirë të ketë argumentin e fortë të një letërsie cilësore. Por mendësia shqiptare e dyshimit vazhdon të jetë dominante kur bëhet fjalë për konkurrimet dhe garat, ku edhe letërsia ka të vetët duke pasur parasysh se nuk ka nisma private për vlerësimin e letrave shqip. Në këto ditë të sjelljes së dorëshkrimeve pyetja më “banale” që adresohen mbi jurinë është leximi i veprës. Për këtë, Dushi garanton në mënyrë të padiskutueshme se çdo dorëshkrim i dorëzuar pranë jurisë është lexuar nga secili anëtar i saj. “Kjo është fakt, pasi të gjitha mbledhjet e jurisë konsistojnë në diskutimin e veprave që kemi lexuar. Ende nuk ka nisur faza e eliminimit pasi jemi në fazën e mbledhjes dhe leximit, e konsultimit të veprave”.

Edhe kritiku, një prej anëtarëve të jurisë, Agim Baçi ndalet në këtë fazë të pritjes së dorëshkrimeve duke rikonfirmuar se janë në hapat e para të prurjeve, ku mbi 15 vepra kanë kaluar në proces leximi të padiskutueshëm, dhe priten ende dorëshkrime deri më 10 maj. “Pasi të mbarojë kjo fazë prurjesh, në afatin e caktuar, juria do nisë procesin e eliminimit, por kjo nuk e ka penguar jurinë që të flasë dhe të shkëmbejë mendime mbi ç’kemi lexuar deri tani.

Lajm i mirë është se veprat që kemi lexuar deri tani japin premisa të një letërsie të mirë në konkurrim”.

Në këtë fazë, edhe anëtarja tjetër e jurisë, Dushi është shprehur se një nga veçantitë e çmimit Kadare lidhet me emrat e rinj, vepra dhe autorë që nuk janë njohur më parë.

“Edhe këtë vit është i njëjti fenomen, ku ne kemi hasur deri tani autorë të panjohur, por ka edhe autorë të afirmuar dhe kanë emër, dhe zënë vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe”. A mund të thuhen emrat e konkurrentëve të deritanishëm? Dushi thotë absolutisht jo, në këtë fazë, pasi këto të gjitha janë konform rregullave që janë caktuar një herë e mirë. Vetëm kur të vijë faza e eliminimeve ne do njihemi me listën e ngushtë të emrave.

Ledia Dushi në fakt është nga zërat e veçantë në poezinë shqipe, me tërheqje të dukshme, nga tryezat që shtrohen për letërsinë, dhe në këtë rast përfshirja e saj për herë të parë në një process konkurrimi si koordinatore, por njëkohësisht dhe me angazhimin në suplementin letrar të gazetës Mapo, për autorë të pas ’90-ës, e nxit të reflektojë këtë qëndrim: “Përfshirja në një proces konkurrimi për një krijues është pak delikate sepse ka të bëjë jo vetëm me ndjeshmëritë që shfaqin shkrimtarët këtu, për arsye njohjeje, por nga ana tjetër për nga karakteri që ka çdo personalitet, më bën ta shikoj këtë proces mbi parime totalisht letrare. Me këtë fakt asnjëherë nuk kam bërë kompromis. Ndaj dhe vendosa që t’i bashkohem kësaj nisme për të qenë nxitëse e një letërsie të mirë, që mos të reflekohet si çështje inferioriteti por çështje e një jete të brendshme të domosdoshme letrare”.

Duhet të rikujtojmë se fituesi do të botohet ekskluzivisht nga Botimet Mapo dhe ia kalon të drejtat këtij enti, si një mecenat I parë në këta 26 vjet që del jashtë kontekstit zyrtar, e politik. Motivet se pse ky çmim do të akordohet vetëm për letërsinë artistike, themeluesit e kanë shpjeguar qysh në krye me faktin se vetë Kadare njihet në radhë të parë si romancier, edhe pse ka  shkruar edhe eseistikë, ku ndër më të njohurat janë “Dantja i pashmangshëm”, “Eskili ky humbës i madh”, “Mosmarrëveshja” etj. Nëse eseistika do të jetë kadareane, themeluesit mendojnë se mund të përfshihet në çmim, në vitet e ardhshëm.

-Çmimi “Kadare” do të akordohet nga Fondacioni Mapo në 26-27-28 Maj gjatë aktivitetit “Ditët Letrare të Razmës”

-Pranohen vetëm vepra shqip në dorëshkrim

-Aplikimet janë të hapura deri më 10 Maj

Juria

Bashkim Shehu

Ylljet Aliçka

Ledia Dushi

Mirela Oktrova

Agim Baçi

Fituesit në dy edicione

Çmimi “Kadare” me vlerë 10 mijë euro, që akordohet nga Instituti Europian PASHKO në UET,  për prozën më të mirë shënon këtë vit edicionin e tretë. Në dy edicionet e shkuara ai është marrë nga shkrimtari Rudolf Marku me romanin “Divorcet e Zotit Viktor N” dhe Shkëlqim Çela me trilogjine “Embriologjia”, botuar nga “Mapo Editions”.

Vlera monetare

10 mijë euro

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ja vendimi për shkarkimin e Xhelilit

Sali Berishës iu deshën diçka më pak se katër minuta që të...
Read More