Debatokracia

Nga Klementin Mile 

Koha ecën, por disa gjëra mbeten njësoj. A nuk ka një ngjashmëri të madhe midis arenës së gladiatorëve në Perandorinë Romake dhe arenës së debatit në studiot televizive të Shqipërisë së sotme? Sigurisht, nuk derdhet më gjak duke e goditur tjetrin me shpatë, me heshtë apo me ndonjë armë tjetër të tmerrshme; sot mjafton fjala. Në fakt, njëri nga dallimet themelore të demokracisë përkundrejt regjimeve monarkike dhe tiranike është pikërisht ky: ndërsa në monarki dhe tirani bëheshe mbret apo tiran duke e eleminuar fizikisht rivalin (apo, edhe kur e merrje fronin paqësisht, të duhej ta mbroje me gjak nga rivali), në demokraci lufta civile është zëvendësuar nga polemika, nga pushteti i fjalës.

E megjithatë populli, si në kohën e Perandorisë Romake ashtu dhe në kohën e demokracisë, ka mbetur në shkallët e amfiteatrit, duke soditur betejën e ‘të përzgjedhurve’ në arenë, e gladiatorëve të djeshëm dhe të sotëm. Mbase jemi të justifikuar të themi se këtë shfaqje e mundëson ‘etja për gjak’, e cila duket të jetë e pashtershme te qeniet njerëzore. Në epokën romake amfiteatri ishte plot e përplot; në epokën tonë amfiteatri është bosh. Veçse nuk duhet të krijojmë iluzione – amfiteatri vetëm është zhvendosur; ai nuk gjendet më në një vend të mirëpërcaktuar dhe të kufizuar në hapësirë, por është decentralizuar, është pluralizuar dhe tashmë ka një amfiteatër në çdo shtëpi banimi brenda së cilës gjendet një televizor.

Një numër shumë i madh emisionesh nëpër televizionet shqiptare organizohet në formë debati. Gjithashtu nëpër gjimnaze e universitete anembanë vendit ngrihen vazhdimisht klube debati dhe trajnohen të rinjtë dhe studentët me teknikat e debatit. Në pamje të parë kjo duket si shenjë e shëndetit të demokracisë dhe e pluralizmit në vend, madje mund të gjykohet se i bën mirë edhe sferës publike dhe një shoqërie të hapur. Por, po të reflektojmë pak për këtë situatë, do të vëmë re se duke i lënë kaq shumë hapësirë debatit, kemi sakrifikuar thuajse tërësisht diskutimin. Diskutimi dhe debati kanë një dallim esencial: ndërsa në debat interesi është të mposhtet kundërshtari, pavarësisht nëse argumenti yt është i vlefshëm apo jo, i fortë apo i dobët, në diskutim interesi është të zbulohet e vërteta. Diskutimi, duke patur për synim të vërtetën e çështjes që diskutohet, priret t’i respektojë në maksimum rregullat e logjikës. Nga ana e vet, debati ka një imperativ tjetër – fitoren me çdo kusht – dhe prandaj mund të dhunojë sipas volisë rregullat e logjikës dhe t’i referohet më së shumti retorikës, volumit të lartë, zhurmës, ekzibicionizmit etj. Nuk është aspak e rrallë të vëresh në debatet e zhvilluara në mediat shqiptare argumente kundër personit që shprehet (ad hominem), apele force (argumentum ad baculum), apele keqardhjeje (argumentum ad misericordiam) e kështu me radhë; pra të vëresh në veprim të ashtuquajturat stratagjema, të cilat, ndërkohë që nga njëra anë trajtohen si kulmi i artit të retorikës, nga ana tjetër nuk janë veçse gabime logjike të rëndomta.

Po kujt i duhet logjika dhe rregullat e saj kur interesi primar është të mposhtësh kundërshtarin? Këta rregulla kanë vlerë vetëm në diskutim, vetëm kur synojmë të vërtetën, jo kur synojmë miratimin dhe mbështetjen e popullit amator pas televizorit të shndërruar në amfiteatër. Populli kërkon betejë, jo saktësi; kërkon fitues dhe humbës, jo një reflektim më të thellë për gjendjen ku ndodhet. Në këtë mënyrë, pushteti i debatit – debatokracia – është vërtet demokraci, pushtet i popullit. Fundja demokracia nuk është regjim shkencor, por politik. E megjithatë, edhe pse mbase nuk ka arsye për t’u shqetësuar për demokracinë, ka shumë arsye për t’u shqetësuar nga demokracia. Një demokraci e reduktuar në debatokraci e ka uzurpuar gati të gjithë hapësirën ku mund të synohej shprehja e së vërtetës. Edhe ky artikull, që mëton të diskutojë, me siguri do të humbasë në oqeanin e madh të debateve.

Rubrika: Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Europa të reagojë më ashpër mes përplasjeve gjeopolitike në Ballkan

Nga Blendi Lami Imagjinojmë një histori:             Në vitin 2032, Europa tenton...
Read More