Dashuritë e Duçes: ‘Ma shpërbleu pak me shpirt, së tepërmi me mish’

Pjesë nga libri ‘Dashuri dhe pushtet’, botim i UET Press

Nga Bruno Vespa

Benito Musolini dashuroi më shumë se të gjithë politikanët italianë të shekullit të fundit. Nuk dihet (as ai vetë nuk e dinte) sesa gra ka patur. Sidoqoftë, pati shumë më tepër nga sa arsyeshëm mund të ketë një Don Zhuan modern…

Musolini e zbuloi trupin femëror në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, kur u fut tinëzisht në një bordello. E pagoi kënaqësinë seksuale me një gonorre, por që nga ai hop e përndoqi joshja e lakuriqësisë. “I zhvishja me sy vajzat që takoja dhe, i lakmoja dhunshëm me mendje”. Thuri edhe poezi që u muzikuan me sukses në sallat e vallëzimit të Predapios: “Vogëlushe mos më vështro/ mbase me dashuri të vërtetë ti më do/ por kjo zemër që përvëlohet duke ëndërruar/ është helmplot”. U bë mësues si e ëma, por mësimdhënia nuk i pëlqente. Ndaj, të atit farkëtar, iu sos durimi. Antonio Spinoza (te libri: Musolini. Joshja e një diktatori) tregon për një shfryrje me të birin (të cilit, në rrethana solemne, i drejtohej me ju) çka, nëse nuk është e vërtetë, – do të shkruante Indro Montaneli, – për nga tonet profetike duket sikur ishte bërë me porosi: “Pra nuk doni të jeni mësues, – i thoshte burri i shkretë, – nuk doni të jeni sekretar komunal! Çfarë doni? Postin e Kryeministrit?”. I riu ishte grindavec dhe mburrej me këtë.

Edhe me femrat, shpesh nuk tregohej i kujdesshëm. Ja rrëfimi për joshjen e Virxhinisë, “një vajzë të mençur dhe bujare, me lëkurë të freskët e të bardhë”. Një ditë të bukur, e zura përgjatë shkallëve, e plasa në një qoshe pas një dere dhe e bëra timen. U ngrit duke qarë dhe mes lotëve e turpëruar më shante. Thoshte se i kisha vjedhur nderin. Nuk them se jo! Po për çfarë nderi është fjala? Me ta hedhur pas krahëve tronditjen, vajzës filloi t’i shijonte, aq sa joshësi mund të shënonte: “Ma shpërbleu pak me shpirt, së tepërmi me mish”.

Musolini bënte politikë me të njëjtin rrëmbim që kryente marrëdhëniet seksuale. Ishte një socialist revolucionar dhe fama e tij, që i kish kaluar kufijtë romanjolë, i solli punën e parë si mësues zëvendësues në një fraksion të Gualtierit, një provincë në Rexho Emilia, komuna e parë socialiste e Italisë. Por edhe aty e gjeti mënyrën për të bërë sherr: administratorët ishin socialistë, por të reformuar ama. Mes një mësimi për dyzetë djelmosha të shfrenuar dhe një grindjeje me shokët tejet të moderuar, mendoi se ishte më mirë të joshte Xhulia Fontanezin, një njëzetenjëvjeçare bukuroshe, me të shoqin ushtarak në Sulmona. Benito përdorte fraza ultimative e të fryra edhe në pusullat e dashurisë, dhe Xhulia mbeti e befasuar. I la takim, në të cilin shkoi e veshur me një këmishë të trëndafiltë dhe vështrimin e lumtur e të eksituar. “Ngjitëm shkallët, – do të kujtojë Duçja, – dhe për dy orë ajo qe e imja. Mandej u ktheva në shtëpi i dehur nga dashuria dhe epshi”. Nga epshi në epsh, historia në fshat u mor vesh, dhe i shoqi së largu, me nder të cenuar, e mohoi gruan e re, e cila u detyrua të shkojë të jetojë me djalin e vogël në një dhomë të mobiluar. “Atëherë qemë më të lirë. Çdo mbrëmje shkoja ta takoja. Ajo më priste te pragu i derës. Ndonjëherë shkonim nëpër fusha dhe përqafoheshim mbi livadhet përgjatë brigjeve të lumit Po. Ishin muaj të magjishëm. Bëja me të ç’të më donte qejfi”.

