Debati me dyer të mbyllura në PD, pse Basha e Berisha refuzuan bojkotimin e Kuvendit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur dje që të vijojë marrëdhëniet e kushtëzuara me Parlamentin, edhe pse një pjesë e madhe e deputetëve ishte pro idesë së bojkotimit të Kuvendit. “Panorama” zbardh debatin me dyer të mbyllura në Grupin e PD-së, ku deputetët demokratë kanë kërkuar të përshkallëzohet aksioni opozitar, me bojkotimin e Kuvendit.

“Protesta ishte shumë e mirë, por mendoj që duhet shoqëruar me vendime të forta, duke e lenë Parlamentin dhe duke e bojkotuar atë”, mësohet të jetë shprehur Flamur Noka. Këtë mendim kanë pasur dhe deputetët, Klevis Balliu, Bardh Spahia, Endri Hasa e Myslym Murrizi. Më i moderuar është treguar Fatmir Mediu, i cili ka thënë se duhet të analizohen mirë rrethanat dhe se ky aksion të mos i kthehej kundër PD-së.

Ish-Kryeministri Sali Berisha është shprehur kundër bojkotimit të Kuvendit, edhe pse e cilësoi atë si të drejtë. Ai ka thënë se opozita me qëndrimin e saj po ndihmon hapjen e negociatave, sepse me aksionet e saj po kërkon zbatimin e një prej prioriteteve kyç që është lufta kundër krimit të organizuar dhe drogës. Sipas burimeve, Berisha ka komentuar dhe protestën, teksa ka thënë se ishte e lehtë që opozita me qytetarët të pushtonte institucionin e Ministrisë së Brendshme, por Lulzim Basha u tregua i përgjegjshëm që i tërhoqi protestuesit.

“Nuk ishte vështirë që qytetarët të hynin në institucione, por Partia Demokratike dhe Lulzim Basha tregoi me këtë aksion se është parti e përgjegjshme, duke i tërhequr qytetarët. Jam i mendimit që kryetari bëri shumë mirë që i tërhoqi qytetarët, pasi Rama dhe Xhafaj atë do të donin që të kishte incidente dhe dhunë”, mësohet të jetë shprehur Berisha. Edhe Lulzim Basha ka vlerësuar protestën dhe angazhimin e deputetëve, por ka thënë se me nisjen e bojkotit do të hiqej vëmendja nga aksioni opozitar, pra, lidhja e qeverisë me krimin dhe drogën.

DEBATI ME DYER TË MBYLLURA NË PD

Flamur Noka: Nga takimet që zhvillojmë me demokratët dhe militantët kërkojnë nga ne që të reagojmë fort, duke bojkotuar Parlamentin. Nuk ka kuptim që ne të jemi në Parlament, por Edi Rama nuk dëgjon asgjë, por na trajton si fasadë dhe vazhdon me mënyrën e tillë tallëse ndaj opozitës. Në këto kushte nuk na mbetet gjë tjetër veçse të përballemi, duke bojkotuar. Kjo është e vetmja rrugë për ta zgjidhur situatën me ketë qeveri që nuk dëgjon. Protesta ishte shumë e mirë, por mendoj që duhet shoqëruar me vendime të forta, duke e lenë Parlamentin dhe duke e bojkotuar atë.

Klevis Balliu: Jam i mendimit që duhet të ketë bojkot të Parlamentit. Nga takimet e shumta që kam pasur me militantët e Partisë Demokratike të Pogradecit më kanë thënë që pse duhet të vijmë në protestë për kaq pak. Duhet që dhe ju të mbani qëndrim të fortë dhe të bojkotoni Parlamentin, sepse me këtë qeveri që është e lidhur me drogën dhe krimin nuk ka zgjidhje tjetër.

Fatmir Mediu: Në këtë moment që ndodhemi, mendoj se duhet të tregohemi të kujdesshëm sepse është dhe situata e tillë, që duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe në marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe ku na çon bojkoti. Pra, a do i shërbej opozitës apo do i shërbej pastaj qeverisë për t’u ngritur tymnajë akuzave kundra nesh.

Flamur Noka: Është faktuar tashmë që Fatmir Xhafaj dhe Agron Xhafaj janë të përfshirë dhe kanë lidhje me trafikun e drogës. Xhafaj është ministri i dytë i Brendshëm i përfshirë në drogë dhe me këta s’ka se si të ketë zgjedhje të lira me një qeveri të lidhur me krimin dhe drogën.

