Çmimi Kadare 2018: Në katër vite, posaçërisht për këtë çmim janë shkruar 104 vepra letrare

Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës kanë promovuar në mjediset UET romanin e shkrimtarit Virgjil Muçi “Piramida e Shpirtrave”, i cili është dhe fituesi i edicionit të katërt të Çmimit Kadare. Nisur nga dy momente kulmore, në ceremoninë e çmimit, duke e parë tani si fitues, Virgjil Muçi u shpreh: “Janë ca gjëra, si çmimi Kadare që të zhysin në mendime, e të bëjnë të besosh vazhdimin në këtë rrugë, rrugën e letrave. Unë mendoj se shkrimtarët duhen të gjykohen nga ajo që shkruajnë, dhe jo ajo që thonë. Në artin e gojëtarisë nuk besoj se i konkurrojmë dot politikanët. Ashtu siç uroj që politikanët të mos na konkurrojnë në artin e romanit. Jam dyfish i nderuar që marr çmimin Kadare për arsyen se ky çmim lidhet me dy emra të shquar të shpirtit europian të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Me mikun Gramoz Pashko që jetën e tij ia kushtoi këtij procesi të gjatë, të vështirë, e të koklavitur evropianizues të vendit tonë. Dhe padyshim, Ismail Kadare, me veprat e librat e të cilit u rritëm, ai ishte shkolla jonë e parë për të shkruar letërsi moderne, në një kohë kur letërsia ishte e varfër, skematike. Nuk mund të lë pa përmendur, çmimin që Henri Çili e trupëzoi dhe i dha frymë, kam vetëm një urim që të jetë një çmim me jetë të gjatë, pasi përvoja jonë na ka mësuar se tradita bjerret shpejt, humbet. Ndërsa të shkruarit është një sakrificë që pak njerëz e dijnë, dhe këta janë ata që i ke pranë”.

Themeluesi i çmimit Kadare, Henri Çili duke e cilësuar si një moment kulmor të çmimit, tha se projekti gati pesëvjeçar i nismës letrare Mapo, fatmirësisht po vazhdon, dhe është në mbërritje të jubilarit të pestë. “Sot, kam pasur fatin të takoj një mik timin, që nga viti ’90-të nga koha kur bëja gazetarin kulturor në gazetën Koha Jonë, dhe për më tepër një kontributor të gjithanshëm të kulturës shqptare, si Virgjill Muçi, përkthyes, botues, recensues librash, dhe kritikë letrare, si pjesëmarrës në juri letrare i cili ka qenë një nga anëtarët e jurisë së edicionit të parë, në vitin 2015, dhe në përgjithësi si një individ që me pozitivitetin dhe dimensionin e tij të shumanshëm kulturor, ia vlen vërtet të përfshihet në klubin e autorëve fitues të çmimit Kadare, por mbi të gjitha, është nder për ne, që nga prespektiva kësaj radhe e konkurruesit për çmimin Kadare, të jetë kontribues në këtë iniciativë letrare që ne kemi ndërmarrë”. Duke folur për këtë projekt Çili kujtoi se 5-6 vite më pare, menduan që të mos mbetej si një akt i shkëputur letrar, por duke krijuar një lloj konvenjeri që lëviz gjatë gjithë vitit, me sigurinë e dhënies së efektit të parë. “E nisëm me suplementin Mapo Letrare, tek Mapo ëeekend, që prej vitesh vazhdon dhe është një investim i rëndësishëm dhe bën pjesë në dy- tre suplemente kulturore bashkë me Milosaon e Gazetës shqiptare, ose me Rilindasin e Shqiptarja.com. Së dyti, prej disa vitesh kemi angazhuar një numër kritikësh dhe shkrimtarësh si Diana, Çuli, Agim Baçin, Ledia Dushin, Moza Ahmetin etj., me të cilët inkurajuam për të shkruar për librat e autorëve shqiptarë. Sepse çaktivizimi i kritikës, shndërrimi në diçka sporadike ose diçka supermarketing në një farë mënyrë e humbi rolin ndërmjetës që ka kritika për letërsinë. Me dy projekte të tjera, Qendra e Studimeve të Letërsisë Shqipër, “Kadare”, dhe dega e Letërsisë shqipe që po hapim, synojmë ta mbyllim këtë hark, i cili vazhdon vetë. Ka shumë autorë, bota është shumë e madhe, shkëmbimi kulturor është shumë i madh, sa më e gjerë të jetë ky shkëmbim, apo format e argëtimit të njohjes e kulturës, mendoj se aq më shumë e rëndëisshme është që letërsia shqipe të mbetët një objekt i mecenatit, një objekt i mbështetjes, dhe personalisht kam një kënaqësi që ne, të vëmë një buxhet të rëndësishëm në dispozicion për këtë iniciativë, dhe efekti është dhënë. Në katër vite, posaçërisht për këtë çmim janë shkruar 104 vepra letrare. Nuk mendoj se duhet një shifër tjetër për ta quajtur këtë projekt të suksesshëm dhe për të thënë se efekti i tij nxitës dhe konceptimi i tij ia ka vlejtur. Përvoja e këtyrë katër viteve do të na bëjë që në edicionin e pestë, jubilar, të strukturojmë e konsolidojmë këto pozitivitete që ka sjellë ky projekt letrar në Institutin Evropian Pashko”.

