Danish Jukniu dhe grija që përballoi blunë

Aventura koloristike e Danish Jukniut te vepra “Barinjtë në bjeshkë”, 1978, realizuar në kohën e Realizmit Socialist

Nga Besim Tula

Beteja bëhet në mes mimesit, ndjesisë, mendimit dhe interpretimit, ku çdonjëra ka fuqi në vetvete, por që duhet të bëheshin një duke ruajtur ekuilibrat mes tyre. Një autoritet në gjykimin e vlerave artistike, studentët dëshironin mendimin e tij. Vepra “Barinjtë në bjeshkë”, 1978 e Danish Jukniut, është një pikturë me tingull romantik e bashkuar me rregullat e një vepre të pranueshme për kohën, por dhe një aventure e mprehtë profesionale, që është shkaku i këtij shkrimi. Danishi ishte pjesë e artistëve që shiheshin disi të infektuar nga borgjezia me nofkën “pollaku”, sepse kishte bërë studimet në Poloni, vendi më afër perëndimit nga ato të demokracive socialiste si dhe gruaja e tij ishte polake. Për vërtetësinë e nofkës (që kishte brenda dyshimin) e provon dhe transferimi në Shkodër. Në shikimin e parë të veprës të josh blu kobalti i qiellit, i fortë, i pastër dhe plot dritë. Por jemi para një antirregulli për kohën, kjo ngjyrë rrëmbenjëse është në sfond dhe e vendosur në pjesën e sipërme të veprës. Dy kapriço kompozicionale. Për një piktor minimalist apo konceptual marrëdhënia e blusë me sfondin do të ishte dhe fundi i veprës. Më e rëndësishmja ishte thënë. Syrit nuk ke përse t’i vësh pengesa të tjera të cilat konkurrojnë kryesoren. Në vepër kemi dhe imazhe të tjera: barinj me guna gri që iu bien fyejve si dhe male madhështore me ndriçim të qartë. Autorit i dilte detyra të arrinte barasvlershmëria e dy pjesëve të tablosë: blu kobalti të qiellit që ishte në sfond dhe ngjyrës gri të veshjeve të figurave, por që këto duhet të dukeshin të parat. Ishte një rokadë jo normale vlerash koloristike. Një ushtrim mjaft i koklavitur. Përballë blusë kemi grinë. Grija kur ka konkurrente blunë ulet disa shkallë më poshtë si zë koloristik i së ftohtës, duke u bërë më e ngrohtë dhe më e shurdhët. Tabloja do të ishte për kohën e papranueshme pasi barinjtë, figurat kryesore, përfaqësohen nga një ngjyrë me zë të ulët.

Impresionistët e përjashtuan të zezën sepse i ngatërronte në shkallën kromatike si një zë në vete. Dhe kjo pat një arsye. Në krahun e ftohtë të ngjyrave ajo nuk mund të përballonte tingujt e nuancave që dilnin nga kombinimi i ngjyrave spektrale. George Clemenceau, President i atëhershëm i Këshillit të Ministrave të Francës, me një gjest elegant ngriti flamurin që mbulonte arkivolin e mikut të tij Claude Monet dhe duke ngritur zërin tha: “Jo! Nuk pat ngjyrë të zezë për Claude Monet! E zeza nuk është ngjyrë! Ai e zëvendësoi atë me një ngjyre cretonne me të cilën pikturoi lulet”… Ndërsa Renoir thotë të kundërtën: “E zeza është mbretëresha e ngjyrave”. Danishi e pranon të zezën dhe me kujdes e fut ne formacionin koloristik duke i dhënë gati një vend të barasvlershëm me blu-kobaltin. Këtu fillon dhe aventura koloristike e tij. Kjo të shtyn që ta kuptosh veprën edhe si një produkt kultural. Siç dihet për filozofët, estetët, analistët, studiuesit etj., puna e piktorit ka qenë një material shumë interesant për studim pasi ai është një njeri që krijon imazh dhe e ngjyros atë. Po ta ndjekësh nga se udhëhiqet piktori kur ngjyros veprën mund të mos e kuptosh. Çfarë ndodh në këtë proces? Për këtë enigmë ja si shprehet J. Gasquet, poet dhe kritik arti francez, autor i librit biografik “Cezanne”, ku ndër të tjera ai shkruan për Sezanin: “Ajo që dua të provoj t’ju përkthej është misterioze dhe ngërthehet me rrënjët e qenies duke rrjedhur nga burimi i paqartë i ndjenjave”. Estetët apo filozofët nuk janë ndalur për studim as te skulptura, grafika, instalacioni, video apo performancë etj., pasi këto kanë pjesë të gatshme apo të prodhuara ku nuk është tërësisht identiteti i krijuesit në realizimin e imazhit. Piktura e ka tërësore këtë. Atëherë cila është enigma e kësaj vepre? Duke iu rikthyer edhe njëherë thelbësores së veprës d.m.th. blu-kobaltit na lind pyetja: Ka qenë parësor subjekti apo ka qenë pretekst për të realizuar këtë ndjesi të blu-kobaltit, hapësirës sublime, ndriçimit? Nga raporti midis idesë kryesore dhe zhvillimit të saj ka qenë magjia e blu-kobaltit goditja emocionale që ka ndjerë artisti. Risia, në këtë rast ngjyra blu, ka ndezur magjinë dhe i ka dhënë veçanti veprës, por ama risia si pjesë e patrajtuar më parë sjell me vete probleme. Janë dritëhijet e së panjohurës që krijohen në përshtatjen e saj me pjesë të ndryshme të veprës. Ai i kalon me sukses në saje të inteligjencës dhe të dhënave natyrale. Për çdo vizitor që ka parë bjeshkët tona është impresionuar nga vëllimet e relievit malor ku raporti njeri-hapësirë është një gjë pothuaj e papërfytyrueshme pa e parë realisht. Është një ndjesi e së madhërishmes. Njeriu ndihet i vogël. Marrëdhënia botë-trup dhe trup-shpirt te Danishi ka patur një rezonancë të fortë. Ai tërhiqej nga kapriçot e relievit duke i ndjerë si strukturë emocionale. I përdor me fantazi në disa vepra të tij, si p.sh. “Në hidrocentral” është vepra jonë e parë ku thellësia u bë e sheshtë duke përdorur shprehje të vëllimeve kubiste. Apo krijimi “Dita e poezisë”, ku hapësira është ndjesi jo thellësi. “Immanuel Kant provoi të realizonte një vijë të qartë ndarëse mes hapësirës si përvojë e mjedisit të jashtëm dhe gjërave të përftuara nga kjo eksperiencë. Nuk bëhej fjalë, si zakonisht, për një lidhje formë-përmbajtje, pasi ky raport është vetëm midis objekteve, as dhe të një lidhje brendashkruese si ai midis individit dhe klasës, sepse hapësira është e para në të ashtuquajturat pjesë, të cilat janë gjithmonë të shkëputura prej saj. Hapësira nuk është vendi (real ose logjik) ku vendosen objektet, por mjeti përmes të cilit vendndodhja e gjërave bëhet e mundur”. (Maurice Merleau-Ponty, Phénoménologie de la perception. p. 299). Dhe Danishi e përdori këtë veti të hapësirës me mjaft mjeshtri.