Por as me Xhulian, Benito nuk e përmbajti karakterin e tij të dhunshëm. Ishte tejet xheloz dhe e urdhëronte gruan të mos nxirrte këmbë nga shtëpia. (Më vonë, do ta mbyllte me çelës edhe Rakelen e re.) Xhulia ngriti krye dhe ai nuk hezitoi ta plagoste në kofshën epshore me një biçak, që e mbante kurdoherë me vete. Por gruaja e dashuronte, dhe anasjelltas. Dhe, sipas Spinozës, ishte ajo me lotët e saj, që e prapësoi Beniton nga vetëvrasja, kur hyri në depresion nga jeta që bënte në një qytezë periferike ku ndihej ligsht.

Në korrik të 1902-in, në moshën 19-vjeçare, Musolini e la katedrën dhe të dashurën dhe u largua për më shumë se dy vite në Zvicër, se cilës i ra rreth e rrotull, duke punuar në një mori zanatesh (përfshirë edhe muratorin) dhe, mbi të gjitha, si agjitator politik dhe social me kohë të plotë. Bënte dashuriçka me Eleonora H., një polake e re, studente mjekësie, dhe ndërkohë u josh nga një emigrante ruse që ishte trembëdhjetë vite më e madhe e cila alternoi me të riun italian ekstaza revolucionare dhe ekstaza të llojeve të tjera. Quhej Anxhelika Balabanof dhe u dashurua marrëzisht me Beniton, i cili e përcaktonte si “të shëmtuar, të mirë dhe të sinqertë”. (“Sikur të gjendesha në një shkretëtirë dhe ajo të ishte gruaja e vetme” do t’i hapte më vonë zemrën Rakeles, “do të preferoja t’i bëhesha rrodhe një majmuni”. Dhe natyrisht gënjente). Anxhelika i dha mësime gjermanishteje, e skandalizuar nga njohja modeste që Benito kishte për gjuhën, ndonëse ngulmonte t’i futej përkthimeve për të mos e shtyrë zgriptas. Gruaja duhej të qe shumë e dhënë pas Musolinit dhe e përfshirë nga perspektiva e kënaqësisë sepse, ndonëse ishte e lebetitur nga higjiena e mangët e atij vullnetari mërgimtar, e futi në shtratin martesor. Dhe e mbajti aty për dhjetë vjet, përgjatë të cilave i shkoi pas edhe në tallazet e para politike. U nda me të në mënyrë tronditëse, vetëm në prag të Luftës së Parë Botërore, kur u ndje thellësisht e tradhtuar nga burri i saj jo dhe aq si dashnore (sado që në atë periudhë Musolini kishte të paktën edhe tri lidhje të tjera), por si revolucionare (Duçja i ardhshëm në fakt u shndërrua në intervencionist).

Në Zvicër, Benito falsifikoi një datë mbi pasaportë për të shmangur shërbimin ushtarak, por u zbulua. Me t’u kthyer në atdhe, u rekrutua në 1904-ën si bersalier. Të bindur se duhej të luftonin me një subversiv të rrezikshëm në radhët e tyre, eprorët e tij në fund e pranuan se ishte një ushtar i shkëlqyer. Kur u kthye në Predapio për vdekjen e së ëmës, gjatë lejes së zisë dashuroi “fuqishëm” (dhe anasjelltas) një mësuese të Forlisë, Paolina Diantin, e më pas kolegen e saj, Virxhinia Salvolinin. I detyruar të pranojë një zëvendësim të përkohshëm në Tolmexo të Friulit, Benito i dha duart shumë shpejt një gruaje të quajtur Gracioza Boka, (quhej pikërisht kështu, Goja e Mrekullueshme) për një tridhjetëvjeçare tërë shëndet, Luixhia Pajeta Nigris, e ashtëquajtura “Xhixha”, pronare e bujtinës Alla Scala, në pensionin e së cilës mësuesi Musolini jetonte. Xhixha, që ishte e martuar, nuk e fshehu dashurinë e saj për Beniton, (“dashuri e çmendur”, thoshte ai) as përballë të shoqit, që u rrah me dashnorin dhe e pësoi si mos më keq (edhe për faktin se ishte më i vjetër sesa unë”). Kësisoj, kur gruaja solli në jetë një fëmijë të quajtur Kandido, duke parë ngjashmërinë u fol se ishte djali i Benitos. Gjithsesi, për këtë atësi nuk kemi prova. Xhixha ishte një dashnore e mrekullueshme, por zanati i bujtinares nuk e kish lejuar t’i përkushtohej thellimeve kulturore. Përkundrazi, Benito lexonte furishëm, dhe në Tolmeco nisi të vërë rregull mbi shënimet e tij të filozofisë për të përgatitur një manual. Kur Xhixha tepër xheloze, duke gërmuar mes letrave të të dashurit të saj zbuloi emrat e mistershëm – të Anasagorës, Anasimenes, Taletes…. emra femërorë? Emra adhuruesesh të fshehta?, – shpërtheu një tragjedi dhe për Beniton nuk qe e lehtë t’i shpjegonte se bëhej fjalë për filozofë të parrezikshëm e të panjohur.

