Dashunia fillon mbas gjysmës

«Wär’ nicht das Auge sonnenhaft,
wie könnten wir das Licht erblicken?
Lebt’ nicht in uns des Gottes eigne Kraft,
wie könnt’ uns Göttliches entzücken?»-
(Johann Wolfgang von Goethe,  Teoria e ngjyrave, introduktë, 1810)*

Nga Ledia Dushi

Në Shqipninë e viteve ˈ60–të po konturohej një ndarje ndër shkrimtarë dhe artistë në dy grupime. Po punohej për përgatitjen e një grupi artistësh të angazhuem në shërbim të atij  që quhej realizmi socialist. Gjaja e parë që duhej ba ishte seleksionimi i traditës e cila e pengonte formimin e këtij grupi. Për këte u shpikën armiqtë e popullit. Të parët që ranë pre e kësaj propagande ishin poetët gegë të cilët kishin formue një lloj fryme të posaçme. Mandej ishin intelektualët me një formim të mirë bashkëkohor, të cilët u ndeshën fillimisht intelektualisht me regjimin që po formohej në vend dhe së bashku me poetët gegë banin pjesë në grupin tjetër.

Grupi i parë erdhi së bashku me atë që quhej diktatura e proletariatit e cila u kthye në luftë klasash. Sigurisht arsimi ishte mekanizmi i parë që e filloi përgatitjen e këtij grupi. Vitet ˈ60–të sollën maturantët e parë e mandej studentët e parë të cilët u formuen ne shkollat lindore, kryesisht në Bashkimin Sovjetik e në Tiranë. Normalisht, si revolucion pati edhe revolucionarët e tij e në fushën e artit ku po punohej drejt një objektivi, “Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmës të partisë për edukimin komunist”. Shkrimtarë të angazhuar ka pasë edhe në vende të tjera, por te ne u punue për një art të angazhuem. Tek ne ky angazhim erdhi me një denatyralizim  ku u krijue një “art” pa liri. Nëse ia heq artit lirinë dhe të vërtetën atëhere fillon me ndje erën e mykun të varfnisë shpirtnore. Gjaja ma e randë për poetin ashtë pandershmënia me vetveten. Me entuziazëm dhe trill revolucionar u sajue një arrë, ndoshta e  stërmadhe, të cilën nëse e hap, sheh se asht bosh.

Jam e bindun se në grupin e parë kanë pluskue edhe talente prej të cilëve disave jua ndjej dihatjen e talentit të tyne.

Jashtë gropës ishte burgu.

Sa ma nalt thashë, vlen për atë që e quejta grupi i parë, sepse unë sot kam ndërmend të merrem me një përfaqësuse të grupit të dytë. Në një mjedis ku poezia po shpërfytyrohet, në një kohë ku lëvrijnë shumë kritikë që flasin e flasin, por kritika mungon, ashtë e vështirë me vendosë në vendin e duhun  poetët e grupit të dytë. Poetin e vlerëson vetëm poezia. Në mjedisin letrar ku filluen me shkrue, e ndjenin  se nuk kishin të njëjtin formim dhe as të njëjtat mjete me poetët zyrtarë. Nuk mund të pajtoheshin me idenë e të qenunit të pandershëm me vetveten. Për ta poezia nuk mund të vinte nga idetë e komunizmit. Poezia, thjesht ishte mbrenda tyne. Arti nuk asht ajo çka mendimi krijon. Mendimi kurrë nuk mund ta justifikojë ndjenjën, madje as mundet me e arritë ate. Autori për poezinë e të cilit dëshiroj me folë, ishte pjesë e dy nëngrupeve׃ ishte i rritun në një mjedis ku gjallonte gegnishtja dhe ndikimi në formimin e tij intelektual vinte prej  një kulture të gjanë perëndimore.

Asht një emën shumë i njohun, pavarësisht mungesës së vlerësimit…

Quhet Primo Shllaku. Primo i shkruen asaj çka ndjen, mendimi dhe formimi i shërbejnë asaj.

Për këte përdor fjalë të zakonshme të cilat i shndërron në të pazakonta duke nxjerrë prej tyne magji. Në poezinë e tij fjalët kthehen në rranjët e tyne, sepse fjalët  kanë fillue si magjike qysh në krye të herës.

