Debati: I parakohshëm vs i vonuar

Rikthimi i debatit mbi komunitetin LGBTIQ pas takimeve të tyre në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare. Mendimet pro dhe kundra që përfshinë diplomacitë e huaja, shoqërinë civile, komunitetet fetare dhe institucioneve shtetërore, mbi të drejtat e individit nga njëra anë dhe “frymën” që përçohet në brezin e ri. Qëndrimet e Dom Gjergj Metës, analistit Fitim Zekthi dhe aktivistes së të drejtave të njeriut Delina Fico.

Nga Sebi Alla

LGBTIQ-çdo shkronjë një përfaqësi dhe identitet seksual, kuptimin e së cilës kanë; lezbikë, gej, biseksualë, transgjinorë, interseksualë, të pavendosur seksualisht. Ky është komuniteti që gjithnjë shkakton debat, por në tre javët e fundit mori vëmendje edhe më të madhe, gati duke “sfumuar” protestat kundër rritjes së taksave, revoltën ndaj varfërisë apo temës së dhimbshme njerëzore të krimeve të komunizmit. Edhe pse dy të parat janë jetësore, që lidhet me dhunën, vdekjen dhe humbjen e dinjitetit nga varfëria, duket se agjenda LGBTIQ, e mirorganizuar, me platformë të qartë, që shkon përtej prirjeve ndryshe seksuale, ka mundur t’ia dalë. Merr vëmendje, e bashkë me të edhe fonde, përkrahje, stimuj, ligje enkas për komunitetin e tyre dhe më pas kërkon shtrirjen. Ky debat mori më shumë zjarr kur në shkollat e mesme të Tiranës, madje disa kohë më parë edhe në shkollat 9-vjeçare, përfaqësues të komunitetit LGBTIQ, patën takime me nxënës dhe stafin pedagogjik, ku parashtruan idetë, platformën dhe qëllimin e tyre se sa “trendy” dhe mendjehapur është të kesh edhe prirje ndryshe seksuale, homoseksuale dhe çdo formë tjetër raporti intim, ndryshe nga shumica. Katër komunitetet fetare në Shqipëri dolën hapur kundër propagandimit të LGBTIQ nëpër shkolla, ndërsa njëzëri ishin dakord se nuk duhet të ketë diskriminim ndaj tyre. Studio televizive gjetën ushqim për temën e ditës, me debate që patjetër nxitin përplasje. U vunë përballë pjesëtarë aktivë të komunitetit LGBTIQ me përfaqësues të shoqërisë civile që ishin kundra, por si për ta thyer “raportin”, mendoi përgjegjësja për çështjet e përfshirjes sociale dhe barazisë gjinore në Ministrinë e Shëndetësisë kur u shpreh se: “Meqenëse në Europë janë 10 % e popullsisë pjesëtarë të këtij komuniteti, edhe Shqipëria nuk ka pse të jetë ndryshe”.

Përtej shifrave sa janë, pasi me statistikat vendi ynë mbetet ndër më të pabesueshmet, çështja e komunitetit LGBTIQ, është shumë më i gjerë se vendi ynë dhe ka kohë që diskutohet me qëndrime pro dhe kundra edhe në shtete më të zhvilluara, ku të drejtat e njeriut kanë shekuj që vihen në majën e prioriteteve. Presidenti i SHBA-së Donald Trump, qe më se i qartë kohë më parë, kur u shpreh se ishte kundër përfshirjes në ushtri të transgjinorëve. Për këtë rast, ambasadori i SHBA-së në Tiranë Donald Lu, nuk kishte as staturën zyrtare dhe as “guximin” qytetar, që të reagonte ndaj presidentit të tij. Për të derdhur “mllefin”, etiketoi me emër dy deputetë dhe një ish-deputet, duke i konsideruar si homofobë. “Kemi ndjekur debatin e nxitur nga komentet e bëra nga Ylli Manjani, Orjola Pampuri dhe Tritan Shehu. Shpresoj që drejtuesit politikë të kuptojnë se fjalët e tyre përfaqësojnë jo vetëm bindjet e tyre partiake por dhe të njerëzve të zgjedhur për t’i përfaqësuar. Shpresoj që edhe politikanët të jenë tolerantë”, deklaroi Lu, ndërsa përgëzoi disa nga deputetët socialistë për nismat kundër diskriminimit dhe mendjen e hapur për këto tema.