Subjektit narrativ ne artet vizuale me krijimin e abstraksionizmit ju ul vlera. Edhe ngjyra në vetvete krijon subjekt. Tingulli i blu-kobaltit është i mjaftueshëm për të argumentuar cilësitë e tij se përse artisti i jep zë` prej solisti. Jukniu, i detyruar nga pozicioni real i qiellit e vendos atë në pjesën e sipërme të veprës duke prishur rregullin tradicional të kryesores në kompozim, e cila u largohet anëve të katërkëndëshit duke pëlqyer afrimin drejt qendrës. Aq më tepër të jetë në sfond. Edhe njëherë ky rrezik argumenton se midis subjektit dhe pretekstit ky zgjodhi zotërimin e pretekstit, d.m.th. ndjesinë kolorisitike. Në veprën e tij “Barinjtë në bjeshkë” shtroi një problem që e zgjidhi me profesionalizëm. Megjithëse u realizua në kohën e diktaturës, arriti të tregojë një pjesë të mirë të bagazhit artistik. Figurat, pa dyshimin më të vogël, duhej të tingëllonin kryesore. Pa to vepra nuk do të vlente. Në lojë hyn grija e figurave që është në mase më të madhe. E vetme kjo nuk do të mund të arrinte të krijonte balancën. Danishi e jep zgjidhjen. Me hapa të matura futet e kuqja. Fillon butë me të kuqen e ftohtë te pushka, pastaj duke u përhapur me kujdes te fytyrat, i rrit zërin në pjesë të ndryshme të veshjeve duke arritur kulmin te brezat. Balanca u bë. Pjesa e blusë i përket emocionit të artistit, e cila godet menjëherë dhe përballë saj ndërhyn grija që fillon dhe fuqizohet me të kuqen për t’u baraspeshuar. Kjo zgjidhje do të thosha që i përket arsyetimit, zgjuarsisë, autokontrollit. Karakteristikë e veprës është dhe interpretimi me një penelatë të kujdesshme, e cila e mbështjell gjithë sipërfaqen e veprës duke i dhënë asaj një thurje, që për nga freskia të krijon ndjesinë e alla prima. Ajo modelon nga një zonë te tjetra pa dëmtuar tërësinë. Do të ishte e pamundur që në një format aq të madh duke përdorur një sasi të konsiderueshme nuancash koloristike të mos gabojë artisti. Danishi realizonte etyde të përfunduara, që kur të ekzekutonte veprën atëherë probleme të ndryshme të ngjyrës, vizatimit, hapësirave, ritmit të vijave etj., të mos i dëmtonin prekjen e parë të penelatës. Një prej etydeve në format të madh, që ishte pothuaj si origjinali, u ekspozua në GKA. Pjesë të mjeshtërisë ne do t’i diskutojmë deri aq sa mund të deshifrojmë ndjesitë e artistit, pjesa tjetër është e fshehur me humbjen e artistit. Kështu e ka imazhi. Në këtë vepër kam një dyshim për ngjyrën e tokës ku mbështeten figurat. Ajo e dobëson balancën mes pjesëve lart dhe poshtë. Po ta shikosh nga afër atë zonë duket se autori ka bërë dhe ndërhyrje të duhura koloristike, por që pastaj i ka fshirë. Kushti i ekspozimit në atë kohë kërkonte që të ndihej toka si garanci mbështetjeje për figurat…

*piktor

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Diplomati izraelit në UET: Vota e Shqipërisë kundër, nuk e ka zemëruar Izraelin

Diplomati izraelit në takimin e klubit të librit me studentët e Universitetit...
Read More