Fatmir Mediu: Dakord, por duhet të analizojmë me kujdes pluset dhe minuset e këtij vendimi. Kush kënaqet nga secili vendim dhe duhet bërë shumë kujdes, sidomos në këtë moment. Nuk po them që jam kundër bojkotit, por duhen vlerësuar anët pozitive dhe negative në këtë moment. Unë do respektoj çdo vendim që del nga ky grup…

Astrit Veliaj: Ne duhet të ngjallim besimin e qytetarëve me protestat, por mendoj se duhet të nxisim dhe aksionin qytetar. Të përfshijmë sa më shumë njerëz.

Myslym Murrizi: Mendoj se duhet të analizojmë të gjitha aksionet e ndjekura deri më sot. Dhe nëse rezulton që është më mirë për ne që të largohemi nga Parlamenti, jam dakord t’i lëmë mandatet. Por duhet ta mendojmë sesi, ose të lëmë mandatet ose të gjejmë forma të tjera për t’u përballur me këtë qeveri të lidhur me krimin dhe drogën.

Sali Berisha: Rasti i bojkotit për dekriminalizimin, që u mbështet dhe nga ndërkombëtarët dhe solli ligjin e dekriminalizimit, i cili realizoi një qëllim dhe aksion shumë madhor të opozitës. Po ashtu që nga revolta e Kalimashit, opozita ka bërë disa lëvizje e protesta. Por duhet të marrim vendime të rëndësishme në këtë periudhë, sepse Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e negociatave, pavarësisht se vendet anëtare dhe raporte të SHBA-ve, e gjejnë atë raport sipërfaqësor.

DASH thotë që Shqipëria është qendër operacionale rajonale për krimin e organizuar. Ne nuk mund te themi si opozitë që janë plotësuar kushtet se do quhemi “fake opozite”. Protesta kishte mesazhe të qarta që janë pasqyruar në të gjitha mediat ndërkombëtare. Të gjitha e trajtuan si protestë kundër qeverisë së lidhur me krimin, protestë kundër ministrit të Brendshëm, që vëllain e ka të dënuar për trafik droge. Por jam i mendimit se me Ramën zgjedhje në rrugë paqësore nuk ka.

Me këto aksione opozita po kontribuon në integrim. Po kërkon që qeveria të plotësojë kushtet. Pra, largimin e Fatmir Xhafajt dhe plotësimin e kritereve të luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës. Jam në komunikim të vazhdueshëm më qytetarët, dikush më shkruan që duhet reaguar më fort, dikush më shkruan që me këta nuk mund të vazhdohet rruga institucionale, por opozita duhet të bojkotojë. Disa të tjerë më kanë thënë pse nuk bëmë protestë më të fortë dhe më të dhunshme. Por një gjë të tillë e kishim kollaj bashkë më qytetarët ta bënim, ndaj dhe Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj u fshehën ditën e protestës.

Nuk ishte vështirë që qytetarët të hynin në institucione, por Partia Demokratike dhe Lulzim Basha tregoi me këtë aksion se është parti e përgjegjshme, duke i tërhequr qytetarët. Jam i mendimit që kryetari bëri shumë mirë që i tërhoqi qytetarët, pasi Rama dhe Xhafaj atë do të donin, që të kishte incidente dhe dhunë. Ne duhet t’u themi të gjithë demokratëve dhe ju duhet t’u ktheni përgjigje se demokratët duhet të bëjnë reagim dhe të protestojnë për të drejtat e tyre. Besoj se aksionet tona duhet të përqendrohen në protesta të zgjatura, çdo ditë, jo si çadra. Por duhet të këmbëngulim për të bindur qytetarët për të protestuar.

Lulzim Basha: Bojkoti parlamentar është një akt legjitim në këtë situatë, edhe më shumë se sa aksioni për ligjin e dekriminalizimit. Qëndrimi i opozitës dhe qytetarëve të bashkuar kundër krimit dhe drogës për një Shqipëri europiane është i vendosur dhe i pakapërcyeshëm: Fatmir Xhafaj duhet të largohet nga ministër i Brendshëm dhe t’i hapë rrugën një hetimi të pavarur dhe të pandikuar nga pushteti që ai mban sot.

Policia e Shtetit duhet të çlirohet nga kapja prej klanit Xhafaj, i cili zëvendësoi klanin Tahiri-Habilaj, duke vazhduar të mbrojë krimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës. Por jam i mendimit që lëvizja drejt bojkotit parlamentar në kushtet kur jemi investuar fort për hapjen e negociatave, rrezikon të devijojë vëmendjen nga çështja kryesore: që kemi një qeveri të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Eklipsi i plotë diellor

Oregoni ka qenë i pari që është përfshirë nga errësira gjatë eklipsit...
Read More