Decentralizimi: Ekspertizë akademike për bashkitë e reja

UET kontribuon në rritjen e kapacitetit të bashkive në kuadër të zbatimit të reformës së re territoriale me anë të trajnimeve dhe studimeve për disa njësi vendore.

Reforma e re territoriale solli një rikonfigurim të pushtetit lokal në Shqipëri, duke shkrirë komunat dhe duke krijuar bashki të mëdha. Por sfidat e këtyre bashkive të reja ishin të mëdha, që nga menaxhimi i një territori më të madh, ofrimi i shërbimeve për më shumë banorë dhe ndarja e buxhetit.

Fondacioni për Liri Ekonomike, pranë Institutit Europian Pashko, ofroi ekspertizë për disa bashki në kuadër të projektit “Buxhetimi me pjesëmarrje dhe auditi social në qeverisjen vendore”, që u mbështet financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla i Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Synimi i ekspertizës që ofroi grupi i pedagogëve të Universitetit Europian të Tiranës u fokusua te buxhetimi me pjesëmarrje dhe auditi social në qeverisjen vendore, si dhe forcimi i transparencës dhe mirëqeverisjes së pushtetit lokal.

Në kuadër të këtij projekti u mbaj në qershor në UET një tryezë e rrumbullakët mes ekspertëve dhe krerëve të bashkive të përfshirë në projekt.

Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i gjetjeve paraprake të vlerësimit aktual nëpërmjet raportit publik, diskutimi i mospërputhjeve të mundshme në analizë dhe vlerësimi i gjetjeve. Enri Hide, pedagog në UET, prezantoi gjetjet dhe nxori rekomandime mbi problemet e paraqitura në raport.

Qëllimi i projektit është të promovojë transparencën në buxhetimin lokal në bashkitë e reja, si Bashkia Shijak, Bashkia Roskovec, Bashkia Malësi e Madhe dhe Bashkia Belsh, në kuadër të reformës administrative në 2015.

Prof. asoc. dr. Ermira Qosja dhe prof. asoc. dr. Arlinda Ymeraj sollën rekomandimet e tyre për këto bashki pas trajnimeve të realizuara në Bashkitë Shijak, Belsh, Malësi e Madhe dhe Roskovec.

Përfshirja e qytetarëve në qeverisje

Nga prof. asoc. dr. Ermira Qosja*

Buxhetimi me pjesëmarrje në thelbin e vet është një proces demokratik, i cili nën sloganin “Qeverisja e mirë është e qytetarëve, nga qytetarët, për qytetarët”, synon të përfshijë qytetarët drejtpërsëdrejti në vendimmarrjen si të shpenzohet një pjesë e buxhetit lokal.

Ky proces ka aktorëqytetarët, përfaqësuesit e shoqërisë civile lokale, administratën lokale, këshillat lokalë, komunitetin e biznesit, grupet e margjinalizuara. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë rolin që ka pushteti lokal në buxhetimin me pjesëmarrje dhe auditimin social, gjithë motivimin e brendshëm institucional për ta mundësuar procesin, si dhe gjetjen e mekanizmave të duhur që palët e interesuara të marrin pjesë në mënyrë kuptimplote në seancat dëgjimore publike në nivel lagjeje ose fshati ose në takimet e komunitetit me grupet e veçanta (si p.sh. gratë apo shtresat e marxhinalizuara).

Pushteti lokal bën menaxhimin e përgjithshëm, dhënien e informacion për qytetarët rreth procesit të buxhetimit me pjesëmarrje dhe buxhetit; organizon takimet publike; analizon prioritetet për investime të qytetarëve dhe sigurohet që propozimet finale të përfshihen në projekt buxhetin; trajnon qytetarët, shoqërinë civile; vendos “rregullat e lojës”; planifikon proceset e buxhetimit në zona të ndryshme gjeografike.

Mënyra se si pushteti lokal adreson këtë proces sjell ngritjen e legjitimitetit; targeton më mirë buxhetin sigurisht lehtëson aprovimin e tij, dhe në fund të fundit bën të mundur promovimin e qeverisjes së mirë.

Natyrisht shumë nga çështjet për një proces të plotë dhe të vërtetë të buxhetimit me pjesëmarrje varen nga lidershipi i bashkisë, sa ata besojnë në një proces të tillë, sa ata e vlerësojnë që ky do sjell me të vërtetë ndryshimin në qeverisjen lokale, sa janë të gatshëm ata të kapërcejnë mentalitetin dhe të mbjellin besim te stafi i tyre dhe më pas te qytetarët, sa të gatshëm janë ata për fuqizimin e qytetarëve dhe sa të gatshëm janë ata për një ndryshim kaq të madh kulturor.

Vizioni i drejtimit të bashkisë, vlerat që ndahen mes njerëzve në organizatë janë shumë të rëndësishme për të krijuar pritshmëri dhe bashkëpunim e pjesëmarrje me qytetarët. Natyrisht drejtuesit nuk mund ta krijojnë në një ditë qasjen pjesëmarrëse e angazhuese brenda bashkisë, ata duhet të hartojnë strategji, të përdorin metoda për të përmirësuar punën e brendshme, duke stimuluar inovacionin dhe në administratën publike, duke përmirësuar njohuritë dhe duke rritur aftësitë e punonjësve. Shumë e rëndësishme për drejtuesit është të inspirojnë dhe motivojnë punonjësit, t’i inkurajojnë ata për të kontribuar, zhvilluar dhe mësuar nga këto procese të cilat në thelbin e tyre demokratizojnë shoqërinë.