Analisti dhe pedagogu i UET-së Ftim Zekthi e konsideron të pavlerë një debat të tillë, jo se nuk përbën “lajm” agjenda LGBTIQ në Shqipëri, por më shumë se çështje, është një raport intim, privat, i njerëzve që mendojnë se janë ndryshe për nga prirjet seksuale. “Nuk është çështja nëse është koha apo jo për një debat të tillë. Çështja është se një debat i tillë është pa kuptim, nuk ka asnjë arsye të bëhet në asnjë kohë. Të qenit homoseksual është një gjë krejtësisht private dhe çdokush që është homoseksual ka të gjitha të drejtat e çdo personi tjetër. Askush nuk mund ta diskriminojë, fyejë, përçmojë apo sillet në një mënyrë që e bën atë të ndihet i përjashtuar nga të drejtat që kanë të tjerët”-komenton Zekthi, ndërsa shton se ligjërisht nuk lejohet diskriminimi ndaj askujt dhe duke qenë kështu, nuk ka kuptim një debat mbi homoseksulitetin dhe homoseksualët. Nga ana tjetër, aktivistja e të drejtave të njeriut Delina Fico, gjykon se në çdo kohë që të bëhen diskutime për çështje të tilla duhen përkrahur, pasi thelbi janë liritë dhe mosdiskriminimi.

“Debati për nevojën për të edukuar të rinjtë lidhur me realitetin e jetës dhe të drejtat e këtij komuniteti, është me vend dhe në kohë, por si një debat që duhet t’iu hapë rrugën përpjekjeve edhe më të mëdha në mënyrë që shoqëria shqiptare t’i respektojë plotësisht të drejtat e personave LGBTI”-komenton Fico. Në të kundërtën me qëndrimin e disa organizmave, përfaqësive të huaja apo të vetë personave që reklamojnë dukshëm prirjen e tyre seksuale, është Dom Gjergj Meta. Sipas tij, ndërhyrja e fundit në parlament e përfaqësuesve të diplomacive të huaja, sidomos USA në personin e ambasadorit Donald Lu, apo edhe disa deputetëve tanë, është një paternalizëm krejtësisht i pavend dhe hipokrit për sa i përket çështjes LGBTIQ në Shqipëri.

Më poshtë, tri shkrimet e Metës, Zekthit dhe Ficos të botuara gjatë ditëve kur është zhvilluar ky debat i nxehtë.

Dom Gjergj Meta: Çështja e lirisë nuk është çështje qejfi, por sociale

Çështja tjetër është ajo e LGBT. Ka një lloj agjende imponuese rreth kësaj çështjeje, pasi agjenda LGBT vjen nga lart dhe nga larg. Duhet ndarë agjenda LGBT dhe personat LGBT. Ndërhyrja e fundit në parlament e përfaqësuesve të diplomacive të huaja, sidomos USA në personin e ambasadorit Donald Lu apo edhe disa deputetëve tanë, është një paternalizëm krejtësisht i pavend dhe hipokrit. Paternalizëm që vjen si pasojë e një vendi të vogël e me plot probleme, i paaftë për të vendosur vetë e për të marrë në dorë fatet e vetvetes. Kur u miratua Reforma në Drejtësi, Ambasadorët e vendeve europiane e të USA heshtën përballë heqjes së nenit të mosdiskriminimit në Kushtetutë. Atëherë heshti edhe Avokati i Popullit dhe shumë OJQ e OJF, madje edhe vetë LGBT.

