Debati për lobimin në SHBA, detajet e takimit Lu-Basha

Burime pranë PD-së njoftuan për mediat se gjatë takimit, kryetari Basha dhe ambasadori Lu shkëmbyen pikëpamje mbi zbatimin e Reformës në Drejtësi, luftën kundër krimit dhe drogës dhe proceset e ardhshme politike brenda Partisë Demokratike

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Donald Lu zhvilloi dje një takim me kryetarin e PD-së Lulzim Basha në zyrën e këtij të fundit. Pas takimit të zhvilluar prej më shumë se një orë, Partia Demokratike nuk doli me një njoftim zyrtar, por burime pranë saj njoftuan për mediat se gjatë takimit, kryetari Basha dhe ambasadori Lu shkëmbyen pikëpamje mbi zbatimin e Reformës në Drejtësi, luftën kundër krimit dhe drogës dhe proceset e ardhshme politike brenda Partisë Demokratike. Takimi mes ambasadorit amerikan dhe kryetarit të opozitës vjen në një periudhë të nderë politike ku Partia Socialiste ka kërkuar me ngulm që kryetari i PD-së, Lulzim Basha të sqarojë në organin e akuzës mënyrat e derdhjes së pagesave dhe kujt, që partia më e madhe e opozitës ka bërë në SHBA për lobim. Prej disa ditësh, socialistët kanë akuzuar Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj se janë të përfshirë në një skemë financimi të dyshimtë. Ata iu janë referuar dy artikujve investigues, i pari nga rrjeti investigativ “Birn” dhe i dyti nga revista amerikane “Mother Jones”. Referuar artikujve sa më sipër, PS-ja ka dalë në konkluzionin se PD-ja është përfshirë në një skemë financimi lobuese jotransparente, me burime të dyshimta, që përfshijnë edhe biznesmenë me shtetësi dhe rezidentë ruse. Socialistët kërkojnë gjithashtu zbardhjen e transaksioneve, sipas saj, të paligjshme që përfshijnë kompani guaska offshore në ishujt Belize, si dhe mosdeklarime sipas Kodit Zgjedhor në Shqipëri dhe ligjit për financimin e partive politike. Por, pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Lulzim Basha sqaroi se, Partia Demokratike i ka bërë të qarta të gjitha aspektet financiare dhe zgjedhore dhe se gjithçka ka dalë në përputhje me ligjin. “…Kemi qenë ne të parët që kemi kërkuar verifikimin nga prokuroria, të presë Edi Rama verifikimin nga Prokuroria… Të presim rezultatet e hetimit, por ndërkohë të mos harrojmë se po përgatitet lirimi i Saimir Tahirit dhe po përgatitet sabotimi total i hetimeve të kokainës së Maminasit. Kemi të dhëna dhe denoncime jashtëzakonisht shqetësuese”, sqaroi Basha dy ditë më parë.

Thuajse të njëjtin këndvështrim ka ndarë edhe ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në një intervistë për “TV Klan”. Në këtë intervistë, artikullin e “Mother Jones”, Nishani e cilëson një investigim bulevardesk, për të cilin thotë se është kthyer në kauzë nga qeveria shqiptare për të larguar vëmendjen nga situata e krimit, drogës dhe korrupsionit që po kalon vendi dhe njëherazi për të asgjësuar opozitën.

“Është stisje e debatit politik që qeveria kërkon të krijojë një kauzë të re për t’i ikur problemeve si varfëria, azili i shqiptarëve, shkatërrimi i institucioneve, trafiku i drogës nga ai i kanabisit tek ai kokainës, dhe korrupsioni. Është një kauzë që nuk ngjit, sepse Partia Demokratike është lindur për të sjellë produkte pro-euroatlantiste deri në aktin më madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Vetë zoti Basha, kryenegociatori diplomatik i procesit”, -tha ai.

Ish-Presidenti thotë se lobimi nuk është një fenomen i ri për partitë politike shqiptare dhe si një mekanizëm ligjor të dikton bërjen e transparencës, proces që ai thotë se Partia Demokratike e ka bërë.

“Dokumentet që janë depozituar, komunikimi që është kryer i krijon të gjitha hapësirat për të pasur transparencë. Patjetër që këtë, PD dhe zyrtarët e saj duhet ta përsërisin”, -tha ai.

