Dashnorja

Nga Edison Ypi

Të mos kishe dashnore, turpi të mbulonte, vrimë s’kishe ku të futeshe.

Kënga “s’kalohet jeta pa dashnore” shkrehte në lot të rehatuarit që dashnore kishin, dhe ata që dashnore nuk kishin, por shkonin me shpresë se pas pak do kishin.

Kur dikush që dashnore kishte i tha dikujt që dashnore nuk kishte “hë mo dhe ti, nuk gjen dot një copë dashnore” ky i fundit, në përfytyrimin e të cilit dashnorja ishte i gjithë Universi, nga vështirësia për të përfytyruar si mund të kishte një copë dashnore dhe jo një dashnore të tërë, zuri shtratin dhe nuk u ngrit më.

Një vorrboms i urtë, u egërsua befas, ulëriti në mes të sheshit; “Më janë bërë shalët e gruas si shalët e mia, dua dashnore”. I ndali të ulëriturat me shalë dhe dashnore, kur dikush i tha “Çfarë dashnore do ti mor qyrranjos, ti s’ke brekë në bythë, dashke dhe dashnore. Ku je këtu, në vendet kapitaliste ku dashnorja është mall dhe dashuria treg?”.

Në shumicën e rasteve, veç seksit episodik brenda ndonjë bunkeri të pisët në periferi të qytetit, ose, në kombinimin më fatlum, në shtëpinë e një miku prindërit e të cilit ishin larguar nga shtëpia për disa orë, me dashnoren s’dije ç’të bëje.

Megjithatë, të kishe dashnore, s’ishte keq. Halli ishte ku ta gjeje dashnoren. Lagja ishte plot me spiunë që mezi çprisnin të të denonconin për prishje të moralit dhe të internonin. Kafenetë ishin vetëm me meshkuj. Xhiroja ishte plot me femra në kërkim të burrit. Femrat moderne, apo broduejset, ishin dashnoret e Don Zhuanave Tuç Zuma, Lad Rusi, Beb Deliu etj., të cilët me ato çoç bënin, por krahasuar me standardet e sotme të dashurisë dhe dashnoreve, më tepër mburreshin. Prej katunareve që ulur në autobus, demek nga turpi, por në fakt nga frika mos u dukeshin shalët e pista dhe brekët e palara, mbulonin gjunjët me shaminë e qurrave, të vinte për të vjellë. Po t’i afroheshe pak çaste ndonjërës “te puna”, të nesërmen të detyronin ta merrje për grua. Kinemaja ishte plot me halabakë që mbanin frymën në pritje të momentit kur protagonisti do puthej me dashnoren.

I vetmi vend ku lënda e parë për dashnore ishte deri diku me bollëk, ishin përqendrimet e proletariatit, fabrikat, kombinatet. Mirëpo, edhe pas gërmimeve të mundimshme në këto miniera, në të shumtën e rasteve, në vend të gjeje dashnoren, gjeje belanë. Jetënxira që punonte me tre turne, ndoshta pranonte ta kishe dashnore, por pas nja një jave, me arsyetimin “tani të gjithë e dinë që jemi bashkë”, të kërkonte ta merrje për grua, dhe nga ai moment s’të lejonte ta prekje.

Megjithatë, nëse dashnore nuk mund të gjeje, nuk ishte hall i madh, nuk ishte problem i pazgjidhshëm. Dashnoren mund ta imagjinoje.

Shqipëria ishte plot me erotomanë që rrëfenin bëma dhe gjëma dashnoresh të përfytyruara. Që dashnorja e fantazuar, për të cilën thonin “ma luan” të dukej reale, rrëfimet në fjalë i lidhnin me femra reale që s’kishin asnjë dijeni cili ishte deliranti që e kishte zgjedhur për dashnore të ëndrrave.

Nëse ndonjërit prej të dehurve me dashnore imagjinare i thoje; “Eja ore në vete, ajo që thua se e ke dashnore, s’ka asnjë dijeni cili je”, bëhej në çast esëll, të batërdiste me llafe, të merrte erzin, të akuzonte se e bëje nga zilia, dorëzoheshe, bëje sikur e besoje.

Përveçse “kam dashnore” ose “nuk kam dashnore”, më intriguese ishte të thoje “e kam pas dashnore”. Çka, përveçse brenda kishte nostalgji, nënkuptonte se ajo që “e kishe pas dashnore” nuk ishte aspak e vetmja dashnore, por njëra nga dashnoret e listës në zgjatje të pandalshme.

E kam dashnore filanen, thoshin rëndom nga inati kur filanen e lakmonin por nuk mund ta kishin. Këto raste shkaktonin shurdhim, mpirje, me pasoja dramatike që nuk mund të qartësoheshin nga asnjë arsyetim mohues i viktimës apo i kujtdo tjetër.