Kjo do të thotë se në këtë çështje oportunizmi është kriteri i veprimit dhe jo kujdesi ndaj personave LGBT. Në prag të votimit për Reformën në Drejtësi kundër këtij neni foli vetëm Mesila Doda dhe Tritan Shehu. Në atë kohë e kritikova Mesila Dodën dhe e quajta oportuniste, por më duhet të pranoj se ajo kishte të drejtë dhe jo unë. Dua t’i qortoj vetes një lloj naiviteti përreth kësaj çështjeje. Agjenda LGBT, ashtu si paraqitet ndër ne dhe në shumë vende të tjera perëndimore, është një çështje oportunizmi dhe ekonomie. I ngjan OJQ-ve që punojnë për pyllëzimin e pyllëzim s’ka askund. Në këtë pikë jam dakord përsëri me Mesila Dodën dhe Tritan Shehun të cilët së fundmi e kanë artikuluar qartë këtë gjë. Shumë qeveri dhe politika të majta e liberale çojnë përpara agjenda të tilla.

Zhgënjimi që kanë pasur nga eksperimenti stalinist në kampin socialist, i ka hedhur shumë ndjekës të marksizmit në krahët e një liberalizmi antropologjik dhe social apo në integralizma ideologjikë të natyrave të ndryshme, përfshi edhe ato fetarë, pa mundur të gjejnë një të mesme të artë. Ndërsa për personat LGBT ka një rrugë tjetër, drejt së cilës shoqëria jonë duhet të ecë. Çështja e lirisë nuk është një çështje qejfi, por një çështje sociale. Liria jetohet dhe zhvillohet jo si një hapësirë ku ekzistoj vetëm unë, por si një hapësirë ku bashkëjetohet dhe ku duhet të ecim të gjithë së bashku. Na takon të gjithëve që të kujdesemi në mënyrë që personat me orientim seksual të ndryshëm, të mos ndihen të përjashtuar në jetën e përditshme. Por integrimi i tyre duhet të kalojë patjetër nëpërmjet një procesi të brendshëm, i cili duhet të mbajë parasysh rrethanat kulturore, shoqërore, politike, antropologjike, e kështu me radhë, të një vendi dhe të një kohe. Integrimi nuk kalon nëpërmjet luftërave identitare që u ngjajnë kryqëzatave, pavarësisht nëse kanë ngjyrë fetare apo ideologjike, si ajo e agjendës LGBT, apo asaj neokomuniste, e as nëpërmjet manifestimeve publike nëpër parada krenie. Kujdesi ndaj personit është primar, por jo ndaj një personi që vendos veten e tij në qendër të gjithçkaje pa pyetur askënd e pa marrë parasysh jetën e të tjerëve.

Fitim Zekthi: Qeveria po përpiqet të promovojë homoseksualitetin

Qeveria e sotme shqiptare po përpiqet me forcë që të promovojë homoseksualitetin, që shqiptarët të mendojnë mbi homoseksualitetin në terma të agjendës gay. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka lejuar që në shkollat e mesme të Tiranës por edhe të qyteteve të tjera të zhvillohen leksione ose orë mësimi ku aktivistë të homoseksualizmit iu flasin nxënësve mbi të mirat e të qenit gay apo lesbike, mbi faktin që ajo është një sjellje seksuale e natyrshme dhe e drejtë etj. Arsyetimi zyrtar është lufta ndaj paragjykimit apo diskriminimit. Dihet që agjenda gay është një agjendë politike e cila i kthen në objekte homoseksualët, i përdor ata duke i fyer dhe duke ua nxjerrë në sheshin publik një gjë intime se seksi dhe duke u thënë njerëzve që të jesh gay është një gjë e mirë, e shëndetshme dhe e virtytshme. Kjo mizori e agjendës nuk i trajton homoseksualët si njerëz që meritojnë respekt, që kanë dinjitet, që nuk duhet të përdoren rrugëve, shkollave, paradave etj. Qeveria shqiptare ka zgjedhur pra të promovojë këtë qasje mbi moralin. Në radhë të parë duhet thënë se detyra e qeverisë nuk është që të edukojë, predikojë moral dhe aq më keq imponojë moral. E majta, komunistët gjithnjë kanë dashur të promovojnë një moral të tyrin dhe qeveria jonë në këtë rrugë duket se është. Cila kulturë, cili këndvështrim, cilat themele kanë bërë që homoseksualiteti të shihet si i mirë, si i drejtë, si i shëndetshëm dhe si i virtytshëm.

