Deklaratat e Bashës: Kompania në Elbasan dhe misioni i partnerëve

Seanca ku do të diskutohej për buxhetin u shoqërua nga replika të vazhdueshme mes kreut të opozitës, Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama.

Ky i fundit e vuri theksin tek rritja e fortë ekonomike në vend, por kryetari demokrat tha se buxheti i vitit të ardhshëm po përdoret për pastrim parash.

Replikat ishin të ashpra, por tonet e zërit nuk u ngritën shpesh dhe seanca nuk precipitoi.

Kreu demokrat tha se vëllai i Ramës kërkon të marrë me koncesion mbikëqyrjen e TVSH-së, por Rama tha se vëllai i tij është një njeri i zakonshëm.

Sa herë që Basha deklaronte se në vend po pastrohen paratë, Rama i përgjigjej duke përmendur emra biznesmenësh të mëdhenj, që sipas tij janë më afër PD-së. Rama përmendi emrat e Avni Ponarit, Samir Manes, Bashkim Ulajt apo Shefqet Kastratit, duke akuzuar PD-në se nuk është parti e djathtë, por një ‘parti djathi’.

Rama e akuzoi disa herë PD-në se si parti e djathtë duhej të përkrahte koncesionet.

Vetë Basha lëshoi akuza të forta, kur disa herë tha se partnerët ndërkombëtarë kanë ardhur në Shqipëri për të përgatitur largimin e Ramës.

Basha tha se të huajt ia kanë vënë vizën Ramës.

Kreu i PD bëri edhe një deklaratë në lidhje me një kompani në Elbasan, e cila është cilësuar prej tij si njëra nga nyjet e infrastrukturës së heroinës nga hetimet e ndërkombëtarëve.

Gjatë fjalës së tij në parlament, Basha deklaroi gjithashtu se kjo kompani është dhe njëra ndër bizneset e mbështetura nga qeveria e kryeministrit Rama.

Sipas Bashës kompania ka përfituar 90 tendera me vlerë 20 milionë euro, ndërsa shumica e këtyre parave (15 mln euro) është marrë nga kompania në fjalë pa shpallje të tenderit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rikthehen skemat lehtësuese, OSHEE: Afat të ri për pagesat e debitorëve

  Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike u jep një tjetër mundësi...
Read More