Dëbimi i diplomatëve rus, shenjë e qartë e rreshtimit properëndimor

Nga Ervis Iljazaj

Nëse nuk është luftë e ftohtë midis Rusisë dhe Perëndimit, pak mungon. Lufta diplomatike midis Rusisë dhe Shteteve perëndimore ka arritur kulmin me dëbimin masiv të diplomatëve rus në shumë shtete pjesëtare të NATO-s, për shkak të akuzave që erdhën nga Britania e Madhe për helmimin e një agjenti nga ana e Rusisë.

Në këtë kuptim, jemi në një fazë totalisht të re të marrëdhënieve gjeopolitike, dhe përplasja mes Perëndimit dhe Rusisë sapo ka filluar. Reagimi i shteteve të NATO-s, përtej çdo debati dhe raporti individual me Rusinë, ishte i qartë, i fortë dhe bashkuar.

Në këtë reagim u bë pjesë edhe shteti shqiptar. Ndoshta nuk kanë shumë rëndësi aktet që ndërmarrim ne në këtë drejtim, duke qenë se jemi një fuqi fare e papërfillshme në lojën gjeopolitike, por veprimi tregoi qartë rreshtimin properëndimor të politikës shqiptare, dhe pa asnjë hezitim.

Tashmë, debatet me ndikimet ruse në Ballkan dhe në Shqipëri, nuk janë një tabu apo një fantashkencë, por një politike e prekshme, dhe një betejë që zhvillohet me të gjitha mjetet, dhe çdo ditë e më shumë verifikohet një gjë e tillë. Në këtë kuptim, politika shqiptare duhet të ketë një rreshtim të qartë gjeopolitik.

Në fakt, asnjëherë politika shqiptare nuk ka patur hezitim për t’u rreshtuar në mënyrë të qartë pro aleatëve amerikanë dhe perëndimit, edhe pse debatet apo teoritë konspirative nuk kanë munguar. Sa herë që kanë qenë momente vendimtare, për zgjedhje të tilla, vendimet e politikës shqiptare, si në këtë rast, nuk kanë qenë aspak hezituese.

E megjithatë, duhet patur kujdes në raporte me shtetin rus. Rusia nuk është aleat strategjik i Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë që është shtet armik i saj. Në këtë kuptim, marrëdhëniet me të janë po aq të qarta sa dhe delikate.

E vetmja mungesë që ka politika shqiptare në raport me perëndimin është politika e brendshme e saj. Dhe, këtu fillon problematika. Nëse në aspektin gjeopolitik, Shqipëria e shtyrë dhe nga opinioni publik që qartësisht është pro perëndimit, nuk ka asnjëherë paqartësi, për politikën e brendshme të saj lë shumë për të dëshiruar. Sepse, të jesh properëndimor nuk mjafton vetëm rreshtimi pro amerikan dhe pro BE, por dhe zhvillimi i një politike që shkon paralel me parimet e tyre. Kjo gjë, ende nuk është vërtetuar nga klasa politike shqiptare. Jo vetëm kaq, por shpesh herë për interesa politike të brendshme, palët politike shqiptare dalin hapur kundër misioneve ndërkombëtare, ndonjëherë dhe me akuza personale.

Por, ende nuk e kanë kuptuar se pa një komunikim me ndërkombëtarët qeverisja e Shqipërisë bëhet e pamundur. Ndërkombëtarët në Shqipëri, kanë patur dhe do të kenë në të ardhmen edhe më shumë ndikim për vet kontekstin e zhvillimin të ngjarjeve gjeopolitike. Në këtë kuptim ata janë kthyer në palë politike, pa të cilën është vështirë të gjesh rrugën drejt pushtetit. Aq më tepër, kur në opinion publik është pala që gëzon më shumë besueshmëri se politika e brendshme shqiptare. Në fillim të viteve ‘90 ndërkombëtarët ishin thelbësorë për ngjarjet e brendshme të Shqipërisë. Me kalimin e viteve menduar se ndikimi i tyre sa do të vinte dhe do të zvogëlohej, mirëpo, ndodhi totalisht e kundërta. Jemi ende në fazën ku kemi nevojë për ta më shumë se kurrë!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Është në interes të Lulzim Bashës, të rimarrë agjendën e reformës zgjedhore

Nga Ervis Iljazaj Dje në një takim me studentë të Shkencave politike,...
Read More