Cool Germany

Gjermania po bëhet më e hapur dhe e larmishme. Me lidershipin e duhur, mund të jetë një model për Perëndimin

Qysh prej rënies së Murit të Berlinit, Ampelmännchen, gazmori me kapele “burri i dritës së vogël të trafikut” i Gjermanisë Lindore komuniste, iu është arratisur rrënjëve të tij diktatoriale për t’u bërë një ikonë ekscentrike e kryeqytetit trendi të Gjermanisë. Turistët pozojnë me modelet në përmasa njerëzorë dhe rrëmbejnë relikte nga dyqanet e suvenireve.

Hijeshia e çuditshme e Ampelmännchen –it, është një simbol gjithnjë e më i gjetur i vendit ashtu edhe i kryeqytetit. Gjermania po hyn në një epokë të re. Po bëhet më e larmishme, e hapur, informale dhe moderne.

Në pamje të parë ky duket një sugjerim i qortueshëm. Gjermania e kryetitujve të gazetave ndërkombëtare është një shtet me qytetarë në ankth dhe politikë në stanjacion.

Angela Merkel është liderja politike më jetëgjatë, një grua që mishëron maturinë tradicionale gjermane. Zgjedhjet e shtatorit të shkuar panë një rritje në mbështetje për partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD); iu desh znj. Merkel gjashtë muaj për të mbledhur bashkë një koalicion të ri, pa shkëlqim. Për vëzhguesit e huaj konservatorë, Gjermania është legjendë për një politikë të guximshme refugjatësh; për të tjerët është shteti që i ka shtrënguar europianët jugorë në borxhe.

Por në një këndvështrim më të gjerë, Ampelmännchen –i mbërthen mënyrën sesi Gjermania po ndryshon. Historia gjermane e pasluftës ka lëvizur në cikle prej afro 25 vitesh. Së pari, erdhi epoka e rindërtimit. Pastaj, nga fundi i viteve ’60, republika federale nisi t’i bëjë llogaritë sinqerisht me fajet e saj të luftës. Në fazën më të fundit, prej viteve 1990, Gjermania u ribashkua, u bë sërish një vend normal dhe hoqi disa nga vargonjtë e së kaluarës. Tani rrotat e historisë po kthehen edhe njëherë. Epoka Merkel po vjen drejt një mbylljeje. Shumë nga tiparet përkufizuese të vendit – homogjeniteti etnik dhe kulturor, shoqëria konformiste dhe konservatore dhe hezitimi për të treguar peshën e vet në diplomacinë ndërkombëtare – janë befas në ndryshim.

Sinjale premtuese

Ndryshimi më i madh vjen nga politika e “derës së hapur” të zonjës Merkel kundrejt refugjatëve, që solli 1.2 milionë emigrantë të rinj në periudhën 2015-2016. Kjo e konfirmoi sërish shndërrimin e Gjermanisë njëherë e një kohë homogjene në një përzierje kulturash.

Një identitet më përfshirës po lind – një shtet që ka pritur deri në vitet 2000 për të zgjeruar shtetësinë te shumë nga ata pa paraardhës të lindur po përkufizon gjithnjë e më shumë kombësinë në terma civilë më shumë sesa etnikë. Një kulturë patriarkale është bërë më e balancuar sa i përket gjinisë: përqindja e grave në moshë pune, të punësuara, është rritur nga 58% në 70% në 15 vitet e fundit. Gjermanët po divorcohen më shumë e po martohen më pak. Edhe firmat e Mittelstandit po përshtatin teknologji si inteligjenca artificiale. Duke mos ndërmarrë asnjë operacion të huaj ushtarak në gjysmën e shekullit deri në vitin 1999, Gjermania ka dërguar trupa në Mali, Afganistan dhe Lituani.

Kjo po shkund një shoqëri që ka lëvduar për shumë kohë stabilitet –hapja kulturore ndahet mes atyre që përqafojnë Gjermaninë e re dhe ata që janë të dëshiruar për atë të njohurën; mes votuesve urbanë dhe ruralë; mes të rinjve dhe të vjetërve. Urgjenca e një brezi të ri për më shumë ligjbërës luftarakë, mbërritja e AfD-së në Bundestag dhe beteja mbi drejtimin e ardhshëm të Kristian Demokratëve të Znj. Merkel janë duke ushqyer debat rreth identitetit të vendit.

