Communist Hangover



Besart KadiaNga Besart Kadia

Në numrin e fundit të Foreign Policy, ekonomistë të ndryshëm flasin për rritjen e ulët ekonomike që do të kalojë bota në vitet e ardhshme. Aq shqetësuese është kjo situatë, ku inovacioni teknologjik nuk është me aq ndikim sa në vitet e mëparshme në prodhim, sa numri i revistës titullohej “Si të mbijetosh në rritje ekonomike të ulët?” Kjo pyetje iu adresohet praktikisht të gjitha shteteve në botë dhe konkurrenca është e fortë. Në këtë debat të rëndësishëm, një ekonomist i huaj po mundohej ta përkufizonte situatën ekonomike në Shqipëri, duke bërë pyetje të tilla si: A është ajo një vend në zhvillim si Kina? Jo tamam, ishte përgjigja. A është ajo si Greqia me turizëm të zhvilluar? Jo tamam, ishte përgjigja. Por, mirë, vazhdoi ai, a nuk mendoni se zhvillimi i Shqipërisë është si Kosta Rika që ka bujqësinë kryesore dhe për shkak të lirisë ekonomike, ka mundur të thithë investime të huaja direkte? Jo tamam, ishte përgjigja.

Në Shqipëri, ne kemi 48% të popullsisë që jeton në zonat rurale dhe ofron vetëm 18% të PBB-së. Me këto të dhëna, ne shohim lehtësisht rendimentin e ulët të këtij sektori në vend, i cili mbulon papunësinë e fshehur duke mos e bërë të ngjashëm as me një vend tjetër që synon të zhvillojë sektorin bujqësor. Ne nuk kemi rritje ekonomike dyshifrore si Kina dhe në pesë vitet e fundit motorët e ekonomisë janë fikur. Një vend në zhvillim ose siç njihet në literature “emerging markets” karakterizohen nga rritje ekonomike e lartë dhe nga lëvizje e lartë e popullsisë, nga zonat rurale drejt zonave urbane. Shqipëria ka përjetuar kryesisht migrim për arsye strehimi dhe jo detyrimisht si rezultat i industrializmit të zonave urbane. Ndaj nuk jemi të ngjashëm as me Kinën. Ne nuk kemi lehtësuar sipërmarrjen nga burokracitë dhe jemi akoma të frikësuar nga shteti për fuqinë e tij në vendimmarrje ekonomike (kryesisht nëpërmjet praktikave korruptive).

Ju jeni akoma në “communist hangover” ishte përkufizimi i dhënë prej Britanikut. Që e përkthyer në shqip do të thotë që keni akoma të njëjtën pritshmëri të shërbimeve shtetërore si në kohën e komunizmit. Ku shumë prej njerëzve presin akoma që vendet e punës të hapen nga shteti dhe që të punësohen nga partitë politike. Në këtë ekonomi, vendimmarrësit janë aq arrogantë sa marrin vendime të njëanshme në kurriz të bizneseve dhe nuk ndryshojnë politikat ekonomike dhe kur ato nuk janë konkurruese.

Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë vijon të shihet si një inerci e “big-bangut” të vitit 1991 dhe që atëherë u krijua arkitektura e re rendit shoqëror që synon të jetë kapitaliste, por që është e frenuar nga gjykatat, nga e drejta e pronësisë, nga korrupsioni etj.

Për të kuptuar më mirë këtë model të “communist hangover”, mund të japim tri shembuj të thjeshtë, nga java e shkuar në Shqipëri.

Në lajme na u tha që ministri i Financave Ahmetaj ndodhet në Kosovë, për një takim me autoritetet atje, në prag të takimit të dytë ndërqeveritar. Çfarëdo gjëje që të duan të arrijnë nga koordinimi qeveritar, nuk mund të arrihet më mirë sesa po t’ua linin këtë gjë qytetarëve të dy shteteve, kryesisht duke harmonizuar politikat ekonomike, pasi Shqipëria dhe Kosova kanë nivel taksash dhe standarde certifikimi të produkteve të ndryshme. Por ne mendojmë se nëpërmjet disa vendimeve qeveritare, mund të nxisim shkëmbimin tregtar mes shteteve, duke anashkaluar këto pengesa reale të sipërmarrësve.

Së dyti, fajtorit i kërkohet të gjejë zgjidhje. Para një jave, Rezultatet e Sistemit të Monitorimit të Korrupsionit në Shqipëri, 2016 tregojnë se 1 në 2 qytetarë shqiptarë në moshë madhore pranon se në mënyrë te drejtpërdrejtë ose të tërthortë i është kërkuar ryshfet nga zyrtarët publike (49.6 %). Kjo tregon përkatësisht një përkeqësim me rreth 5%, në krahasim me studimin e 2014-s. Nga ana tjetër, të pyetur nëse mendonin se mund të bëhet diçka për të ulur korrupsionin nga ana e qeveritarëve, 74% e qytetarëve pohonin se kjo nuk mund të arrihet. Por pavarësisht kësaj, ekspertë dhe qytetarë diskutojnë se çfarë mund të bëjë qeveria për të ulur korrupsionin. Nuk e shohin që rritja e numrit të ministrive në 21, rritja e monitorimit, rregullave dhe gjobave çoi në përkeqësim të nivelit të korrupsionit. Ata sërish pyesin çfarë mund të bëjë qeveria për këtë gjë!

Pak prej nesh e dinë se jetët tona drejtohen, manipulohen dhe kontrollohen nga politikanë dhe burokratë. Ata mund të bëhen aq shumë pjesë e jetës sonë, sa do të na duhej përpjekje për ta vënë re, sidomos kur jemi në “communist hangover”.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Skandali në kopsht, rrëfimi i dhunueses: E rraha fëmijën, pastaj e përqafova

Administratorja dhe pronarja e kopshtit privat “Diren” Anjeza Shabani rrëfen para hetuesve...
Read More