Dekorime

Nga Edison Ypi

Me mbi 30 tonelata kanabis të dërguara në Europë, që i bie, në mos miliona, qindra-mijëra europianë të dëshpëruar, jetë të shkatërruara, karriera të këputura, familje të shpartalluara, Fisi Habilaj e meriton plotësisht medaljen “Xhinsi Vdekja”. Medalja në fjalë do jetë e derdhur në flori në formën e një shkabe krahëhapur në fluturim që me sqep mban një qengj të vogël me lesh të bardhë. Kjo medalje nderi do t’i dorëzohet kapos së fisit pas pak, kur drejtësia shqiptare në një ceremoni të organizuar enkas do ta shfajësojë të gjithë fisin për mungesë provash, do t’u kërkojë falje për tërë këto telashe që iu nxori, do t’i akordojë shpërblimin përkatës që do ta paguajnë taksapaguesit shqiptarë.

Për kontribut të shquar në shpjegimin dhe zhvleftësimin e paradoksit “Edhe e shes edhe e kam”, si dhe cilësimin “kushuri i dhjetë” dedikuar dikujt që i bie të jetë rus ose kinez por e ka farefis, Saimir Tahirit do t’i akordohet titulli i lartë “Flamurtar i Rrenës Sovjetike”..

Unë dhe jo pak budallenj të tjerë si puna ime, votuam dhe respektuam Partinë Demokratike për vite e vite të tëra. Pa ju afruar aspak partisë në fjalë për t’i kërkuar ndonjë favor, besuam dhe shpresuam te deputetët dhe ministrat e saj si besimtarët te Bibla dhe Kurani duke qenë absolutisht të bindur se besimin tonë po e përdornin për të mirën e Shqipërisë. Mirëpo doli se ata ndyrësira për shkak të të cilëve Partia Demokratike humbi zgjedhjet dhe u fundos në pus, durimin dhe respektin tonë e paskëshin shpërdoruar në mënyrë të turpshme. Ata paskan qeshur e qenkan tallur nën zë me njëri-tjetrin hihihi e huhuhu për hajvanllëkun tonë. Për këtë kryevepër të shpërdorimit të besimit, të gjithë ata në grup e meritojnë plotësisht dekoratën “Rrugaçët e Shekullit”. Me kusht që telin e ndryshkur të kësaj dekorate që do mbajnë në gjoks, ta ngulin në mish, mishi t’u infektohet, infeksioni t’ua mbulojë trupin me plagë të lemerishme, jo më tepër se tre muaj pas marrjes së dekoratës, të ngordhin të gjithë një nga një si pulat nga zgjebja.

Ermal Mamaqi, ky injorant shejtanbudalla pa asnjë vlerë edukative, njerëzore, qytetare, do marri titullin e merituar “Muti Mediatik”. Motivacioni do jetë “për punë të palodhur në shkatërrimin e çdo finese dhe elegance të shijeve të popullit”, rrënimin definitiv të lodhjes së të parëve të cilët për edukimin e popullit vetëm jepnin, ndërsa haleja në fjalë vetëm merr, vetëm zhvat.

Zagarët politikë që cilësojnë komunist cilindo president apo ambasador të Shteteve të Bashkuara në të parin rast që u prishet sadopak qejfi, spiunat, rrugaçët, injorantët, bastardët, që flasin keq për më të shquarit e Historisë tonë, tuhafët që vazhdojnë të dalin në fotografi me të ngrëna përpara, sedentarët që nuk udhëtojnë ta shohin dhe ndjejnë Shqipërinë reale por preferojnë të shtriqen në divan para televizorit, të gjithë këta do nderohen me dhënien e një dekorate të posaçme që quhet Damkë. Damka do jetë një vule metalike e madhe sa një kokërr shegë e skuqur në zjarr që budallenjve të sipërpërmendur do t’u shtypet në ballë thellë në mish. Brenda rrethit të Damkës do jetë shkruar me germa të mëdha “Budalla me Brirë”.