Në poezinë e tij gjallon dëshira për çlirimin e shpirtit të njeriut. Ajo që ai kërkon me çlirue nuk ashtë as dëshira, as realiteti i veprimtarisë njerëzore, as ndjenja e revoltës e “fshehun“ në vargjet e tij, porse një za i cili vjen ndër ne si një imagjinatë e pastër.

Kudo duket sikur e ndjek një demon, përtej kufijve të kohës dhe botës, ndoshta në kufijtë e qenies së tij.

Shllaku i shikon me vëmendje gjanat që e rrethojnë, asht një shikim që kthehet në soditje. Në një soditje të mprehtë dhe zhbiruese e cila rrëmon mendjes. Si nji rrymë elektrike ban me u ndezë dritat në botën e ndjenjave. Nuk përpiqet me e zbukurue shkakun e shqetësimeve. E vërteta ka kuptimin e kjartësisë. Natyra e tij nuk e lejon me marrë turr asht i përmbajtun, por nuk ban asnji hap mbrapa. Tashmë rrugon mbrenda vetes. Kujtimi asht si shpirti që largohet nga vetvetja dhe që përpushet me e mbërritë vetveten, në një kohë tjetër, ma të largët. Poezia e tij nuk flet thjesht për të kaluemen, por për çka ai ka kapërcye. Ndoshta herë mbas here i ashtë dashtë me humb veten për me e rigjetun ate.

I shtypun nga heshtja e i brejtun nga vetvetja, shkruen poezi. Vargu i tij asht një shpirt që kërkon shpjegim. Në te përplaset andrra me zgjimin, objektivja me subjektiven. Kërkon me hy thellë tek vetvetja dhe aty zbulon grimca hyjnore të çmendunisë njerëzore. Këto grimca bajnë që autori me kuptue se liria asht një aktivitet krijues.

E unë kam me të dashtë

si due tokën,

atë tokë

ku muzat e vdekuna nuk lanë skelet

por bar mbi sytë e pleqve.

Vargjet janë marrë nga poezia “Bashkëkohësit”. Zgjodha këte poezi sepse përmban në vetvete atë që aq shumë diskutohet sot. Autori thotë: “muzat e vdekuna nuk lanë skelet” dhe këtu e ka fjalen për muzat që janë “foshnjet” e linduna të artit. Ky asht dami ma i madh që i asht ba artit e veçanërisht poezisë. Por nji pjesë të madhe prej tyne ne e shohim si “bar mbi sytë e pleqve”.

Them se kjo gja plotësohet me poezinë “Etyd” e cila në fund shenon׃

Ata ma duen vdekjen

Një vdekje te ngadalshme dhe te heshtun.

Një vdekje te natyrshme dhe hymse

që duhet t’i përngjasë

gati lindjes…..

Këtu s’kemi të bajmë me denim me vdekje, por denim me zhdukje. Autori thotë: “Një vdekje të natyrshme dhe hymse” sepse, “ duhet t’i përngjasë / gati lindjes…..”. Ata që jetuen “Në errësinën e krijueme nga ndalimi dhe harrimi” janë ma shumë se disidentë të qeverisë; ata janë heronj të artit dhe heronjtë e artit janë në të mirë të njerzimit.

Primo Shllaku me poezinë e tij nuk merr përsipër me na mallëngjye. Kur krijon një poezi për dhimbjen ajo vjen si vetë dhimbja. Kur sjell poezi ku tregohet gëzimi, ndjejmë një boshllek ose siç thonë ekzistencialistët, “flet për një gëzim që s’asht ma”. Mendoj se të gjithë njerëzit kanë në shpirt një gropë ku fundosin kujtimet e tyne. Ata harrohen aty e vetëm nganjëherë kujtesa mund tˈi nxjerrë. Në atë gropë fermentohen ndjenjat ma të fuqishme që përbajnë vlefshmëninë e jetës tonë. Njerëzit i ndjejnë, por për me ba art me to duhet tˈarrish me ndriçue zonat e saj të nendheshme. Rëntgeni na dha mundësi të shohim mbrenda trupit tonë, ndërsa poeti i vërtetë na mundëson të shohim mbrenda shpirtit tonë.