Mes vështirësive për të pasur dashnore, jo rrallë, sidomos për meshkujt me prirje poetike që kishin bindjen se mjafton të dashurosh diçka pavarësisht si e qysh është ajo gjë, fshati ku dashnore mund të kishe dhinë që i përkiste botës organike, ishte në avantazh të dukshëm ndaj qytetit ku dashnorja mund t’i përkiste edhe botës inorganike, pra ku dashnore mund të kishe një phallus të çfarëdoshëm, një shtyllë, një trung, një tub zjarrfikësi.

Reale apo imagjinare, nuk kishte shqiptar pa dashnore.

Dashnorja e sekretarit të partisë, dashnorja e drejtorit, dashnorja e shefit të planit, me të cilat këta pasi dendeshin me raki mbylleshin në zyrë me kyç nga brenda, ose i merrnin me Gaz 69 i çonin s’dihet se ku, ishin ca sharabajka surratpetulla bythmëdhaja aspak atraktive edhe sikur të kishe njëzet vjet pa parë femër me sy.

Dem Xhepa, qoftexhiu, kishte dashnore për t’ia patur zili. Dashnorja e Demit ishte kurvi.

Qarkullonte një opinion tepër i përhapur sipas të cilit vendet më të përshtatshme për të bërë dashuri me dashnoren, nuk ishin vendet që ëndërronin ata që nga seksi s’kishin haber, ata që s’kishin parë pridh me sy, pra vendet e rehatshme, vendet e buta, shiltja, shtrati, kolltuku, lëndina, mullari i barit. Qejfi më i madh me dashnoren bëhej, dashuria me dashnoren më tepër shijohej, dashnoren ta shtrije në një vend me sa më tepër gurë, gunga, gropa, shkopinj, ferra, gjemba, në mos, mes degëve, lart në pemë.

Asnjëra nga femrat e filmave nuk ishte grua, prind, bashkëshorte, nëpunëse etj. Pavarësisht se të kujt, femrat e filmave ishin vetëm dashnore.

Rregulli i të pasurit dashnore, si çdo rregull i hekurt, kishte përjashtime që e përforconin. Kur mplekseshin, për shembull, një komuniste me dikënd me cen në biografi, nuk thoshin ai me biografi qymyr ka dashnore filanen me baba veteran, thoshin “dashuri i thënçin”.

Dashnoret më të shijshme ishin gratë që bënin dashuri. Mes grave dashnore, dashnoret më të zjarrta, dashnoret që ta kënaqnin çdo fantazi, dashnoret me të cilat prekje qiellin, ishin gratë e oficerave të Sigurimit. Në shtëpitë e tyre, casanovat e çartun ngjiteshin me çarçafë të lidhur si litar kur burri oficer ishte me shërbim ku e kërkonte atdheu, ku e thërriste partia, ku bëheshin spiunime, arrestime. Si ndodhte që ato falnin dashuri ndërsa burrat e tyre mbillnin tmerr, mbetet mister.

Gruaja dashnore ishte kështjella që diktatura nuk e mposhti kurrë. Duke mos mundur ta martonin se e martuar ishte, as ta divorconin se cenohej morali, dhe që, për më tepër, mbrohej nga solidariteti i heshtur i të gjithëve, një gruaje dashnore i frigeshin më tepër se një zbarkimi diversantësh rreth të cilëve nuk pati kurrë solidaritet, por vetëm spiunime.

Gjatë shkollës së mesme, gjatë shërbimit ushtarak, dhe gjatë një ekskursioni në Dajt, pra në tre raste, kam dëgjuar për përdhunim në grup të dashnores. Kur habere të tilla arrinin deri tek unë letargu, merre me mend sa e përhapur ishte dukuria e dashnores së alivanosur shalëhapur mes pellgjeve të spermës së grupit, ndërkohë që pas pak, secili përdhunues, emrin e fatnxirës do ia shtonte listës së dashnoreve.

Ai e afroi me dashuri ta puthte. Ajo e largoi me neveri duke i thënë; Nuk na mëson kështu shoku kurvi. Duhet të martohemi, pastaj të më prekësh.

Sa mirë bënë ca si unë që nuk u martuan në kohën e dashnoreve të fabrikave, por duruan, dhe tani kur femrave u thonë “dua të bëj dashuri me ty”, ato përgjigjen “Faleminderit”.

Dashnorja ime, dashnorja jote, dashnorja e këtij dashnorja e atij, e ka dashnore ky, e ka dashnore ai, Shqipëria e burgjeve dhe internimeve, dukej sikur më tepër se drurë e shkurre kishte dashuri dhe dashnore. Por dashnorja më e mirë, ajo që gjithmonë të bindet dhe kurrë nuk të tradhton, ishte dhe mbeti, Doriana.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Babeli i emisioneve

Sezoni i ri televiziv ka nisur me shpërthimin e debateve politike dhe...
Read More