Falë ndihmës së Balabanofit dhe miqve të tjerë revolucionarë, në 1909-ën, Musolini mori detyrën e parë si drejtor i një gazete: ishte fjala për gazetën “E ardhmja e punëtorit” e Trentos që megjithatë u mbyll pas pak muajsh, e asfiksuar nga sekuestrot e vazhdueshme dhe e fundosur nga paditë. Atëherë u kthye në shtëpi, në Romanja, ku i ati Alesandro, i mbetur i ve, kishte hequr dorë nga zanati i hekurpunuesit për të hapur një gjellëtore që e drejtonte me ndihmën e një dashnoreje të vjetër, Ana Guidit, e cila me vete kishte marrë të bijën Rakele, që të gjithë e thërrisnin “Kileta”. Benito ishte 25 vjeç, Rakele 18. Prindërit e vajzës ishin fshatarë, që kishin punuar në çifligun Zoli, pak kilometra nga Predapio. Aty Kileta kishte bërë klasën e parë fillore dhe vetëm pjesërisht të dytën sepse në 1899-ën, kur vajza ishte nëntë vjeçe, vdekja e të shoqit e kishte detyruar Anën të zhvendosej në Forli si shërbyese. Sidoqoftë, ndjekja për një kohë të shkurtër e shkollës i kishte dhënë mundësinë Rakeles të njihte Beniton, që për dy javë kish qenë zëvendësuesi i së ëmës mësuese. “Nëse ekzistonte në botë dikush që mund të më zbuste, – do të shkruajë Rakele në kujtimet e saj (Burri im Benito), – ky ishte djali i mësueses. Sytë e tij më shtynin t’i bindesha në çdo çast. Ishin të mprehtë, depërtues, me bebëza që ngjanin sikur lëshonin xixa. Unë thosha se ishin ‘fosforeshentë’. Dhe sigurisht, ai e dinte këtë; ushtronin tek të gjithë një pushtet të pabesueshëm, që kurrë nuk kam mundur ta shpjegoj.”

Kur Ana u kthye në Dovia të Predapios e thirrur nga ish-dashnori për t’i dhënë një dorë në gjellëtore, Kileta ishte një vajzë bionde bukuroshe me sy të vegjël të kaltër. E pa rishtas Musolinin, por nën një dritë tjetër dhe mbeti e verbuar. Ja si e kujton takimin e parë me burrin e fatit të saj, të ndodhur një mëngjes të diele të vjeshtës së 1908-ës: “Befas u ktheva dhe ndesha dy sy të zjarrtë. Për një grimë nuk pashë gjë tjetër dhe në grykë m’u mblodh një lëmsh…. Më ftoi të merrnim një kafe, por nuk pranova. Asokohe, së paku në Romanja, reputacioni i një vajze komprometohej edhe vetëm duke e parë poshtë e lart me një djalosh. Benito e kuptoi dhe u ndamë me një përshëndetje të thjeshtë. Kalova një natë pa gjumë. Isha kaq e lumtur….” Pak ditë pasi e asgjësoi Kiletën me “sytë e zjarrtë” Benito i shpalli prerë: “Nesër nisem. Por kur të kthehem do të bëheni gruaja ime”.

Ana dhe Alesandro, dy njerëz të matur, nuk ishin aspak dakord, por Rakele qe e dashuruar dhe Musolini tanimë ishte burri i urdhrave të pakundërshtueshëm. Para dy prindërve nxori një revolver me 6 plumba në karikator dhe kërcënoi: “Një është për atë, të tjerat janë për mua”. Të shkretët u kandisën të pranojnë një bashkëjetesë në kushte tepër modeste.

Përgatiti: Gëzim Cako

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një hipotezë e mundshme: A është martuar Skënderbeu në Ardenicë?!

Por historiografia nuk ka arritur të zbulojë se ku është celebruar kjo...
Read More