Në hinin e paktë të votrës sonë / vumë atë natë nje dru të moçëm. / Para se me u ndezë / e morem ne duer / me radhë, / njeni mbas tjetrit. / Gjete me gisht rrethin e datëlindjes tande. / Gjeta me gisht rrethin e datëlindjes sime. / Vune gishtin mbi rrethin e vjetit tand. / Vuna gishtin mbi rrethin e vjetit tim. / Dhe ndejëm ashtu mendueshëm / mbi jetën tonë…

Leximi i poezive të Primo Shllakut ashtë një andërr e lirë. Njeriu dhe bota zbulojnë të vërtetat e tyne. Tek ne ma shumë se ngjarja vjen gjurma që ajo le. Në poezi të ndryshme ka vargje të mrekullueshme: “Dhe shpinda jote mbeti në fundin e rrugës  e në sytë e mi /e në mendjen time.”( Ditë e pacaktueme ), “Deshta me shkrue, / Por mes dorës e mendimit ura ishte thye.” ( Njeriu  para  misterit të largësisë ), “Pëllumbave zemra u këndon në fyt”. ( Pëllumbat )

Dëshiroj me u ndalue në një problem. Një miku im poet kambëngulte se poezia asht e lidhun me realitetin, madje e mendonte si vazhdim të tij. I thashë se vegimi i së vërtetës ashtë tjetër gja nga imitimi i saj. I thashë se e mendoj poezinë si zgjatim i shpirtit të njeriut.

Ka një poezi aq të bukur Primo Shllaku me të cilën due me përligj çfarë thashë ma nalt: “Ai të zbret te pragu i derës sime. / Ti sjell me vete mollë, / shkrepse / dhe trokitje pa durim. . .” Çfarë ndodh në këte poezi; realisht vjen autobuzi, e zbret, sjell molle, shkrepse….dhe mandej, mandej vjen arti e ndjejmë se ai fillon aty ku mbaron realiteti. Gishti i saj nuk troket në derë, por në shpirtin e tij. Asht një varg tjetër te Shllaku që na vjen me poezinë: (Po, po…..) “Por dashunia fillon mbas gjysmës…” Gjithnji kam dashtë me i thanë, më fol për gjysmën e parë…

Në poezinë “ Himni i jetës”, poeti shkruen:

Kam një zemër

që rreh dëshira të forta

te dyrt e fytit.

Kjo poezi vjen ma së shumti si një vegim i së vërtetës, të duket sikur i ke ndigjue.

Mendoj se ky ishte problem për shumë e shumë vite. Fjalët mbeteshin te dyert e fytit e kështu i merrej fryma poezizë. Primo Shllaku e kishte gjetë zgjidhjen׃ “mbyll derën e zhurmës / e unë hyj në dhomën e heshtjes”

( Treni ) nga e cila niset me ardhë poezia e tij.

Primo Shllaku sot ndeshet me një dilemë! Borgesi ka një thanie të jashtëzakonshme: “Arti ndodh sa herë që lexojmë poezi”. Dilema asht:

A lexohet sot poezia, dhe nëse lexohet, arti a ndodh?

Poezia e Shllakut stuhi ndërmjet pasioneve dhe ndjenjave që ka pasë dikur dhe pasioneve e ndjenjave që ka sot.

Unë mendoj se jeta e tij ashtë në vetë poezinë e tij. Dhe kjo vjen si një andërr. Ashtë një andërr të cilën na e bajnë me dije grimca hyjnore ndriçimi.

Sot Primo Shllaku ka datëlindjen dhe unë dëshiroj me e urue me një thanie të filozofit kinez Chun Tzu: “Pa andërr se asht flutur dhe kur i doli gjumi nuk dinte, a ashtë njeri që andërron tˈjetë flutur apo ashtë flutur që dëshiron tˈjetë njeri”.

Borgesi këte gja kishte dëshirë t’ia tregonte atyne që dinë me lexue poezi. Por te ne ka shumë që dinë me ba poezi, por nuk dinë me e lexue ate. Poezia e Primo Shllakut ashtë shkrue në nji natë dimni, si gjithçka që asht shenjue për me kenë e pambarim, ashtë shkrue për ata që dinë me e lexue dhe e ndjejnë se si përdriten ngase arti ndodh.

*Përkthimi:“Nse syni nuk do tˈishte i diellt,

Si mund të shihnim kah  drita?

Nse nuk do tˈna këndellte  forca e Zotit vetë,

Si mund të na magjepste hyjnorja?”

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kanceri i gjirit: Kontrolli, pas Tiranës, mamografi falas në 10 qytete 

Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen...
Read More