Çmimi Kadare/ Cilët janë fituesit në vite që ndezën debatin në letërsi

I pari çmim letrar që jepet nën kujdesin e një mecenati në Shqipëri, me një vlerë prej 10 mijë eurosh duke hyrë në edicionin e tij të pestë, ka ngritur të vetmen betejë mbi letërsinë shqipe me dilema shqetësuese: kush fiton, çfarë romani është shkruar, a është letërsi cilësore, a ndan dilemat dhe shqetësimet bashkëkohore mbi shoqërinë shqiptare, a zbulon, sa kohezion përmban, dhe sa përmbush fituesi kuriozitetin e lexuesit, a është libër komercial, modern apo klasik, çfarë kategorie përfaqëson shkrimtari…- duke përfshirë në këto dukuri shkrimtarë e kritikë

Një prej anëtareve të jurisë së çmimit Kadare, prej dy vitesh, poetja e studiuesja Ledia Dushi mbi këtë debat të leximit, shkruan në rrjetin e saj social: “Jam në pritje kambëngulëse të momentit kur do të zhduket përfundimisht shprehja, `unë nuk e kam lexuar filan libër, por mendoj se…`. Fenomeni në fjalë asht shumë ma i randësishëm se emnat, mendoj”.

I pari çmim letrar që jepet nën kujdesin e një mecenati në Shqipëri, me vlerën më të lartë që jepet në fushën e letrave shqiptare, prej 10 mijë eurosh, duke hyrë në edicionin e tij të pestë ka ngritur të vetmen betejë mbi letërsinë shqipe me dilema shqetësuese: kush fiton, çfarë romani është shkruar, a është letërsi cilësore, a ndan dilemat dhe shqetësimet bashkëkohore mbi shoqërinë shqiptare, a zbulon, sa kohezion përmban, dhe sa përmbush fituesi kuriozitetin e lexuesit, a është libër komercial, modern apo klasik, çfarë kategorie përfaqëson shkrimtari…- këto janë të gjitha pjesë e një debati që edhe juritë në katër vite të vënë përballë prurjeve të letërsisë, pothuaj deri tani kanë shqyrtuar 104 vepra shqip, janë përplasur natyrshëm në veton e tyre. Kulmin e debatit dhe përplasjen mes jurisë e pati edicioni i sivjetmë, kur çmimi u vu në kryqëzim mes Vera Bekteshit dhe Virgjil Muçit, dhe fitoi me 3 vota nga 2, ky i fundit. Por jo pa betejë ka shkuar edhe çmimi Kadare, në fituesin e edicionit të tretë, që iu dha shkrimtarit nga Kosova, Musa Ramadani, e para herë që shkonte në Kosovë edhe si çmim letrar, për romanin nga Shqipëria.

Kujtojmë se viti 2017, ka shënuar diagramën më të lartë të vlerësimit të letërsisë, të gjitha çmime nga ente shtetërore (pra me para që burojnë nga shteti), shumë pak private, por pa shpërblime financiare, dhe shpesh të brishta në vlerësimet e tyre për shkak të mungesës së traditës, apo seriozitetit të vlerësimit. Afro 10 çmime letrare janë ndarë vitin që shkoi, duke hyrë ndër vitet rekord, por në asnjë prej tyre nuk ka pasur debat. Madje, janë shterur edhe ato pak shkëndija debati, që shpesh vinte në diskutim çmimin letrar që jepej nga Ministria e Kulturës, ndonëse me shpërblim modest financiar, ajo çfarë e bënte dyshues ishte politika.

