Debate të forta në kryesi: Basha e Selami kandidatët zyrtarë, jashtë Patozi

Mbledhja e kryesisë nuk ka mundur të unifikojë qëndrimet në PD, ndërsa ka çuar edhe më larg palët kundërshtare. Kryesia hodhi poshtë kërkesën për analizën e zgjedhjeve, ndërsa miratoi kandidaturën e Bashës dhe Selamit. Patozi mbetet jashtë pasi nuk paraqiti asnjë dokument

Në Partinë Demokratike nuk ka “paqe”. Kryesia e kësaj force e mbledhur dje në mbrëmje për më shumë se 3 orë nuk arriti të shuajë mosmarrëveshjet, duke lënë në garën për kryetar të Partisë Demokratike vetëm dy kandidatë: Lulzim Bashën dhe Eduard Selamin. Ndërkohë që përfundimisht, pavarësisht negociatave të vazhduara edhe gjatë ditës së djeshme, Astrit Patozi mbetet jashtë saj, kjo për vetë faktin se strukturat drejtuese të kësaj force nuk morën parasysh 6 kushtet e tij, ndërmjet të cilave edhe shtyrjen e zgjedhjeve për më vonë. Jashtë garës kanë mbetur edhe kandidatët e tjerë që kishin paraqitur kërkesën për të kandiduar. Nga ana tjetër, mbledhja e djeshme e kryesisë është shoqëruar me debate të forta, mes dy grupeve të shpallura tashmë, ata që mbështesin kreun e demokratëve Lulëzim Basha dhe ata që e kundërshtojnë atë duke e bërë përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve.

Kryesia

Pas një jave të tensionuar debatesh e akuzash nga eksponentë të ndryshëm, PD ka mbajtur mbledhjen e kryesisë me një rend të përcaktuar miratimin e kandidatëve për kryetar të PD-së. Duke ruajtur pozicionimin e distancuar nga procesi, Basha nuk ka marrë pjesë në mbledhje, ndërsa drejtimin e saj e kanë bërë në mënyrë kolegjiale Ristani dhe dy nënkryetarët, Paloka e Spaho. Mungonin gjithashtu Ruli, Bode dhe Tabaku. Ashtu siç edhe pritej, takimi ka nisur me debate teksa një grup anëtarësh të saj të pozicionuar në grupin anti-Basha i kanë propozuar mbledhjes ndryshimin e rendit të ditës, duke shtuar edhe një pikë të veçantë, atë për zhvillimin e analizës së rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Grupi anti-Basha, i përfaqësuar nga Jamarbër Malltezi, Sherefedin Shehu dhe Endira Bushati paraqitën një amendament për analizën e humbjes dhe shtyrjen e zgjedhjeve. Kjo kërkesë u hodh në votim dhe mori vetëm 11 vota pro, nga Jamarbër Malltezi, Sherefedin Shehu, Suzana Guxholli, Majlinda Bregu, Arben Skënderi, Tomor Alizoti, Blend Këlliçi, Arben Imami, Endira Bushati, Gent Malko dhe Valbona Mezini, ndërkohë që Arben Ristani, Enno Bozdo dhe Fatbardh Kadilli abstenuan. Shumica e kryesisë votoi kundër duke u rrëzuar kështu pretendimi i grupit anti-Basha. Vetë nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, që ishte edhe një nga drejtuesit e kësaj mbledhjeje argumentoi pas mbledhjes se kjo kërkesë ishte jologjike, pasi kërkonte të bënte një analizë totale të zgjedhjeve brenda një mbledhjeje kryesie, gjë që sipas tij ishte e pamundur. Ndërkohë që pas këtij momenti kryesia kaloi në diskutimin mbi procesin zgjedhor në PD, ku sërish anëtarë të rreshtuar në atë që njihet si grupi anti-Basha kërkuan shtyrjen e zgjedhjeve për në një afat tjetër duke theksuar se mbajtja e tyre pas 20 ditëve e bënte procesin qesharak. Një prej tyre që ka qenë tepër kritik në këtë drejtim ka qenë edhe dhëndri i ish-kryetarit të PD-së, Jamarbër Malltezi. Anëtari tjetër i kryesisë Gent Malko ka lexuar një kërkesë me disa pika, ku në thelb ishte shtyrja e procesit të zgjedhjes së kryetarit për një moment më të vonë dhe anulimin e procedurës së nisur pa miratimin e Kryesisë së PD-së. Kërkesë kjo që gjithashtu, është konsideruar e papranueshme nga shumica e kryesisë, e cila ka theksuar se procesi i deritanishëm është statutor dhe se të gjithë kandidatët janë të barabartë në këtë start.

