Dashamirësia e kasapit dhe e furrxhiut



Besart KadiaNga Besart Kadia

Arsyeja pse ekonomia jonë ka një ngërç të prekshëm në rritjen e investimeve, në rritjen e eksporteve, në çeljen e vendeve të reja të punës, ka të bëjë me faktin që Shqipëria nuk ofron një klimë të mirë biznesi, shkruan Kadia.

Një korrigjim që duhet bërë për këndvështrimin që kemi për investitorët e huaj: Ata nuk vijnë në Shqipëri për të kontribuar në ekonominë shqiptare. Ky është thelbi i teorisë liberale, ku sipas Adam Smith-it: “Nuk është dashamirësia për të tjerët që kasapi dhe furrxhiu na mundësojnë ushqim për darkë, por interesi i tyre vetjak”. Vetëm duke iu mundësuar atyre kushte për të realizuar interesat e tyre, ne do të mund të kemi investitorë të huaj që na mundësojnë vende pune e kapital fizik për të rritje ekonomike. Sa e thjeshtë është në dukje kjo qasje, aq e pamundur duket për t’u realizuar në realitet. Prej dy muajsh tashmë, Ambasada Amerikane dhe përfaqësues të dhomës Amerikane të Tregtisë flasin për investitorë të rëndësishëm amerikanë, që janë larguar nga një investim i rëndësishëm në vend. Sipas David Muniz “Investitorët që kanë dashur të investojnë në Shqipëri janë frikësuar dhe kanë ikur”, duke shtuar se në vendin tonë ekzistojnë disa problematika, që vështirësojnë tërheqjen e investitorëve të huaj. Investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri sepse në pushtet është Kryeministri Rama apo Kryeministri Basha. Asnjë “kasap apo furrxhi” nuk ka ndjeshmëri personale për emra të përveçëm shqiptarë, por kanë interes të parë mungesën e korrupsionit, pushtet të paanshëm dhe rregulla të qarta. Sipas të dhënave të sondazhit të bërë nga ACER, 46% e shqiptarëve kanë bërë korrupsion gjatë vitit të shkuar. Kjo shifër është tejet e lartë. Ata paguajnë dy herë për shërbimet publike: Kur paguajnë taksa dhe paguajnë rrogën e burokratëve dhe së dyti, kur marrin shërbimin. Sipas po të njëjtit pyetësor, perceptimi i qytetarëve për rritje të korrupsionit mes ministrave është rritur me 10% nga viti 2014, që të bësh të mendosh se “ nuk është nga dashamirësia për interesin publik, që ministrat shqiptarë nuk bashkëpunojnë me investitorët e huaj, por vetëm interesi i tyre ‘partiak’”. Kjo është evidente nga të dhënat e Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, ku 56% e të anketuarave thonë që situata ekonomike në Shqipëri është e keqe dhe shkak për këtë është korrupsioni, mungesa e transparencës në tendera, sistemi i taksave dhe kontrollet e shumta administrative. Shteti shqiptar del i korruptuar dhe i korruptueshëm. Shteti i tranzicionit ka dështuar për të krijuar shtratin e një ekonomie moderne, që nxit qytetarët vendës të kursejnë e të investojnë këtu. Problemi që kemi është shteti, por sërish kërkojmë më shumë nga shteti, duke deleguar më shumë pushtet e duke kërkuar favore e punë. Jemi në “communist hagover”. Që nga viti 2011, ekonomia shqiptare ka hyrë në udhëkryq dhe u largua nga “dekada e artë” 2001-2011. Të dhënat statistikore se ka rënë kredia, kanë rënë të ardhurat në buxhet apo se po mbyllen biznese të vogla, janë pasojat e një problemi të fortë që kemi për politikat ekonomike në vend. Shumë ekonomistë do të flasin se përse në katër muajt e parë të këtij viti ne kemi eksportuar 5.9% më pak apo përse kreditimi ka rënë me 1.6%, krahasuar me vitin e shkuar. Çdo analizë e këtyre lajmeve nuk kap thelbin se “shteti shqiptar është shndërruar në frenues dhe nuk garanton kushtet për sipërmarrje të lirë”. Vetëm kur të pranojmë Adam Smith-in se “nuk është dashamirësia për të tjerët që kasapi dhe furrxhiu na mundësojnë ushqim për darkë, por interesi i tyre vetjak”, ne do të mund të ndërtojmë gjithë ligjet dhe rregullat shtetërore në avantazh të sipërmarrjes së lirë. Deri atëherë, arnojmë një shtet të avashtë e të pamundur për t’u reformuar.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Djathi i Veleçikut dhe Shqipëria që bëhet

-Albanian Stories Nga Rudina Xhunga Në Shqipëri, ka njerëz që punojnë dhe...
Read More