Ndërsa me çmimin Kadare autori fitues është drejtpërdrejt përballë lexuesit, edhe pse është një nismë private (kujtojmë e Institutit të Studimeve Europiane “Pashko”) shpërblimi i tij është mes subjektivitetit të debatit: dështim apo sukses! Kur çdo ditë flitet për shterim dhe shqetësim mbi lexuesin, kur hidhen para publike, e mendohet se ndiqet një politikë se si të nxitet leximi, shpesh me deklamime aksionesh të të lexuarit, edhe pse mungojnë bibliotekat dhe rrjeti shpërndarës për librat është dëshmuar fatale, kontekstet shkojnë drejt një debati mbi një libër që merr vëmendjen e mecenatit duke ndërtuar një sistem vlerësimi. Çmimi Kadare, pothuaj në të gjitha edicionet e tij është shoqëruar me debate të forta, qoftë të atyre që janë përfshirë në sistemin e konkurrimit, të garës por edhe jashtë saj. Kjo është ndër rastet e rralla të polemikës që pothuaj ka humbur në vend, e që vjen në kujtesë të papërsëritshme kur historia na çon në vitet ’30- ’40, po ashtu në një fill të brishtë qëndrese janë fillimet e ’90-ës. Kulmin e ka pasur debati Qose-Kadare, por jo në kontekstin që ne përmendim, që lidhet me një autor, me një libër, me një fitues se si zbulohet letërsia e tij, ajo e perspektivës individuale kur është para një gare, siç është çmimi Kadare. Shqetësimi i sotëm në këto debate vazhdon të mbetet leximi.

Është pothuaj fenomen në këto debate që flitet nisur nga premisa jo të veprës, të leximit të saj, por nga premisa gjykuese. Një prej anëtareve të jurisë së çmimit Kadare, prej dy vitesh, poetja e studiuesja Ledia Dushi mbi këtë debat të leximit, shkruan në rrjetin e saj social: “Jam në pritje kambëngulëse të momentit kur do të zhduket përfundimisht shprehja, `unë nuk e kam lexuar filan libër, por mendoj se…`. Fenomeni në fjalë asht shumë ma i randësishëm se emnat…”. Autorët fitues të çmimit Kadare, respektivisht në katër vite janë: Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e Zotit Viktor N.”, Shkëlqim Çela me triptikun “Embriologjia”, shkrimtari nga Kosova, Musa Ramadani me romanin poetik “Profeti nga Praga”, dhe së fundi, Virgjil Muçi me romanin dëshmitar “Piramida e shpirtrave”.

Çfarë dukurish kanë shfaqur këto romane fituese kritika ende ka qenë e paplotë, dhe debati shpesh është bërë apriori, pa lexim të tekstit, por edhe në rastet kur teksti është lexuar gjykimi në ironi ka shkuar për autorin. Raih Ranicki thotë që shkrimtarët e mirë si rregull nuk shpikin ngjarje dhe njerëz. Ndërsa fituesi i edicionit të tretë, shkrimtari Musa Ramadani i pyetur se si një shkrimtar “lufton” për njohje, për librin që të shkojë te lexuesi, shprehej: “Në kohëra të lashta librat publikoheshin pa emrat e autorëve. Ata nuk luftonin për famë, por për lexuesin. Kafka thotë: 1. Nëse 20 -30 faqet e para të ndonjë libri nuk ju pëlqejnë, mos e lexoni atë, dhe 2. Duhet të kalojnë së paku 20 vjet nga humbja fizike e autorit në mënyrë që libri ta bëjë jetën e vet të pavarur”.

Edicioni i parë/ Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e Zotit Viktor N.”

Kur hapi si fitues edicionin e parë të çmimit “Kadare”, 2015, shkrimtari e përkthyesi Rudolf Marku duke dyshuar në konkurrimet letrare tha se “Jam nga natyra skeptik dhe nuk sugjestionohem shumë nga çmimet, jo nga çmimet shqiptare, por as nga ato botërore, por Çmimi Kadare ka një domethënie tjetër. Është i lidhur me shkrimtarin më të mirë të letrave shqipe, shkrimtar që ka rrezatuar e rrezaton kulturë e qytetërim në mjediset shqiptare dhe ka një impakt të jashtëzakonshëm te fjala shqipe. Për mua, është njeri i jashtëzakonshëm. Mendoj se ky çmim ka për të pasur vazhdimësi të gjatë në letërsinë shqipe”. Vetë Romani “Tre divorcet e Viktor N.”, i autorit Rudolf Marku, rrëfen jetën e zymtë të personazhit Viktor N., shqiptarit që prej vitesh jeton në Londër. Në një moment të jetës, ai divorcohet nga bashkëshortja për motive klasike që mund të shtyjnë një çift drejt këtij vendimi. I gjendur në këto kushte, vendos të rikthehet në vendin e tij, që do e çojë në një divorc të dytë, jo ai për motive klasike… Fati apo rastësia e bëjnë të ritakohet me ish të dashurën, të cilën nuk e shihte prej 25 vitesh. Kur kupton që ideja se dashuria mund të kishte po atë zjarr dhe intensitet si vite më parë, është vetëm një iluzion, Viktor N. pëson divorcin e tretë.