Si kemi arritur ne si kulturë kaq pranë braktisjes së konsensusit kohë gjatë mbi normat seksuale që shkurajojnë homoseksualitetin? Sigurisht, ky ndryshim në qëndrim, që përpiqet ta shtyjë përpara edhe qeveria shqiptare, ndaj homoseksualitetit është thjesht një pjesë e një ndryshimi më të gjerë në lidhje me seksualitetin dhe familjen si të tërë. Ky ndryshim ka nisur me dekada dhe ka të bëjë me përpjekjen për të zëvendësuar fetë tradicionale (krishtërimin, judaizmin dhe islamin) dhe moralin e tyre me një fe të re dhe sigurisht me një moral të ri. Parimet e kësaj feje të re po përpiqen të dominojnë me shpejtësi moralitetin tonë publik. Por vetë feja nuk është e re në të vërtetë, as është e tillë doktrina e saj teologjike. Kjo fe është thjesht rilindja e paganizmit dhe parimet e tij janë gnosticizmi, thotë Jeffrey Satinover i universitetit të Yale-it. Rilindja e paganizmit nuk është thjesht kufizim i fesë dhe as thjesht feja e humanizmit, ndonëse humanizmi është një aspekt i dukshëm dhe i famshëm i saj. Në dallim nga fetë tradicionale paganizmi ka një koncept shumë të kufizuar ose të paqenë mbi të keqen. Atij i mungon një mënyrë për të dalluar midis vullnetit dhe asaj që bëhet nga detyrimi, midis qëllimshmërisë së vetëdijshme dhe shtysës instiktive të pavetëdijshme, thotë Sotinover. Në të kundërt, një parim themelor i feve tradicionale për mijëra vite ka qenë se mëkati është shpjegimi qendror për vuajtjet njerëzore. Në këtë pikëpamje nevoja absolute për Zotin duket qartë.

Ndërsa shpjegimi pagan për vuajtjet njerëzore gjendet te materialja dhe kësisoj është shumë e vështirë të themelosh kufij në të cilët vepron njeriu. Shoqëria pagane është polivalente. Asnjë moral i vetëm standard nuk qeveris jetët e njerëzve. Vetëm pushteti i forcës është superior mbi të gjitha, jo perëndia, jo një bashkësi e caktuar vlerash njerëzore. Duke qenë kështu atëherë standarde të ndryshme për grupe të ndryshme çojnë pashmangshëm në gara të fragmentuara dhe me kalimin e kohës vullneti për pushtet bëhet rregulli i vetëm. Fuqia përcakton të drejtën dhe shumë shpejt zhbën sundimin e ligjit; Zeusi sundon sepse ai është më i fuqishmi, për asnjë arsye tjetër shprehet filozofi C. S. Lewis. Zeusi sigurisht nuk është më i dituri; dhe as që ka një koncept mbi të ndershmen. Teologjia e paganizmit thotë se shoqëria pagane është panteiste ose animiste. Zotat dhe perënditë banojnë në botën natyrore dhe janë një me të; vetë natyra adhurohet si hyjnore. Kjo do të thotë se njerëzit adhurojnë jo vetëm natyrën “jashtë” por edhe natyrën e tyre “brenda” – instinktet e tyre, të ngrënit, seksin dhe agresionin, në mënyrë të përgjithshme, kënaqësinë. Shkurt, ata adhurojnë veten. Kështu duke spiritualizuar instinktet, adhurimi pagan priret natyrshëm tek e dhunshmja, hedonistja dhe orgjiastikja. Pagania e merr çfarë gjendet brenda natyrës njerëzore si masë të asaj çfarë është e mirë dhe çfarë e bën atë një “hyjni” apo të shenjtë; njeriu si masë e të gjitha gjërave.

