Dekriminalizimi i parodizuar dhe nevoja për ‘Dekriminalizim 2’



Alfred LelaNga Alfred Lela

Formularët e dekriminalizimit, të plotësuar dhe publikuar javën që shkoi, janë futur në një lojë politike të llojit ‘e ka, kush e ka’. Opozita i mëshon denoncimeve të djeshme me thekse të sotshme, ndërkohë që mazhoranca parodizon të gjithën me anë të një metode relativizuese, e cila synon të krijojë përshtypjen ‘ju nuk jeni më të mirë se ne’. Një qasje e dytë e zhvlerëson me gjithsej dekriminializimin, me pretendimin se ishte e gjitha një shtjellë zhurme e opozitës në mungesë të kauzës.

Ky qëndrim e kthen kokëposhtë problemin duke shmangur pikërisht përballjen me të. Çdo gjëje kokëposhtë i shohim sall gishtat e këmbës: problemi që kemi megjithatë nuk është një fungus kalimtar politik, por një ekzemë, e cila duhet thënë ka prekur trupin e shoqërive në tranzicion që nga fillimi i historisë dhe i shtetndërtimit.

Të gjykosh një çështje kokëposhtë në rastin tonë do të thotë më së paku të mos ngresh pyetjet e duhura. Pyetjet dhe përgjigjet që jepen në lidhje me deputetët apo kryebashkiakët e denoncuar, hamendësuar apo paditur si të inkriminuar, përqendrohen te curricula e krimit duke lënë jashtë çdo aktivitet tjetër që përbën ‘pemën e jetës’ së të shqyrtuarve.

Një pyetje që mund të bëhej dhe duhej bërë do të vijonte kësisoj: Cili është profesioni i këtyre kryebashkiakëve, deputetëve apo drejtorëve? Pra, me çfarë dijenish, të së cilës lamije të dijes apo përvojës, mund ta drejtojnë ata një institucion apo të jenë pjesë e një aule apo Kuvendi të lartë siç është Parlamenti? Po kaq e rëndësishme: cili është shkollimi i tyre që i ka çuar te ky profesion? A kanë lidhje shkollimi dhe profesioni i tyre? Dhe nënpyetje të tjera: ku e kanë mbaruar këtë shkollë? Si? Në cilin vit dhe me çfarë rezultatesh? A ka në veprimtarinë e tyre shkollore shkëputje apo alogjika që të bëjnë të dyshosh? E çfarë vlere është diploma? E me radhë.

Një skanim i tillë do të zbulonte më shumë për protagonistët e odisesë së dekriminalizimit se sa përpjekja për të gjetur fajësi të qena ose jo në botën e krimit. Sepse, ta pranojmë, ndodhemi edhe para një pothuajse pamundësie: patologjitë kriminale shoqërohen edhe me mjete e ide për ta fshehur krimin dhe jo vetëm për ta kryer. Për të mos thënë se ligjet universale të të drejtave të njeriut janë pengestare kur vjen puna te damka e përjetshme për një dënim të përkohshëm.

Pra opozitës dhe shoqërisë i mbetet ta fusë pjesën 2 të fushatës së dekriminalizimit në një projeksion që sheh nga vlerat e curriculës së mbidheshme, kur e nëndheshmja vonon apo nuk mund të sipërfaqësojë. Reagimet e të denoncuarve nga opozita kanë nxjerrë në dritë një element ndoshta të njohur, por pak të trajtuar: paditurinë dhe keqshkollimin.

Çfarë është prishur në zemberekun e Republikës, e cila nuk ua beson institucionet e saj të diturve dhe të arsimuarve të vet? Cili shtet, përjashto vende të moskundit me të cilat nuk duam të krahasohemi, lejon që elitat të vlerësohen e zhvlerësohen, jo në bursën e dijeve dhe konkurrencës por në tregun e zi të hurit dhe litarit?

Komunizmi shqiptar i Enver Hoxhës, pas një fushate spastrimesh ndaj të arsimuarve në Perëndim krijoi elitën e vet, të cilës sërish i la, si shpatë Damokleu mbi krye, partinë e pagabueshme (dhe të keqarsimuar) të Punës së Shqipërisë.

Fushata e dekriminalizimit ndërmarrë nga opozita dhe mbështetur nga ambasadori amerikan, nuk ka qenë një trill apo panevojë, siç e pikturon mazhoranca. Edhe nëse dëshminë e penalitetit arrijnë ta sigurojnë të pastër, në perceptimin e publikut i kanë marrë njollat e disa ceneve. Se pse këta individë ‘të paditur në gjykatën e opinionit publik’ janë votuar dhe ndoshta do të votohen, ndoshta ka të bëjë me atë se turma nuk është bërë ende popull dhe ky i fundit ende jo publik. Siç nuk është shtjellimi i këtyre pseve qëllimi i këtij editoriali.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

FMN: Problem, rikthimi i detyrimeve të prapambetura

Tuladhar: Qeveria duhet të rrisë përpjekjet për të parandaluar grumbullimin e detyrimeve...
Read More