Edicioni i dytë, Shkëlqim Çela me romanin “Embriologji”

Mes shtatë pretendentëve për Çmimin letrar të prozës shqipe, ku konkurruan autorë si Bardhyl Londo, Vera Bekteshi e Mustafa Nano, fitues i edicionit të dytë u shpall shkrimtari i ri Shkëlqim Çela, me librin me novela “Embriologji”. Juria e përbërë nga shkrimtarë dhe kritikë, e gjykuan prozën e Shkëlqim Çelës si më të mirën nga prurjet duke synuar nxitjen e letërsisë së të rinjve. Interesi për emrin e këtij shkrimtari pak të njohur në Shqipëri ishte i natyrshëm dhe në fakt dhe historia e tij ishte e veçantë. Ky autor jeton jashtë atdheut, duke hedhur një spirancë raportesh jo të zakonshme si autor i afro dhjetë romaneve në shqip, ku të shumtat i gjen në rekorde digjitale. Lexuesi ka përballë një libër, me tre novela që vijnë organikisht me njëra-tjetrën.

Një raport i përmbysur i ekzistencës së individit që nis me fundin e jetës, e përfundon në fillimin e tij. “Përgjuesit”, “Zbori” dhe “Yjet e (pa) shuar” – krijojnë në mbyllje të tyre një skemë të plotë, të pandara nga njëra tjetra, sa sociologjike po aq dhe antropologjike. Në pasjen e një debati të mundshëm nëse romani lexohej në qarqet letrare, Çela u pat shprehur: “Mua më interesojnë ngjarjet dhe mekanizmat që luajnë prapa tyre. Karakteri apo personazhi si element i veprës nuk është shumë në fushën time të interesit. Po ashtu, kam bindjen se letërsia nuk është ndonjë organ drejtësie dhe as shkrimtari nuk është hetues apo gjykatës. Përshkrimi besnik i pleqve shqiptarë më duket si një detyrim ndaj tyre. S’ka veçse pak ditë që u dënua me burgim 5-vjeçar një ish-gardian nazist në moshën 94-vjeçare. Do të ishte shumë interesant një diskutim mbi këtë ngjarjen e fundit”.

Edicioni i tretë, fitues Musa Ramadani me romanin “Profeti nga Praga”

Shkrimtari nga Kosova, Musa Ramadani ishte fituesi i edicionit të tretë të “Çmimit Kadare” me romanin e tij “Profeti nga Praga”, ndoshta nga edicionet të shoqëruara me debate më të forta, por edhe me përplasjen që pati juria, duke e bërë fitues nga pesë vota, me dy. Menjëherë pas shpalljes së çmimit pati një debat, që lidhej sa me emrin e shkrimtarit, që rezultonte “I panjohur” njerëzit e letërsisë këtu, aq edhe me faktin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë sa i takon letërsisë, normalitetin e kësaj marrëdhënie sidomos pas ’90-ës, ku ende flitet për dy letërsi shqipe, që njohin keq njëra-tjetrën.

Këtij shqetësimi, Ramadani i është përgjigjur: “Kjo është një marrëzi “specialitet” i shqiptarëve dhe absurd kulturor. Ka ekzistuar, ekziston, dhe do të vazhdojë ky proces si një letërsi e pandarë. Ndërsa njohja reciproke është mungesë vullneti, një xhelozi mes dy kryeqyteteve që pretendojnë të bëhen metropole, por herdokur kjo gjendje do të tejkalohet”. Pyetjes si lindi kjo vepër dhe pse një autor, Kafka, çfarë përfaqëson ai në këtë roman, shkrimtari përgjigjet: “Lindi nga dashuria e madhe për të. Është roman (post)modern. Kafka përfaqëson frikën e luftërave botërore, shtypjen e individit, eksodin e popujve të vegjël, dhe vizionaritetin e shekullit 21”. Romani i Ramadanit erdhi në fazën finale, nga selektimi i 36 dorëshkrimeve nga autorë të të gjithë trevave shqipfolëse, ku del fitues mes finalistëve Virion Graçi, Mimoza Ahmeti, Arben Kastrati, Ardian Haxhaj.

