Debatet për Kosovën: Vuçiç pro ndarjes në vija etnike, Thaçi-Haradinaj “kryqëzojnë” njëri-tjetrin

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç shprehet haptas për një ndarje të re mes Kosovës dhe Serbisë, duke synuar atë që sipas tij është ndarja në vija etnike, për të marrë Veriun e Mitrovicës. Politika në Kosovë vijon përplasjet e forta. Ish-kryeministri Berisha deklaron se “korrigjimi i kufijve” është vepër e Serbisë dhe Rama ka bashkëpunuar.

Në Kosovë qëndrimet për “korrigjimin e kufijve” që nënkuptojnë një hartë të re mes Kosovës dhe Serbisë po përfshihen nga debate mjaft të forta politike dhe jo vetëm. Presidenti i Kosovës është “kryqëzuar” pas deklaratave për korrigjim kufijsh mes dy vendeve, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj për të disatën herë ka mbajtur qëndrimin se vetëm me luftë mund të lëvizen kufijtë. Opozita ndërkohë ka qëndrimet e veta me LDK që thotë se do të kërkojë një interpretim nga gjykata kushtetuese për deklaratat e pamatura, siç i quan ajo, të presidentit. Ndërsa në anën tjetër të kufirit, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, thotë hapur se preferon ndarjen e Kosovës përgjatë linjave etnike. Por mjaft interesant ka qenë dje reagimi i Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, që është në favor të një marrëveshjeje që do të çonte në një shkëmbim të mundshëm kufijsh. “Unë mbështes ndarjen e Kosovës, kjo është politika ime”, ka thënë Vuçiç për televizionin lokal N1 të enjten. “Të kesh një territor që askush nuk di si ta trajtojë, ose që shërben gjithnjë si burim konflikti të mundshëm, nuk është diçka e mirë”-tha Vuçiç. Nuk është aspak e pakuptueshme që Serbia synon që të fusë nën administrimin e saj Mitrovicën e Veriut dhe për t’ia arritur këtij qëllimi duket se ka punuar prej shumë vitesh. Në Veri të Mitrovicës janë më se të organizuar administrata lokale që drejtohet nga serbët, ndërsa shumë problematike është gjendja për shqiptarët e Luginës së Preshëvës, që kanë njohur shpopullim dhe shkelje të të drejtave të tyre. Drejtuesit lokalë të Preshevës kanë artikuluar qartë dëshirën e tyre për bashkim me Kosovën, por situata nuk është aq rozë në këtë drejtim. Lugina e Preshevës përbëhet nga komunat Bujanovc, Preshevë dhe Medvegjë, me këtë të fundit që drejtohet nga serbët, dhe në rast të një korrigjimi kufijsh, mund të mbetej jashtë. Sipas kryetarit të komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi, serbët kanë kryer spastrim etnik në Medvegjë, e si rezultat kanë marrë drejtimin e komunës. Por, një zgjidhje e pjesshme për luginën, thotë ai do të sillte një tragjedi humanitare. Sipas Kamberit, Medvegja është pjesë e trungut etnik shqiptar dhe pjesë e pandashme e Luginës së Preshevës. Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha dje ka publikuar disa shkrime e marrëveshje që sipas tij po synojnë ndryshimin e kufijve në Kosovë, çka do të ishte sipas tij një tradhti e madhe kombëtare. “Korrigjimi i kufijve është term që përdor sot Beogradi dhe argatët e tij në Prishtinë, që nënkupton as më shumë dhe as më pak se sa t’i kalojnë Republikës së Serbisë katër komuna, konkretisht Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Patoku”-shkruan Berisha. Sipas tij, këto çështje janë edhe më të thella, duke implikuar edhe kryeministrin Edi Rama, që gjithsesi është ndër të paktët politikanë që ka mbetur pa reagim në këtë çështje kaq të madhe. “Në firmosjen e kësaj marrëveshjeje duhet të jetë Edi Rama! Mendoj se ky dokument nxjerr lakuriq argatët e Beogradit që përpiqen të mashtrojnë shqiptarët me spekulime semantike të përgatitura në kuzhinën e kryeqendrës së Serbisë dhe të servirura në takime obskure të argatëve të saj shqipfolës albanofob”-reagoi ashpër Berisha. Zërat pro dhe kundër i kanë bërë të ditur argumentet me kohë, por mbetet për t’u parë se cili do jetë qëndrimi i Uashingtonit dhe Brukselit, të cilët kanë lënë të hapur çdo opsion. Revista e njohur amerikane, Newsweek shkruan: “Serbia po synon qetësisht zgjidhjen e çështjes me një shkëmbim territoresh dhe propozimi nuk është përjashtuar plotësisht”. Sipas saj, marrëveshja nënkupton që Veriu i Kosovës do të shkëmbehet për Luginën e Preshevës, ndërsa kjo nënkupton më pas që Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të dyja vendet do afrohen më shumë me Bashkimin Europian.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Demokratizimi i Kushtetutës shqiptare sipas standardeve europiane

Përpjekjet për t’iu bashkuar familjes europiane për Shqipërinë kanë filluar që në...
Read More