Për akuzat e PS-së në drejtim të PD-së ka folur dje edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. “Problemi sot më i madh nuk është se a ka bërë fotografi me Presidentin Trump Lulzim Basha apo ka paguar Partia Demokratike nga fondi apo buxheti i saj për lobing në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Besoj që e mbani mend që Edi Rama veshi fustan për të bërë një fotografi me Obamën para disa viteve dhe nuk ishte kjo gjëmë kaq e madhe. Unë vetë personalisht jam kundër kompanive lobiste, sepse kompanitë lobiste kanë një strategji që të bëj pak pis, që të të pastrojë nesër. Unë mendoj që e gjithë klasa politike marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta ketë nëpërmjet Ambasadës së SHBA-së, të cilët janë ata prezantuesit e institucioneve të shtetit amerikan dhe janë të detyruar t’i përgjigjen klasës politike për sa i përket axhendës politike të partive të ndryshme apo dhe individëve të ndryshëm…”, -tha Kryemadhi. Megjithatë, çështja e lobimit, sipas saj, ka të bëjë me zgjedhjen individuale të lidershipit të çdo partie. “Sepse të jeni të bindur që edhe vetë Z. Rama, dhe vetë qeveria po të kenë strukturat e investigimit, qoftë të prokurorisë apo të policisë së shtetit, edhe kontaktet me Interpolin apo me institucione të tjera do të shikoni që janë me miliona euro apo dollarë që paguhen për lobimin e Z. Rama në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por unë nuk mendoj që problemi i varfërisë që ka pllakosur në Shqipëri është te lobimi që bëjnë partitë politike…”, shtoi ajo.

Por, Partia Socialiste vijon të këmbëngulë se kjo është një çështje për t’u hetuar nga drejtësia. “… Lulzim Basha deklaron se mes atij vetë personalisht apo Partisë Demokratike dhe kompanisë së lobimit Muzin ka vetëm një kontratë dhe vlera e paguar nga PD është vetëm 25 mijë dollarë. Por kompania e lobimit Muzin, kompania që ka punuar për llogari të Lulzim Bashës, deklaron se përveç 25 mijë dollarëve të Bashës, ajo ka marrë edhe 500 mijë dollarë të tjerë nga Partia Demokratike. Për ta bërë zullumin edhe më të zi, kompania në fjalë deklaron se përveç Partisë Demokratike, ajo është paguar edhe nga një firme ruse në vlerën 150 mijë dollarë për lobimin që ka bërë në Shtetet e Bashkuara për Lulzim Bashën. Basha deklaron se i ka dhënë kompanisë së lobimit vetëm 25 mijë dollarë, kurse kompania e lobimit deklaron se ka marrë 675 mijë dollarë për punën që ka bërë për Bashën. Këto deklarime, të cilat Basha i quan sajesa, nuk i ka bërë dikush që me Bashën nuk ka asnjë lidhje; nuk i kanë bërë as mediat komuniste amerikane dhe as mediat shqiptare; i ka bërë vetë i punësuari i Lulzim Bashës, Nick Muzin”, -tha dje nënkryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Elisa Spiropali.

 

Ngjela: Lu i kërkoi Bashës dorëheqjen

I ftuar në emisionin “45 minuta” të gazetarit Denis Minga, avokati Spartak Ngjela foli për shkrimin e gazetës “Mother Jones”, procesin e vettingut dhe për politikat që po ndjek SHBA në Tiranë.

I pyetur nëse SHBA-të janë të shqetësuara për shkrimin në gazetën “Mother Jones” pas takimit të ambasadorit Lu me Bashën, Ngjela tha: “Nuk flasim për politikat e SHBA por nuk është e habitshme që t’i ketë kërkuar dorëheqjen kreut të opozitës. Janë politika të Amerikës që te çadra. Duhet ndërruar trajektorja, d.m.th. duhet të ndërrohet kryetari, kryetari është Saliu, ai është anti-amerikan që në vitet 1997…”.

I pyetur për situatën në Partinë Demokratike, avokat Ngjela tha se askush nuk e bind nga drejtuesit aktualë të djathtë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Melanoma: Kush rrezikohet nga kanceri i lëkurës

Melanoma mund të trajtohet suksesshëm nëse zbulohet në kohë. Ky kancer mund...
Read More