Edicioni katërt, Virgjil Muçi me romanin “Piramida e shpirtrave”

Pse zgjodhi një personazh në distancë nga Shqipëria për të ndërtuar një roman, si Piramida e shpirtrave?! Fituesi i edicionit të katërt të çmimit Kadare, Virgjil Muçi, përgjigjet: Kjo ishte mënyra më e mirë për të patur një optikë realiste, jo groteske, jo cinike mbi këtë vend”.

Mark Mara – një shqiptar, që nuk kishte shkelur ndonjëherë në Shqipëri dhe, pikërisht vjen si një bir plëngprishës për të zbuluar “dheun e të parëve” dhe befas shikon diçka që, nga iluzioni zbret në një realitet që dërrmon gjithçka. Ky është personazhi i “Piramida e shpirtrave”, që sheh në distancë, ftohtë, kaosin, njerëzit, shpirtrat e tyre në një nga periudhat më të brishta shqiptare, siç ishte koha e piramidave financiare. Frymëzuar nga Shpirtrat e vdekur, ku Gogoli është një idhull i Mark Marës, rrethuar me personazhë nga më atipikët, që drejtojnë e pyeten në këtë vend.

Ngjarjet dhe karakteret e tyre të duken reale, gati të identifikueshëm me njerëz politikë, dhe në këtë ngasje kemi historitë e rralla, të zullusë shqiptare. Por, edhe këtë vit, beteja për fituesin ka qenë e ashpër, ku juria është përplasur mes dy emrave, Vera Bekteshit dhe Virgjil Muçit. Një çmim që është përcjellë sërish me debate të forta, edhe në media. Përkthyes, kritik e rrëfimtar, Muçi ka treguar se kjo pamje e Shqipërisë në romanin e tij, nuk është bërë pa qëllim: “…Ndoshta kjo lloj esëllsie, ky vështrim realist do të na bënte mirë, për të kuptuar si duhet defektet tona. Duke njohur defektet tona, duke i kuptuar sikurse na i sjellin të huajt, ne ndoshta do çlirohemi nga disa brenga dhe mëkate”.

Romani apo autori?!

Debatet mbi çmimin “Kadare”

Ndoshta çmimi “Kadare” është nga vlerësimet që ka orientuar më shumë debatin drejt letërsisë dhe autorëve të saj, qoftë kritikë për tekstin apo për autorin, apo dhe fjalë vlerësuese, pozicionin e veprës në letërsinë bashkëkohore. Virion Graçi, një prej gjashtë finalistëve të edicionit të tretë të çmimit Kadare, i ka quajtur të dështuar dy autorët e parë fitues të këtij çmimi. “Tre vjet çmimi Kadare. Dy librat fitues të këtij çmimi në dy vitet e mëparshme janë të dy libra të dështuar rëndësishëm, të dështuar në treg, të dështuar në opinionin kulturor- letrar në Shqipëri e në Kosovë. (I pari libër fitues u sulmua ndyrë në vetë entin e tij botues, Mapo, vetëm një javë pas ceremonisë kremtuese dhe.. botimit.) Të shohim e dëgjojmë çfarë ka gatuar i treti, mjeshtri i këtij viti për mjeshtrat e tij sponsorizues”, ka shkruar Virion Graçi në statusin e tij në Facebook.

Reagimi i tij, erdhi menjëherë pasi juria shpalli fituesin e edicionit të tretë të këtij çmimi, shkrimtarin nga Kosova Musa Ramadani. Vetë juria e çmimit Kadare duket se nuk e ka pasur të lehtë edhe këtë vit për të zgjedhur fituesin. Në ceremoninë e ndarjes së çmimit, shkrimtari Ylljet Aliçka, një prej anëtarëve të jurisë, është shprehur se secili ka shijet e tij individuale, e vota është personale, duke lënë qartë të kuptohej se vota e tij nuk kishte qenë për Ramadanin. Një qëndrim joentuziast për çmimin shprehu dhe kryetari i jurisë, Bashkim Shehu, i cili evidentoi faktin që në këtë konkurrim kishte pasur dhe emra autorësh të rinj, që ishin surprizues, një prej të cilëve Rigel Rizaj.

