Del vendimi: Më 22 korrik votohet për kreun e ri të PD

Dy nënkryetarët e Partisë Demokratike kanë firmosur vendimin 22, që i hap rrugën zgjedhjeve për kryetar në PD. Ata morën drejtimin e PD pas deklarimit nga Lulzim Basha të ngrirjes së gjithë kompetencave të tij si kryetar i PD dhe lënies së kompetencave për drejtimin e partisë dhe hapjen e proçesit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD.Vendimi, që mban firmën e Edi Palokës dhe Edmond Spahos iu shpërnda medias të mërkurën.

Zgjedhjet do të zhvillohen më 22 korrik. 

 

“Në këtë proces do të marrë pjesë e gjithë anëtarësia e Partisë Demokratike të Shqipërisë deri në ditën e shpalljes së këtij vendimi.

Kandidatët për kryetar të PDSH duhet të paraqesin kërkesën për kandidim deri në datën 2 korrik 2017”, thuhet në vendim.

Deri tani në garë janë kryetari aktual, Lulzim Basha dhe Eduard Selami.

“Demokrate te nderuar, me ndjenje pergjegjesie dhe synim per t’i rikthyer se bashku PD, lavdine e merituar, shpall kandidaturen per Kryetar!” shkruan Selami në FB.

Eduard Selami ishte i pari që mbërriti në selinë e Partisë Demokratike të mërkurën.

Pak orë më parë ai kishte shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Partisë Demokratike. 

Pak më vonë në seli mbërriti edhe Lulzim Basha.

Edhe ky i fundit pritet të garojë për të rimarrë kreun e PD.

I veshur kazual, ashtu si gjatë fushatës, Basha dukej më i relaksuar se një natë më parë, kur ishte mjaft i zymtë.

Komentet e tij se do të ngrijë funksionin e kryetarit të PD me qëllim garën, shkaktuan një tërmet reagimesh tek kundërshtarët.

Më të ashpër ishin Jozefina Topalli dhe Genc Ruli, që bënë thirrje për protesta dhe nxjerrje me dhunë nga selia e PD.

Disa portale madje shkruajnë se ka qenë djali i Jozefina Topallit që ka vendosur banerin ‘Basha ik’ në PD.

E vërtetë apo jo, kjo ndoshta nuk ka shumë rëndësi.

Topalli edhe mund të garojë për kreun e PD, por krejt ndryshe nga Eduard Selami, më përpara po përdor ‘artilerinë e rëndë’ me akuza ndaj Bashës.

Komentuesit e shumtë në FB e kanë kritikuar ashpër, duke theksuar se ishte ajo që nisi rrënimin e PD në Shkodër, ndërkohë që ky qark këtë radhë votoi më shumë për opozitën.

Nga ana tjetër spikat roli i Eduard Selamit.

Ai e kritikoi Bashën kur mendoi po e tepronte me qëndrimin në çadër dhe moszgjidhjen e krizës.

Por gjatë fushatës ishte konstruktiv.

Nuk u mor me peticione dhe theksoi se do të futet në garë.

A është ai garantues i garës së Bashës?

Ky mbetet një spekulim i mediave online.

Fakt është se qasja e tij ndaj garës është e ndryshme nga radikalët e tjerë.

Pak minuta më vonë, Selami doli nga selia.

Ai tha se nuk ishte takuar me Bashën, por vetëm me grupet e punës.

Sipas Selamit, PD do dalë më e fortë nga kjo garë.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Norma të reja interesi për Kreditë Hipotekore, sepse Intesa Sanpaolo Bank Albania e di se çfarë ju nevojitet!

Ke gjetur shtëpinë e ëndrrave dhe dëshiron ta blesh? Apo do thjesht...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.