Decentralizimi dhe autonomia vendore në Shqipëri

Nga Eduart Shakra*

Është fakt tanimë, standardet e shërbimeve të ofruara nga njësitë e qeverisjes vendore lënë shumë për të dëshiruar. Bashkitë e reja kanë krijuar një borxh prej 160 milionë eurosh. Plehrat kanë mbytur rrugët e qyteteve dhe fshatrave në zonat turistike, territori është masakruar, furnizimi me ujë të pijshëm nuk kënaq askënd, ambientet e arsimit parauniversitar janë larg pritshmërive të prindërve, madje në disa njësi administrative gjendja e tyre është e mjerueshme, deficite të mëdha në mbledhjen e të ardhurave vendore.

Institucionet lokale politike, administrative dhe fiskale mbeten ende të dobëta në aspektin e transparencës, besueshmërisë dhe përgjegjshmërisë. Qartësisht, organet e pushtetit vendor nuk zotërojnë aftësinë për të menaxhuar interesat e qytetarëve.

Një gjë e tillë vihet re sidomos gjatë procesit të hartimit, zbatimit dhe vlerësimit të buxhetit, ku kryerja e shpenzimeve zakonisht devijon nga prioritetet lokale të aprovuara fillimisht nga këshillat vendore. Sistemi dhe procedurat lokale të kontabilitetit, de facto, nuk janë uniforme; sistemi i raportimit ka ende probleme dhe mekanizmat e vlerësimit praktikisht mungojnë.

Kjo ka ndodhur si pasojë e mos shoqërimit të dispozitave kryesore ligjore të fushës së decentralizimit me akte të nevojshme normativo-juridike plotësuese për zbatimin e tyre në përshtatje të specifikave shqiptare. Për shkak të devijimit de jure dhe de facto nga parimet e përcaktuara në “Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore”, për mënyrën se si zgjidhen organet përfaqësuese dhe ato ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore, dhe mënyrën se si është normuar juridikisht raporti i marrëdhënieve midis këtyre organeve, kryetarët e bashkive janë të paprekshëm (vetëm shkeljet e Kushtetutës e rrezikojnë), edhe në rastin kur nuk zbatojnë asnjë vendim të këshillit bashkiak.

Mandatin e shohin si një “tapi”, dhe gjithçka e vendosin në funksion të zgjatjes së afatit të zotërimit të kësaj “tapie”. Si pasojë kemi dominim të këtij interesi, kemi keqqeverisje, shpërdorim të së drejtës, dhe cenim të autonomisë vendore për mungesë të aftësive efektive për të qeverisur.

Në këtë pikë, disa pyetje mund të lindin natyrshëm për ata që besojnë në një rend shoqëror demokratik.

Si është e mundur që një këshill bashkiak, i përbërë nga 35, 41 ose 60 “politikanë lokalë”, të zgjedhur për të përfaqësuar interesat e mijëra banorëve, të lejojnë që nën autoritetin e tyre vendimmarrës të realizohen tregues buxhetor apo standarde shërbimesh të denja për një komunitet ku nuk sundon shteti ligjor?

Si është e mundur që një Kryetar bashkie, i propozuar nga një forcë politike serioze, dhe i zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga bashkëqytetarët e tij, të paraqes në organin vendimmarrës propozime të një niveli kaq të dobët?

Mos vallë është fati i keq i qytetarëve që një mandat të qeverisë lokale ia besuan njerëzve të gabuar?

Si është e mundur që kjo tendencë e indikatorëve të performancës qeverisëse duket dhe në njësi të tjera qeverisëse të Republikës sonë?

Përgjigja është e thjeshtë. Po, performanca të tilla të qeverisë vendore mund të ndodhin. Nuk kanë gabuar qytetarët me zgjedhjet e tyre, është mekanizmi me të cilin zgjidhen drejtuesit e pushtetit vendor që është i gabuar. Ndodh, dhe do të ndodhë përsëri sepse e drejta e komuniteteve lokale për t’u menaxhuar dhe drejtuar, brenda ligjit dhe në dobi të qytetarëve, nuk ushtrohet nga këshillat bashkiake apo asambletë e përbëra nga anëtarë të zgjedhur nëpërmjet votës, sikurse e përcakton Karta Europiane e Autonomisë Vendore, dhe sanksionohet deri diku nga Kushtetuta jonë në nenet e kapitullit të pushtetit vendor.

Këshillat bashkiakë, në Shqipëri, nuk zgjidhen me votë të drejtpërdrejtë. Sipas kodit tonë elektoral, qytetari voton për partinë politike, në shumicën e rasteve pa njohur personat e rreshtuar në listë, dhe pa patur mundësi reale zgjedhjeje apo alternative.

Fatkeqësisht, këshilltarët, nuk kanë funksione të ndryshme nga ato të një noteri, duke u shndërruar në certifikues të vullnetit të kryetarëve të qeverisë vendore.

Sigurisht, në konceptin e autonomisë vendore, e drejta për t’u qeverisur duhet të ushtrohet nga këshillat apo asambletë të përbëra nga anëtarët që zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe demokratike. Organi ekzekutiv, kryetari i qeverisë vendore, i ngarkuar për të zbatuar vendimet e organit përfaqësues, këshilli, zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe jo nga ky i fundit.

Në kushtet e koabitacionit (kur një nga dy organet është përfaqësues i forcave të ndryshme politike), ky raport, midis këshillit dhe kryetarit të njësisë së qeverisë vendore, pothuajse kalon në absurditet. Kryetarit i takon të zbatojë vendimet e programit të tij politik, ndërsa këshillit i takon të miratojë propozime që mund të bien ndesh me bindjet e mazhorancës që e ka mandatuar ose të shpërndahet.

Ndonëse në pushtetin qendror Shqipëria vepron si një republikë parlamentare, në të cilën qeveria ngrihet ose bie në varësi të mbështetjes së mazhorancës parlamentare; në pushtetin vendor aplikohet modeli presidencial i ngjashëm me atë të SHBA-ve, ku presidenti mban funksionet e tij edhe në rastin kur nuk gëzon mazhorancë në senat dhe kongres. Si një president i dalë nga votat e popullit në Amerikë, kryetarët e 61 bashkive shqiptare nuk iu rrezikohet mandate edhe në rastin kur nuk gëzojnë mazhorancën e mbështetësve në këshillat bashkiakë. Madje, nuk rrezikohen edhe nëse këshilli bashkiak nuk kalon tre herë rresht një projektvendim.

Nga eksperienca jonë politike, ky model është faktuar si i dështuar. Qeverisja bazohet mbi kontrollin reciprok midis pushteteve, dhe sikurse u tha më sipër, ky sistem zgjedhor nuk e lejon.

Për të shuar këtë papajtueshmëri, dhe për të harmonizuar sistemin e zgjedhjeve parlamentare me ato vendore, Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të shqyrtojë këto problematika përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Demokracia lokale fillon me vendosjen në qendër të interesit qytetarë, pikërisht këtu duhet të fillojë edhe ndryshimi.

*Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, Lushnjë

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Në këto kushte arrestimi i Tahirit është kundër drejtësisë, hetimi i tij pro saj

Nga Ervis Iljazaj Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores për dhënien...
Read More