Dear Trump

Edison YpiNga Edison Ypi

Shqipëria është aq e vogël, aq e varfër, e ngatërruar, e shpartalluar, e pakonsiderueshme, e parëndësishme, sa s’ma merr mendja se do merresh ndonjëherë seriozisht me të. Megjithatë s’po më rri revolucionarja pa të kujtuar disa gjëra.
Mos u mërzit pse para dhe pas zgjedhjes tënde këta këtu rrudhën turiçkat. Këta që kanë idhull kurvin nuk mund ta pëlqejnë një si ty që me kurvin s’ka asgjë të përbashkët. Këta as që mund ta përfytyrojnë se dikush diku ta marri pushtetin në ndonjë mënyrë tjetër veçse sipas të vetmit model që kanë në kokë, modelit të kurvit, që është marrja e pushtet, si dhe vetë paturpësisht dhe kriminalisht e thonë, me gjak. Le se ç’dërrdëllisin. Në përfytyrimin e tyre të rrënjosur aq thellë sa kur e mendon të merr frika, që ta marrësh pushtetin duhet të plotësosh disa kushte. Duhet të vrasësh me dorën tënde në ndonjë katund të thellë andej nga far westi disa qindra kundërshtarë politikë. Të shkatërrosh kisha e xhamia. Të vrasësh priftërinj e hoxhallarë. T’i rrethosh Shtetet e Bashkuara jo me atë murin qesharak që përmende ti gjatë fushatës, dhe jo vetëm me Meksikën, por rreth e përqark me tela me gjemba në atë mënyrë që në Shtetet e Bashkuara të mos hyjë e të mos dali as miza, e të tjera e të tjera.
S’njeh kufi llapaqenëria e këtyre. Ta përgojuan dhe moshën. Para ca vitesh, kur Doktori vërsnik me ty përgatitej të bëhej kryeministër i Shqipërisë, i thanë me mijëra herë “gjysh”. Me ty që po përgatiteshe për t’u bërë President i Amerikës, nga frika nuk arritën hapur te ndonjë cilësim i tillë, e thanë vetëm nën zë. Gjithmonë lidhur me moshën, janë aq hajvanë, sa kur i zë gripi te të dyzetat, i thonë njëri-tjetrit një gjë të pabesueshme për të qeshur si i marrë e për të qarë duke vënë duart në kokë; “çdo gjë është me moshë”.
Sa i përket anës morale, edhe për atë mos u mërzit. Të ashtuquajturat orgji që sajon propaganda ultraliberale e cila tashmë falë edhe paraardhësve të tu ka marrë dhenë, çfarë supozohet të kesh bërë me femrat s’janë kurrgjë para orgjive të këtyre tanëve. Me një ndryshim. Se ndërsa orgjitë e tua të hamendësuara janë me femra perrira, orgjitë e këtyre, aspak të sajuara por të vërteta, i kanë bërë me dhitë e katundit.
Edhe nëse, siç po thonë, nuk ke lexuar asnjë libër në jetën tënde, nuk përbën ndonjë problem. Le deputetë e ministra pa numërim. Këta kanë heronj analfabetë, po të them. Pa folur për të tjera raste që s’dua me ta ngjeth mishin, vetë kurvin që edhe pse s’mori dot asnjë diplomë mbahej për shkrimtar, e mbajnë ende për hero kombëtar.
Lidhur me ata llapaqenat bythpambukët e Hollivudit, duhet bërë pak kujdes, por jo kushedi se çë. Janë nënprodukte të hyperliberalizmit që përmenda pak më lart. Janë ata që kanë përhapur flamën e përbotshme të rehatit të një pakice, të zyrave komode ku me një kompjuter përpara lodhesh pak dhe shpërblehesh shumë.
As për Robert De Niron mos u mërzit. Nuk e ka me ty. Ka kohë që qarkullojnë hapur fjalë mbi origjinën e tij. Me anë të atyre përçartjeve që shfryu për ty, shpalli para botës se është shqiptar. Jo vetëm shqiptar. Edhe aktor.
I pasur, i famshëm, së fundi edhe i zgjedhur, hiç mos e çaj kokën. Ç’hyn çarja e kokës këtu? mund të pyesësh ti. Ja pra, edhe gjuhën ashtu na e kanë bërë kurvistat. Siç janë vetë, katila, kriminela, me çarje koke, me gjak.
Qejf të madh kam të të them o Zoti Trump si ka mundësi që Amerika ka mbledhur në gjirin e vet nga janë e nga s’janë spiunat e sigurimit. Por këtë nuk e bëj. Jo se nuk dua. Se që ti të marrësh vetëm një ide të vagullt çfarë ka qenë sigurimi dhe viktimat e tij që lëngojnë sot e kësaj dite, nuk të mjaftojnë as njëzet mandate si President.
Për këto dhe të tjera, kur t’i vijë siraja bëj ndonjë punë të mirë për ne të mjerët që rënkojmë nëpër humbëtirat e Ballkanit. Posaçërisht për ne shqiptarët që mbetëm të fundit në çdo gjë. Për shembull, tashmë që serbët nga Kosova i shporri bashkëshorti i rivales tënde, na hiq sysh komunistat në Kosovë dhe në Shqipëri. Po e bëre këtë, lavdia do të mbulojë, do mbahesh mend në shekuj.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Nobeli” në letërsi dhe rasti Kadare

Korpusi i veprës së Kadaresë është një kompleks katedralesh letrare, romanesh, novelash...
Read More