Deklarimi i të ardhurave, ja si duhet të veprojnë individët

Data 2 maj është afati i fundit për deklarimin e Deklaratës Individuale Vjetore për të Ardhurat  (DIVA). Pedagogia e UET, dr. Irena Lavdari, sjell në këtë shkrimin një shpjegim të hollësishëm për bazën ligjore, detyrimin e deklarimit dhe mënyrën e deklarimit për të gjithë personat që duhet ta bëjnë atë. Lavdari sjell në të njëjtën kohë edhe të ardhurat që duhen deklaruar, si dhe shpenzimet e zbritshme.    

Nga Dr. Irena Lavdari*

Ligji i Tatimit mbi të Ardhurat, detyron që brenda datës 30 prill 2017, të gjithë qytetarët të cilët kanë realizuar të ardhura mbi 2 milionë lekë, duhet të plotësojnë Deklaratën Individuale Vjetore për të Ardhurat, (DIVA). Plotësimi i deklaratës bëhet vetëm në formë elektronike për individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë që realizojnë të ardhura personale mbi 2 milionë lekë në vit dhe po ashtu, për personat jorezidentë (individë të huaj) që realizojnë të njëjtën sasi të ardhurash vjetore në Republikën e Shqipërisë. Për arsye të ditëve të pushimit zyrtar këtë vit afati i fundit i deklarimit do të jetë data 2 Maj 2017.

Cilët individë deklarojnë

Detyrimi për deklarim përfshin të gjithë individët që realizojnë të ardhura vjetore nga të gjitha burimet, në shumën totale prej më shumë se 2.000.000 lekë (përfshirë individët rezidentë dhe jorezidentë me të ardhura brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë). Përjashtohen nga detyrimi për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës individuale çdo individ, që realizon të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet në shumën totale më pak se 2.000.000 lekë brenda vitit fiskal. Ky ligj nuk i përjashton zyrtarët publikë, që kanë detyrim ligjor deklarimin e pasurisë. Deklarata që ata bëjnë për deklarimin e pasurisë mund të përdoret si një argument shtesë për burimin e shumave të të ardhurave vjetore të realizuara nga ta. Deklarata vjetore e të ardhurave mund të plotësohet edhe nga persona të tjerë, që vendosin të bëjnë deklaratën, megjithëse nuk kanë detyrimin ligjor për këtë, për arsye se duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme.

Të ardhurat që deklarohen

Janë objekt deklarimi: të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët dhe fitimi nga zhvillimi i veprimtarisë së biznesit të vogël, që rezulton nga Deklarata e të Ardhurave Personale të Biznesit të Vogël për të vetëpunësuarit; të ardhurat bruto nga dividendi për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit; të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit; të ardhurat bruto nga interesa bankarë; fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme; shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit; të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike; fitimi kapital nga dhurimi; të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë; të ardhura bruto të tjera.

Shpenzimet e zbritshme

Shpenzimet që njihen si të zbritshme nga të ardhurat individuale për llogaritjen e tatimit janë:

Kontributet vullnetare ne fondin e pensionit vullnetar dhe kontributet vullnetare te individit për jetën dhe shëndetin, të derdhura nga vetë individi, si dhe pjesa e shpenzimeve për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari; shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave; personat jo rezidentë nuk përfitojnë nga e drejta e llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme.