Rezultati do të përcaktojë të ardhmen e ekonomisë më të madhe të Europës. Do të ketë kuptim gjithashtu edhe përtej kufijve të Gjermanisë. Vendi po ndeshet me rritjen e një shoqërie më plurale, në kohën ku shumë të tjerë po bëjnë të njëjtën. Gjermanët janë të moderuar në temperament dhe, falë historisë së tyre, veçanërisht të ndjeshëm ndaj rrezikut të demagogjisë.

Mënyra sesi ata e menaxhojnë tranzicionin e vendit të tyre mund të bëhet shembull për të tjerët.

Në shtëpi, Gjermania e re i ka zgjidhur problemet e saj ekonomike pas ribashkimit dhe po lulëzon, por gjithashtu po plaket shpejt; grupmosha më e përhapur është nga 50-54 vjeç. Ruajtja e mirëqenies kërkon reforma afatgjata.

Aksesi në internet është fragmentar dhe i ngadaltë; rrugët dhe klasat mund të jenë çuditërisht të vjetruara; një lëmsh shiriti i kuq kufizon industritë e shërbimit; dhe nën znj. Merkel mosha e pensionit ka rënë për disa dhe së shpejti do të jetë më e ulët se në Francë. Dyndja e të sapoardhurve në Gjermani mund të ndihmojë në zbutjen e brejtjes demografike, veçanërisht nëse procedurat e emigrimit janë të efektshme, edukimi përmirësohet për të thyer lidhjen e ngushtë mes prejardhjes dhe rezultateve dhe profesionet rreptësisht të rregulluara gjermane bëhen më të aksesueshme.

Jashtë vendit, Gjermania e re mund gjithashtu të bëhet një lloj i ndryshëm pushteti. Mbetet në mënyrë frustruese e prirur ndaj një botëkuptimi të një shteti të vogël: hezitues për të shpenzuar mjaftueshëm në mbrojtje, për të përballuar çekuilibrat e shkaktuara nga surpluset e saj në tregti dhe për të pranuar më shumë ndarje të barrës në zonën euro. E megjithatë ka shenja lëvizjeje. Nën presionin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, me hezitim do të pranojë disa lëvizje drejt integrimit të zonës euro, megjithëse do të jenë thjesht përpjekje dhe këto të pamjaftueshme. Brishtësia e Gjermanisë drejt ndërprerjes së tregtisë e bën një broker të natyrshëm në epokën e luftërave të tarifave. Muajin e kaluar, ministri i saj i ekonomisë ndihmoi për të bindur Shtëpinë e Bardhë të pezullonte detyrimet e planifikuara të çelikut dhe aluminit te BE-ja dhe aleatët e tjerë.

Ndërkohë, kriza e refugjatëve po zgjeron horizontet gjermane. Në kulmin e saj, Znj. Merkel kërkoi një hartë me zona për të nënvizuar kufijtë e vërtetë të Gjermanisë: Afrika e Veriut, Ukraina dhe Turqia. Pastaj në samitin e vitit të fundit të G20 në Hamburg, kancelarja parapriu një “Marrëveshje me Afrikën” për të përshpejtuar zhvillimin dhe përmirësuar qeverisjen në kontinent. Megjithëse e ekzagjeruar dhe nën financuar, jep një shenjë të rolit mbledhës dhe stabilizues që një Gjermani e normalizuar mund ende të luajë.

E gjelbër për të kaluar

E gjithë kjo e bën personazhin e pasardhësit të Znj. Merkel shumë të rëndësishëm. Stili i saj i pakundërshtuar dhe reaktiv i ka shkuar për shtat kohëve të saj. Por një Gjermani e re kërkon një lloj të ndryshëm kancelari: proaktiv në shtëpi, ambicioz përtej dhe me aftësitë për të bindur votuesit gjermanë për kauzën e kësaj ambicieje.

Me lidershipin e duhur, ka pak dyshim ndaj kapacitetit të vendit. Vetëm në fazën e saj të fundit historike ka përthithur Lindjen ish-komuniste sklerotike, ka kapërcyer krizën ekonomike në fillim të viteve 2000, ka pranuar mbi 1 milion emigrantë të varfër dhe të dëshpëruar dhe ia ka dalë. Tani, ashtu si edhe në të kaluarën, mund të ishte një gabim të nënvlerësoje Gjermaninë. Ashtu si Ampelmännchen-i, ka një zotësi për t’u rishpikur.

*Marrë nga The Economist

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Si na erdhi ai, i ndaluari”

Shkrimtari Visar Zhiti, në librin e tij më të fundit “Si na...
Read More