Titulli “Nekrofilja e Shekullit” do t’i akordohet Flutura Açkës. Motivacioni do jetë; Për vigjilencë të lartë dhe përkujdesje të vazhdueshme rreth fatit të kufomave artistike. Për shembull, për fatin e kufomës së Robert Elsit që me kërkesën e Açkës e varrosën përbri kishës së Thethit. Siç u muar vesh, dishepujt e Krishtit, për arsyet që i dinë vetë, kufomën në fjalë do ta zhvarrosin prej atje për ta rivarrosur s’dihet se ku, derisa pas një numuri varrosjesh dhe zhvarrosjesh në vende të ndryshme nëpër Shqipëri, kufoma do dekompozohet dhe Açka bashkë me nekrofilinë e saj qurravece autoreferenciale do harrohet.

Çim Peka ka dy zgjedhje; E para, të pranojë se faji që Partia Demokratike humbi ishte i Syrit të Çimit. E dyta, e kundërt me të parën, po të mos kishte qenë ndihmesa e Syrit të Pekës Partia Demokratike do kishte marrë qimen e Noc Rrokut. Për këtë rol me diapazon kaq të gjerë, Çimi dhe Syri do marrin medaljen “Syri dhe Partia” me motivacion; Për punë të palodhur në lëvrimin me sukses të mënyrave të humbjes me çdo kusht, në çdo rrethanë, pa zënë mend dhe pa mbajtur përgjegjësi.

Ambasadori Lu do marri medaljen “Hero i Durimit” për ndihmesën e pakursyer që po jep në përhapjen ndër shqiptarë të disiplinës së punës kapitalistike përmes dhënien së shembullit personal sa i përket zbatimit të principit “jo tetë orë në punë, por tetë orë punë”.

Edi Rama do marri atë dekoratë që pas superfitores i përket. Dekorata e Ramës do quhet “Rrumbullakësia”, Rrethi, ose “Sfera”, në varësi si do ta quajnë ata që këto punë i dinë më mirë. Do t’i jepet Ramës kjo dekoratë e lartë për përdorimin virtuoz të vijës së baraslarguar ndaj një pike, posaçërisht timonit, në mënyra nga më të ndryshmet, si tepsi, orë, busull, rrotë. Medaljen e merituar Ramës do ia dorëzojë Presidenti i Republikës Hirësia e Tij Abas Aliu, alias Ilir Meta, në sallën më të madhe të Pallatit të Brigadave në prezencën e kamerave nga krejt bota mes duartrokitjeve frenetike të të ftuarve nga të gjitha forcat politike.

Me thyerjen e të gjitha rekordeve të deritashme të shikueshmërisë dhe pëlqimit të publikut, Elisa Spiropali do marri medaljen “Madam Simpatia”.

Sot; Doktori, Argita, Shkëlzeni, Flamuri. Nesër në një rreshtim tjetër të të njëjtëve emra; Shkëlzeni, Flamuri, Argita, Doktori. Pasnesër në një rreshtim tjetër…e kështu me radhë çdo ditë, Mero Bazja do marri titullin e stërmerituar “Për përdorim mjeshtëror të kombinacioneve dhe permuracioneve” në trajtimin me mënyra të ndryshme të të njëjtit argument çdo ditë dhjetë vjet rresht.

Popullit shqiptar, rakipirës, mishngrënës, kockalëpirës, që prej shekujsh po bën të pamundurën për ta mbajtur Shqipërinë sa më të vogël, sa më të rrëmujshme, sa më të rrezikshme, për merita të pamohueshme në zhbërjen e vetvetes deri në asgjësimin total pa nam e nishan, do t’i jepet titulli “Popull derdimen”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Bilanci real i Procesit të Berlinit

Dy vite pas Procesit të Berlinit efektet ekonomike janë të pandjeshme dhe...
Read More