Afati dhe mënyra e deklarimit

Detyrimi për deklarimin e të ardhurave individuale vjetore, për vitin fiskal 2016 nga individët dhe e parashikuara në këtë ligj duhet të bëhet jo më vonë se data 30 Prill 2017. Viti fiskal fillon në 1 Janar dhe mbyllet në 31 Dhjetor.  Pra të gjitha të ardhurat bruto të realizuara nga individët  përgjatë gjithë vitit  2016, duhet të deklarohen brenda datës 30 prill 2017, por për arsye të ditëve të pushimit zyrtar këtë vit afati i fundit i deklarimit do të jetë data 2 Maj 2017. Si bëhet plotësimi dhe dorëzimi i deklaratës Individuale vjetore të të ardhurave? Plotësimi dhe dorëzimi i kësaj deklarate kryhet vetëm në mënyrë elektronike, (për shtetasit shqiptarë dhe të huaj), duke klikuar në menunë efiling.tatime.gov.al,  ku kërkon fillimisht regjistrimin fillestar të individëve si Tatimpagues të të Ardhurave Individuale: Për regjistrimin e shtetasve shqiptarë duhet të ndiqni këta hapa: Vizitoni faqen e internetit: efiling.tatime.gov.al,  Klikoni në menunë Log on dhe më pas klikoni në krahun e majtë të kuadratit në linkun që do t’ju shfaqet “Regjistrohuni Këtu”, më pas duhet të plotësoni të dhënat personale në të gjitha fushat e Formularit që do t’ju shfaqet. Vetëm pasi të jeni regjistruar ju do të keni mundësi të plotësoni dhe dorëzoni Deklaratën tuaj Individuale Vjetore, duke përdorur si Emër përdoruesi Numrin tuaj personal si dhe Fjalëkalimin që keni vendosur në momentin e plotësimit të formularit. Në këtë rast për plotësimin e deklaratës hyjmë në krahun e djathtë të kutisë. Procesi i regjistrimit fillestar kryhet vetëm  një herë. Çdo vit pasardhës,  kurdoherë që do të realizohen të ardhurat mbi 2.000.000 lekë, individi që ka bërë një vit më parë regjistrimin fillestar, e ka tashmë një llogari të hapur për Deklaratën Individuale Vjetore për të Ardhurat (DIVA), në Drejtorinë Rajonale Tatimore  përkatëse. Tashmë në krahun e majtë të kuadratit të sipërm ku thuhet “Hyr në Sistem”,  si Emër Përdoruesi duhet të përdorni Numrin tuaj personal të kartës tuaj të identitetit dhe si Fjalëkalim duhet të përdorni Passwordin  që keni vendosur apo e keni krijuar ju vetë në momentin e plotësimit të formularit të regjistrimit online. Si mund të zgjidhni problemin e  passwordin në rast se keni humbur aksesin në faqen tuaj e-filing për DIVA? Të gjithë individët  të cilët gjendet para pamundësisë  për të përdorur passwordin ekzistues, apo të riun, duhet të paraqiten pranë sporteleve të shërbimit në Drejtorinë e Shërbimit  të Tatimpaguesve për të bërë reset password, pra për t’u pajisur me fjalëkalim të ri.

Regjistrimi i shtetasve të huaj

Për t’u regjistruar, çdo individ i huaj, ose një person i autorizuar prej tij, duhet të paraqitet në zyrat e shërbimit të tatimpaguesve, ku do të pajiset me një numër identifikimi dhe fjalëkalimin përkatës. Dokumentet që duhet të paraqiten për regjistrimin fillestar janë: Mjeti i identifikimit (pasaportë), adresa e saktë e banimit, prokurën në rast të paraqitjes së personit të autorizuar, i cili plotëson dhe firmos formularin e regjistrimit fillestar pranë sporteleve të Drejtorive Rajonale Tatimore përkatëse. Për plotësimin e deklaratës individuale vjetore të të ardhurave duhet të ndjekin këta hapa: vizitoni faqen e internetit efiling.tatime.gov.al, klikoni në menunë Log on  dhe më pas Hyrje në sistem. Vendosni Emrin e përdoruesit dhe Fjalëkalimin përkatës. Duhet të klikoni mbi kutinë E lexova dhe bie dakord me termat dhe kushtet. Në menunë Deklaratat, zgjidhni “Tatimin mbi të Ardhurat Individuale”, më pas klikoni “Krijo Deklaratë” dhe përzgjidhni periudhën 2016, e cila do të deklarohet dhe plotësoni Formularin për të ardhurat e realizuara dhe tatimet e paguara. Nëse jeni të sigurt për plotësimin e saktë të deklaratës, klikoni “Ruaj, dhe shëno gati për përpunim”.

*Pedagoge UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Manojlloviq, i shqetësuar për serbët e tij: Ne urrehemi dhe grindemi

Nuk bëhet fjalë për një mendim politik, ashtu siç mund të jetë...
Read More