Sloganet janë të bukura, por nuk mjaftojnë për të garantuar pjesëmarrjen në qeverisje, lidershipi i bashkive duhet të shkojë drejt një kulture të re brenda organizatave të tyre, dhe për këtë mendoj që shumë e rëndësishme është përfshirja dhe fuqizimi i punonjësve; puna në ekipe; vënia në dispozicion e burimeve të mjaftueshme për të garantuar një proces sa më serioz dhe gjithëpërfshirës, trajnim dhe edukimi i punonjësve mbi njohuritë dhe aftësitë që kërkon një proces me përfshirje dhe pjesëmarrje.

Në trajnimet e bëra, ne ndamë njohuri dhe informacion mes nesh, u përpoqëm të gjejmë rrugët e brendshme si mund ta bëjmë këtë proces më efikas dhe më eficient. Në këndvështrimin modern të menaxhimit, rezultati nuk varet vetëm nga numrat, formulat po nga mënyra si qasemi e komunikojmë e qëndrojmë përballë njëri-tjetrit e në krah të njëri-tjetrit, për këtë arsye në anketuam punonjësit e të katër bashkive, nëpërmjet një pyetësori të bazuar në metodologjinë Lencioni të punës në ekip (five dysfunctions of team working), përpunimi i të dhënave dha rezultatet e pasqyruara në grafik.

Natyrshëm shtrohet pyetja “Cili është mësimi praktik që del për bashkitë në përpjekje për t’u përmirësuar”.

Bashkitë duhet të harxhojnë më shumë kohë dhe përpjekje për të krijuar një kulturë të punës në ekip, nuk ka aktivitet më të vlefshëm në to sesa mbledhjet sistematike të ekipit drejtues dhe të tyre me stafet respektive. Por nëse ato nuk janë të efektshme, ka pak ose asnjë shans për të ndërtuar një organizatë të shëndetshme dhe aq më pak për të patur qeverisje të mirë.

*Pedagoge në UET

 

Nevoja për rritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative 

Nga prof. asoc. dr. Arlinda Ymeraj* 

Komponenti i rritjes së kapaciteteve në Bashkitë Shijak, Belsh, Malësi e madhe dhe Roskovec në kuadrin e projektit “Përmirësimi i transparencës së buxhetimit në nivel lokal përmes Auditimit Social”, synoi të ndikojë në fuqizimin e njësive vendore në drejtim të rritjes së efektivitetit të buxhetit, nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.

Nevoja për rritjen e kapaciteteve shfaqet si domosdoshmëri institucionale dhe administrative njëherazi. Ndryshimi i territorit, transferimi i më shumë përgjegjësive si edhe sfidat e decentralizimit financiar, janë disa nga pasojat e Reformës Territoriale, që teorikisht duhet të pasohet nga rritja e efektivitetit të shërbimeve publike në nivel vendor. Sidoqoftë, ndryshimet ligjore dhe institucionale janë të pamjaftueshme nëse nuk harmonizohen edhe me aftësimin e rritjen e profesionalizmit të administratës publike edhe në nivel vendor.

Për rrjedhojë, nevoja për rritjen e kapaciteteve shfaqet edhe si domosdoshmëri administrative. Nëse konsiderojmë se vetëm 20% e personelit të bashkive përfituese të projektit është me eksperiencë mbi 5 vjet si dhe se më pak se 15% e personelit është me arsim në përputhje me detyrat e vendit të punës, nevoja për zhvillim profesional shtrohet si domosdoshmëri urgjente.

Që procesi i decentralizimit financiar të jetë dobiprurës për buxhetin vendor dhe të shërbejë për përmirësimin e qeverisjes vendore, ambiciet buxhetore të njësive duhet të shkojnë përtej transfertave të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara që buxheti i shtetit përcakton për bashkitë. Megjithëse në secilën bashki ekziston një punonjës apo seksion për projektet, ky sektor nuk është i koordinuar me të tjerët, nevojat për investime dhe drejtimet prioritare nuk përcaktohen në mënyrë transparente, ndërsa pjesën më të madhe të investimeve e thithin projektet e infrastrukturës.

Decentralizimi financiar dhe aftësia e njësive vendore për të formuluar dhe zbatuar politika lokale, si edhe vetëfinancimi i këtyre të fundit nëpërmjet bashkëpunimit me sektorin privat dhe/ose pjesëmarrjes në projekte zhvillimi të mbështetura nga donatorët e huaj, është mënyra më e sigurt për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në planin ekonomik e social. Kësisoj, njohja e thellë e situatës ekonomike dhe sociale të bashkisë, vlerësimi i nevojave dhe prioritarizimi i tyre, rritja e kapacitetit të sektorëve të projekteve dhe sigurimi i koordinimit e bashkëpunimit me sektorët e tjerë; si edhe sigurimi i burimeve të financimit jashtë dhe pavarësisht transfertave të buxhetit publik, ishin disa nga konkluzionet e nënvizuara nga pjesëmarrësit, që mund të shërbejnë për hartimin e planeve të veprimit afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit institucional në nivel lokal, të cilat do të garantojnë suksesin e projekteve të investimit, pavarësisht nga drejtimi i tyre.

Gjithsesi, aktorët lokalë duhet që të kenë mbështetjen dhe orientimin e qeverisë qendrore, sidomos në përcaktimet e roleve të reja të tyre në planifikim, monitorim e raportim. Është e kuptueshme se decentralizimi efektiv financiar mund të nënkuptojë heqjen dorë nga një pjesë e kompetencave aktuale vendimmarrëse në nivel qendror, por që duhet të pranohet nën moton e sigurimit të interesit më të mirë të qytetarit.

*Pedagoge në UET

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vjeshta politike e Edi Ramës

Ky editorial u publikua nga revista Mapo, edicioni aktual gjendet tashmë në...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.