Duke u ndalur në prurjet letrare të këtij viti, dhe mendimin se çfarë përfaqëson çmimi Kadare për letërsinë bashkëkohore, studiuesja dhe një nga anëtaret e jurisë në edicionin e katërt, Genciana Abazi, tha: Çmimi Kadare tashmë është kthyer në një ngjarje të rëndësishme kulturore në jetën e shqiptarëve. Këtë e tregojnë jo vetëm librat e shumtë që konkurrojnë për këtë çmim, jo vetëm fakti se shkruhet shqip nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, por edhe sepse, në çmimin Kadare marrin pjesë të gjithë grupmoshat. Kam besimin se shumë shpejt do të kemi autorë që do t’i kalojnë edhe kufinjtë e Shqipërisë, sepse veprat që kanë konkurruar kanë qenë mjaft cilësore. Duke pasur një mjedis të tillë letrar, edhe zgjedhja e fituesit ka qenë mjaft e vështirë dhe ka kaluar përmes debateve, diskutimve, votimi ka qenë në rezultat shumë të ngushtë 3 vota pro, dhe 2 vota për romanin e Vera Bekteshit. Unë mendoj se çmimi Kadare  është në axhendën e shkrimtarëve profesionistë. Ky është tregues i institucionalizimit të këtij çmimi që ka arritur në të gjitha trevat shqipfolëse. Çmimi Kadare e konfirmon Virgjilin si një personalitet në prozën e gjatë shqipe”.

 

Fituesit e edicioneve të kaluara të çmimit Kadare, Shkëlqim Çela dhe Musa Ramadani përshëndesin shkrimtarin Virgjil Muçi të fundit në klubin e fituesve të çmimit Kadare 2018.

Shkelqim Çela: Çmimi Kadare një pikë e fortë për t’i dhënë zemër autorit shqiptar

“Proverbin anglez “Tëo is company, three’s a croëd” do të doja ta përshtasja duke ia ndryshuar kuptimin fillestar në një formë urimi: “Dy janë shoqëri, tre një turmë, katër traditë”. Ose në një pamje më gjeometrike: dy pika bëjnë një vijë, tre një prirje, katër një drejtim të themeluar. Çmimi i katërt Kadare, i fituar nga Virgjil Muçi them se është një çast kur sasia nis e mëton të bëhet cilësi. Kjo jo domosdoshmërisht në kuptimin e cilësisë së veprës letrare – cilësia e veprës letrare është një ngjarje tejet e ndërlikuar, që si një kalë i egër nuk i nënshtrohet parashikimit dhe ndonjë lloj matrice – por të institucionalizimit të domosdoshëm të prodhimit letrar. Ashtu si shteti ka nevojë për heraldikë, prodhimi letrar ka nevojë për tempuj konceptualë. Ata vërtet kanë rrezikun e sëmundjes “mainstream and establishment”, por dobia prej e tyre e tejkalon çdo risk. Për më tepër, duke vazhduar me proverbin anglez, katër bëjnë traditë, por ende jo një dinasti. Le t’i gëzohemi pra momentumit të Çmimit Kadare, i cili nuk e zhgënjen emrin e madh që mbart, sepse po bëhet një pikë e fortë pivotale për dhënien zemër autorit shqiptar. Kjo e fundit, në kohën e librit të supermarketit, të përkthimit përmbytës të autorëve radhiko vetëm pse janë të huaj, bëhet diçka jo vetëm fisnike, por edhe pothuaj misionare. Vetë atmosfera e çmimit, fakti që kemi të bëjmë me dorëshkrime të panjohura, votimi jo unanim, përzgjedhja e përshkallëzuar, mbledhja në vendin aq të bukur Razëm, të gjitha këto e bëjnë ngjarjen përpos të rëndësishme, edhe “cool”. Nuk di se sa mirënjohje publike merr trupi organizues dhe sponsorët e Çmimit, por do të doja t’u shprehja nderimin tim, së bashku me përgëzimet e gjithë finalistëve dhe natyrisht, fituesit”.

Musa Ramadani: Qofshin të bekuar kush vlerëson objektivisht librat dhe autorët

“Të nderuar miq, Simotra dhe sivëllezër të mi letrarë,
Tash një vit më parë pata nderin të pranoj Çmimin e madh letrar “Kadare”, pothuajse çmimi më prestigjioz në hapësirën shqiptare për romanin “Profeti nga Praga”. Sot, në këtë edicionin të radhës,  themeluesit të këtij çmimi, jurisë dhe fituesit iu uroj që ky vit t’iu shkojë mirë e mbarë!
Dhënia e këtij çmimi si ky nga Instituti Europian “Pashko”  dhe Universiteti Europian i Tiranës, si autorit të këtyre rreshtave, nuk ishte vlerësim vetëm për një autor dhe një vepër nga, por për të gjithë sivëllezërit Tuaj dhe të mi letrarë që i lindi, i rriti Prishtina dhe i lexoi e iu dha krahë Tirana.
Prandaj, Çmimi “Kadare” që jep UET, për veprën më të mirë në dorëshkrim, për fituesit, nuk është vetëm përkrahje, shpalim i vlerave letrare e artistike, por edhe  përgjegjësi etike e estetike, një detyrim moral e letrar ndaj lexuesit, që t’i ofrojnë vepra të cilat do t’i mbajë mend gjatë, ashtu si vetë veprat e Kadaresë. Shpresoj se edhe kësaj radhe, me gjithë (s)provat që mund t’iu kenë dalë rrugës,  jam i bindur se juria ka bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme, pavarësisht pse për secilin autor dorëshkrimi është i shenjtë.
Urime drejtuesve të UET  në krye z. Henri Çili!
Urime fituesit të sivjetmë, shkrimtarit të vyer, Virgjil Muçi!
Qofshin të bekuar ata që vlerësojnë objektivisht librat dhe autorët e tyre, sot e për mot!
Me shpirt e zemër,
Sivëllai Juaj letrar,
Musa Ramadani
Prishtinë, 7 qershor 2018”

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PS propozon tryezë Rama-Basha, opozita e refuzon

Reforma zgjedhore bën bashkë PS, PD dhe LSI, që pritet të nisin...
Read More