Delina Fico: Nuk mund të diskriminosh dikë që dashuron

Fakt: Gjatë dy dekadave të fundit, shumë organizatat joqeveritare që punojnë për përparimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e grave, të fëmijëve, të romëve dhe egjiptianëve, të personave me aftësi të kufizuar etj., kanë bashkëpunuar me shkollat shqiptare të të gjitha niveleve për të biseduar me nxënësit apo studentët lidhur me të drejtat e njeriut dhe problemet me të cilat përballen grupet që këto organizata përfaqësojnë. Këtë gjë dhe asgjë tjetër më shumë kanë bërë dhe përfaqësuesit që këto organizata përfaqësojnë. Këtë gjë dhe asgjë më shumë kanë bërë edhe përfaqësuesit e organizatave që mbrojnë të drejtat e personave LGBTI.

Fakt: Dija nuk është kurrë rrezik për askënd. Padija është. Padija ushqen frikën dhe përbuzjen për atë që se njeh, për tjetrin, për një mënyrë mendimi apo jetese të ndryshme nga e jotja. Padija e përçan një komunitet, ushqen dhunë në marrëdhëniet mes njerëzve. Ne si shqiptarë e kemi provuar dhe e provojmë ende në lëkurë këtë gjë. Secili nga ne ka nga një histori personale në këta 27 vitet e fundit, kur është ndier i/e diskriminuar, i/e përbuzur nga një individ, të themi, në një vend të Bashkimit Europian, individ, i cili/ e cila nuk na njeh dhe e ndërton sjelljen e tij/ e saj bazuar mbi paragjykime negative për ne si shqiptarë. Ndaj, është shumë e rëndësishme që të rinjtë të marrin dije lidhur me shqetësimet, problemet dhe të drejtat e grupeve të ndryshme në shoqëri, duke përfshirë komunitetin LGBI, në mënyrë që të rriten si individë që nuk urrejnë, nuk përbuzin, nuk mendojnë t’i zgjidhin me dhunë problemet apo diferencat që mund të kenë me njëri-tjetrin apo me të tjerët.

Fakt: Personat LGBTI nuk janë ca alienë që kanë ardhur nga diku tjetër e po na pushtojnë. Ata janë qytetarë të këtij vendi, kontribuojnë si çdo njeri tjetër në jetën e familjes së tyre, komunitetit ku jetojnë apo punojnë, si dhe të shoqërisë. Ata janë vëllezërit, motrat, fëmijët, prindërit, shokët, miqtë, kushërinjtë dhe kolegët tanë. Dhe këta njerëz që janë mes nesh, shpesh vuajnë diskriminim jo sepse kanë thyer ligjin apo sepse i kanë bërë keq dikujt tjetër, por sepse dashurojnë një njeri të së njëjtës gjini. Po a mund të diskriminosh dikë pse dashuron? Për më tepër, përse duhet ta rregullojë shoqëria se kë dashuroj unë ose ti, ose një person LGBTI? Çfarë e keqe i vjen shoqërisë nga mënyra se si personat heteroseksualë ose LGBTI dashurojnë dhe i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre intime? Ndaj, është shumë e rëndësishme që të rinjtë të mësojnë lidhur me shqetësimet dhe të drejtat e vëllezërve, motrave, prindërve shokëve, miqve dhe kushërinjve të tyre, të cilët janë persona LGBTI.

Fakt: Studime të pafund dhe realiteti i jetës së përditshme të personave LGBTI kanë provuar pa asnjë dyshim se të jesh person LGBTI nuk është ideologji, modë, apo zgjedhje, e aq më pak një sëmundje, por është një nga format e ekzistencës së qenieve njerëzore, pjesë e shoqërisë njerëzore që nga fillimet e veta. Kështu, shanset që një i ri apo e re, i cili merr informacion lidhur me shqetësimet dhe të drejtat e personave LGBTI, të konvertohet në një person LGBTI janë të barabarta me shansin që një i ri, pa asnjë talent muzikor, i cili merr informacion për historinë e operas nga një tenor, të bëhet këngëtar opere. Kështu që s’ka asnjë arsye për t’u frikësuar apo shqetësuar pse të rinjtë po marrin informacion lidhur me diskriminimin e personave LGBTI dhe të drejtat e tyre. E gjitha kjo është shumë zhurmë për asgjë.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi Read More