Debatet mbi varfërinë; populiste, hipokrite dhe pa asnjë zgjidhje

Nga Ervis Iljazaj

Varfëria shkakton gjithmonë emocione, aq më tepër kur pamje të njerëzve që jetojnë nën minimumin e jetës dhe kundrejt çdo dinjiteti njerëzor, shfaqen çdo ditë në ekranet shqiptare. Në këtë kuptim, politika, ajo që di më mirë se kushdo do tjetër t’i përdorë këto emocione në favor të saj, nuk lë rast pa shfrytëzuar dhe duke bërë beteja në emër të luftës kundër varfërisë.

Sigurisht që, të bësh beteja politike për të eliminuar varfërinë, është një kauzë që nderon çdo politikan dhe forcë politike, nëse vërtet ke ide se si mund ta luftosh atë. Por, e vërteta e dhimbshme, më shumë se sa varfëria në Shqipëri, është ekzistenca e një klase politike që në emër të varfërisë, zhvillon çdo ditë debate apo krijon shfaqje me dhimbjen e çdo familjeje që vuan nga kjo fatkeqësi njerëzore.

Ka disa ditë që debati për skemën e ndihmës ekonomike është kthyer në qendër të politikës shqiptare, që nga momenti kur nga kjo skemë janë lënë jashtë një numër i konsiderueshëm familjesh.

Seanca parlamentare e djeshme u fokusua e gjitha në këtë çështje. E megjithatë, ishin debate populiste, hipokrite dhe që nuk nxorën asnjë propozim konkret për uljen e varfërisë në vend. Sepse, zgjidhja për luftën kundër varfërisë, nuk është aspak ndihma ekonomike, ajo që sot ekziston sot në politikat sociale të Shqipërisë, por përgjegjësia e politikëbërjes për të zhvilluar ekonomikisht vendin duke krijuar një ekonomi gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese.

Kur debatohet për uljen e varfërisë, edhe në vendet europiane, nuk zhvillohen diskutimet në kuadrin e dhënies së asistencës sociale, sepse ajo është një zgjidhje momentale, aq më tepër në një kohe krize ekonomike që buxheti i shtetit nuk mund ta përballojë, por në kuadër të politikave ekonomike, të nxitjes së biznesit dhe subvencionimeve në sektorë të ndryshëm që mundësojnë punësimin dhe uljen e varfërisë.

I gjithë shteti social në Europë, me përjashtim të ndonjë rasti, po kalon në krizë për shkak të krizës ekonomike, prandaj debatet zhvillohen midis ideve të ndryshme për të tejkaluar politikat sociale dhe për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme.

Për këto arsye, debatet në Parlamentin e Shqipërisë, nuk sollën asnjë ide si në planin e politikave ekonomike për të nxitur punësimin dhe për të nxjerrë njerëzit nga varfëria, dhe as propozimin e politikave sociale dinjitoze. Por, u zhvillua në një rrafsh populist dhe të turpshëm, se cila nga palët kishte më shumë dhimbje për të varfrit e Shqipërisë. Në këtë kuptim ato ishin vetëm populiste dhe hipokrite, pasi asnjëherë nuk kemi dëgjuar deri më tani një plan serioz nga politika shqiptare për të ulur nivelin e varfërisë në Shqipërisë.

Zgjidhjen, kurrsesi nuk mund ta kërkojmë te karitasi politik, i cili është në garë elektorale për të përfituar konsensus popullor, se cili ofron më shumë në formë mëshire për familjet e varfra shqiptare. Prandaj, pamjeve në ekranet shqiptare, të familjeve që jetojnë kundër dinjitetit njerëzor duhet t’i japim fund, vetëm nëpërmjet politikave ekonomike që i përfshijnë ato dhe i integrojnë në ekonominë kombëtare, dhe jo t’i përdorim në mënyrë cinike për disa vota më shumë.

Edhe nëse këtyre familjeve iu kthehet ndihma ekonomike, me atë nivel asistencë, ato përsëri konsiderohen familje të varfra, dhe problemi ngelet po i njëjtë. Duhet të ndërtojmë një ekonomi e cila të mundësojë dinjitetin njerëzor dhe nëse kjo nuk arrihet nëpërmjet punësimit, atëherë duhet me patjetër një paketë dinjiteti për çdo familje, që pasi i është ofruar çdo mundësi për ta nxjerrë nga karitasi shtetëror, janë ende në gjendje varfërie. Paketë e cila, me siguri nuk është niveli i asistencës që ofrohet sot.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Raporti: Vota u ble, opozita të jetë në qeveri 6 muaj para zgjedhjeve

Çfarë konstatuan ministrat teknikë për zgjedhjet e 25 qershorit dhe rekomandimet që...
Read More