Debati për humbjen

Pas këtij diskutimi mbledhja është shoqëruar edhe me tone të forta. Majlinda Bregu ka ngritur shqetësimin për rrugën që ka zgjedhur PD për të vijuar procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri, duke theksuar se ai nuk e ndihmon daljen nga kjo situatë e vështirë në të cilën gjendet partia si pasojë e humbjes në zgjedhje. Bregu mësohet të ketë thënë se fryma e përçarjes dhe linçimit publik për këdo që fliste ka nisur prej 4 vjetësh. “Ia kam thënë Bashës këtu në mbledhje, ka 4 vite që ka nisur përçarja e PD. Fryma e përçarjes dhe e linçimit publik për këdo që fliste e kërkonte të shihte brenda nesh çfarë nuk shkonte për humbjet tona. Siç e sheh kjo mbledhje nxori nevojën e tmerrshme që duhet të kishim folur para kësaj mbledhjeje. Të debatonim, flisnim, bërtisnim po të doni, por të shihnim njëri-tjetrin në sy për gjëmën që na ka zënë”, ka deklaruar ajo. Sipas , PD nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë, por duhet të merret me problemin ku është. “Nuk më intereson kryetari i PD. As që të merrem me variantin një kundër disave, disa kundër disave, se kjo do të thotë shkatërrim përfundimtar i PD. Por t’i vëmë kapak se kjo na ra e të dalim të frymëzojmë demokratët për beteja të reja është tallëse. Si do i frymëzoni? Ua kam thënë prej vitesh këto po s’donit të dëgjonit as të shihnit ku po gremiseshim”. Pjesë e debatit është bërë edhe Arben Imami, i cili ka kërkuar që të krijohen kushte për një garë të barabartë për të gjithë. “Duket sikur treni është për poshtë. Mund të krijohet dhe rikrijohet besimi vetëm me një garë të hapur, të ndershme dhe ku dëgjohen të gjithë. Sipas konceptit tim është shkelur statuti, por nuk është ky thelbi. Mendoj se po bëhet një garë e pandershme. Nëse në një pakicë të dërrmuar si kjo dhe një pjesë e partisë do ta quajë garën të pandershme. Të bëjmë një garë të ndershme që kryetari të jetë i pakontestueshëm”. Nuk ka munguar edhe kundërpërgjigja nga pala tjetër, pra nga mbështetësit e Bashës, ku me radhë, Jemin Gjana, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Enkelejd Alibeaj, Ervin Salianji e të tjerë kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura se procesi është antistatutor duke theksuar se nuk ka asnjë arsye që zgjedhjet të shtyhen. “Po më tregoni mua statutin që e kam bërë vetë”, mësohet t’iu jetë drejtuar Gjana anëtarëve të grupit anti-Basha. “Nëse një njeriu i duhen pas 27 vitesh karrierë politike edhe 27 ditë ekstra për të shpalosur platformën e tij politike atëherë të mos kandidojë fare. Pandershmërinë e garës e cakton procedura e garës, një anëtar-një votë. Dhe boll nxorëm të palarat tona”, është shprehur Gert Bogdani.

Kandidatët

Pavarësisht debateve dhe kundërshtimeve të një pjese të mirë të kryesisë, mbledhja ka vijuar me procesin e filtrimit të kandidatëve. Kështu, burime nga PD kanë bërë të ditur se në total ishin 8 kandidatë që kishin paraqitur kërkesë zyrtare, ndërsa mungonte mes tyre emri i Astrit Patozit. 6 prej kandidatëve që kishin depozituar kërkesën e tyre u skualifikuan nga kryesia me argumentin se nuk plotësonin kriteret statutore për të qenë figura qendrore dhe me përvojë në forumet drejtuese të partisë. Në garë kryesia ka lënë vetëm dy kandidatë, Lulzim Bashën dhe Eduard Selamin, të cilët për tre javë do të përballen në një fushatë që do të zhvillohet në bazën demokrate. Kryesia nuk ka marrë parasysh vullnetin e shprehur nga Patozi për të qenë edhe ai pjesë e garës. Patozi sipas nënkryetarit Paloka nuk u konsiderua kandidat, për shkak se nuk ka paraqitur asnjë dokument, përveç deklaratave publike që ka bërë.

 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Jo partisë së strukturave, po partisë së liderit

Nga Ervis Iljazaj Astrit Patozi në vazhdimin e betejës së tij kundër...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.