Edhe në edicionin e katërt, shkrimtari Virion Graçi ka reaguar sërish, pas një shkrimi të botuar te “Mapo” nga Edison Ypi, me shkrimin ku e quan librin “Biçim romani të Virgjil Muçit”. Graçi shkruan ndër të tjera në rrjetin e tij social: “Përsëri një kureshti nga gazeta Mapo: boton sot një shkrim tallës, përqeshës, rrënues ndaj librit që para një jave fitoi çmimin e madh letrar që e jep pikërisht enti botues Mapo. E njëjta shfaqe post-çmim ka ndodhur dhe me fituesin e parë të atij çmimi, gati njëkohësisht me daljen ne treg të librit fitues, 5-6 ditë pas shpalljes së vendimit.

Me gazetën Mapo kam bashkëpunuar edhe unë sa herë kam pasur punë që e kanë vendin edhe në gazetë; autorin e shkrimeve (E.Y) e kam mik e njohje të hershme; librat e përqeshur nuk i kam lexuar dhe nuk besoj se do të kem ndonjëherë kohë për t’i lexuar, ndaj dua të di: si është e mundur që produktin final të një pune disamujore, – konkursi në fjalë për të cilin janë harxhuar energji njerëzore, energji krijuese, burime monetare, goditet e shpartallohet pandreqshëm nga vetë investitorët pesë ditë pas promovimit?! Disa mund të thonë se kritika mohuese, përtallëse është kritika më e mirë për të nxitur ethet e lexueseve; mund të thuhet gjithashtu se gazeta Mapo është aq e hapur, liberale ndaj shkrimeve, opinioneve që i vijnë sa lejon edhe shkrime kundër interesave e krijesave të saj….”.

Në shkrimin e tij, të një dite më parë, Edison Ypi shkruan ndër të tjera: “Biçim romani i Virgjil Muçit, si gjithë biçim romanet, nuk të lodh, nuk të shplodh, nuk të mahnit, nuk të magjeps, nuk të bën të ëndërrosh, nuk të qartëson, nuk të turbullon, nuk të çon kurrkund, nuk të sjell prej askund, nuk të djersit, nuk të freskon, nuk të ankthëson, nuk të relakson, nuk të thur, nuk të shthur, nuk të sëmur, nuk të shëron, nuk të bën të qash, nuk të bën të qeshësh, nuk të bën të kujtosh, nuk të bën të harrosh, nuk të mbron, nuk të sulmon, nuk të entuziazmon, nuk të zemëron, nuk të shtyn, nuk të tërheq, edhe nëse e lexon edhe nëse nuk e lexon, edhe nëse ekziston, edhe nëse nuk ekziston. Biçim romani i Virgjil Muçit nuk të bën asgjë sepse biçim romani i Virgjil Muçit nuk është shkruar për t’u lexuar.

Biçim romani i Virgjil Muçit është shkruar vetëm për t’u promovuar, vetëm për t’u llafosur si sukses i padiskutueshëm, si vepër me vlerë, si kryevepër e pashoqe…Me bindjen se nuk mund të ketë roman ku asgjë nuk ndodh, vazhdon lexon biçim romanin e Virgjil Muçit me shpresë se pas ca faqesh pas ca kapitujsh gjithsesi diçka do ndodhi. Gabohesh. Përveç episodeve banale me përplasje gotash dhe batuta pijanecësh që ndodhin mijëra herë çdo ditë nëpër hotelet dhe kafenetë e Shqipërisë, në biçim romanin e Virgjil Muçit nuk ndodh asgjë tjetër. Në biçim romanin e Virgjil Muçit diçkaja që pritet të ndodhi, duke bërë shumë kujdes për të mos u shfaqur, ndërron vazhdimisht skutën ku është fshehur”. Janë këto disa radhë që kanë shkaktuar reagimin të menjëhershëm në rrjetet sociale, edhe pse libri nuk është lexuar, nga pjesa tjetër e komentuesve.

