“Dardha e ka gishtin mbrapa…”

Në raport me qytetarët, ndjesat publike të Kryeministrit kanë qenë me bollëk, për ngjarje nga më të ndryshmet. Më e fundit është ndjesa pas protestës në Rrugën e Kombit. Ky gjest nuk pritet të jetë i fundit prej tij. Çështja që mbetet për diskutim është se nga e thëna në të bërë, në ndërgjegjen e kryeministrit mbetet ende një hendek i madh

Që ndjesa ka efekt në publik veçanërisht kur ajo artikulohet nga njerëz të pushtetshëm, kjo nuk ka asnjë dyshim. Përcjellja e një mesazhi të drejtpërdrejtë dhe publik se mëson prej gabimeve, është një gjest që zbut jo pak tensionet e çastit, mllefin apo dufin e njerëzve. Këtë e ka mësuar mirë edhe kryeministri Edi Rama si mjeshtër i fjalës, që prej ardhjes në pushtet në vitin 2013.

A ju kujtohet debati për armët kimike? Vetëm pak muaj pas ardhjes në pushtet (në vitin 2013), Kryeministri Rama, në një dalje aspak të qetë, përballë një sheshi të mbushur tumllaz nga qytetarët, përcolli një formë ndjese duke i shpjeguar popullit të çapitur dhe të dezinformuar për armët kimike, se nuk kishte informuar sa duhej. Debati u mbyll, por ndjesat e kryeministrit vijuan.

Fillimisht në raport me ndërkombëtarët. Si për ta pasur më të lehtë me të kaluarën, që nuk i përkiste atij, Rama në 2013 i kërkoi ndjesë Gjermanisë se marrëdhëniet mes këtij vendi dhe Shqipërisë nuk ishin aty ku duhej. Tre vite më vonë, Rama (sërish jo për faj të tij) do t’i kërkonte ndjesë publike Italisë, për disa veprime të Prokurorisë lidhur me skandalin e përgjimeve. Edhe në një takim (me rastin e marrjes së detyrës së Hashim Thaçit si President) Rama do t’u kërkonte falje pushtetarëve kosovarë, jo për ndonjë cenim marrëdhëniesh, por për veshjen e tij jashtë protokollit.

Në raport me qytetarët, ndjesat publike të kryeministrit kanë qenë më bollëk, për ngjarje nga më të ndryshmet. Në dhjetor 2015, Rama u kërkoi ndjesë të gjithë atyre që ishin prekur nga dekorimi i persekutorëve të regjimit komunist, ndër ta edhe torturuesit të At Zef Pllumit me të cilin Rama ka pasur edhe njohje personale.

Kryesisht, ndjesat e tij fokusohen në çështje të prekshme dhe të debatueshme. Jo më kot, bash në fillim të vitit 2017, Rama u premton shqiptarëve se ai vit do të ishte i mbarë për shqiptarët, sa i përket drejtësisë. “Ndjesë kush ka rënë viktimë e drejtësisë dhe kujtdo që është përballur me padrejtësi”, – tha ai. Fenomeni nuk u ndal, por ndjesat vijuan.

Në qershor të vitit 2017, në prag të zgjedhjeve parlamentare, Rama kërkon falje për një deklaratë të pazakontë të bërë në një tubim elektoral nga Kuçova, kur ftoi policinë që pas pune t’i bashkohej fushatës për të mbledhur vota për Partinë Socialiste.

Me fitoren e zgjedhjeve parlamentare, ndjesat përvijojnë dendur kryesish në fillim të ditëve për politikën e tollovisë. “…Unë ju kërkoj ndjesë nëse ju kam lënë përshtypjen jo të mirë…”. Ishte një nga ndjesat e kryeministrit në fillim të një dite të gjatë, por edhe reflektuese. Për debatet kryesisht banale në Kuvend (pjesë e të cilave ka qenë edhe ai vetë), Rama përcjell ndjesa konstante qysh prej vitit 2014. Së fundmi, në një takim ditën e mësuesit, Ramës i goditi fjala. “Unë dhe raca ime e politikanëve, sidomos çdo të enjte, nuk ju ndihmojmë aspak në kryerjen e misionit tuaj thelbësor, që është jo vetëm të përgatisni njerëz të ditur, por dhe të edukoni qytetarë të mire”. Por e nesërmja vijon me të njëjtin ritual në politikë dhe Kuvend.

Ndjesat publike nuk mungojnë edhe ndaj medias, sigurisht jo asaj shqiptare të cilën vijon ta quajë kazan. Në nëntor të vitit të kaluar, Edi Rama kërkoi ndjesë publike për ofendimin që u bëri gazetarëve të emisionit investigativ “Le Iene”. “…Kam bërë gabim pa dashje, dhe e pranoj që kam bërë gabim”, – tha Rama.

Vetëm një muaj më pas, Rama, sapo ngriti kartonin për zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme së Përkohshme, u kërkoi falje qytetarëve por edhe partnerëve ndërkombëtare për rrëmujën e krijuar në Kuvend.

Edhe 2018-ën Rama e fillon me ndjesa publike. Ai mbylli një debat (të hapur nga qeveria që ai drejton) për ndërtimin e hidrocentraleve në Kanionet e Osumit.

Së fundmi, pas një proteste zjarri në Rrugën e Kombit, dhe një jave qëndrimesh të zbutura nga dita në ditë, Rama u kërkoi falje banorëve të Kukësit. Ky gjest nuk pritet të jetë i fundit prej tij. Çështja që mbetet për diskutim është se nga e thëna në të bërë, në ndërgjegjen e kryeministrit mbetet ende një hendek i madh.

Mapo.al

Shkruar Nga
More from Redaksia

Gjermania kërkon infermierë. Ministri i Shëndetësisë: Punonjës nga Shqipëria e Kosova

Gjermania do të kërkojë fuqi punëtore në Shqipëri dhe Kosovë. Problemi më...
Read More