Para pak ditësh, në gazetën “Mapo”, shkrimtari Bashkim Shehu, kryetar i jurisë së çmimit Kadare në edicionin e tij të tretë, hap debat duke bërë publike disa sugjerime mbi procedurat e dhënies të këtij vlerësimi letrar në të ardhmen, ku ndër të tjera është shprehur se: “bazuar te kjo përvojë, po edhe te përvoja të tjera pjesëmarrjeje në juri, mendoj se në procedurën e dhënies së Çmimit Kadare mund të bëhen një sërë përmirësimesh. Së pari, mendoj se periudha e pranimit të teksteve që konkurrojnë duhet të fillojë më herët nga sa ka filluar gjer tani dhe të mbyllet më herët nga sa është mbyllur gjer tani. Ky ndryshim kalendarik do t’i jepte mundësi çdo anëtari të jurisë të lexonte më me nge dhe, si rrjedhojë e vetëkuptueshme, të jepte vlerësime më të peshuara për çdonjërën nga veprat.

Së dyti, gjithashtu në funksion të një gjykimi sa më të peshuar, mënyra e dhënies së vlerësimeve mund të ndryshojë. Kësisoj, në vend që vlerësimet, sikurse gjer tani, të jepen duke përzgjedhur tre ose pesë vepra si finaliste dhe pastaj duke përzgjedhur prej tyre veprën fituese, mund të jepen duke vlerësuar çdo vepër në një shkallë numerike nga zero deri në pesë pikë, ndoshta duke përdorur edhe decimalet. Në të njëjtën kohë, kjo mënyrë vlerësimi, ngaqë është më e ndërlikuar, do t’i pakësonte gjasat e ndikimeve të ndërsjella midis anëtarëve të jurisë: fundja, njerëz jemi dhe gjasa të tilla gjithmonë ekzistojnë. Së treti, për të kundërpeshuar sa të jetë e mundur atë subjektivitet që, përderisa jemi në fushën e shijeve letrare, është i pashmangshëm, për mendimin tim do të ishte mirë që të shtohej numri i anëtarëve të jurisë.

Dhe, së fundi, çka më duket edhe më e rëndësishmja: më e mira do të ishte që anëtarët e jurisë të mos i dinin emrat e autorëve të veprave që lexojnë, as titujt e veprave, gjersa të përfundojë votim…”. Çmimi Kadare, është vetëm një pjesë e një katërkëndëshi, ku përshihet Qendra e Studimeve Letrare “Kadare”, Ditët Letrare të Razmës ku shpallet çmimi letrar, dhe hapja e një dege për “Shkrimin Krijues (Creative Writing) në UET. Ndërsa suplementi i fundjavës në gazetën Mapo, “Mapo Libri” i kushtohet vetëm letërsisë.

Motivacionet e çmimeve

Tre divorcet e Viktor N., Rudolf Marku (2015): “…një shkrimtar që i qëndron maratonës së kohës, që është e vetmja gjë e pazëvendësueshme, e patjetërsueshme, e pakorruptueshme…”.

Embriologji, Shkëlqim Çela (2016): “Për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që iu garanton këtyre tri novelave dhe autorit, një hyrje në letrat shqipe”.

Profeti nga Praga, Musa Ramadani (2017): Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”.

Piramida e shpirtrave, Virgjil Muçi (2018): “Për mënyrën se si ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor. Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar me përshtatjen e pafundme”.

Juria në vite:

2015

Artur Zheji

Gilman Bakalli

Gentian Çoçoli

Ylljet Aliçka

Preç Zogaj

Virgjil Muçi

Alfred Lela

2016

Diana Çuli

Gilman Bakalli

Ylljet Aliçka

Rudolf Marku

Preç Zogaj

Agim Baçi

Alfred Lela

2017

Bashkim Shehu

Ylljet Aliçka

Mirela Oktrova

Agim Baçi

Ledia Dushi

2018

Kim Mehmeti

Ledia Dushi

Genciana Abazi

Agim Baçi

Eni Vasili

Shkruar Nga
More from Redaksia Read More